-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ministri izraelit i Sigurisë i ekstremit të djathtë viziton Xhaminë Al-Aksa

Më të lexuarat

Vizita e Itamar Ben-Gvir vjen një ditë pas njoftimit për shtyrjen e vizitës kontroverse të planifikuar në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar

Ministri i ri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, një ditë pasi njoftoi shtyrjen e vizitës mes paralajmërimeve për trazira, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të përditshmes izraelite “Yedioth Ahronoth”, Ben-Gvir mbërriti në kompleks në një vizitë të papritur i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë.

Gazeta citoi Ben-Gvir të thoshte se qeveria e re e vendit e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu “nuk do t’i dorëzohet kërcënimeve të Hamasit”.

“Mali i Tempullit është vendi më i rëndësishëm për popullin e Izraelit dhe ne mbrojmë lirinë tonë të lëvizjes atje”, shtoi ai.

Al-Aksa për muslimanët paraqet vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, kësaj zone i referohen si Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ndodheshin dy tempuj hebrenj.

Të hënën vonë, Ben-Gvir shtyu vizitën në Al-Aksa, e cila ishte planifikuar për këtë javë pas një telefonate me Netanyahu-n, i cili sapo mori drejtimin e qeverisë pas zgjedhjeve në fillim të nëntorit.

Gjatë bisedës telefonike, Ben-Gvir thuhet se argumentoi se qeveria nuk duhet të dorëzohet ndaj kërcënimeve të Hamasit për një vizitë të tillë, duke shprehur synimin e tij për të shkuar në xhami në javët e ardhshme.

Transmetuesi publik izraelit KAN kishte raportuar më herët se zyra e Ben-Gvir njoftoi policinë për planet e tij për të vizituar pikën e nxehtë të martën ose të mërkurën.

Grupi palestinez Hamas, nga ana e tij, tha se do ta konsideronte Izraelin përgjegjës për çdo pasojë të vizitës së planifikuar të Ben-Gvir.

Ben-Gvir ka pikëpamje të ekstremit të djathtë për palestinezët dhe ka bërë thirrje për zhvendosjen e tyre. Ai është bashkuar vazhdimisht me kolonët izraelitë në bastisjet që janë kryer në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Politikani i ekstremit të djathtë gjithashtu shkaktoi një valë përshkallëzimi në qytetin e pushtuar pas hapi një zyrë në lagjen Sheikh Jarrah.

Nëntorin e kaluar, Presidenti izraelit, Isaac Herzog, paralajmëroi në një video mesazh se “e gjithë bota është e shqetësuar” për pikëpamjet ekstremiste të Ben-Gvir.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit