3.3 C
Pristina
Thursday, December 5, 2024

PROFETI ADEM (A.S.)

Më të lexuarat

Zoti krijoi dy njerëzit e parë Ademin a.s dhe gruan e tij Havanë. Më pas i tha:

“O Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij, por kurrësesi mos iu afroni asaj peme, e të bëheni zullumqarë” (Bekare 35)

Ndërkohë, Ademi a.s dhe Havaja, harruan porosinë e Zotit të tyre. Ranë pre e ngacmimeve të shejtanit dhe gabuan. Këtë Zoti e thotë kështu në Kuran:

“Ne e patëm urdhëruar Ademin por ai harroi” (Ta Ha 115)

Kështu, refleksi i parë, i njeriut të parë ishte harresa. Normalisht, njeriu, nga kjo veçori e ka marrë dhe emrin njeri. Fjala “Insan”, që Zoti e quan njeriun, vjen nga folja “nesije”, që do të thotë “harron”. Kështu pra, është normale, njerëzore dhe e natyrshme që njeriu të harrojë dhe si rrjedhojë, edhe të gabojë. E rëndësishme këtu është që njeriu të pranojë se është i gabueshëm, të pranojë këshillimin, dhe si përfundim të pendohet. Kështu bëri dhe Ademi a.s me Havanë. Pranoi që harroi, pranoi këshillën e Zotit dhe u pendua.

 

Të njejtën gjë duhet të veprojmë edhe ne. Sa porosi na ka dhënë Zoti me anë të Muhamedit a.s në Kuranin Famëlartë? Sa prej tyre harrojmë, apo neglizhojmë? Kjo pra është natyra jonë, harrojmë, neglizhojmë dhe gabojmë. Por, historia e babait tonë Ademit a.s, na mëson të pendohemi menjëherë. Na mëson të mos shikojmë gabimin se sa i vogël është por urdhërin e kujt kemi thyer. Prandaj le të marrim mësim nga përvoja e babait tonë dhe të pendohemi menjëherë pas çdo gabimi. Por, përse pikërisht Ademi a.s. vajti tek pema e ndalur? A mos vallë nuk i mjaftuan të gjitha llojet e tjera të pemëve apo frutave?

Nuk është dhe aq për tu habitur sepse ashtu si ai, edhe ne sot kemi lloje të ndryshme mishi të lejuar dhe përsëri shkojmë tek mishi i ndaluar. Kemi lloje të ndryshme pijesh të lejuara dhe përsëri shkojmë tek pija e ndaluar. Pra, nuk ka ndryshim midis pemës së ndaluar të Ademit a.s dhe Havasë, dhe atyre gjërave që Zoti i ka bërë të ndaluara për ne. Kjo tregon qartë, se pema jonë e ndaluar është çdo ndalesë e cilësuar si haram në Kur’an dhe në Traditën Profetike.

Por, kush është ndryshimi midis gabimit të shejtanit dhe Ademit a.s?  Ndërkohë që, që të dy thyen urdhërin e Zotit, ajo që bën ndryshimin është se shejtani veproi me vullnet, bindje, këmbëngulje, dhe më e keqja, nuk u pendua.

Ndërsa Ademi a.s harroi, u mashtrua, u gënjye, nuk mundi t’i rezistojë vesveseve dhe joshjes së shejtanit, por ama u pendua menjëherë!

 

Prandaj le të kuptojmë që jemi njerëz të dobët, të pafuqishëm dhe të gabueshëm. Nuk ka ditë që të mos gabojmë. Le t’i ngjajmë babait tonë, Ademit a.s dhe pas çdo gabimi kundrejt urdhërit hyjnor, të pendohemi menjëherë pa vepruar gabimin tjetër.

Allahu nuk mërzitet me pendimin tonë deri sa të mërzitemi ne me pendimin tek Ai.

Të mos i mbyllim sytë në darkë për të filluar një ditë tjetër pa bërë lutjen e Ademit a.s:

رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنْفُسَنَا وَإِنْ لَمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

“Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne, me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!” (A’raf 23)

 

Zoti na bëftë prej atyre që pendohen dhe reflektojnë menjëherë, pas çdo gabimi. Amin.

 

Taulant Bica

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit