-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Dynjaja

Më të lexuarat

Nga: Xhasim El-mutava

Dynjaja

Kjo botë, ka marrë emrin dynja (në arabisht) për shkak se është e pavlerë dhe përfundon shumë shpejt. Për të krijuar një nocion më të qartë rreth kësaj bote, dynjasë, Profeti a.s e përshkruan me fjalët:”Shembulli i kësaj bote në krahasim me botën tjetër, është si të fusësh gishtin në oqean dhe të shohësh sa ujë ke marrë.”
Nëse gishtin do e zhysnim një një pellg me ujë, vallë sa do e reduktonte ujin e pellgut?! Nëse uji që i ngjitet gishtit nga një pellg është i pakrahasueshëm me atë të pellgut, vallë çfarë do të mendonim për detin dhe oqeanin?!
Me këtë hadith, Profeti a.s kërkon që ne t’a trajtojmë dynjanë ashtu siç e merriton, sipas vlerës së saj reale. Duke qenë të ndërgjegjshëm që kjo botë i ngjan një pike uji të një oqeani të pafund, atëherë e kuptojmë sa e pavlerë është konkurrenca dhe rivaliteti i pamëshirshëm mes nesh. Prandaj, nëse humbasim diçka nga kjo botë, nuk ka përse të zemërohemi dhe trishtohemi.
Secili prej nesh, kemi lexuar shumë literaturë islame dhe kemi dëgjuar ligjërata dhe hytbe të shumta, mbi zhvlerësimin e kësaj bote.
Në fakt, hadithi i mësipërm dhe shumë tekste të tilla, flasin mbi realitetin e jetës së kësaj bote dhe nuk kanë si qëllim zhvlerësimin total të saj. Dhe dallimi mes realitetit dhe zhvlerësimit është i madh. Një fakt të tillë e gjejmë dhe në Kuranin famëlartë. Zoti në Kuran, ka folur mbi realitetin e kësaj bote dhe nuk është synuar zhvlerësimi i saj.
Për këtë, ne bëmë një studim të vogël dhe gjetëm se dynjaja është përmendur në Kuran njëqind e pesëmbëdhjetë herë. Po aq është përmendur dhe ahireti, bota tjetër. Kjo na bën të kuptojmë që Kurani ashtu siç flet për dynjanë, flet dhe për ahiretin, pa i hyrë në hak asnjërës prej tyre.
Madje, unë do të shkoj pak më tutje dhe do të përmend një ajet Kurani ku Zoti i madhëruar na mëson dhe një lutje të rëndësishme ku thotë:“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)” (Bekare 201)
Në këtë ajet, ne shohim që Zoti i madhëruar ka përmendur fillimisht të mirat e kësaj bote para atyre të botës tjetër. Kjo, pasi njeriu është i lidhur me këtë botë, mendja dhe zemra e tij punojnë fillimisht për këtë botë.
Nëse do të edukonim një brez që e urrente këtë botë dhe jepej tërësisht pas botës tjetër, ky do të ishte një edukim i gabuar.
Ajo që duhet të bëjmë, është që t’ju veshim syze te duhura për t’a parë dynjanë në realitetin e saj, ashtu siç është. Vetë Zoti i madhëruar aq herë sa ka përmendur dynjanë, ka përmendur ahiretin në Kuranin famëlartë. Kështu, ne duhet t’i balancojmë kërkesat e kësaj bote me ato të botës tjetër.
Një fëmijë që edukohet me urrejtjen për këtë botë, do e neglizhojë tërësisht jetën, nuk i kushton asnjë rëndësi punës, suksesit dhe zhvillimit.
Ne si muslimanë, na kërkohet që të jemi liderë të kësaj bote, të ndërtojmë civilizime, të zhvillojmë teknologjinë dhe të gjithë fushat e jetës. Kjo botë, nuk ka përse të ndahet nga bota tjetër.
Imam Buhariu tregon:”Kur do të flisja mbi këtë botë, e filloja bisedën me përkujtimin e Zotit të madhëruar, pastaj flisja mbi dynjanë.”
Tregohet se dikush e pyeti profetin Nuh a.s, i cili jetoi mbi një mijë vite:”Si të është dukur jeta e kësaj bote?”
Nuhu a.s iu përgjigj:”Më është dukur si një godinë me dy dyer, ku unë kam hyrë nga njëra derë dhe kam dalë nga tjetra.”
Kështu, jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një urë dhe shteg për të kaluar në botën tjetër.
Ebu Dher El-gafarij, na jep një përkufizim interesant mbi zuhdin në këtë botë. Ai thotë:”Zuhdi, nuk është të privosh veten tënde nga hallalli dhe as në shpenzimin e të gjithë pasurisë, duke mos mbajtur për vete as një qindarkë. Por zuhdi është duke e gjetur qetësinë tek shpërblimi i Zotit më shumë se tek shpërblimi i njerëzve.”
Kështu, zuhdi në këtë botë është duke e shpresuar shpërblimin nga Zoti i njerëzve dhe jo nga njerëzit.
Dijetari dhe zahidi i njohur Abdul Kadir Kilanij, i tha një ditë njërit prej nxënësve të tij:”O biri im! Mos jetë proekupimi yt më i madh si të vishesh, çfarë të hash, ku të banosh, si të martohesh etj… Proekupimi yt më i madh të jetë në format me të cilat fiton kënaqësinë dhe shpërblimin e Zotit të madhëruar.”
Gjë e bukur është që njeriu të shëtisë në lulishte dhe kopështe të bukur, por gjatë kësaj kohe, le të sjellë ndërmend kopështet dhe lulishtet e xhenetit. Gjë e bukur është që ai të merret me bujqësi, të mbjellë zarzavate dhe perime. Por më e bukur është kur këto e ndihmojnë të lidhet me Zotin e madhëruar.
Njerëzit e mirë dhe muslimanët e mëparshëm, ecnin me parimin:”Jeto në këtë botë si një i huaj, ose si një kalimtar.”
Në një hadith, Profeti a.s e përshkruan jetën e muslimanit në këtë botë, si një kalorës në udhëtim, është ndalur të pushojë nën hijen e një peme, të cilën më pas e braktis për të vazhduar udhëtimin. Kjo botë nuk është gjë tjetër veçse një shteg për të kaluar në botën tjetër. Secili prej nesh mund të jetojë gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vite, të cilat kalojnë si në ëndërr dhe pa u ndjerë.
Thotë Profeti a.s në një hadith tjetër:”Jeto në këtë botë si një i huaj, ose si një kalimtar.”
Një i huaj, përpiqet të mos jetë agresor ndaj vendasve, tregohet i qetë, me kulturë, pyet dhe kërkon vetëm gjënë e nevojshme.
Ndërkohë që një kalimtar dhe udhëtar, ka vetëm një synim të qartë: Të arrijë sa më shpejt në objektivin e tij.
Ebu Bekri, Uthman ibnu Affani dhe Abdurrahman ibnu Auf, ishin pasanikët më të mëdhenj mes kurejshëve. Këta ishin njerëzit më të afërt të Profetit a.s, megjithatë, hadithet e mësipërme nuk i kuptuan si ftesë për të braktisur pasurinë, jetën e mirë dhe luksoze në këtë botë.
Ebu Bekri, para se të bëhet Halifeja i gjithë muslimanëve, ishte tregtari më i suksesshëm i pëlhurave në Medine. Ai bënte tregëti në të gjithë Gadishullin Arabik.
Pasi u bë Halife, paria e sahabeve u mblodhën dhe i thanë:”O Prijës i besimtarëve! Ose mbaj Kalifatin, ose tregëtinë!”
Ai u tha:”Po si do e përballoj jetesën unë me familjen?!”
Umer ibnul Hattabi i tha:”Do të caktojmë një shumë të hollash për ty dhe familjen tënde.”
Kështu, Ebu Bekri e la tregëtinë dhe iu përkushtua çështjeve administrative të Kalifatit. Më vonë ai kërkoi që t’i shtohej rroga pasi nuk i mjaftonte dhe kjo iu realizua. E kush do e besonte sot, se Ebu Bekri, Halifeja i muslimanëve kërkonte t’i shtohej rroga pasi nuk i mjafton?!
Një herë, dëgjova një hytbe nga një imam, i cili foli mbi këtë botë, se ajo është e pavlerë dhe e urryer, prandaj duhet braktisur, nëpërkëmbur, shpërfillur etj…
Pasi përfunduam namazin e xhumasë, unë iu afrova imamit dhe i thashë:”Përse  fole në atë mënyrë mbi jetën e kësaj bote?!”
Ai u përgjigj:”Doja që njerëzit të ndjekin Librin e Zotit dhe traditën e Profetit a.s.”
Unë i thashë:”Libri i Zotit dhe tradita e Profetit a.s, i kemi shumë të shtrenjta dhe i respektojmë. Por ata na urdhërojnë me gjëra që bien ndesh me ato që përmendët ju në hytbe. Zoti në Kuran dhe Profeti a.s në hadithe, na këshillojnë që dynjanë t’a trajtojmë siç duhet, të jemi të suksesshëm, të jemi ne ata që e udhëheqin, të përkrahim biznesmenët e ndershëm, të përkrahim zhvillimin teknologjik etj…  dhe njëkohësisht të jemi të suksesshëm në këtë botë.
Nëse do të dinim si t’a  trajtojmë siç duhet dynjanë, umeti ynë nuk do të ishte në gjendjen që e shohim sot. Të gjithë këto vuajtje dhe kriza që po kalon umeti ynë, janë për shkak se ne nuk kemi ditur t’a trajtojmë dynjanë siç duhet.
Një burrë vajti tek Hasen El-basrij dhe i tha:”O Hasen! Komshiu im nuk e han bakllavanë1”
Imam Haseni e pyeti:”Po pëse nuk  e han bakllavanë?!”
Burri iu përgjigj:”Ai thotë se nuk e falenderon dot Zotin për këtë mirësi.”
Imam Haseni i tha:”Paske komshi një xhahil. Po për ujin e ftohtë, a arrin t’a falenderojë siç duhet Zotin?!”
Dijetarët muslimanë, i vlerësonin mirësitë dhe begatitë e Zotit dhe ishin mirënjohës për këtë.
Një histori e veçantë dhe e dobishme për mënyrën si t’a trajtojmë dynjanë është dhe historia e Ademit a.s në xhenet. Zoti e sprovoi Ademin a.s me ngrënien nga pema e ndaluar. Disa dijetarë mendojnë se pema nga e cila hëngri Ademi a.s ishte ajo e mollës, por diçka e tillë nuk është konfirmuar në tekstet e shenjta.
Para se t’a zbresë në këtë botë, Zoti e trajnoi Ademin a.s në xhenet, për të qenë i përgatitur për sfidat që e presin. Ai e trajnoi në një betejë ku ka fitore dhe humbje, pendim, pikëllim dhe vetëkritikë për shkarjet dhe gabimet e bëra. Në këtë trajnim, Ademit a.s do i duhet të debatojë me të shoqen e tij, të shkëmbejë mendime dhe ide dhe gjithashtu, i duhet të përballet dhe të debatojë dhe me armikun e tij legjendar, shejtanin.
Pas këtij trajnimi, Zoti e zbriti Ademin a.s në planetin të cilin ne e quajmë tokë, pasi ai ishte krijuar dhe përshtatur për këtë planet. Ai nuk ishte krijuar të qëndrojë në xhenet. Kështu, shohim që historia e pemës së ndaluar, ishte për t’a parapregatitur Ademin a.s mbi sfidat që do e prisnin në tokë.
Vetë i dërguari i Zotit a.s e përshkruan këtë botë si tërheqëse dhe të dashur. Ajo që na duhet neve, është mënyra si t’a trajtojmë këtë botë.
Një herë, më erdhi një nënë dhe më tha:”Kam një vajzë një vjeç e gjysmë dhe dua t’a edukoj me moralet dhe vlerat më të mira. Çfarë më këshillon të bëj?”
Unë i thashë:”A pranon që t’a diskutojmë më shtruar këtë çështje?”
Nëna më tha:”Po, dakort.”
Unë e pyeta:”A mundesh t’a imagjinon se si do të jetë vajza jote pas njëzet vitesh?”
Ajo më pyeti me habi:”E si mund të ndodhë kjo?!”
Unë i thashë:”Çfarë dëshiron që të bëhet vajza jote?”
Ajo u përgjigj:”Dua që të falet, të agjërojë, të mësojë Kuranin dhe të fitojë kënaqësinë e Zotit.”
Unë e pyeta:”Atëherë ti dëshiron të fitojë kënaqësinë e Zotit. Kështu, duhet të gjesh mënyrën e duhur për t’a arritur këtë.”
Teksa shohim madhështinë, bukurinë dhe hijeshinë që na rrethon, na lind pyetja:”Vallë Çfarë kërkon Zoti prej nesh? A kërkon që të jemi të pasur dhe të zhvilluar, apo kërkon të jetojmë në fukarallëk?”
Duke lexuar Kuranin, ne zbulojmë shumë fakte mahnitëse:
Shohim që një ndër mbretërit më të suksesshëm, Dhul Karnejni, ishte tejet i pasur.
Daudi a.s, merrej me përpunimin e hekurit dhe sundonte botën.
Sulejmani a.s, ishte sunduesi i gjithë botës. Musai a.s u rrit në shtëpinë dhe përkujdesjen e familjes së Faraonit.
Vallë si duhet t’i kuptojmë këto tekste që përmenden në Kuran?
Padyshim që duhet t’i kuptojmë që forca ekonomike, fisnikëria, zhvillimi industrial, rritja e prodhimit etj… janë parimet dhe vlerat e një shoqërie muslimane.
Por, kjo mund të shtrojë një pyetje tjetër të rëndësishme: Përse jetoi profeti Muhamed a.s i varfër?
Një herë, Profeti a.s u takua me Ebu Bekrin dhe Umerin dhe i pyeti:”Çfarë u ka nxjerrë në këtë zheg?!”
Ata iu përgjigjën:”Nuk na ka nxjerrë gjë tjetër përveç urisë.”
Profeti a.s u tha:”Edhe mua ajo më ka nxjerrë.”
Kurse gruaja e tij Aisheja thotë:”Kalonin muaj pas muaji dhe në shtëpinë tonë nuk ndizej zjarr për të gatuar.”
Atëherë përse jetonte i varfër i dërguari i Zotit a.s?
Në përgjigjen e kësaj pyetjeje, themi se kjo gjendje e të dërguarit të Zotit a.s, ishte se ai vetë e kishte zgjedhur një jetesë të tillë. Nëse ai do të kishte zgjedhur jetesën e luksit, do të kishte jetuar i tillë. Vetë Zoti e kishtë vënë para dy zgjidhjeve: Mes asaj që të jetojë si mbret i gjithë tokës dhe mes jetesës si profet i varfër. Duke zgjedhur jetesën e varfër, ai do të ishte model i të varfërve dhe i të pasurve njëkohësisht.
Profeti a.s ka shumë thënie të tjera, ku ai nxit për të shtuar pasurinë dhe përmirësimin e jetesës.
Thotë Profeti a.s në disa hadithe:”Me të vërtetë që Zoti e don një rob të devotshëm dhe të pasur.”
“Dora që jep është më e mirë se dora që merr.”
Dhe një dorë që jep, padyshim është një dorë që punon, fiton, pasurohet dhe përkrah dhe të tjerët.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit