15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Jeta ime është vetëm për Allahun

Më të lexuarat

Falenderimi i takon vetëm Allahut, i Cili na krijoi me Duar e Tija nga asgjëja, na ka dhuruar mirësi dhe begati të shumta, nuk na krijuar kot, por për një qëllim të lartë dhe të rëndësishëm që është detyrë për ne njohja dhe realizimi i tij.
Falenderimi i takon vetëm Allahut, i Cili ka krijuar vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmiri.
Falenderimi i takon vetëm Allahut, i Cili ka nënshtruar për ne ç’ka ka në qiej dhe tokë.

Dëshmoj se nuk ka Zot që i takon adhurimi me të drejtë askujt tjetër vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, i cili na mësoi se si ta realizojmë qëllimin e lartë për të cilin jemi krijuar – Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë!

Nëse do shikojmë në jetën tonë, ajo është e lidhur ngushtë me katër etapa të cilat ndodhin tek shumica e njerëzve në kohën e sotme… Lindim, rritemi, plakemi dhe në fund vdesim…

Këto katër etapa janë vetë jeta!

Pra fillon rrugëtimi me lindjen…Allahu është Ai i Cili e krijoi njeriun e parë Ademin – alejhi selam – me Duart e Tij nga asgjëja. Thotë Allahu i Lartësuar :
﴿ هَلْ أَتَى عَلَى الإنسان حِينٌ مِنَ الدَّهْرِ لَمْ يَكُنْ شَيْئًا مَذْكُورًا ﴾
{Vërtet ka kaluar një periudhë kohore,që njeriu nuk ekzistonte fare si një diçka i përmendur}.
﴿ إِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلَائِكَةِ إِنِّي خَالِقٌ بَشَرًا مِنْ طِينٍ(71)﴾
{Kur Zoti yt u tha ëngjëjve:” Unë po krijoj një njeri nga balta} Sad 71
Për ta nderuar këtë krijesë të mrekullueshme Allahu urdhëroi ëngjujt t’i bënin sexhde Ademit -alejhi selam-
﴿فَإِذَا سَوَّيْتُهُ وَنَفَخْتُ فِيهِ مِن رُّوحِي فَقَعُوا لَهُ سَاجِدِينَ (72)﴾
{dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde)}
Të gjithë ju bindën Allahut, përveç atij që pas kësaj u bë armiku i betuar , i hapur i njeriut, shejtani – mallkimi i Allahut qoftë mbi të-.
﴿ فَسَجَدَ الْمَلَائِكَةُ كُلُّهُمْ أَجْمَعُونَ (73) إِلَّا إِبْلِيسَ اسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ (74)﴾
{Ëngjëjt të gjithë së bashku iu përulën, përveç Iblisit që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve}.
﴿قَالَ يَا إِبْلِيسُ مَا مَنَعَكَ أَن تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ أَسْتَكْبَرْتَ أَمْ كُنتَ مِنَ الْعَالِينَ﴾
{(Allahu) tha : ”O Iblis , ç’ka të pengoi ty t’i përulesh (me sexhde) atij që Unë vetë e krijova me dy Duart e Mija? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që mbajnë veten lartë?”}.
Më pas Allahu krijoi për Ademin palën tjetër Havanë dhe prej tyre njerëzimin.
﴿ يَاأَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمْ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ﴾النساء
{O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu – Ademi) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen-Havanë) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë dhe gra.}
Është Ai (Allahu) që e krijoi njeriun në formën më të bukur dhe më të përsosur. Është Ai i Cili e formëzon njeriun në barkun e nënës së vet , si të dëshirojë Ai.
﴿هو الذي يصوّركم في الأرحام كيف يشاء﴾
Dikush është djalë, e dikush është vajzë. Dikush i bardhë e dikush i zi. Dikush i bukur e dikush i shëmtuar. Dikush i plotë e dikush me mangësi. Dikush i lumtur e dikush i mjerë. Të gjitha këto me drejtësinë dhe mëshirën e Allahut.
Më pasë vazhdon rrugëtimi, nga një fëmijë i vogël , rritesh bëhesh djalë, e më pas burrë, e pas burrërisë vjen plakja dhe pas saj vjen vdekja!
{O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t’ju sqarojmë. Ndërsa atë që e dëshirojmë Ne, e përqëndrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ka që dikush prej jush vdes herët, e dikush të jetojë deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur.} Haxh: 5
Dhe vdekja do të vi patjetër!
{Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kijametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues. } Ali Imran: 185
Për njeriun Allahu krijoi yjet, qiellin, natën, ditën, Hënën dhe Diellin. Nga retë lëshon edhe shiun me të cilin e ngjall tokën dhe e bën atë të përshtatshme për ushqim.
Të gjitha këto o njeri a mendon se i ka krijuar Allahu kot!?
A mendon se edhe krijimi yt është kot? Thotë Allahu:
﴿ا َفَحَسِبْتُمْ أَنَّمَا خَلَقْنَاكُمْ عَبَثاً وَأَنَّكُمْ إِلَيْنَا لا تُرْجَعُونَ﴾
A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?”. (Mu’minun, 115)
Nga do që ti hedhësh sytë do shohësh krijesa të shumë-llojshme në tokë, në det në qiell. Nëse do mendosh rreth çdonjërës prej tyre do vesh re se ajo e ka një qëllim për të cilin ekziston ose më thjesht : ekzistenca e saj e ka një funksion dhe dobi.
Kështu janë edhe çdo aspekt i jetës sonë. Nëse e pyesim dikë përse ushqehemi, të gjithë në mënyrën e tyre do të përgjigjen: për t’u mbajtur në jetë. Nëse pyesim dikë përse punon, do të përgjigjet që puna është e obliguar për ekzistencë dhe për të realizuar nevojat familjare. Nëse pyesim dikë përse flejmë, lahemi, veshemi, etj., do t’u japin përgjigje për çdonjërën sipas funksionit dhe dobisë, sepse këto janë domosdoshmëri të zakonshme për të gjitha qeniet njerëzore.
Mund të bëjmë qindra pyetje dhe do të marrim përgjigje të njëjta apo të ngjajshme nga çdo njeri, në cilëndo gjuhë dhe në cilindo vend të botës.
Kjo domethënë që vlera e çdonjërës prej këtyre gjërave që përmendëm edhe çdo gjë tjetër varet nga kryerja e funksionit për të cilin janë sjellë në ekzistencë.
A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes : Kur çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi e paska një qëllim dhe funksion për të cilin ekziston, po unë a e kam një qëllim në këtë jetë dhe nëse po kush duhet të jetë ai ?!
Kjo pyetje mbase duket për disa njerëz disi e vështirë për t’i dhënë përgjigje por e vërteta është se përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Madje ajo është shkruajtur në faqet e horizontit, në të gjitha krijesat që ekzistojnë në univers. Por shumica e njerëzve nuk e shohin atë, jo sepse nuk shikohet por sepse ata nuk përqëndrohen në të.
Çdo organ që ndodhet në trupin e njeriut, madje çdo qelizë dhe ind Allahu i ka krijuar për një qëllim të caktuar. Qëllimi për të cilin është krijuar ky organ, qelizë ose ind ndryshon nga qëllimi I krijimit të një organi, qelize ose indi tjetër, si p.sh: Syri është krijuar për të parë, ndërsa veshi për të dëgjuar. Funksionet e ndryshme që kryejnë organet, qelizat dhe indet dëshmojnë qartë, se ato janë të lidhura ngushtë me vetë qenien e njeriut.
Duke qenë se çdo qelizë, ind, organ dhe sistem janë krijuar për një qëllim të caktuar dhe duke qenë se ato formojnë qenien e njeriut, si rrjedhojë e këtyre dy gjërave, del se vetë njeriu është krijuar për një qëllim të caktuar.
Duhet të dimë, se të gjithë njerëzit janë krijuar për një qëllim të vetëm, sepse struktura se si është ndërtuar syri tek i varfri është e njëjtë me atë të të pasurit, qoftë kjo në kohën tonë ose në kohët përpara nesh. Pra qëllimi i çdo pjese prej pjesëve të trupit të njeriut është një për të gjithë rracat dhe gjinitë njerëzore, pa marrë parasysh kohën dhe vendin. Duke qenë se njeriu është i përbërë nga këto pjesë, atëherë si rrjedhojë e kësaj del, se qëllimi i krijimit të të gjithë njerëzve është një, pa marrë parasysh kohën ose vendin, pasurinë ose varfërinë, dijen ose injorancën.
Pasi arritëm në rezultatin që ne nuk jetojmë kot, por na ka sjellë Zoti në këtë jetë me një qëllim, sikurse na ka caktuar çdo gjë në të, nga fillimi deri në fund, bëjmë pyetjen : kush është ky qëllim? Përgjigjen e saj do ta mësojmë në vazhdim….
——————————————————————–
Në të vërtetë, qëllimi për të cilin është krijuar njeriu, ka të bëjë me këtë botë dhe me botën tjetër(Ahiretin). Për këtë arsye ajo është e fshehtë (nuk mund ta kuptojnë) për ata, të cilët janë dhënë pas kësaj bote. Normalisht që qëllimin nuk do ta nxjerrim nga vetet tona por e kërkojmë prej Atij që na ka krijuar, të na tregojë pse na ka sjellë në këtë jetë.
Thamë që ne nuk kemi ardhur me dëshirën tonë në këtë jetë, as nuk na ka pyetur kush, a kemi dëshirë të vijmë apo jo dhe a kemi dëshirë të ikim apo jo. Kjo tregon se Ai që na ka në dorë ne, ka gjithashtu edhe qëllimin për të cilin na ka sjellë në këtë jetë.
Misterin e krijimit të njeriut e di vetëm Allahu, i Cili e ka krijuar njeriun. Qëllimin e një produkti të caktuar ne nuk mund ta dimë kurrë, por vetëm nëse na e mëson vetë prodhuesi .
Këtë qëllim na e ka treguar Allahu në Kur’an në Suren Dharijat ku thotë :
﴿وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ (56) مَا أُرِيدُ مِنْهُمْ مِنْ رِزْقٍ وَمَا أُرِيدُ أَنْ يُطْعِمُونِ (57) إِنَّ اللَّهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ ﴾
“Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar. Nuk dua prej tyre rrizk as nuk dua të më ushqejnë. Unë jam Ai jam Rrizk-dhënësi dhe i Plotëfuqishmi” [Edh-dharijat 56-58].
Përderisa Allahu e ka krijuar njeriun për këtë qëllim atëherë ai duhet ta vendosi në jetë këtë qëllim për të cilin është krijuar dhe ka ardhur në ekzistencë.
Kështu që Allahu na ka sjellë në këtë jetë që të zbatojmë urdhërat e Tij të cilat gjenden në librat qiellorë që u ka zbritur profetëve të Tij. E libri i fundit që ka zbritur Allahu mbi njerëzimin dhe i cili i ka përfshirë dhe shfuqizuar të gjithë librat e mëparshëm është Kur’ani. Në të gjenden urdhërat dhe porositë që ka dhënë Allahu për mbarë njerëzimin që t’i zbatojnë dhe kështu të kryejnë qëllimin për të cilin ata jetojnë në këtë jetë. Rruga e vetme e cila na mëson si ta kuptojmë dhe praktikojmë Kur’anin është rruga e Profetit tonë Muhamed-paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të- i cili është mësuesi ynë, shembulli mëi lartë për t’u pasuar. Ai i cili na mësoi se si ta realizojmë qëllimin e lartë për të cilin jemi krijuar.Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët në mënyrë më të mirë i pasojnë ata, deri në Ditën e Gjykimit.
Do ta mbyllja hutben time me një poezi e cila përmbledh gjithçka thamë deri tani titulluar :
Jeta ime është vetëm për Allahun
Vet Allahu të krijoi ty o njeri,
pastaj të begatoi me shumë mirësi,
krijimi yt në kët’ botë s’është kot,
një qëllim ta ka caktuar i madhi Zot.
Parashtroj vetes një pyetje o njeri,
e gjithë kjo një përgjigje ka me siguri.
Pse ende atë s’je duke e kërkuar,
vallë me mëkate zemra është mbuluar?
Cili është qëllimi që unë jam krijuar?
Kjo është pyetja që duhet kërkuar.
Ditët vijnë e shkojnë jeta po kalon,
ndalu pak o njeri, pse nuk po mendon?
Çdo të keqe zemra jote ka pranuar,
duke menduar se këto t’kanë përmirësuar.
Vitet kalojn e në shpirt ndjen një mungesë,
ditët e kaluara i kujton me frikë dhe shpresë.
O njeri do të vdesësh padyshim,
ndaj bëjë sa më shpejtë një rizgjim.
E kaluara jote sa shumë të mundon,
pendimi të gjitha këto i sfidon.
Mendon e thua e gjithë kjo është kot,
gjithë këto mrekullira pa menduar dot!
Beso, se gjithë këto me përsosmëri ,
i krijoi Allahu për ty o njeri.
Për ty krijoi yjet dhe qiellin,
natën, ditën, Hënën dhe Diellin.
Nga retë lartë lëshon edhe shiun,
tokën për ushqim krijoi për njeriun.
Në këtë botë erdhe vetëm për një qëllim
adhurues, falënderues të bëhesh padyshim
fillo pa përtuar , thuaj Bismilah
E gjithë jeta ime të jetë vetëm për Allah!
﴿قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ (162) لَا شَرِيكَ لَهُۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ ﴾
Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)! “. (En’am, 162)
﴿إِنَّ اللَّهَ وَمَلائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيّ ياأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ صَلُّواْ عَلَيْهِ وَسَلّمُواْ تَسْلِيمًا﴾ [الأحزاب:56].
{Vërtet Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam}.

Përgaditi: Petrit Zharova

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit