18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Muaji i Kuranit 6 / Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid Elkarnij

Muaji i Kuranit 6 / Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira që ka bërë.

Jeta e bukur arrihet duke përmbushur dy elementë: Besimi dhe veprat e mira. Prandaj, kushdo që beson dhe bën vepra të mira, ka garantuar një jetë të lumtur, sakaq shpërblimi i tij në botën tjetër do të jetë i pallogaritshëm.
Me fjalët “jetë e bukur” nënkuptohet gjithçka që qetëson dhe i fal kënaqësi njeriut, ku hyn shëndeti, siguria, paqja, harmonia, mbarësia tek fëmijët, ruajtja nga të këqiat etj… Të gjitha këto hyjnë tek jeta e mirë. Prandaj, kushdo që kërkon jetë të mirë dhe të lumtur pa besim dhe pa vepra të mira, po kërkon diçka të pamundur dhe të parealizueshme.
E si mund ta arrijë jetën e bukur ai që i ka shqyer lidhjet mes tij dhe mes Zotit, burimit të kësaj jete të bukur?! Çdo e mirë dhe begati ka si themel devotshmërinë, ndërkohë që çdo bela dhe vuajtje, ka si shkak pikërisht gjynahet dhe ligësitë. Kjo është diçka e konfirmuar në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:” Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…” (Rum, 41)
“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 30)
“Thuaju: Këtë e keni nga vetja juaj” (Al Imran, 165)
Ai që i përmbush këto dy elementë, besimin dhe veprat e mira, do të lumturohet në dy botët, në dynja dhe ahiret.
“do të bëjmë të jetojë jetë të lumtur” në arabisht është shprehur me foljen “le nuhijennehu” pra do e ringjallim, duke i dhënë një jetë të lumtur. Një person të cilit nuk i ka dhënë jetë Zoti, nëpërmjet udhëzimit të Tij, sikur është i vdekur dhe sikur nuk ka jetuar fare. Ai është një njeriu që e ka çuar dëm jetën e vet.
Jeta e bukur që u premtohet besimtarëve dhe atyre që veprojnë punë të mira, përfshin dhe jetën e zemrës me besim dhe udhëzim hyjnor. Kjo jetë nuk përfundon me vdekjen e trupit. Ajo është edhe jetë e mendjes, e cila percepton dhe gjykon drejt. Ajo është dhe jetë e trupit, pasi i fal atij shëndet dhe fuqi, larg sëmundjeve.
Vetë Zoti i lartësuar, Ai që ka në dorë gjithçka dhe që mban çdo premtim, është betuar se do na japë shpërblim sipas veprës më të mirë që kemi vepruar ndonjëherë. Të gjithë e dimë, se ne bëjmë vepra të mira, por edhe vepra më të mira. Kemi namaze që i kryejmë në formë të mirë, por dhe në formën më të mirë. Kështu, për namazin, do të shpërblehemi si për namazin që e kemi kryer ndonjëherë në formën më të mirë. Kjo do të vlejë për të gjitha veprat dhe padyshim që është prej bujarisë së Gjithëpushtetshmit.
Veç sa thamë, ajeti që u bë objekt i këtyre rreshtave, bashkon mashkullin dhe femrën, besimin dhe veprën e mirë, jetën dhe shpërblimin sipas veprës së mirë. Kështu, Ai ka përmendur mashkullin dhe femrën për të përfshirë të gjithë racën njerëzore, ka përmendur veprat e mira për të përfshirë bazat e çdo vepre, si dhe ka përmendur jetë e mirë dhe shpërblimin madhështor për të treguar bujarinë dhe shpërblimin e Zotit.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit