5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

A DUHET TË NA DËSHPËROJË KJO QË NGJAU!?

Më të lexuarat

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë fare e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë.” (Insan, 2) Vallë, si do të forcohej ndryshe besimi i muslimanit nëse nuk do të përballej me sprova!? Zaten, Allahu i Lartësuar, në ajetin e lartcekur, e ka përmendur shprehjen “sprovuar” midis dy etapave të krijimit, pra mes të qenit pikë fare e përzier në njërën anë, dhe mes krijimit të shqisave të të dëgjuarit dhe të parit në anën tjetër, për të na bërë të kuptojmë se sprova në jetën e besimtarit është aq e mishëruar me të, saqë është sikur të jetë pjesë e fizikut të tij, krijimit të tij dhe shqisave të cilat i përdorë në vazhdimësi. Pejgamberi i mëshirës, Muhamedi ﷺ, po ashtu na ka bërë me dije se besimtari do të sprovohet, saqë sprovat do ta godasin atë sikurse radhët e fijeve të hasrës, sapo të mbarojë njëra, menjëherë fillon tjetra. E, gjithë kjo, vetëm për ta kuptuar se në parim njeriu për këtë është krijuar, për t’u sprovuar. Në sprovën e fundit me të cilën u përballëm ne si besimtarë muslimanë, treguam se me të vërtetë e duam fenë tonë, i duam parimet dhe dispozitat e saj, e duam udhëzimin profetik të zbritur për ne mëshirë nga Zoti i botëve, dhe e duam Krijuesin tonë të Urtë i cili na udhëzoi në këto mirësi. Sikundër që, kjo sprovë na i nxori nga zgavrat e tyre armiqtë tanë të cilët na rrethojnë, për të qenë ne më syçelë, më vizionarë dhe më të vendosur në kauzën tonë, e aspak për të na frikësuar apo për të na ngadalësuar nga qëllimet tona për përhapjen e dëlirësisë së kësaj feje në vendin tonë. Pa dyshim, ajo që na shtyu t’i mbrojmë interesat tona ishte “pagesa” (fjalë kjo që po u pëlqen shumë njerëzve ta përdorin kundër nesh), po pra, vetëm se këtë pagesë na e ka premtuar Zoti i çdo paguesi, këtë na ka premtuar Mbajtësi i depove të tokës e të qiellit, pagesë të cilën presim ta marrim në Ditën kur dashakeqësve nuk do t’u bëjnë më dobi pagesat, madje edhe sikur t’i kenë në pronësi tokën me dhjetëfish sa ajo. Njëkohësisht, duke mos e hequr nga mendtë se këta të mjerët nuk e kuptojnë dot se si ka mundësi një njeri të pret për një pagesë që as nuk e sheh e as nuk e di sasinë e saj. Por ja që, të këtillë jemi ne adhuruesit e Allahut, e të atillë janë ata, adhuruesit e flamujve, idhujve e figurave të tyre patriotike të cilave me zemrat e tyre u bëjnë sexhde sabah/aksham, madje komunistë të përbetuar. Mbulesa Islame është ligj i Allahut në tokë, andaj këtu e tutje, të bëhemi edhe më të vendosur që parimet e fesë sonë t’i mbajmë edhe më me përkushtim, të jemi më të kujdesshëm në mbajtjen e lidhjeve familjare, duke ua kumtuar atyre çdo gjë që ne kemi mësuar rreth fesë së Zotit, të jemi edhe më të zellshëm në edukimin e fëmijëve tanë, të cilët do të jenë pasqyrë për shokët dhe shoqet e tyre në shoqërinë ku jetojmë, të jemi më të qëndrueshëm në fenë tonë, t’i forcojmë lidhjet tona me Krijuesin tonë, me Librin e Tij Fisnik dhe me udhëzimin e Tij profetik, … shkurt, të jemi robër të Allahut vëllezër, edhe nëse këtë do ta urrejnë qafirët. E, për fund, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Pejgamberin e Tij ﷺ: “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë.” (Maide, 67)

Hekuran Helshani

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit