3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Qeveria e Kosovës akuzon Listën Serbe se po i mbron bandat kriminale

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës vlerëson se Lista Serbe është “sajesë e Beogradit dhe tash instrument i saj”, dhe se ka “monopolizuar përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës dhe e ka ngulfatur demokracinë pluraliste brenda pakicës serbe”.

“Ajo nuk i përfaqëson serbët e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës qëndrimin e saj pas një sërë deklaratash pothuajse identike të kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilët vijnë nga radhët e Listës Serbe, e që dolën në mbrojtje të Milan Radoiçiqit, nënkryetarit të kësaj liste, i cili kërkohet nga autoritetet kosovare dhe është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.null

“Me veprimet e tyre ata po vërtetojnë, se as ata vetë nuk janë të lirë. Janë nën kontroll të plotë të Beogradit dhe tash së fundi edhe janë vënë në ballë të mbrojtjes së bandave kriminale në veri të vendit, teksa udhëheqës të saj janë në listën e zezë të Thesarit Amerika dhe në kërkim nga institucionet tona të ndjekjes”, shtoi Kryeziu.

Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, përveç pushtetit absolut në nivel lokal, merr pjesë edhe në punën e Qeverisë së Kosovës dhe ka të dhjetë ulëse në Kuvend, të rezervuara për komunitetit serb.

Lista Serbe nuk është në koalicion qeverisës, por është pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit, sepse Kushtetuta e Kosovës e garanton pjesëmarrjen e minoriteteve në Qeveri. Kryetari i asaj partie, Goran Rakiq, drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Ai nuk u është përgjigjur thirrjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratën e Qeverisë.

Si erdhi deri te ‘reagimi zinxhiror’ në mbrojtje të Radoiçiqit?

Zyrtarët e Listës Serbe reaguan pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 11 gusht deklaroi se autoritetet e Kosovës po “përgatisin likuidimin” e serbëve në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje që të mos tentojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Presidenti i Serbisë, po ashtu, tha se i di se cilat janë planet e shërbimeve të sigurisë të Kosovës dhe se për këtë po flet për likuidim.

“Unë, thjesht, po u kërkoj atyre që të mos planifikojnë ta bëjnë atë”, tha ai.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka reaguar me pretendimet se ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, “pa asnjë provë ka sulmuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, shtetin e Serbisë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq”.

Një ditë më parë (10 gusht), në një intervistë për N1 nga Beogardi, Sveçla kishte thënë se veriu i Kosovës ishte ‘El Dorado’ për kriminelët në 20 vjetët e mëparshëm.

Ai kishte folur edhe se si Radoiçiq gëzon mbështetjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se Kosova ka dëshmi se ai ka hyrë ilegalisht në Kosovë dhe se ka qenë një nga organizatorët e barrikadave të fundit, të cilat janë ngritur më 31 korrik.

Fakti që Radoiçiq ishte i pranishëm në barrikada u konfirmua nga vetë Lista Sërpska më 3 gusht.

Ministria Sveçla, po ashtu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në mes të korrikut kishte deklaruar se Milan Radoiçiq është një nga drejtuesit e strukturave kriminale që qëndron pas sulmeve ndaj Plicisë në veri të Kosovës.

Për shkak të një “gabim teknik”, njoftime identike

Pas adresimit të Vuçiqit më 11 gusht, erdhën njoftimet e kryetarëve të komunave me shumicë serbe. Njëra pas tjetrës. Ndër të parat që ka mbërritur ka qenë deklarata e kryetares së Ranillugut, Katarina Ristiq-Iliq, në të cilën ndër të tjera thuhet se deklaratat ndaj Radoiçiqit “nuk janë sulm ndaj tij si individ, por sulm ndaj kujtdo që nuk është gati të jetë shërbëtor i përulur i Prishtinës”.

Reagimin identik e pati edhe kryetarja e Graçanicës, Lilana Shubariq, fjalë për fjalë si Ristiq-Iliq.

Pasi në mediat serbe në Kosovë nisi një polemikë se “cila kryetare komune e kopjoi njoftimin”, Ristiq -Iliq e dërgoi komunikatën e re, me arsyetim se “ka pasur një gabim teknik”.

Në “deklaratën e saj të re” thuhet se deklaratat e autoriteteve të Kosovës janë “sulm ndaj çdo serbi, pavarësisht nëse jeton në jug apo në veri”, dhe se ato nxisin intolerancën ndëretnike.

Edhe njoftime tjera të kryetarëve të komunave me shumicë serbe kishin përmbajtje të ngjashme. Në fokus të tyre ka qenë se po udhëhiqet një politikë “antiserbe” ndaj serbëve, dhe se “Milan Radoiçiqi nuk është kriminel, por njeri i cili politikisht lufton për interesat e popullit të tij”.

Miftaraj: Mbështetja për Radoiçiqin, mesazh i keq për ata që nuk respektojnë sundimin e ligjit

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të thërrasë drejtpërdrejt dhe të paralajmërojë Listën Serbe se nuk guxon t’i ofrojë mbështetje Milan Radoiçiqit apo ndonjë personi tjetër të kërkuar nga institucionet e sigurisë.

Ai vlerëson se përkrahja e Radoiçiqit nga Lista Serbe është në dëm të komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe në të mirë të atyre në veri që refuzojnë të respektojnë sundimin e ligjit dhe vetë Qeverinë e Kosovës.

Ai thekson se Radoiçiqi dhe kriminelët e tjerë lëvizin lirshëm nga Serbia në Kosovë për shkak se kanë mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe shton se për këtë është i nevojshëm reagimi i bashkësisë ndërkombëtare.

“Institucionet e drejtësisë të Kosovës dhe Prokuroria Speciale nuk kanë treguar funksionalitet të plotë në të kaluarën kur është fjala për Radoiçiqin. Prandaj jemi në këtë situatë, ai disi lëviz lirshëm nga Serbia në Kosovë, përpiqet të nënçmojë institucionet policore dhe gjyqësore. Tani është radha e Policisë së Kosovës, shërbimeve të inteligjencës dhe burimeve të tjera që të gjejnë mënyrën për ta arrestuar Radoiçiqin kur të hyjë sërish në veri të Kosovës, për ta sjellë para drejtësisë”, thotë Miftaraj.

Megjithatë, ai thekson se nuk është e lehtë të arrestohet Radoiçiqi përderisa ai ka mbështetjen e Listës Serbe dhe Beogradit zyrtar.

Janjiq: Rusia përfiton nga veprimet e Radoiçiqit

Dushan Janjiq nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike beson se njoftimet e Listës Serbe janë shkruar në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë dhe se kjo është një metodë që të kujton “stalinizmin dhe politikat e pasluftës”.

“Si Radoiçiqi papritmas u bë simboli i vetëm i unitetit politik të serbëve në Kosovë? Ky është problem për Vuçiqin, është problem për Rakiqin, për Listën Sërpska, për komunitetin serb dhe më gjerë. Ky nuk është kurrfarë uniteti tani. Dikush ka urdhëruar, i ka shkruar Petkoviqi [drejtor i Zyrës] dhe këto njoftime na tregojnë se niveli i zhvillimit politik të serbëve në veri të Kosovës është i turpshëm”, thotë Janjiq.

Megjithatë, ai vëren se Radoiçiqi nuk duhet parë vetëm si kriminel, sepse kjo do të ishte “një lojë e rrezikshme politike”.

Ai tregon se Radoiçiqi në mediat proqeveritare serbe dhe ruse paraqitet si dikush që “filloi luftën për çlirimin e serbëve në veri të Kosovës”.

“Përfituesi në shikim të parë, nga veprimi i Radoiçiqit, është Rusia, në këtë rast ajo makina luftarake e Rusisë dhe propaganda e saj. Nuk e di cili është interesi i popullit serb”, thotë Janjiq.

Si e shohin qytetarët nga komuniteti serb Milan Radoiçiqin?

Banorët e Mitrovicës së Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri, kryesisht qëndrojnë në mbrojtje të Milan Radoiçiqit, edhe pse të paktën ata që duan të flasin për të, e bëjnë në kushte anonimiteti.

“Patjetër që Radoiçiqi nuk është as kriminel, as hajdut, as një milion për qind asgjë. Pra, këta kryetarët tanë qëndruan në mbrojtje të shtëpive të tyre dhe fëmijëve të tyre, dhe fqinjëve të tyre dhe asgjë tjetër”, thotë njëri prej tyre.

Një tjetër thotë se Radoiçiqi është “një nga ne në veri” dhe se Lista Serbe duhet ta mbrojë atë.

“Mendoj se ajo që bën dhe ajo që përfaqëson këtë komb, mbron kombin është e drejtë. Populli thjesht ka besim tek ai njeri, ai ka qëndruar pranë popullit dhe kaq”.

Në komunën më të madhe me shumicë serbe në jug të Ibrit, Graçanicën afër Prishtinës, qytetarët tundin kokën vetëm me përmendjen e Milan Radoiçiqit dhe nuk duan të komentojnë përpjekjet e përfaqësuesve të tyre politikë për ta “mbrojtur” atë nga autoritetet e Kosovës.

Ata që pranojnë të flasin, sikurse bashkatdhetarët e tyre në veri të Kosovës, kërkojnë që të mos zbulohet identiteti i tyre.

Kështu njëri prej tyre thotë se të gjithë i drejtohen Milan Radoiçiqit me një kërkesë për t’i ndihmuar dhe se mendon se ai është një njeri që në fakt pyet për gjithçka.

“Atë e mbrojnë ata, të cilëve iu ka ndihmuar, mua nuk më ka ndihmuar fare. Ne e thirrëm njëherë dhe ka thënë ‘do të shohim’. Kurrë asgjë nuk bëri për mua, ndërsa i kërkova vetëm një vend pune”, thotë ky qytetar i Graçanicës.

Megjithatë, në fund të bisedës ai shton:

“Jemi serbë prapë, le… pak kemi mbetur, nuk dua të sulmoj, por them atë që kam në mendje”.

Pse është e diskutueshme mbrojtja e Milan Radoiçiqit?

Për Milan Radoiçiqin në Kosovë ekziston një fletarrest aktiv për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica”, në të cilin dyshohet se ka “frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”.

Me atë rast personat akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën e skijimit në Brezovicë.

Ai deri më tani ka arritur të shmangë arrestimin dy herë në Kosovë, në mars të këtij viti duke u arratisur nga pika kufitare Bërnjak në veri të Kosovës dhe në nëntor të vitit 2018, kur Policia e Kosovës ka kryer një aksion në veri, me qëllim arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.

Atëherë ishin arrestuar disa persona, por Milan Radoiçiq nuk ishte në banesën e tij gjatë këtij aksioni policor.

Prokuroria e Kosovës e lidh Milan Radoiçiqin me vrasjen e Ivanoviqit, por asnjë aktakuzë nuk është ngritur drejtpërdrejt kundër tij, sepse ligjet e Kosovës e ndalojnë atë për personat që nuk janë në dispozicion të organeve të ndjekjes.

Ndërkohë, vetëm pak muaj pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, nënkryetar i Listës Serbe u zgjodh Milan Radoiçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në disa raste ka folur për Radoiçiqin si një nga ata që mbron Serbinë në Kosovë.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listën e sanksioneve Milan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij Zharkon dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Zvonko Veselinoviq konsiderohet si organizator i barrikadave në veri të Kosovës dhe po ashtu si “mbrojtësi” i serbëve.

Në sqarimin e ministrisë amerikane thuhet se Milan Radoiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe lider i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq ishte tërhequr për një kohë të shkurtër.

Milan Radoiçiq është i njohur për autoritetet gjyqësore në Serbi që nga viti 2011.

Ai dhe Zvonko Veselinoviq u akuzuan për shpërdorim të 32 kamionëve të kompanisë Hippo Alpe Adria Leasing.

Në Serbi, të dy u liruan ligjërisht nga akuzat në vitin 2016. /rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit