9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Bajrami dhe kuptimi shumëdimenzional i tij – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Festat dhe bajramet gjinden në të gjithë popujt, pa marë para sysh se a janë ithtarë të librit ose idhujtar, sepse festat kanë të bëjnë me intuitën dhe natyrën e njerëzve. Të gjithë njerëzit dëshirojnë që të kenë raste festive, të cilat do t’i kremtojnë dhe do të tubohen e të shpalosin gëzimin dhe harenë.

Festat tek mosbesimtarët ndërlidhen me gjëra të kësaj bote, siç është fillimi i vitit, ose sezona e mbjelljes, ose ndryshimi i klimës, ose themelimi i një shtetit, ose ardhja në pushtet të ndonjë kryetari, etj.

Herherë ndërlidhen me ndonjë rast fetar, siç janë shumica e festave te të krishterët dhe çifutët. Prej festave të të krishterëve janë psh festa e krishtlindjeve, ose e vitit të ri, e shumë festa tjera që festohen në vendet ku dominojnë të krishterët, edhe pse në ato vende mundet të ketë edhe musliman, të cilët disa herë festojnë me ta ose nga injoranca ose nga dyftyrësia.

Edhe zjarputistët kanë festat e tyre të veçanta, sikurse është festa e nevruzit, e cila është futur te në nëpërmjet bektashive, edhe disa festa tjera.

 

Muslimanët veçohen me festat e tyre

Hadithi i Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:

” إن لكل قوم عيد وهذا عيدنا “

“Secili popull ka festat e veta, kurse kjo është festa jonë”, tregon se muslimanët veçohen vetëm me këto dy festa dhe nuk u lejohet muslimanëve që tu përngjajnë mosbesimtarëve dhe idhujtarëve në festat e tyre të veçanta, as me ushqim, as me veshmbathje, as me ndezje të zjarit, as me adhurim, as duke lozur fëmijët në festat e tyre, as duke shfaqur zbukurimet.

Të gjitha festat e mosbesimtarëve ose të shpikura janë të ndaluara, sikurse është festimi i natës së vitit të ri, ditës së nënës, ditës së punëtorit, ditën e mësuesit, ditëlindjen e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], etj.

Muslimanët i kanë vetëm dy festa vjetore, siç është fitër bajrami dhe kurban bajrami.

Tregohet nga Enesi [radijall-llahu anhu] i cili thotë:

(( قَدِمَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ الْمَدِينَةَ وَلَهُمْ يَوْمَانِ يَلْعَبُونَ فِيهِمَا فَقَالَ مَا هَذَانِ الْيَوْمَانِ قَالُوا كُنَّا نَلْعَبُ فِيهِمَا فِي الْجَاهِلِيَّةِ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِنَّ اللَّهَ قَدْ أَبْدَلَكُمْ بِهِمَا خَيْرًا مِنْهُمَا يَوْمَ الْأَضْحَى وَيَوْمَ الْفِطْرِ . )) سنن أبي داود 1134

Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] kur erdhi në Medinë, i gjeti banorët e Medinës duke i festuar dy ditë. I pyeti: ç’janë këto dy ditë? Thanë: Loznim në këto dy ditë në injorancë. Atëherë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: 

“All-llahu ua ka zëvendësuar me dy ditë tjera, të cilat janë më të mira se ato: dita e kurban bajramit dhe dita e fitër bajramit”. (Ebu Davudi).

Pra, këto dy festa janë simbole të fesë, të cilat duhet ngjallur dhe duhet perceptuar synimin e tyre dhe duhet kuptuar domethëniet e tyre.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

  ذلك ومن يعظم شعائر الله فإنها من تقوى القلوب   [الحج:32].

“Kjo është kështu! E kush madhëron dispozitat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave”. (El-Haxhxh: 32).

 

Dimenzionet e bajramit

1- Bajrami në dimenzionin fetar domethënë: falënderim ndaj All-llahut për plotësimin e adhurimit, të cilnë nuk e thot besimtari vetëm më gjuhë, por depërton në brendësitë e tija duke shpalosur kënaqësinë dhe qetësinë e tij dhe shfaqet në jetën e tij publike si gëzim dhe hare.

2- Bajrami në dimenzionin humanitar domethënë: dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfurit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi.

Bajrami te i pasuri ndikon që të harojë mvarshmërinë e tij nga pasuria, zbret nga lartësirat e tija dhe tregohet modest para njerëzve, duke e përkujtuar vetvetes se të gjith ata që gjinden përreth tij janë vëllezërit dhe ndihmësit e tij. Ky njeri shlyen gabimet e tija që i ka bërë për një vjet me bamirësinë që e ban për një ditë.

Kurse për të varfurin domethënë largim i brengave, ngritet të horizontin ku i vizatonte ëndërrat e tija, i haron lodhjet dhe vështirësitë që i ka përjetuar gjatë tërë vitit. Gëzimi i bajramit i shlyen gjurmët e mllefit dhe neveritjes nga vetvetja, dështon dëshprimi në momentin kur fiton shpresa.

3- Bajrami në dimenzionin psikologjik domethënë: Kufiri mes përkufizimeve, të cilave i është nënshtruar shpirti, i janë dorëzuar gjymtyrët dhe pikënisjes në hapësirat e lejuara të lozjes dhe kënaqjes me gjërat e këndshme.

4- Bajrami në dimenzionin kohor domethënë: një copë kohë e veçuar për të haruar brengat dhe mërzitë, për të larguar përgjegjësitë dhe detyrat, për të pushuar përpjekjet e jetës.

5- Bajrami në dimenzionin shoqëror domethënë: 

– dita kur gëzohen fëmijët duke lozur dhe duke u argëtuar.

– Dita kur gëzohen të varfurit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet.

– Dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri tjetrin.

– Dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke.

– Dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë.

– Dita kur shpirti fisnik i haron gabimet e tjerëve ndaj tij; bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përllomjes dhe e përshëndet pas injorimit.

E tërë kjo domethënë ripërtërirje e lidhjeve shoqërore në formën më të fuqishme dhe më të mirë, në dashuri, besnikëri dhe vëllazërim.

Kjo ua përkujton antërave të shoqërisë që të përkujdesen për të dobëtit dhe të paaftit, që gëzimi i bajramit të depërtojë në secilën shtëpi dhe dhuntitë t’i përjetojë secila familje. 

Këtë qëllim shoqëror e ka sadakatul-fitri në fitër bajramin dhe kurbani në kurban bajramin. Shpërndarja e sadakatul-fitrit para namazit të bajramit është shtytës për njerëzit e mirë që ta zgjasin dorën e bamirësisë, me qëllim që atë ditë që do të lind dielli, të lindin edhe shpresat e reja për këta njerëz, ti kalon gëzimi dhe galdimi fytyrat dhe shpirtin e tyre.

Në bajram ka rregulla që e ndalin epshin, ka urtësi që e ushqejnë mendjen, sekrete që e pastrojnë shpirtin, përkujtime që bëhen shembëlltyrë në të vërtetë dhe të mirë, në brendësinë e tij ka mësime që shpalosin të vërteta, kritere që ngrisin drejtësinë në mesin e llojeve të ndryshme të njerëzve, synime fisnike që kujdesen për të ruajtur unitetin dhe përmirësimin, dhe mësime të larta praktike në sakrificë, altruizëm dhe dashuri.

Në bajram del në shesh vlera e sinqeritetit, e lartësuar mbi të gjithë. Njerëzit i dhurojnë njëri tjetrit dhurata nga zemra e sinqertë dhe e dashur. Sikurse të jetë bajrami shpirti i një familjes në mbarë ummetin.

Bajrami e zgjëron domethënien e fqiut saqë e kaplon tërë atë botë të banuar nga muslimanët, ku realizohet në praktikë domethënia e vëllezërisë.

Bajrami në Islam është qetësi dhe dinjitet, madhërim të All-llahut që është Një dhe i Gjithfuqishëm dhe largim nga shkaqet e shkatërrimit dhe hyrjes në xhehenem.

Pas tërë kësaj bajrami është mejdan i garave në të mira dhe fisnike.

 

Madhëria e bajramit

Madhëria e bajramit del në shesh duke pasur parasysh faktin se Islami secilin bajram e ka ndërlidhur me një adhurim madhështor islam, që janë simbole gjigante të fesë, të cilat:

– Kanë ndikim të madh në gjërat shpirtërore.

– Ndikim të madh në gjërat shoqërore.

– Përplot me të mira, bamirësi, mëhsirë dhe devotshmëri.

– Ndikim në edukimin individual dhe shoqëror, pa të cilin një ummet nuk meriton ekzistim e as nuk mund të sjell dobi.

Ato janë: 

Muaji i Ramazanit, ku fitër bajrami vjen si përfundim aromatik dhe si mirënjohje për përfundimin e tij;

Haxhxhi, pas të cilit vjen kurban bajrami.

Ndërlidhaj që ua ka bërë Zoti këtyre dy festave me këto dy adhurimet mjafton për ti vlerësuar dhe për të shpalosur të vërtetën e tyre. 

Pra, këto janë dy festa fetare me të gjitha sunnetet që janë përcaktuar në to, madje feja preferon që të ndërmiren disa veprime, të cilat janë të kësaj bote, siç është zbukurimi, parfymosja, harxhimi më i madh për veshmbathjen e fëmijëve dhe familjes, në ushqim, kujdesi për mysafirët, argëtimi, lozja, me kusht që mos të kalon në harxhim të tepruar (israf). Këto gjëra të lejuara shndërohen në adhurim nëse nijjeti është i mirë.

Prej mirësisë së Islamit është që shumë gjëra të lejuara nëse bëhen me nijjet të mirë, synohet të realizohen disa urtsi të All-llahut, ose falënderim ndaj All-llahut, ato shndërrohen në adhurime, siç ka thënë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:

(( حتى اللقمة تضعها في في امرأتك ))

“Saqë edhe kafshatën që ia afron gruas tënde deri te goja”.

Sekreti i bajramit nuk fshehet në ditën që fillon me lindjen e diellit dhe përfudon me perendimin e tij, por në veprat me të cilat mbushet ajo ditë, bamirësia dhe veprat e mira që bëhet në këtë ditë, lumturia që i kaplon shpirtërat e përgaditur për të mira dhe lartësira. Bajram është domethënia e kësaj dite, jo vet dita.

Këto janë disa dimenzione të domethënies së bajramit, siç i kuptojmë nga Islami, siç i realizojnë muslimanët e sinqertë. Vallë ku jemi ne nga këto festa?! Ku janë këto festa prej nesh?! Cila është hiseja jonë nga këto domethënie?! Ku janë gjurmët e adhurimet nga gjurmët e adeteve në festat tona?!

 

Përmbyllje e kësaj fesete me adhurim

Pasiqë festa e bajramit është festim për shkak të përfudnimit të një adhurimit me sukses, pas festimit, në shenjë falënderimi besimtari, sërish fillon me adhurim.

Prej këtij adhurimi të preferuar, e jo të obliguar është agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit.

Për këto ditë Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

(( من صام رمضان ثم أتبعه ست من شوال كان كصيام الدهر)) [رواه مسلم]. 

“Kush agjëron Ramazanin, pastaj e përcjell me agjërimin e gjashtë ditëve të Shevvalit, i regjistrohet sikur të kishte agjëruar tërë vitin”. (Muslimi).

 

Mos haro

 

O ti musliman që je gëzuar me këtë bajram, ti je përgaditur për këtë bajram, qofshë baba, ose nënë, ose djalosh, ose vajzë, pa dyshim se je përgaditur me tërë ato gjëra që të duhen për bajram, mirëpo shtoja kësaj përgaditje edhe një përgaditje tjetër, përgaditje për të fituar falënderim, për të shtuar faqet e tuaja me ndriçim, një përgaditje më e ndershme te All-llahu dhe më e vlefshme në sytë e vëllazërisë dhe edukatës.

Ajo është përgaditja për tua larguar brengat skamnorëve dhe varfnjakëve që jaën përreth teje, oqfshin fqinjë, të afërt ose të tjerë. Hulumtoi ata njerëz, pyet për nevojat e tyre dhe nxito të fusish gëzimin në zemrat e tyre.

Nëse nuk të ndihmon pasuria në këtë drejtim, mos haro fjalën e mirë, buzëqeshjen, vizitën ose sjelljen e mirë me ta.

Mos haro.

Në mëngjesin e bajramit, kur ti i puthë prindërit, argëtohesh me familjen tënde, me gruan dhe fëmijët e tu, me vëllezërit dhe dashamirët tu, me të afërmit. Të bashkuar pran ushqimit të këndshëm dhe pijes së lezetshme, mos haro ti kujtosh jetimat të cilët nuk gjejnë përkdheljen e babait, gratë e veja që nuk gjejnë buzëqeshjen e burrave të tyre, prindër të privuar nga fëmijët, shumë vëllezër tuaj që i shpërndarë anë e mbanë botës zullumi. Atyreve në ditën e bajramit u lotojnë sytë, digjen me zjar, u mungon shija e rehatisë dhe sigurisë.

Mos haro.

Në ditën e bajramit, kur ti strehohesh nën hije, qetësoshesh në komoditetin e shtëpisë sate, në kolltuqet e rehatshme, rreth e përqark gjelbërim, kujtoi vëllezërit tuaj që shtrihen në tokë, mbështjellen me gjelbërimin dhe jetojnë nën qiell të hapur.

Mos haro.

Ti kur ua shëron plagët, vepron për tua përmbushur nevojat, se ti me këtë përmbush nevojat tuaja dhe shëron plagat tuaja.

All-llahu [subhanehu ve teala] thotë:

{ وَالْمُؤْمِنُونَ وَالْمُؤْمِنَاتُ بَعْضُهُمْ أَوْلِيَاءُ بَعْضٍ } (التوبة: من الآية71)

“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, …”. (Et-Teube: 71).

Ose ajetin:

{ وَمَا تُنْفِقُوا مِنْ خَيْرٍ فَلِأَنْفُسِكُم } (البقرة: من الآية272)

“… e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”. (El-Bekare: 272).

Ose ajetin:

{ مَنْ عَمِلَ صَالِحاً فَلِنَفْسِه } (فصلت: من الآية46).

“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve”. (Fussilet: 46).

Kurse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë:

(( ومن نفَّسَ عن مؤمن كربة من كرب الدنيا نفَّس الله عنه كربة من كرب يوم القيامة والله في عون العبد ما كان العبد في عون أخيه )).

“Kush ia largon besimtarit një brengë nga brengat e kësaj bote, All-llahu ia lehtëson një brengë nga brengat e Ditës së Kijametit. All-llahu është në ndihmë të robit, përderisa robi është në ndihmë të vëllaut të vet”.

(( مثل المؤمنين في توادّهم وتراحمهم وتعاطفهم، كمثل الجسد الواحد، إذا اشتكى منه عضو تداعى لـه سائر الجسد بالحمى والسهر )).

“Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirimin dhe solidaritetin reciprok, është sikurse shembulli i një trupi; nëse i ankohet një gjymtyrë, i tërë trupi lëngon nga temperatura dhe pagjumësia”.

All-llahu ua bekfotë muslimanëve bajramin e tyre dhe ua forcoftë fenë me të cilën është i kënaqur.

Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.

Përgaditi: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit