0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri – caktimi i datës, çështja e sigurisë dhe deklaratat e Rashiqit e Jabllanoviqit pas takimit me Osmanin

Më të lexuarat

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë  politike dhe me Komisionin Qendror ka caktuar 18 dhjetorin, si datë të mbajtjes së zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në vendimin e presidentes Osmani thuhet se udhëzohet  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi.

Pas takimit me përfaqësues të partive politike, Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Osmani, ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të  ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.

Këtë vendim Lista Serbe e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, tha kryetari i Listës Srpska Goran Rakiq, i cili edhe vet dha dorëheqjen nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës.

Por, në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve në veri të vendit, përfaqësuesit serbë u shprehen skeptik për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në takimin me presidenten ka marrë pjesë edhe Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive.

Ai tha se mbajtja e zgjedhjeve në veri mund sjellë tensione dhe përshkallëzim të situatës në ato komuna.

“Unë isha pak më i theksuar se kolegu im, duke thënë se kushte për zgjedhje nuk ka. Pra zgjedhjet si të tilla mund që të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidente dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës. Dhe kam kërkuar që të gjendet një mënyrë tjetër, pra se si t’i shtyjmë zgjedhjet në këtë moment ose të gjejmë mënyrë tjetër se si t’i prolongojmë për një periudhë të caktuar kohore”, tha Rashiq.

Pas takimit me presidenten, Rashiqi foli edhe targat. Ai i bëri thirrje kryeministrit Kurti që ta shtyjë vendimin për targat edhe për dhjetë muaj.

Rashiq tha se nëse nuk ka shtyrje të afatit për shqiptimin e gjobave për ata që nuk i konvertojnë targat, vështirë se mund të flitet për ndonjë rezultat të zgjedhjeve.

Në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Aleksandar Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës, para gazetarëve në Prishtinë, nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e subjektit të tij në zgjedhjet që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Madje, ish-ministri Jabllanoviq e ka quajtur situatën në veri të komplikuar. Ai tha se për organizimin e zgjedhjeve në veri duhet të ketë koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Serbisë.

Jabllanoviq, i cili nuk deshi të flas nga foltorja ku bëri adresimin presidentja, tha se nga kjo situatë në veri mund të ketë gjëra të paparashikueshme.

“Çfarë tani mund t’ju them si një njeri i cili vjen nga veriu i Kosovës është se disponimi i shumicës së qytetarëve të veriut, pra të serbeve, është që nuk duhet që tani të dilet në zgjedhje. A do të ndryshoj ndonjë gjë në ndërkohë dhe se në çfarë drejtimi, ajo varet shumë nga disponimi i qytetarëve nga veprimet/potezat e Qeverisë në Prishtinë e sidomos nga veprimet/potezat e Qeverisë sonë në Beograd. Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, sepse këto nuk janë zgjedhje e thjesht, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm. Tani për tani nuk kemi marrë përgjigje nga Prishtina për pyetjet që i kemi parashtruar”, tha ai.

Se a do të marrin pjesë në zgjedhje, Jabllanoviq tha se do të marrin parasysh shumë faktor.

“Situata nuk është aq e thjeshtë… është situatë e komplikuar. Ne në këtë mbledhje kemi ardhur thjeshtë me qëllime të mira, të dëgjojmë se çfarë do të na thuhet këtu, çfarë është plani i Institutit në Prishtinë për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe asgjë tjetër lidhur me të. Se a do të marrim pjesë në këto zgjedhje varet nga shumë rrethana, por për ne si serb para se gjithash, varet nga disponimi në komunitetin tonë si dhe nga qëndrimet e Beogradit zyrtar.

Dhe në fund të fundit kur të gjitha gjëra merren parasysh ne duhet të mbajmë sado pak një lloj komunikimi t’i përcjellim sinjalet e duhura të cilat Qeveria e Serbisë na dërgon. Ne shpresojmë të kemi sinjale në një periudhë në të ardhmen. Presidentes Osmani ne i kemi përcjellë disa dyshime tona rreth disa detajeve të rëndësishme dhe të cilat mungojnë në takimin e sotëm, pra rreth asaj se si do të mbahen ato zgjedhje, cilat janë mangësitë ne terren. Pra tani nuk është momenti duhur për zgjedhje. Do të shohim se ndoshta përgjigjet në këto pyetje do t’i marrim në ndonjë periudhë në të ardhmen. Por, unë mendoj, se si do që të mirët, si ligjërisht ashtu edhe sipas Kushtetutës afati është tepër i shkurtë (brutalisht i shkurtë) dhe nuk ka ndonjë hapësirë të madhe”, tha ai.

Në takim me presidenten kanë marrë pjesë përfaqësues nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilija Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi dhe Faton Peci nga Lista Guxo.

Ndërsa, përveç Listës serbe, edhe AAK nuk mori pjesë në takim me presidenten. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit