1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

INVESTIMI MË I MADH TE FËMIJËT BËHET GJATË 6 VITEVE TË PARA

Më të lexuarat

Nënat dhe baballarët mendohen disa herë para se ta çojnë fëmijën te psikologu, provojnë mënyra të ndryshme për të zgjidhur problemet dhe si zgjidhje e fundit shihet psikologu.

Janë të shumta familjet të cilat ndajnë një sasi të madhe të ardhurash për shkollimin e fëmijëve të tyre që në fillore. Specialistët na tërheqin vërejtjen duke na thënë se investimi më i mirë te fëmijët është investimi i bërë gjatë 6 viteve të para. 75% e zhvillimit të personalitetit plotësohet para shkollës fillore. Pas kësaj periudhe ju mund ta çoni fëmijën në një mjedis më të mirë, më të shëndetshëm, por nuk do të ketë ndonjë efekt në bërjen e fëmijës më të lumtur, të sigurt apo më të zgjuar.

Kur duhet shkuar te psikologu?

Nëse fëmija frikësohet shumë natën, ka fobi të ndryshme, thith gishtin, ha thonjtë, shfaq agresivitet, urinon, belbëzon, thotë gënjeshtra, vjedh, shfaq xhelozi të tepruar ndaj vëllait më të vogël, ka probleme seksuale, çrregullime në ushqyerje dhe gjumë, është i mbyllur në vetvete apo është shumë kokëfortë, atëherë kërkohet konsultimi i menjëhershëm me një specialist psikolog.

Mos prisni shfaqjen e problemeve për të shkuar te psikologu

Nuk është e thënë që prindërit të presin shfaqjen e ndonjë çrregullimi apo problemi për të shkuar te psikologu. Gjatë moshës 0-6 vjeç fëmija duhet vizituar rregullisht te specialisti për të ndjekur ecurinë e zhvillimit. Gjatë seancave të kontrollit duhet parë zhvillimi fizik, socio-emocional, mendor. Me ndihmën e kontrolleve të tilla ju:

– mësoni nëse fëmija juaj po rritet normalisht apo jo, dhe çfarë mund të bëhet për të mbështetur zhvillimin e tij;

– mësoni nëse fëmija ka mangësi në disa fusha. Atëherë psikologu do t’ju ndihmojë ta zhvilloni më shpejt me anë të lojërave apo ushtrimeve të ndryshme. P.sh. ju mund ta vini re në moshën 18-muajsh problemin që mund të ketë fëmija në të folur ndërsa, psikologu e kupton që 8-10-muajsh;

– mësoni anët e dobëta dhe të forta të fëmijës, prirjet dhe rrugët e zhvillimit të tyre;

– keni mundësi të shihni dhe riparoni gabimet e bëra pa e kuptuar as vetë ju;

– komunikoni në mënyrën e duhur me fëmijën;

– mësoni të zgjidhni lodrat e përshtatshme për moshën e tij;

– keni mundësi të diagnostikoni më herët problemet në sjellje apo sëmundje të tjera, t’i parandaloni apo t’i kaloni më shpejt.

Mosha më e përshtatshme për fillimin e kontrolleve të zhvillimit është 6-8 muajsh. Psikologët mund t’i bëjnë kontrollet në periudha të ndryshme. Seancat e kontrollit lidhen edhe me zhvillimin e fëmijës. Normalisht nga mosha 6-36 muajsh mund të bëhet një kontroll çdo 2 muaj. Nga mosha 3-6 vjeç një herë në katër muaj.

Çrregullimet në sjellje, sëmundjet

Familjet mund të kërkojnë ndihmën e psikologut për çrregullimet në zhvillim, anomalitë seksuale dhe çrregullimet kromozomike. P.sh. në kurimin e sëmundjeve si autizmi, hiperaktiviteti, humbja e përqendrimit, sindroma Daun apo çrregullimet në të folur, mund të kërkohet ndihma e psikologut. Ka raste kur fëmijës i duhet dhënë mjekimi i duhur shoqëruar me ilaçe, ka dhe raste kur fëmija ka prirje për shfaqjen e një sëmundjeje dhe këtu e ndihmon psikologu thjesht me anë të ushtrimeve. Kjo ndihmon në ndalimin e zhvillimit të problemit.


