2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Njeriu i mirë është i lumtur

Më të lexuarat

Si e dallojmë ne të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara? Cilat mekanizma e karakterizojnë veprën morale? Pse njerëzit janë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët? Nga se i njohim ne vlerat e larta dhe njerëzit e drejtë në shoqëri dhe pse i admirojmë ata? Pyetje si këto i kanë preokupuar vazhdimisht elitat e intelektualëve e kështu do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ky artikull nuk ngre vetëm pretendimin për të sjellë përgjigje përgjithësisht të vlefshme, por përmbledh vetëm rezultatet e dy punimeve të reja shkencore, të cilat janë botuar në revistat amerikane Science dhe Nature dhe paraqesin studime interesante mbi etikën sociale dhe sjelljen morale.

Artikulli i publikuar në revistën Science prezanton një varg faktesh se të ndihmosh njerëzit e tjerë financiarisht, të bën të lumtur. Kurse artikulli i revistës Nature arrin mbase në një konkluzion edhe më befasues: Tashmë fëmijët e vegjël, të cilët nuk mund të flasin, dinë ta vlerësojnë sjelljen sociale dhe parapëlqejnë me tepër njerëzit që ndihmojnë të tjerët. Prandaj kjo tregon që ne jo vetëm ndjehemi më të lumtur, kur u bëjmë mirë të tjerëve, por edhe ndihemi të tërhequr ndaj njerëzve që bëjnë mirë – dhe këtë që në fëmijërinë e hershme.

Të mbështesësh njerëzit e tjerë financiarisht, të bën të lumtur

Për të zbuluar se si ndikon mbështetja financiare ndaj të tjerëve, studiues të Universitetit Vankuver, në bashkëpunim me shkencëtarë të Universitetit të Harvardit, i kërkuan një grupi prej 632 amerikanësh të vlerësonin në fillim mirëqenien e tyre të përgjithshme, të vlerësonin të ardhurat e tyre vjetore dhe të përcaktonin sa para shpenzonin në muaj për a) faturat dhe shpenzimet, b) dhurata për vete, c) dhurata për të tjerët dhe d) qëllime bamirësie[1]. Më pas u paraqitën pikat a dhe b, për të nxjerrë një vlerë krahasuese për shpenzimet në favor të të tjerëve. Nga analiza e këtyre të dhënave doli që me shpenzime më të larta në favor të të tjerëve përjetohet një kënaqësi shumë më e madhe, ndërsa nga ana tjetër, nuk duket të ketë ndonjë lidhje mes shpenzimeve personale dhe kënaqësisë.

Në fund, një grup punonjësish, të cilët përfitonin një bonus të veçantë nga ndërmarrjet e tyre, iu nënshtruan një testi të ngjashëm. Të 16 pjesëmarrësit jepnin një muaj para marrjes së bonusit informacion mbi të ardhurat e tyre vjetore dhe mbi mirëqenien e tyre të përgjithshme. Pothuaj dy muaj pas marrjes së bonusit ata u pyetën dhe u lutën sërish të vlerësonin se sa nga ky bonus e kishin harxhuar për vete dhe sa për të tjerët. Edhe nga ky anketim doli qartë se mbështetja financiare e njerëzve të tjerë është një indikator thelbësor për kënaqësinë vetjake. Të ardhurat vjetore dhe vetë bonusi nga ana tjetër nuk përbënin ndonjë domethënie të madhe.

Edhe më tej do të duhej zbërthyer lidhja mes kënaqësisë vetjake dhe mbështetjes financiare të të tjerëve përmes një testi të tretë. Për këtë qëllim, 46 studentëve iu kërkua të vlerësonin mirëqenien e tyre të përgjithshme. Më pas iu dha një shumë e vogël prej 5 dollarësh ose 20 dollarësh me kusht, që këto para t’i harxhonin në të njëjtën ditë deri në orën 17. Pas këtij parimi rastësor njëri nga grupet u orientua të paguante një faturë të vjetër ose të plotësonte një dëshirë me ato para (kategoria: shpenzime personale, shih lart). Grupeve të tjera iu tha se me paratë e dhëna, ata duhet t’i bënin dikujt një dhuratë ose ta harxhonin për qëllime bamirësie (shpenzime në favor tëtë tjerëve). Më pas studentët duhet të gjykonin mirëqenien e tyre nga e para. Përfundimi: Studentët e grupit me shpenzimet në favor të të tjerëve ishin dukshëm më të kënaqur, paçka se nuk luante ndonjë rol nëse u ishin dhënë 5 dollarë apo 20.

Nga kjo mund të dëshmohet se mbështetja financiare ndaj të tjerëve të bën më të lumtur se përmbushja e dëshirave personale – një rezultat i cili nuk pritej patjetër kështu. Interesant mbetet fakti se kur 109 studentëve të tjerë të të njëjtit universitet iu përshkrua kjo anketë dhe u pyetën se cila mënyrë i kishte kënaqur më shumë pjesëmarrësit e saj, ata u gabuan dyfish në parashikimin e tyre: pjesa më e madhe e tyre mendonin se shpenzimi i 20 dollarëve për gjëra personale duhet të dhuronte kënaqësinë më të madhe.

Fëmijët e vegjël që ende nuk mund të flasin, dinë ta vlerësojnë veprën sociale

Në kuadër të studimit të dytë, i cili u përpunua nga një grup i shkencëtarëve të Universitetit të Jellit, disa fëmijë të vegjël 6-10 muajsh, të cilët ende nuk flisnin, u lejuan të shihnin disa animime filmash me truk[2] përpara një ekrani. Në sekuencën e parë, një objekt i gjallë, i kuq dhe i rrumbullakët tenton t’i ngjitet një kodre, por dështon dy herë gjatë përpjekjeve të para (A). Në përpjekjen e tretë, vjen edhe një tjetër objekt, i cili ose e ndihmon alpinistin duke e shtyrë (B) ose e pengon dhe e bezdis (C). Kur fëmijëve iu kërkua të zgjidhnin midis ndihmësit dhe penguesit, ata zgjodhën pothuajse të gjithë ndihmësin, vetëm 2 nga 26 fëmijët e vegjël preferuan bllokuesin).

Gjatë një kontrolli, i cili u krye më pas, hoqëm dorë t’i jepnim alpinistit pamjen e një qenieje të gjallë. Në këtë rast preferencat e fëmijëve ishin çuditërisht pak a shumë mes B—së dhe C-së. (Struktura e studimit mbeti e pandryshuar në të gjitha aspektet e tjera. Alpinistit iu hoqën vetëm sytë dhe ai nuk u paraqit më sikur vepronte me forcën e tij.) Kjo solli si rezultat që fëmijët gjatë përpjekjes e së parë nuk e kishin zgjedhur ndihmësin, ngaqë atyre u kishte pëlqyer më shumë veprimi, forma ose ngjyra e tij. Zgjedhja e tyre ishte më tepër e motivuar nga sinqeriteti dhe marrëdhënia ndërnjerëzore: Pa sy dhe veprim të brendshëm, fëmijët nuk e identifikonin alpinistin më si individ, dhe si rrjedhim as si një ndërveprim social.

Dihet që fëmijët tërhiqen më tepër nga ndodhitë e papritura sesa nga ato të planifikuara[3]. Pas eksperimentit të përshkruar më sipër, të njëjtët fëmijë iu nënshtruan një eksperimenti të dytë, ku u matën intervalet e vrojtimeve të tyre: Në ekran qëndron ulur alpinisti mbi një kodër dhe shkon sa te ndihmësi sa te penguesi (D). Në fund ai kërkon të afrohet te njëri prej tyre (E: Alpinisti i drejtohet ndihmësit; F: Alpinisti i drejtohet penguesit). Shihej qartë se fëmijët mesatarisht vështronin më gjatë kur alpinisti i drejtohej ngatërrestarit. Pasi kjo gjë i befasonte ata më tepër, ndërkohë që animin e alpinistit nga ndihmësi e shihnin si diçka krejtësisht normale. Shkurtimisht, këto rezultate dëshmuan pikësëpari se fëmijët e vegjël që ende nuk mund të flasin, dinë të vlerësojnë një veprim social, ndërsa i vlerësojnë pjesëmarrësit si pozitivë ose negativë – edhe atëherë, kur ata vetë janë jopjesëmarrës (dhe si rrjedhojë pa paragjykime).

Bashkëpunimi në sferën sociale

Etika sociale i ka vënë përballë enigmës jo vetëm filozofët dhe sociologët, por edhe biologët gjithashtu. Shumë fakte dëshmojnë se mënyrat e sjelljes sociale nuk janë të lindura vetëm te ne njerëzit. Sjellje altruiste gjenden kudo në natyrë dhe vërehen në të gjitha qeniet e gjalla që ekzistojnë si te bakteret ashtu dhe te gjitarët. Vetëm në kulturat bakteriale, të cilat rriten hovshëm, një pakicë e qelizave të tyre imponojnë tek to një vetëkufizim dhe rriten shumë ngadalë.[4] Ky mbipopullim është në gjendje t’i mbijetojë edhe trajtimit me antibiotikë. Ai heq dorë nga përparësia vetjake dhe formon kështu një lloj sigurimi të jetës për koloninë duke i mundësuar asaj të pushojë pas një sulmi vdekjeprurës. Në anën tjetër të spektrit të gjallesave disa majmunë duket se ushtrojnë një funksion mbrojtës të ngjashëm. Ata paralajmërojnë llojin e tyre nga agresorët, duke u tërhequr vëmendjen. Kështu ata vënë veten e tyre në rrezik të madh për t’u sulmuar prej tyre.

Në pamje të parë një sjellje e tillë altruiste bie në kundërshtim me egoizmin, i cili është rezultat i pashmangshëm i atyre hipotezave që mbështeten në teorinë social-darviniste: të mbijetesës së më të fortit. Nëse sipas parimit të selektimit natyror mbijetojnë vetëm më të fortët, përse kjo sjellje kaq humane nuk është zhdukur prej kohësh? Normalisht do duhej pranuar se qeniet individuale, të cilat nuk i maksimizojnë interesat e tyre, duhet të ishin zhdukur shumë më herët se ne t’i kishim zbuluar ato. Pra nuk është çudi, pse për biologët është shumë e rëndësishme t’i pajtojnë me njëri-tjetrin altruizmin dhe egoizmin. Sjellja altruiste në mbretërinë e kafshëve dhe te njeriu është pa dyshim një sfidë për cilindo shkencëtar apo biolog, i cili gjithmonë e konsideron si mjaft thelbësor parimin themelor të rivalitetit në natyrë.

BILL SAYORAN

[1] “Spending Money on Others Promotes Happiness”, Science, Nr. 319, 21 mars 2008.

[2] “Social Evaluation by Preverbal Infants”, në: Nature, nr. 450, 22 nëntor 2007. Video të filmave me truk i gjeni në faqen elektronike të revistës në linkun: http:/www.nature.com/nature/journal/v450/n7169/suppinfo/natureo6288.html

[3] Po aty.

[4] “Is bacterial Persistence a Social Trait:” në:Plos One, vëll. 8, gusht 2007.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit