Stërvitjet ushtarake synojnë të monitorojnë veprimet e Koresë së Veriut, duke mbajtur një qëndrim të reagimit emergjent ndaj çdo kërcënimi nga Pheniani
Forcat ushtarake të Koresë së Jugut nisën stërvitjet e tyre vjetore ushtarake në kohën e tensioneve në rritje në Gadishullin Korean, transmeton Anadolu Agency (AA).
Stërvitjet ushtarake synojnë të monitorojnë veprimet e Koresë së Veriut, duke mbajtur një qëndrim të reagimit emergjent ndaj çdo kërcënimi nga Pheniani, njoftoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.
“Duke vlerësuar plotësisht situatat e fundit, ne po ndjekim dhe monitorojmë nga afër lëvizjet dhe po mbajmë një qëndrim të vendosur gatishmërie”, agjencia citoi të ketë thënë kolonel Kim Jun-rak, zëdhënës i Shtabit të Përbashkët.
“Stërvitja do të kryhet në një mënyrë thelbësore me fokus në ruajtjen e gatishmërisë dhe rritjen e aftësive të përbashkëta operacionale”, shtoi Kim.
Ushtrimet do të vazhdojnë deri më 28 tetor.
Dje, presidenca e Koresë së Jugut paralajmëroi se Koreja e Veriut pritet të kryejë testin e saj të shtatë bërthamor në çdo kohë pas testeve të fundit të raketave.
“Teksa provokimet e Koresë së Veriut janë bërë më të shpeshta, ne po bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të mbajtur një pozicion gatishmërie me një ndjenjë vigjilence”, citoi agjencia një zyrtar të lartë presidencial.
“Është një regjim 24 orësh i gatishmërisë”, tha ai.
Të premten, Koreja e Veriut lëshoi një tjetër raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në Detin Lindor, dy ditë pasi lëshuan dy raketa strategjike me rreze të gjatë, duke përfshirë njësitë që operonin “kokat bërthamore taktike”.
Më 4 tetor, forcat e SHBA-së dhe Koresë së Jugut zhvilluan stërvitje të përbashkëta pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë mbi Japoni për herë të parë në pesë vjet.
Tensionet në gadishull u rritën në vitin 2020 kur Koreja e Veriut sulmoi dhe shkatërroi zyrën e ndërlidhjes ndërkoreane përgjatë kufirit. Seuli ka kërcënuar me një përgjigje të fortë nëse Pheniani “përkeqëson më tej situatën”.
Megjithatë, tensionet u rritën më tej kohët e fundit pasi Seuli dhe Washingtoni zhvilluan stërvitje të përbashkëta ushtarake.