0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Banka e Shqipërisë rrit interesin e lekut, synohet të frenohet rritja e inflacionit

Më të lexuarat

Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 për qind normën bazë të interesit të lekut.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës vjen në vazhdën e presioneve të larta inflacioniste, të cilat pritet të kulmojnë në fund të sezonit veror.

Projeksionet janë për një rritje të çmimeve të mallrave të shportës mes niveleve 7 për qind dhe 8 për qind.

“Niveli i lartë i inflacionit është rrezik primar për rritjen e qëndrueshme të vendit, morëm vendim të rritim me 0.25 për qind normën bazë të interesit të lekut”, tha Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Norma bazë e interesit të lekut bëhet 1.25 për qind. Kjo do të bëjë më të shtrenjta kreditë dhe pritet të rritë edhe interesin e depozitave bankare. Politika monetare do të vazhdojë të jetë në kahun shtrëngues deri në stabilizimin e çmimeve.

Parashikimet e Bankës Qendrore për ekonominë janë për një ngadalësim gjatë pjesës të mbetur të vitit, ndërsa sfidat për të ardhmen mbeten serioze.

“Ecuria e ekonomisë mbetet përballë sfidave serioze, ka ngadalësim në Eurozonë, frenim të fuqisë blerëse dhe presione inflacioniste. Presim një ngadalësim të ritmit të rritjes së ekonomisë në pjesën e mbetur të vitit”, theksoi Sejko.

Nismën e amnistisë fiskale Banka e Shqipërisë e sheh pozitive në injektimin e parave në ekonomi, por me rrezik për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit.

“Përfitimet janë injektimi i likuiditeteve në ekonomi, dhe në kontekstin e formalizimit të ekonomisë ka efekt pozitiv, por ka kosto me shmangien e parave të krimit dhe korrupsionit dhe duhen mekanizim a që mos lejohet të pastrohen paratë”, u shpreh guvernatori i BSH.

Në vazhdën e marrjes së masave për të frenuar krizën e çmimeve, bordi i Bankës Qendrore rriti me 0.35 për qind normën e kredisë njëditore që Banka Qendrore u jep bankave të nivelit të dytë dhe me 0.15 për qind interesin e depozitës njëditorë që lihet pranë saj. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit