4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Kush fiton azil në Gjermani?

Më të lexuarat

Qindra-mijëra njerëz që u bëjnë ballë deteve të pabesa dhe udhëtimeve të ashpra, në kërkim të një jete më të mirë në Evropë, dhe shumë të tjerë që kanë humbur jetën duke u përpjekur, kanë shkaktuar ankth brenda Bashkimit Evropian, ku pikëpamjet për pranimin e migrantëve dhe refugjatëve dallojnë gjerësisht.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka cilësuar krizën aktuale si provë të madhe të angazhimit të Evropës në “të drejtat universale qytetare” dhe si një “sfidë të madhe kombëtare”.
Në Gjermani vazhdojnë të arrijnë valë të mëdha migrantësh dhe këtë vit priten rreth 800,000. Por, cilat janë shanset e tyre për të fituar azil?
Fluksi i migrantëve në Gjermani përfshin sirianë, afganë, irakianë, eritreas dhe shtetas të Ballkanit Perëndimor. Por, disa kanë më shumë shanse se të tjerët për të fituar azilin.
Në këtë drejtim, prijnë sirianët. Në vitin 2014, vetëm 1 për qind e mbi 26,000 sirianëve, të cilët kanë aplikuar për status të azilit ose refugjatit, janë refuzuar.
Gjermania ka qenë në mesin e shteteve më mikpritëse të BE-së për refugjatët nga Siria, ku lufta civile, për katër vjet, ka vrarë së paku 240,000 njerëz dhe ka shkaktuar rreth 4 milionë refugjatë.
Berlini ka bërë një hap përpara këtë javë.
Më 31 gusht, Zyra Federale Gjermane për Migrim dhe Refugjatë ka deklaruar se, në rastin e sirianëve, pezullon bashkëpunimin me një marrëveshje të BE-së, e cila u lejon vendeve të destinacionit, si Gjermania, t’i kthejnë refugjatët prapa në vendin e parë të BE-së ku kanë hyrë.
“Gjermania do të bëhet shtet anëtar përgjegjës për përpunimin e kërkesave të tyre”, ka thënë Zyra për Migrim.
Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë të marrin statusin e azilantit ose refugjatit, kanë shumë më pak mundësi, sepse Berlini i konsideron si të qëndrueshme të gjitha shtetet e këtij rajoni.
Serbët kanë përbërë grupin më të madh të azilkërkuesve vitin e kaluar, pas sirianëve, por 63 për qind e kërkesave të tyre janë refuzuar. Pjesëtarët e grupit të tretë më të madh të aplikuesve, maqedonasit, janë refuzuar në 65 për qind të rasteve.
Gati 50 për qind e aplikimeve nga Kosova janë refuzuar po ashtu. Nga Bosnja janë refuzuar 60 për qind dhe nga Shqipëria 82 për qind.
Vitin e kaluar, grupin e katërt më të madh të aplikuesve për azil e kanë përbërë afganët, të cilët janë refuzuar në 21 për qind të rasteve. Irakianët, që kanë përbërë grupin e gjashtë më të madh, janë refuzuar po ashtu në 9 për qind të rasteve. Por, të dyja këto vende kanë edhe rajone të qëndrueshme, edhe paqësore.
Autoriteteve të migracionit u duhen rreth shtatë muaj kohë që të shqyrtojnë kërkesat për azil. Por, edhe në këtë rast, jo secili grup i aplikuesve trajtohet në të njëjtën mënyrë.
Gjermania favorizon një sistem të përshpejtuar në trajtimin e kërkesave nga vendet që i konsideron të qëndrueshme. Berlini ka njoftuar në muajin shkurt se çdo kërkesë për azil nga Kosova, do të përpunohet brenda dy javësh.
Procedurat e ngjashme kanë përfshirë edhe refugjatët nga Bosnja, Serbia dhe Maqedonia.
“Qëllimi është që të krijohet një udhë e shpejtë për ata që kanë pak gjasa për azil dhe të mbahen në qendrat e azilit derisa të merret vendimi”, thotë Rainer Ohliger, studiues i migracionit në Qendrën për Migracion të Evropës, me seli në Berlin.
Ai vë në dukje se çdo individ, nga cilido vend i origjinës, ka të drejtë të paraqesë kërkesën, e cila do të shqyrtohet plotësisht. Por, udha e shpejtë synon ta shkarkojë sistemin e migracionit, në mënyrë që të adresojë sa më shpejt kërkesat nga vendet në krizë.
Derisa presin për vendimin e autoriteteve, të gjithë azilkërkuesit i kalojnë tre muajt e parë në banim kolektiv. Strehimi është pa pagesë dhe aplikuesit marrin deri në 140 euro në muaj, për person, si dhe trajtim urgjent mjekësor. Gjatë këtyre tre muajve, ata nuk lejohen të punojnë.
Shuma e parave që aplikuesit duhet të marrin, është subjekt i debateve të vazhdueshme në Gjermani.
“Tani për tani, ekziston një argument politik që mund të shihet si stimul nga këndvështrimi i Evropës juglindore, ku të ardhurat mesatare të një familjeje, për shembull në Shqipëri, sillen nga 300 deri në 500 euro në muaj. Disa të tjerë kanë propozuat ndalimin e pagesave të drejtpërdrejta dhe krijimin e një sistemi të letrave me vlerë”, thotë Ohliger.
Pas tre muajsh, aplikuesit strehohen në apartamente. Pastaj, ata mund të kërkojnë punë, por një biznes mund t’i punësojë ata vetëm nëse u dëshmon autoriteteve se pozita nuk mund të plotësohet nga një shtetas i kualifikuar i Gjermanisë ose i ndonjë vendi tjetër të BE-së.
Nëse u miratohet azili, individët fitojnë të njëjtën qasje në punë dhe shërbime sociale, ashtu si edhe shtetasit gjermanë. Ata mund të konkurrojnë për punë në mënyrë të barabartë dhe të tërheqin pagesat e njëjta të mirëqenies ashtu si edhe gjermanët e papunë.
Por, jeta e tyre e re nuk është e zgjidhur plotësisht. Çdo rast do të rishikohet përsëri pas tre vjetësh, për të parë nëse statusi i azilit justifikohet ende me situatën në vendin e tyre. Nëse jo, ai mund të revokohet.
Ata që nuk marrin përgjigje pozitive në kërkesat për azil, mund të apelojnë vendimin në gjykatë dhe të nisin një proces gjyqësor që mund të zgjasë me muaj.
Nëse e humbin ankesën, ata mund të dëbohen.
Nëse 800,000 njerëz kërkojnë status të azilit ose refugjatit në Gjermani këtë vit, ashtu siç parashikohet, numri do të jetë jashtëzakonisht më i madh se rekordi i mëparshëm, prej 438,000 vetash, i vendosur në vitin 1992, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit