-1.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Financial Times: Bankat qendrore po rrisin normat e interesit me shpejtësi

Më të lexuarat

Kostot e huamarrjes po rriten në pjesën më të madhe të botës, ndërsa epokës së parave të lira po i vjen fundi.

Bankat qendrore po rrisin normat e interesit me shpejtësi, në atë që mund të konsiderohet si shtrëngimi më i përhapur i politikës monetare në më shumë se dy dekada, sipas një analize të Financial Times, që nxjerr në pah ndryshimin e qëndrimit të tyre të mëparshëm, i cili ka qenë historikisht më ekspansionist.

Politikëbërësit në mbarë botën kanë njoftuar për më shumë se 60 rritje të normave aktuale të interesit në tre muajt e fundit, sipas një analize të FT, mbi të dhënat e bankave qendrore – numri më i madh që nga fillimi i vitit 2000.

Shifrat ilustrojnë ndryshimin e papritur dhe gjeografikisht të përhapur të politikave monetare lehtësuese, të cilat u aplikuan që nga kriza financiare globale e vitit 2008 dhe vazhduan të rriteshin gjatë pandemisë së koronavirusit. Gjatë dekadës së fundit, normat e interesit kanë qenë në nivele të ulëta të paprecedenta në shumicën e ekonomive të përparuara, dhe në disa raste arritën edhe shifra negative.

Ndryshimi i papritur i kësaj politike vjen pasi inflacioni ka arritur nivelet më të larta të disa dekadave në shumë vende, kresisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe të ushqimit që prej fillimit të pushtimit të Ukrainës në muajin shkurt.

Jennifer McKeown, kreu i shërbimit për ekonominë globale në firmën kërkimore Capital Economics, tha: “Bankat qendrore të botës kanë nisur ciklin shtrëngues më të koordinuar të shumë dekadave.”

Ndër 55 normat kryesore të interesit që janë rritur kohët e fundit, janë ato të Rezervës Federale dhe të Bankës së Anglisë, të cilat i dhanë fund periudhës prej disa dekadash të politikës monetare ekspansioniste, duke iu përgjigjur rritjes së çmimeve me rritje të normave të interesit në mbledhjet e tyre të njëpasnjëshme.

Christian Keller, ekonomist në Barclays, tha: “Cikli i shtrëngimit të politikave monetare është me të vërtetë një fenomen global”.

Në fillim të majit, Fed rriti normën e saj bazë të interesit me 50 pikë bazë, duke e ҫuar në një interval prej 0.75 për qind deri në 1 për qind, rritja më e madhe që nga viti 2000. Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit në katër mbledhjet e fundit, me rritjen e muajit maj që e dërgoi normën kryesore në 1 për qind.

Banka Qendrore Europiane duket e vendosur për të rritur kostot e huamarrjes në korrik, për herë të parë që nga viti 2011, duke i dhënë kështu fund eksperimentit të saj tetë-vjeçar me norma negative në muajin shtator. Bankat qendrore kanadeze, australiane, polake dhe indiane pritet të rrisin normat e interesit në javët e ardhshme.

Pavarësisht kësaj, normat vazhdojnë të mbeten të ulëta krahasuar me standardet historike dhe ekonomistët paralajmërojnë se rritjet e fundit janë vetëm fillimi i një cikli shtrëngues global.

McKeown tha se 16 nga 20 bankat qendrore kryesore të mbarë botës mund të rrisin normat e interesit në gjashtë muajt e ardhshëm. Shtrëngimi i politikës monetare pritet të jetë më i shpejtë në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Tregjet presin një rritje të normave me të paktën 100 pikë bazë deri në fund të këtij viti ose deri në fillim të vitit të ardhshëm në eurozonë, në Kanada, në Australi dhe në Zelandën e Re.

Keller tha se kjo tendencë kaq e përhapur bëri që politikëbërësit të konsideronin lëvizje më të mëdha në politikat e tyre: “Njoftimi i ndryshimeve të papritura dhe të mëdha në politikat monetare është më i lehtë kur edhe të gjithë bankat e tjera po bëjnë të njëjtën gjë”.

Tregjet në zhvillim të Amerikës Latine hynë në ciklin shtrënguese që vitin e kaluar, pasi ekonomitë e tyre u dëmtuan rëndë nga pandemia. Brazili i ka rritur normat 10 herë në pak më shumë se një vit, duke i dërguar ato në shifrën e 12.75 për qind, nga vetëm 2 për qind që ishin në mars të vitit të kaluar. Gjithashtu, edhe Meksika, Peruja, Kolumbia dhe Kili kanë rritur kostot e huamarrjes.

Silvia Dall’Angelo, ekonomiste në kompaninë e administrimit të investimeve Federated Hermes, tha se bankat qendrore në tregjet në zhvillim “kanë qenë më reaktive ndaj shenjave të inflacionit të lartë”.

Në Afrikë, normat janë rritur në Gana, në Egjipt dhe në Afrikën e Jugut.

Megjithëse inflacioni ka qenë më i ulët në Azinë Lindore, Banka e Koresë të enjten e kaluar rriti normën e saj bazë për të dytin muaj radhazi, ndërsa Banka Negara në Malajzi befasoi tregjet me një rritje prej 25 pikë bazë në fillim të këtij muaji.

Një nga ekonomitë kryesore që po kundërshton këtë trend është Kina, ku rritja e dëmeve ekonomike nga kufizimet e përhapura prej virusit dhe nga problemet në sektorin e pasurive të paluajtshme i shtynë zyrtarët që të ulnin normën kryesore të kredisë njëvjeçare me 10 pikë bazë, nga 3.8 për qind në 3.7 për qind. Huadhënësit privatë kanë ulur gjithashtu normat e tyre për kreditë hipotekore.

Banka e Japonisë i ka qëndruar premtimit të saj për të mbajtur yield-et në shifrën zero, duke përfshirë edhe zgjerimin e bilancit të saj nëse do të jetë e nevojshme.

Banka e Rusisë, e cila rriti në mënyrë agresive normat vitin e kaluar dhe në nisjen e pushtimit të Ukrainës, i ka ulur ato tre herë gjatë muajve të fundit, duke reflektuar stabilizimin e rublës. /Financial Times/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit