Fjalimi në Kongresin e Arsimit me kryefjalë “gjuhën e rrezikuar”
Kongresi Kombëtar i Arsimit, Rama: Gjuha shqipe e rrezikuar, të gjejmë mënyra për ta forcuar pozicionin e saj
Me një frazë nga fjalimi i Dervish Himës në Kongresin e Manastirit, kryeministri Edi Rama nisi fjalën e tij në Kongresin Kombëtar të Arsimit, ku theks të veçantë vuri te shqipja e rrezikuar.
“‘Të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një qëllim kemi, përparimi i kombit shqiptar’. Me këtë fjali e nisi fjalimin e tij Dervish Hima në hapjen e punimeve të Kongresit të Dytë të Manastirit dhe kur ka kaluar një shekull, një gur themeli që u fokusua tek gjuha, më pas tek arsimi si arma më e fortë e rezistencës dhe përparimit të kombit, ne mblidhemi këtu në një Kongres më modest nga pesha e Kongresit të Manastirit, po në thelb ka të njëjtin shqetësim përparimin e kombit shqiptar. Mësimi i shqipes dhe arsimi i popullit ishte për delegatët e Kongresit të Manastirit mjeti më i fuqishëm, ndërsa sot mbrojtja e gjuhës shqipe dhe arsimimi me standardet më të mira bashkëkohore është mjeti më i fuqishëm për të siguruar vazhdimësinë në rrugën e prosperitetit”, tha ai.
“Nga se duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe?”, tha Rama dhe më pas vijoi:
“Përgjigjja është thjeshtë: mjafton që të harxhoni një orë për të lundruar në kanalet e informacionit për të parë se ç’ndodh me gjuhën shqipe me shenjat e pikësimit, me formulimin e strukturës së fjalive dhe ortografinë në tërësi. Gjuha është më e rrezikuara, dhe kjo i ndodh të gjitha gjuhëve që janë nën këtë presion të madh ku shpejtësia për komunikim bëhet marramendëse. Të kërkojmë rrugë për ta forcuar pozicionin e gjuhës shqipe në këtë kaos gjuhësor dhe komunikativ ku është përfshirë gjithë bota dhe ne thellësisht të përfshirë dhe na takon”.
Rama apeloi për bashkimin e të gjitha mendjeve përtej Shqipërisë në vendet ku flitet shqip, por edhe përhapja e saj në të gjithë diasporës.
“Të bashkojmë mendjet tona përtej Shqipërisë në ato vende ku flitet shqip, ky bashkim mendjesh të na japë më shumë të kuptojmë për të nesërmen. Kërcënimi ndaj gjuhës është sot një kërcënim më i madh se asnjëherë dhe çdo ditë që kalon e rrit këtë kërcënim dhe forcat që e kërcënojnë janë të atilla që nga përmasat dhe presioni duken të pathyeshme. Është lajm i mirë abetarja e unifikuar që do të bëjmë çmos të shtrihet dhe në vende të tjera se RMV e ka miratuar në parim. Po diskutojmë me Kosovën për përhapjen e gjuhës në të gjithë diasporën”.
Kryeministri njoftoi se kanë hyrë në rrugën e jetësimit enciklopedia shqiptare, fjalori dhe libri themelor i historisë së shqiptarëve, të cilët tashmë sipas tij janë një boshllëk i madh për arsimin.
Kujtojmë që Rama, dikur si publicist, është konsideruar si ndër lëvruesit më të mirë të shqipes. /tesheshi.com/