Përgjigje për disa pyetje të lidhura me psikologjinë

Familjet mund të këshillohen me psikologun edhe për të marrë përgjigje apo për të zgjidhur disa probleme të thjeshta, një pjesë e të cilave mund të zgjidhen me disa këshilla të thjeshta. Në rast të zgjidhjes së tyre me anë të metodave të papërshtatshme, atëherë mund të shkaktohen probleme më të rënda psikologjike.

Ja disa nga pyetjet më të shpeshta të bëra nga familjet:

– Në çfarë moshe duhet ta çoj fëmijën në kopsht?

– Më godet në fytyrë, si mund t’ia heq këtë ves?

– Është shumë kokëfortë, kërkon t’i plotësohen të gjitha kërkesat, ç’duhet të bëj?

– Kur duhet t’ia ndaj shtratin?

– Është shumë i lidhur me mua, si mund ta largoj pak?

– Nuk i pëlqen të bëjë detyrat, ç’mund të bëj?

– Nuk dëshiron të shkojë në shkollë, si të veproj?

 

Si të veprojmë kur fëmija ka frikë shkollën?

Fëmija juaj mund të ankohet për dhimbje barku, të përziera dhe t’ju kërkojë të mos shkojë në shkollë, ju mund të mendoni se ai po sajon justifikime për të mos shkuar dhe e akuzoni se po luan rolin. Por tregohuni të kujdesshëm!

Fobia e shkollës është një faktor shumë i rëndësishëm për t’u vlerësuar në mbarëvajtjen shkollore të fëmijës. Nëse fëmija juaj vuan nga fobia e shkollës atëherë duhet zgjidhur sa më parë.

Në shumicën e rasteve fobia e shkollës zhvillohet në lidhje me frikën nga ndarja por asnjëherë frikën nuk duhet ta ulim deri në këtë pikë. Te çdo fëmijë, i cili ndahet nga shtëpia, ekziston frika nga ndarja, por kjo është një ndjenjë e kontrolluar dhe nuk mund të cilësohet si fobi shkolle.

Kjo frikë merr përmasa shqetësuese, sepse fëmijës i dhemb me të vërtetë barku dhe ka të përziera. Këtë e ndan me prindërit, duke u thënë se nuk dëshiron të shkojë në shkollë. Në raste të tilla prindërit mendojnë se fëmija po luan me ta por këtu e kanë gabim. Nuk është sjellje e drejtë fajësimi i fëmijës si gënjeshtar, sepse fëmija mund të ketë dhimbje të forta barku.

 

Fëmijët fobikë nuk janë fëmijë dembelë

Fëmijët që vuajnë nga fobia e shkollës nuk janë fëmijë dembelë dhe në rast të zgjatjes së ankesave dhe shqetësimeve situata mund të rëndohet më shumë.

Këta fëmijë nuk janë dembelë. Ai mund të mos dëshirojë të shkojë në shkollë për shkak të problemeve familjare apo ato të lidhura me shkollën, kur shkon në shkollë ndihet keq. Për të bërë dallimin mes një frike normale dhe fobisë duhet të shikojmë nëse shqetësimet zgjasin më shumë se dy ditë. Nëse shqetësimet vazhdojnë atëherë mund të flasim për një fobi.

 

Shmangni zemërimin por mos e teproni në lëshime !

Në këtë rast nuk këshillohet as zemërimi apo nevrikosja e prindit dhe as lëshimi i situatës në duart e fëmijës. Është shumë e rëndësishme të bëhet përcaktimi i shqetësimit. Fëmija mund të jetë shumë i shqetësuar, kjo lind nga fjalët ofenduese të mësueses, nga një fjalë e dëgjuar nga shokët apo nga një situatë e krijuar në shtëpi. Në raste të tilla duhet të analizohet lidhja e fëmijës me mësuesen dhe të merret sa më shumë informacion rreth saj.

Është krejt normale nëse fëmija nuk dëshiron të shkojë 3-5 herë në shkollë. Nëse refuzimi i tij shoqërohet edhe me dhimbje situata duhet të vlerësohet seriozisht. Këtu është e rëndësishme të përcaktohet shkaktari i frikës. Përpiquni ta zgjidhni sa më parë problemin nëse fëmija vuan nga fobia e shkollës.

 Samanta Hysa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit