1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Evropa e hipokritëve

Më të lexuarat

Ndihma gjermane për refugjatët është prekëse, madhështore dhe historike.

Greqia ishte vetëm paraloja; sfida e madhe vjen tash. Tani nuk bëhet fjalë për euron dhe unionin monetar, por për njerëz në mjerimin më të hidhur. Tani puna është nëse dhe si dëshiron dhe mund Evropa të organizojë mbijetesën e qindra-mijëra refugjatëve. Ndoshta janë shumë më tepër refugjatë; ndoshta janë dy milionë apo tre. Por Bashkimi Evropian është një union me 510 milionë njerëz. Kësaj Evrope nuk i zihet fryma nëse pranon refugjatë lufte nga Siria. Kësaj Evrope i zihet fryma nëse nuk i pranon ata: atëherë i zihet fryma për shkak të koprracisë, egomanive nacionale dhe hipokrizisë së saj.

Tani duhet të dëshmohet se çfarë vlere vërtet kanë të drejtat themelore evropiane. Tani duhet të dëshmohet se ç’rëndësi ka motoja “hapësirë e të drejtës, sigurisë dhe lirisë”. Tani duhet të dëshmohet nëse e gjithë kjo është më shumë se një ujëvarë plot me fraza. Tani duhet të dëshmohet nëse konventat që i kemi nënshkruar janë më shumë se disa copa letre.

Nëse vendet thelbësore evropiane si Hungaria apo Polonia nuk duan të pranojnë njerëz që janë në mjerimin më të madh, sepse ata kanë besimin e gabuar, atëherë kjo është tradhti e lartë e vlerave për shkak të të cilave është themeluar Bashkimi Evropian. Nuk mund dhe nuk bën të ndodhë që pjesë të Evropës të kthehen pas Traktatit të Paqes së Vestfalisë. Evropa nuk jeton vetëm nga euroja; ajo jeton nga vlerat e saj, nga liria e besimit dhe ndërgjegjes, liria e individit, barazia e njerëzve para ligjit dhe liria e lëvizjes. Evropa jeton edhe nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor. Nëse për të nuk kanë më vlerë këto vlera, atëherë nuk ka vlerë as mbijetesa e Evropës.

E drejta e Evropës nuk është e drejta e të fortit; Evropa jeton nga fuqia e të drejtës. E drejta është atëherë e fuqishme kur e mbron të ligshtin. Andaj e drejta e azilit i përket garancive thelbësore të të drejtës evropiane. Tashmë 25 vjet Evropa merret me ligjet e saj të azilit. Nuk ka ligj unik evropian për azil, as njohje të dyanshme të vendimeve për azil. Sa i përket refugjatëve Evropa deri më tani nuk është union, por një konglomerat egoistësh të kombeve të ndryshme.

Gjermania tani është duke pranuar një numër të madh të refugjatëve nga Siria, refugjatë që në Hungari po keqtrajtohen dhe në Austri po përcillen tutje. Kjo është prekëse dhe madhështore, kjo është historike. Lokaliteti i parë i madh ku pranohen refugjatët është Müncheni, është ai vend ku refugjatët gjejnë përkujdesjen e parë – nga shteti, nga burokracia që kësaj radhe po funksionon në mënyrë të përsosur, nga një kryetar qyteti me zemër dhe nga një shoqëri civile e përzemërt. Një përzemërsi e tillë nuk i zgjidh problemet e mëdha, të cilat e presin shtetin dhe shoqërinë gjatë integrimit të refugjatëve. Por ajo ndihmon t’i qasemi problemeve – në Berlin, në Bruksel, në kryeqytetet evropiane dhe në qytetet në provincë.

Kryeministri i Bavarisë së Epërme e tha një fjalë, e cila vërtet duhet të mbahet mend, sepse mund ta ilustrojë përrallën gjermane të verës së vonshme, ndryshimin e paradigmës gjermane: “Çështjet juridike momentalisht për mua nuk janë aq të rëndësishme” – tani, siç proklamon ai, duhet të përqendrohemi në radhë të parë te “menaxhimi humanitar”. Kjo fjali premton ndihmë të parë; kush ankohet për ndihmën e parë, siç po bëjnë politikanë të ndryshëm në Evropë, sepse ajo josh edhe më shumë hallexhinj – le t’i vijë turp. Kush nuk ndihmon në këtë mjerim të madh për shkaqe të trembjes së refugjatëve, pra të një lloj preventive të përgjithshme, sillet në mënyrë çnjerëzore. Unioni Kristian Social (CSU, parti qeverisëse në Bavari, v.j.) nuk duhet të jetë pjesë e kësaj; ky do të ishte orbanizimi i saj.

Një Evropë orbaneske nuk do të ishte më Evropë; Evropa duhet t’i kthehet ndihmës solidare. Por Gjermania nuk duhet ta kushtëzojë ndihmën e saj duke iu referuar Evropës, pra që edhe të tjerët të ndihmojnë. “Nëse çdonjëri pret derisa tjetri t’ia fillojë, atëherë askush nuk do t’ia fillojë!” Kjo fjali rrjedh nga një kohë e errët, ajo rrjedh nga afishet e vëllait dhe motrës Scholl (të cilët rezistuan kundër diktaturës së Hitlerit, v.j.). Këto fjalë nuk e kanë vendin vetëm në Muzeun e Rezistencës kundër Hitlerit. Sot secili duhet të mendojë vetë se çfarë rëndësie kanë këto fjalë sot dhe me çfarë obligimi na ngarkojnë – kryetarët dhe kryeministrat e BE-së gjithashtu.

Müncheni ka qenë qyteti i Marrëveshjes së Münchenit të vitit 1938; me atë diktat të Hitlerit nisi shkatërrimi dhe fundosja e asaj që kishte lënë pas në Evropë Lufta e Parë Botërore. Sot Müncheni dhe qytetet e tjera që po pranojnë refugjatë do të mundnin – ndoshta, me shpresë – të themelojnë një traditë të re: Müncheni, Saalfeldi, Hamburgu si emra dhe simbole për mbrojtje dhe për ndihmë, për Evropën e mirë. /“Süddeutsche Zeitung”/DialogPlus/-lli/

Heribert Prantl

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit