1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Jeta dhe veprimtaria e Sulltan Sulejman Kanuniut (pjesa II)

Më të lexuarat

Kur Sulltan Sylejmani doli në fron në vitin 1520 ai ishte bërë trashëgimtar i një perandorie që përfshinte tre kontinente. Të parët e tij i patën zgjeruar kufijtë e shteti Osman në lindje deri në Iran, në jug deri në Egjipt e Arabi kurse në veri deri në Krime. Ndërsa në perëndim ishte pushtuar i tërë gadishulli Ballkanik dhe në Evropën qendrore Hungaria ishte bërë fqinje e re e Perandorisë Osmane.

Ndërkohë në Evropën perëndimore duke filluar nga viti 1519 në lidhje me trashëgiminë e Perandorisë Romako-Germene, midis përfaqësuesit të dinastisë së Habsburgëve me kryeqytet Vjenën, Karlit të 5-të dhe Mbretit të Francës François i 1-rë po zhvillohej një luftë e ashpër. Me mbështetjen e princërve gjerman, Karli i 5-të në tetor të vitit 1520 në Aechen bëhet perandor i Perandorisë së Shenjtë Romako-Germene. Edhe Karli i 5-të ashtu si perandorët e mëparshëm zgjedh si objektiv zbatimin e bashkimit të Evropës së krishterë. Mirëpo në këtë periudhë kur në Angli dhe Francë dalin në dritë monarkitë kombëtare pengohet realizimi i kësaj ëndrre të Karlit të 5-të. Po ashtu në Evropën perëndimore përveç katolicizmit që ishte tepër i përhapur, fillojnë edhe lëvizjet protestante duke e vështirësuar themelimin e një perandorie të mbështetur në fe. Kur në Evropë fillojnë edhe zgjerimet osmane kjo ëndërr e Karlit të 5-të bëhet pothuajse e pamundur.

Kështu mbreti i Francës, François i 1-të, i cili nuk mund të pranonte zgjedhjen e Karlit të 5-të si perandor të Perandorisë së Shenjtë Romako-Germene, i cili ishte i biri i Arshidukës së Austrisë, Filipit të 1-rë dhe Huanës së 1-rë që ishte Mbretëreshë e Kastiljas në Spanjë, në mars të vitit 1521 e fillon një fushatë ushtarake kundër Karlit. Kështu ky copëtim politik në Evropën perëndimore përgatiti një terren të përshtatshëm për Osmanët, të cilët avancuan në perëndim.

Pikërisht në këtë atmosferë të përshtatshme politike ushtritë osmane mes viteve 1521-1529 filluan një fushatë të gjatë ushtarake që shkonte prej Beogradit e deri në Vjenë. Ushtria osmane në krye të së cilës ishte personalisht Sulltani, në maj të vitit 1521 fillon fushatën e Beogradit që për atë kohë njihej si çelës i Evropës qendrore. Në atë kohë Beogradi ishte pjesë e Mbretërisë së Hungarisë e cila ishte lidhur pas Perandorisë së Shenjtë Romako-Germene dhe froni i Hungarisë ishte dhënë Mbretit të Bohemisë Vlladisllavit të 2-të. Mirëpo Perandori i kësaj perandorie, gjyshi i Karlit të 5-të që vdes në vitin 1519, arrin që në fronin e Mbretërisë së Hungarisë të vë nipin tjetër, Ferdinandin e 1-rë, i cili nëpërmjet miqësive të arritur me martesa ishte njëkohësisht edhe vëllai i Karlit të 5-të. Kjo ngjarje pritet me reagim të madh nga fisnikët hungarezë kryesisht prej Janosh Zapoljas, i cili ishte beu i Transilvanisë. Në këto momente trazirash forcat osmane që e kishin rrethuar Beogradin e pushtojnë këtë qytet pa luftë më 29 gusht të vitit 1521. Me marrjen e Beogradit hapen dyert e Evropës qendrore. Marrja e kalasë së fuqishme të Beogradit nga ana e Sylejmanit, i cili në atë kohë ishte 26 vjeç, në një kohë kur atë nuk kishte arritur ta pushtojë as vet Sulltan Mehmeti Ngadhënjimtari, bëri që Sylejmani të fitojë një prestigj të madh. Kjo kala në të njëjtën kohë do të përbënte një bazë të ushtrisë osmane për fushata në Evropën qendrore. Ndërkohë në Evropë rënia e Beogradit krijoi një ankth të madh. Dhe për Mbretërinë Hungareze, e cila në atë kohë ishte në gjendje lufte me Francën dhe që ballafaqohej me probleme të brendshme, qoftë për Perandorinë e Shenjtë Romako-Germene, qoftë për çështjen e fronit, as që bëhej fjalë që të ndërhyjë ndaj kësaj gjendjeje.

Ndalesa e dytë më me rëndësi për Sulltan Sylejmanin në politikën perëndimore ishte Rodosi.

Ishulli i Rodosit, i cili përbënte një pengesë të madhe për osmanët që të hapeshin në perëndim nga Deti Mesdhe, në atë kohë ishte nën sovranitetin e kryqtarëve dhe të kalorësve të Shën Xhonit të Jerusalemit. Kur pas përfundimit të kryqëzatës së parë Konti i Akes së themeluar nga kryqtarët në Lindjen e Mesme merret prej myslimanëve në vitin 1291 atëherë ky ishull shndërrohet në një fortesë të avancuar të botës latino-krishtere. Kështu për të garantuar sigurimin e linjës tregtare detare midis Egjiptit dhe Stambollit fillon një fushatë ushtarake kundër Rodosit. Edhe më parë nga Sulltan Mehmeti Ngadhënjimtari ishte organizuar një fushatë ushtarake për marrjen e Rodosit fushatë kjo që përfundoi pa sukses. Po ashtu me anijet që filluan të ndërtohen në kantieret e Stambollit nga ana e Javuz Sulltan Selimit rrethohet Rodosi. Osmanlinjtë këtë radhë jo vetëm me supremaci që kishin në forca ushtarake por edhe me rrugë diplomatike e përshpejtojnë marrijen e Rodosit. Kështu më një urdhër që daton në muajin dhjetor të vitit 1521 me anë të cilit Venedikut i njiheshin koncesionet tregtare, pritet ndihma e mundshme që mund të jepte Venediku Kalorësve të Rodosit. Kështu Kalorësit e Rodosit duke e kuptuar se nuk do të mund të mbronin dot ishullin ja dorëzojnë ishullin osmanlinjve me 21 dhjetor të vitit 1522 me kusht që të vendosen në malet. Kështu forcat osmane me marrjen e Rodosit e përshpejtojnë avancimin e tyre drejt Evropës perëndimore edhe me rrugë detare përveç rrugës tokësore që kishin garantuar me marrjen e kalasë së Beogradit.

Kur në viti 1525 Mbreti i Francës François i 1-rë me mbështetjen edhe të Anglisë e mund në Pavia perandorin e Perandorisë së Shenjtë Romako-Germane, Karlin e 5-të duke e kapur edhe rob dhe kur Franca kërkon ndihmë edhe nga Shteti Osman kjo u krijon mundësi osmanlinjve të ndërhyjnë direkt në politikën Evropiane. Në vitin 1526 osmanlinjtë fillojnë fushatën kundër Habsburgëve. Ushtria hungareze, e cila i del përpara ushtrisë osmane në Mohaç me 29 gusht të vitit 1526 pëson një humbje të rëndë. Me 10 shtator të vitit 1526 hyhet në Budapest dhe Janosh Zapolja, i cili merr mbështetjen edhe të fisnikëve hungarez bëhet mbret i Hungarsë por vasali Shtetit Osman.

Mirëpo shpallja e Janosh Zapoljas si mbret i Hungarisë nuk e pranon Arkiduka Ferdinandi i 1-rë që ishte vëllai i Karlit të 5-të dhe në vitin 1527 e pushton Budapestin. Pas kësaj Zapolja kërkon ndihmë nga osmanlinjtë dhe kështu ushtria osmane që niset në fushatë nga Stambolli në vitin 1529 me 7 shtator e merr përsëri Budapestin dhe përsëri shpall Zapoljan Mbret të Hungarisë. Ushtria osmane e cila e vazhdon avancimin me 27 shtator të vitit 1529 rrethon edhe qendrën e Habsburgëve, Vjenë por nuk e merr dot. Mirëpo rrethimi i Vjenës krijon një ankth të madh në Evropë duke u bërë kështu shkas i një mendimi për bashkimin e krishterëve kundër osmanlinjve.

Megjithatë në themel të politikës perëndimore që zbatonte Sulltan Sylejmani kishte elemente të tilla që e pengonin bashkimin e Evropës kundër osmanëve. Në krye të këtyre elementeve vinte aleanca osmano-franceze, e cila në vitet 1532-1541, njihte si armik të përbashkët Habsburgët. Në saje të kësaj aleance osmanlinjtë arrijnë të mbrojnë ekzistencën e mbretërive kombëtare siç ishte Franca duke penguar njëkohësisht edhe dëshirën për bashkimin e Evropës.

Rrethimi i detyrueshëm i Vjenës së Habsbugëve nga ana e osmanëve u bë shkas që të njihen edhe protestantët, të cilët mbetën të diskriminuar në Evropë nga pikëpamja fetare dhe e mendimit. Kështu një element tjetër i politikës perëndimore të Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm ishte mbështetja e luteristëve dhe e kalvinistëve kundër katolicistëve. Me fushatat e Hungarisë të ndërmarra në kohën e Sylejmanit ata e marrin këtë vend brenda sistemit të tyre ushtarak nën emrin bejlerbeu i Budinit dhe me Habsburgët tani kufiri nuk ishte më ë Ballkan por në perëndim të Hungarisë. Me formimin e bejlerbejve të Erdelit dhe Temishvarit garantohen edhe fiset në kufi. Kështu osmanlinjtë kishin arritur kufijtë e tyre më të gjera në perëndim. Në këto tre bejlerbejlëqe të cilat përbënin Hungarinë ashtu si në Rumani dhe Moldavi ndiqet një politikë e tillë për të prerë direkt lidhjet me Habsburgët.

Me 29 shtator të vitit 1538 flota osmane e komanduar nga Hajredin Pasha Barbarosi e mund në Prevezë flotën e perbashket evropiane duke u bërë zonjë e Detit Mesdhe. Flota osmane duke bashkëpunuar me francezët zhvillonte aktivitete deri në Nic e Tulon. Kështu si rezultat i krijimit të aleancës me Francën edhe Tunizia dhe Algjeria si vendet tjera të Afrikës së Veriut lidhen me shtetin osman. Kështu në kohën e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm, Perandoria Osmane arrin kufijtë e saja më të gjera.  

Ndërkohë që avanconte në të tre kontinente shteti osman në sistemin e drejtësisë që aplikonte vendoste edhe rendin dhe qetësinë publike. Në përgjithësi në fushën e drejtësisë shteti osman kishte shfrytëzuar rregullat me të cilat feja islame organizonte shoqërinë. Vetëm se këto rregulla që njiheshim edhe me emrin sheriat mbeteshin të pamjaftueshme kështu që sulltanët osman nxorën edhe ligje që përfshinin ligjet e sheriatit publik, organizimet shtetërore, administratën, taksat si dhe ligjet penale. Sepse hanët turko-mongolë në atë kohë në Azinë e Mesme si dhe personat që gjendeshin në krye të shtetit Sasamid më Iran dhe Lindjen e Mesme kishin të drejtë të vendosin ligje. Midis këtyre ligjeve ato që njiheshin më tepër janë ato të Xhengis Hanit. Kështu edhe sulltanët osman të ndikuar nga tradita turko-mongole dhe të haneve në tokat ku kishin vendosur sovranitetin, pra Anadoll dhe Rumeli, kanë përdorur të drejtën për të vënë ligje. Kështu edhe të parët e fesë e kishin miratuar kompetencën e shtetit osman për të nxjerr ligje në çështje administrative, ushtarake dhe financiare. Nëpër burimet osmane ligjet që nxirrnin sulltanët quheshin drejtësia e zakoneve. Rrjedhimisht drejtësia osmane kishte dalë përpara ligjeve të sheriatit. Në drejtësinë osmane ka tre burime kryesore nga të cilat ai është formuar; Sheriati, Drejtësia e zakoneve dhe ligjet e rregulloret të vendosura nëpër vendet e pushtuara rishtazi. Sidomos në kohën e Sulltan Mehmetit Ngadhënjimtarit del legjislacioni i parë që njihet në historinë osmane. Me anë të këtij ligji përcaktohet statusi i popullit ndaj shtetit, taksat që ai do paguaj si dhe nenet mbi tokat dhe organizimin e shtetit. Ky legjislacion që fillon me pushtimet bëhet si traditë duke vazhduar edhe me Javuz Sulltan Selimin dhe duke u përkryer në kohën e Sulltan Sylejmanit të Madhërishmit.

Ja pra kjo është arsyeja që midis 21 ligjvënësve më të mëdhenj të botës, të cilëve u është ngritur monumenti në SHBA është edhe ai i Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm. Sipas veprës së Tursun beut të shkruar nga fundi i shekullit të 15-të, Sulltan Sylejmani i Madhërishëm me kompetencat e veta mund të nxirrte rregulla dhe ligje. Këto ligje ishin të pavarura nga sheriati dhe nuk bazoheshin në drejtësinë fetare por në parime të logjikës dhe sidomos vendoseshin në drejtësinë publike dhe shtetërore.

Ashtu si për Sulltan Sylejmani i Madhërishëm edhe sulltanët e tjerë osmanë përveç ligjeve islame nxorën edhe ligje të ndryshme. Sepse sipas filozofisë së shtetit në Lindjen e Mesme, atë që sovranitetin dhe pushtetin ekzekutiv e bënte të ligjshëm ishte drejtësia. Kjo është arsyeja që sulltanët osman i kushtonin një rëndësi të madhe ligjeve që nxirrnin për ti zbatuar ato. I kushtonin një rëndësi të madhe gjykatësve të cilët nëpër gjyqe do të zbatonin ligjin.

Në kohën e Sulltan Sylejmanit u ndërtuan medresetë e Sylejmanijes, të cilat ishin të barazvlefshme me Sahn-i Semanin që pati themeluar Sulltan Mehmeti Ngadhënjimtari në kohën e tij. Në këto medrese nxënësit merrnin mësime në lëndët e shkencave islame, drejtësi, letërsi, matematikë, fizikë dhe mjekësi. Pastaj merrnin diploma duke u emëruar në detyrat e gjykatësve (kadive) ose të myftiut. Sidomos në provincat e shtetit nën udhëheqjen e tyre ishin dy poste të rëndësishme. Këto ishin njëri beu me prejardhje ushtarake që kishte kompetencën e përfaqësimit të fuqisë së sulltanit dhe tjetri që quhej kadi (gjykatës) që përfaqësonte sulltanin nga ana ligjore. Pa u dhënë gjykimi nga kadiu, beu nuk mund të japë asnjë dënim po ashtu edhe kadiu nuk mund të ekzekutonte vetëm për vetëm asnjë dënim. Kështu sistemi kontrollonte njëri-tjetrin duke u munduar të formohet një rend publik i drejt. Nëpër vendbanime të cilat ishin zmadhuar duke ardhur në gjendje të qytezës emërohej nga Stambolli një kadi. Populli kishte të drejt të dërgonte direkt sulltanit lutje ankese. Kadiu ishte i pavarur nga beu në zbatimin e ligjeve.

Çdo vit në Stamboll dilnin emërimet për kadi të rinj që kishin mbushur 3 vjet në detyrë në një qytet të caktuar. Me këtë procedurë pengohej krijimi i një atmosfere miqësore ndaj kadiut duke parandaluar mosmarrëveshjen e vendimeve të drejta.

Në periudhën e Sulltan Sylejmanit dolën mbi 200 ligje. Këto ligje në përgjithësi mund të ndahen në 5 grupe. Të parat ishin fermanët ose urdhrat e sulltanit që kishin të bëjnë me çështje administrative. Për zbatimin e tyre ishin ngarkuar nga sulltani prefekti (valiu) dhe gjykatësi (kadiu). Ligjet e grupit të dytë kishin të bëjnë me sanxhaqet. Ato kishin origjinën që shkojnë deri tek shteti Ilhani të Iranit dhe të Abbasive. Qëllimi i këtyre ligjeve ishte që në sistemin e timareve që aplikoheshin nëpër vilajete të rregulloheshin marrëdhëniet midis rajës dhe pronarëve të timareve. Brenda ligjit të zakoneve osmane këto ligje të sanxhaqeve zinin vend të rëndësishëm.

Duke qenë se në periudhën e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm tokat osmane kishin arritur gjerësinë më të madhe edhe ligjet e sanxhaqeve i takojnë asaj periudhe. Midis këtyre ligjeve të vilajeteve mund të përmendim ato të Anadollit, Ankaras, Ajdënit, Bolus, Hamidilit (Burdur-Ësparta), Bursas, Afjon Karahisarit, Kartamonus, Koxhaelit, Kytahjas, Menteshes (Muğla), Sulltanëny (Eskishehir, Dijarbakër dhe Erzurumi) kurse në Lindjen e Mesme Bagdadit, Erbilit, Kirkukut, Mosulit, Halepit, Basras, në Ballkan Budinit (Budapesti), Mohaçit, Semendires si dhe ligjet e Bahrisefidit që përshinin Rumelinë, ishujt e Egjeut dhe Afrikën e Veriut.

Grupin e tretë e përbënin ligjet e nxjerra për ata që ushtronin profesione të caktuara. Në përgjithësi këta ishin ata që shërbenin si ushtarë rezervë, pra që merrnin pjesë nëpër luftëra si këmbësorë dhe që në përgjithësi ishin grupe fisesh Jëryk (Yörük), Tatarë ose Vlleh. Në këtë grup futeshin edhe ata që ushtronin profesionin e minatorit ose që merreshin me kultivimin e orizit. Në ligje caktoheshin qartë se ndaj çfarë lloji taksash ishin përjashtuar këto grupe profesionesh si dhe detyrat që kishin ata ndaj shtetit.

Në grupin e katërt të këtyre ligjeve ishin ato që kishin të bëjnë me ata që kishin detyra shtetërore. Këtu përcaktoheshin rregullat protokollare, detyrat që kishin ndaj sulltanit burokratët e lartë me detyra në shtet, përgjegjësit, gradimet, emërimet, pagat si dhe pensionimet. Në mënyrë të veçantë aty përcaktoheshin rregullat në punët e thesarit të shtetit, të doganave si dhe rregullat e tjera burokratike në lidhje me organet shtetërore.

Kurse llojin e pestë të ligjeve e përbënin ligjet e përgjithshme. Pra ligjet penale që ishin në fuqi në tërë perandorinë si dhe të drejtat dhe detyrat e atyre që drejtonin dhe atyre që drejtoheshin. Në periudhën e Sulltan Sylejmanit të Madhërishëm janë shquar shumë njerëz me rëndësi në fushën e drejtësisë. Në mesin e tyre mund të përmendim Ebbussud Efendiun, i cili shkroi librin me titull “Maruzad”. Po ashtu edhe Ibn-i Kemali që ishte edhe historian i kohës, Dede Xhongi që shkroi një libër nga fusha e drejtësisë apo Lutfi Pashai që shkroi librin me titull “Afsaname”. Sidomos nga pikëpamja e legjislacionit këta vunë themelet e organizimit klasik të osmanëve dhe deri në shpalljen e tanzimatit ato ndikuan thellë në ligjet osmane.

Suksesi i shtetit osman në fushën e drejtësisë u tregua në zbatimin e këtyre ligjeve me rreptësi. Që të zbatohen këto ligje në tërë Perandorinë Osmane, osmanët e centralizuan sistemin e drejtësisë duke organizuar sistemin unik të arsimit që do të nxirrte kuadrot që do të merrnin detyrat në këto institucione. Qëllimi kryesor i këtyre ligjeve ishte mbrojtja e të varfërve dhe të shtypurve ndaj të pasurve, të fuqishmëve dhe prej dhunës. Sot shumë studiues të huaj e kanë pranuar se shteti osman ka qenë një shtet juridik./njih vetveten

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit