-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Cilat janë xhamitë më të njohura në botën islame?

Më të lexuarat

Xhamitë janë vende ku përmendet Zoti në mënyrë të vazhdueshme. Vend në të cilin besimtari vendoset përballë mëshirës së Krijuesit. Xhamia e lidh besimtarin me botën tjetër, mes fizikes dhe shpirtërores, një dritë që të udhëheq drejt botës së amshuar. Besimtari lidhjen me Krijuesin e tij mund ta vendosë kurdo në çdo kohë dhe në çdo vend, por xhamia “shtëpia e Zotit” (bejtull-llah arabisht) është ajo e cila të çon drejt miraxhit,[1] drejt Zotit. Në këtë botë të rrëmujshme xhamia është si një oaz paqe e qetësie, e cila e zhyt besimtarin në një atmosferë devotshmërie, përkujtimi e lutjeje. Zbukurimet kaligrafike, motivet floreale janë një mjet i jashtëzakonshëm për t’i larguar njeriut stresin e për ta çuar atë drejt qetësisë shpirtërore.

Xhamia ka qenë gjithnjë vatër uniteti e shoqërisë islame. Aty takohen njerëzit, bisedojnë, vëllazërohen, këshillohen njëri me tjetrin e marrin këshilla të dobishme për sjellje të veçantë sociale, fetare e kulturore.[2] Nëpër xhami ekzistojnë klasa ku zhvillohen mësim-besimi dhe kurse të ndryshme. Aty predikohet feja, paqja, harmonia mes njerëzve, atdhetarizmi dhe gjithçka në dobi të individit dhe shoqërisë.

Roli i fesë dhe i objekteve të kultit në shoqëri, i përket një rëndësie të madhe dhe shumë të domosdoshme. Sociologët dhe studiuesit e fushave të ndryshme, pohojnë se feja është një rregullator social mirëfilli shumë më efektiv edhe sesa ligjet në fuqi. Ata vënë në dukje se sot kemi një dobësim të madh të humanizmit, zbehje të dukshme të solidaritetit, dobësim të komunitarizmit, prishje të lidhjeve që kemi pasur dikur, të miqësisë, të fqinjësisë etj. Teologë, sociologë e studiues të ndryshëm paraqesin argumente të cilat i japin përparësi fesë, institucioneve fetare dhe objekteve të kultit në rregullimin e jetës së individit.

Për të kuptuar më mirë lidhjen mes arkitekturës islame dhe transcendentes dhe komunikimin e saj që realizohet në trinomin njeri-objekt-transcendent, është i domosdoshëm përshkrimi veprave më të mëdha dhe më të shquara të arkitekturës islame. Disa nga xhamitë më të njohura në botë, pas tri xhamive të shenjta (Qabja në Mekë, Xhamia e Profetit në Medine dhe Al Aksa në Jeruzalem) janë: 

Xhamia Emevite në Damask (nga viti 706), vepër e Velidit I, është niveli më i lartë i arkitekturës sakrale emevite. Ka dimensione të çuditshme, 155 x 100 m, e dekoruar me kuptimin artistik më të lartë dhe me tërë shkëlqimin e kohës së vet. Xhamia nuk ka një qendër të shenjtë brenda mureve të saj, qoshku i faljes (mihrabi) shërben thjesht për të treguar drejtimin (kiblen) e Mekës dhe për të strehuar imamin, i cili drejton lutjet e përbashkëta duke qëndruar në ballë të besimtarëve, rreshtat e të cilëve janë të shpërndarë në gjerësi dhe jo të vargëzuara në thellësi. Hapësira brenda një xhamie është si një segment i njërit prej rrathëve bashkëqendrorë të panumërt që rrethojnë faltoren në Mekë.[3]

Xhamia e Madhe në Halep (e ndërtoi Sulejman ibn Abdulmeliku më 715-717), është xhamia më e rëndësishme në këtë qytet. Ndonëse është restauruar disa herë, ajo e ka ruajtur tërë bukurinë e vet.

Xhamia Sidi në Ukba, në Kajrevan (shekulli 709). Fillimi i ndërtimit të xhamisë i përshkruhet Sidi Ukba ibn Nafiut. Pamja e saj e tashme është qysh prej shekullit të IX-të. Dallohet me 414 shtylla, me lartësi dhe trashësi të ndryshme.

Xhamia e Zejtunit në Tunizi (shekulli 7-9), me disa variante të caktuara, ndjek modelin e xhamisë në Kajrevan. Xhamia është restauruar disa herë, e ndër më të rëndësishmet ajo në kohën e kalifit abasit El-Mu’tesimit.

Xhamia në Kordobë, Spanjë (786-1009). Xhamia e Madhe Kordobas (La Merzquita) në Andaluzi, Spanjën jugore, është  lavdia e botës islame dhe monumenti më madhështor mysliman i Evropës. Historia e saj është e gjatë dhe e ndërlikuar, pasi ka shërbyer si një tempull romak, katedrale Visigothice, kishë e krishterë, dhe xhami maure.[4] Për andaluzianët, Xhamia e Kordobës, është një simbol i qëndrueshëm i qytetit si kulm i Kalifatit të Perandorisë Maure. Ndërtimi i xhamisë ka zgjatur më shumë se dy shekuj, duke filluar nga Abdurrahmani në 786 pas Krishtit, gjatë një kohe kur hapësira publike të qytetit lulëzoi së bashku me prosperitetin e saj dhe të popullsisë. Ndërtimi i saj arkitektonik ishte revolucionar, duke siguruar një hapësirë të thjeshtë, të hapur, ku shpirtrat e adhuruesit mund të bredhin të lirë. Ngjyrat, harqet, kaligrafia, dekori, mihrabi e të tjera janë të jashtëzakonshme. Fillimisht ndërtesë modeste e Abdurrahmanit I, por gjatë kohës së Abdurrahmanit II, Hakemit II dhe Mensurit, do të rritet në dimensionet 176 m x 128 m.[5]

Medinet’uz-Zuhra (936-1010), qyteti rezidencial i halifit Abdurrahmanit III, 13 km në veriperëndim të Kordobës, në bregoret e Siera Morenës. Qyteti është vendosur në tri tarraca: në tarracën më të lartë ngrihej pallati perandorak, në të mesmen ndërtesat administrative, salloni për pritje, banesat e nëpunësve të dalluar të pallatit dhe të anëtarëve të familjes së halifit, vreshtat dhe kopshtijet, ndërsa në tarracën e poshtme, rreth Xhamisë së Madhe, ishin banesat private.

Malvija – xhamia në Samarra (847-861). E ndërtoi halifi Mutevekkili, është objekti sakral më monumental në historinë islame. E rrethuar me mur, me rreth 31.000 m2 . Në të mund të falen 100.000 namazxhinj. Hapësira e saj është 240 x 156 m). Minareja është e gjatë 50 m.

Xhamia e Ahmed Ibn Tulunit në Kairo (ndërmjet 876-879) është një nga objektet më interesante të kryeqytetit egjiptian. Ndonëse ka ndjekur shembullin e xhamisë në Samarë, por me dimensione më të vogla (140 x 33 dhe 122 x 26 m), ajo megjithatë ofron zgjidhje origjinale.

Xhamia dhe Universiteti El-Ez’her në Kairo (970-972) është vakufi më i vjetër Fatimid. Nga pamja e vjetër, kompleksi ka ruajtur vetëm disa elemente. Karakterizohet me arabeskë interesante dhe kaligrafi kufiane.

Minarja e Mesudit III në Gazna (nga viti 1114). Arkitekturë interesante me dekor të jashtëzakonshëm. Është i pranishëm shkrimi kufik dhe arabeska.

Mesxhidul xhuma në Isfahan (1088-1089) është xhamia më e çmuar me ivan në Persinë selxhukiane. Kjo godinë abasite është riparuar në kohën e Melik-Shahut. Muret, ivanët, mihrabi etj. janë tejet interesante me arabeskat, kaligrafinë nes’h, pllakat shumëngjyrëshe të emaluara me fajancë që dekorojnë ivanët, minaret dhe fasadat e oborrit.

Minarja në Xhamu (1153-1203) e lartë rreth 60 m., është simbol ngadhënjimi i sulltanit gurit, Gijasuddinit. Karakterizohet me strukturën arkitektonike, shkëlqimin shkëlqyes dhe me monumentalitet luksoz. Është futur nën mbrojtje të UNESCO-s.

Xhamia Karavijun në Fes (rreth 1135), është përmendore e rëndësishme nga koha e El-Murabitunëve (1060-1147). Karakterizohet me shtylla specifike dhe kupolës së pasur me stalaktite.

Xhamia në Tlemsen (nga viti 1136) dhe është riparuar rreth një shekull më vonë. Kjo ndërtesë është me dimensione 60 x 50 m. Ka elemente të imitimit të xhamisë së Kordobës.

Xhamia Kutubije në Marakesh (87 x 58 m.) është ndërtesa më e rëndësishme e El-Muvehiddunëve (1133-1269) në Marok. Ndërtimin e filloi sunduesi i parë i kësaj dinastie Abdu’l-mu’mini më 1147, kurse e përfundoi pasardhësi i tij, Jusufi. Jakub El-Mensuri me minaren e ndërtuar i dha formën përfundimtare xhamisë.

Giralda në Sevilje (tash kambanë në katedrale, është minare e xhamisë së rrënuar, të cilën e ndërtoi Ebu Jakub Jusufi më 1171. Një pjesë e saj është ruajtur deri sot.

Alhambra në Granadë, Spanjë (1333-1391), e ndërtuar gjatë kohës së Jusufit I dhe Muhamedit V. Karakterizohet me stil kontrastiv, me synim që të arrihet veprimi dekorativ dhe faktori i perspektivës e jo formësimi arkitektonik. Harqet gjysmëharkorë në shtyllëzat e dyfishtë prej mermeri, dritaret e dyfishta, kaligrafia dhe dekoret stalaktite e plotësojnë mrekullinë e formës. Për fat të keq, disa pjesë të këtij kompleksi janë ndërruar, shkatërruar ose bastarduar me rindërtimet dhe riparimet e mëvonshme. Alhambra,është një kompleks ndërtesash në Andaluzi (Grenada, Spanjë) dhe një nga madhështitë e arkitekturës islame.[6] Ajo përbën një nga tërheqjet turistike  më të mëdha të Spanjës, me një arkitekturë të jashtëzakonshme.

Xhamia Ulu në Bursë (nga viti 1396), me shumë kupola dhe dy minare. Përmasat e saj janë 63 x 50 m.

Xhamia Selimije në Edirne, e vendosur në kodrinën, e cila dominon në qytet, është kryevepër e Mimar Sinanit. Është ndërtuar ndërmjet viteve 1570-1574, në kohën e sulltan Selimit. Përmasat e saj janë 186 x 135 m. Arkitektura dhe katër minaret, me tri sherefe, janë bukuri e llojit të vet.

Mesxhidi Shah në Isfahan (vakuf i Shah Abasit I (1587-1629), është xhamia më grandioze e safevitëve. Dekori, ivanët, fasada, harqet, ngjyrat janë të jashtëzakonshme.

Xhamia Badshahi në Lahorë (1673-1674), e ndërtuar gjatë sundimit të Aurangzebit, është godina më e madhe sakrale mogule dhe dëshmitari i fundit i arkitekturës së pastër mogule. Çdo gjë duket impresive.

Xhamia Gjenne në Mali (1906) është ngritur në rrënojat e xhamisë së shek. XIII, me sipërfaqe prej 40 x 40 m.

Xhamia Istiklal në Xhakartë (1955-1984) është xhami shtetërore e vendit më të madh mysliman në botë. E ndërtuan mjeshtrit dhe zejtarët e vendit. Dekori i brendshëm është prej mermerit, qeramikës dhe çelikut.

Xhamia e mbretit Fejsal në Islamabad (1966-1986) pranon 10.000 besimtarë  brenda dhe 80.000 besimtarë në hapësirat përreth. Është përzierje e stilit klasik dhe modern. Arkitekti ishte turk me emrin Vedat Delakoy. Edhe forma e jashtme edhe e brendshme është impresive me pllakat prej qeramike dhe mbishkrimet monumentale kaligrafike.[7]

————————————————————

[1] Miraxh është quajtur udhëtimi (ngjitja) e profetit Muhamed a.s. drejt Zotit.

[2] Zekaj R., Zhvillimi i kulturës islame te shqiptaret gjatë shekullit XX, f. 146, AIITC, Tiranë 2002, Ribotim

[3] Po aty, f.18

[4] Gjatë viteve 1523 dhe 1607, xhamia është shndërruar në katedrale, pas ripushtimit të Spanjës nga të krishterët.

[5] Dr. S. M. Gazanfar, Trashëgimia Islame e Spanjës

[6] “The Alhambra – historical introduction”. Retrieved 2 January 2013. (Alhambra –  Përmbledhje e historisë)

[7] Të dhënat rreth këtyre xhamive janë marrë nga: “Atlasi i botës Islame”, Sarajevë, 2004, përkthyer në shqip nga N. Ibrahimi dhe janë botuar në disa media të shkruara dhe online.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit