3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

108 vite më parë, Ford dyfishoi pagat e punonjësve brenda natës

Më të lexuarat

Rasti i biznesit për paga më të larta

Para 108 vjetësh, Henry Ford ndërmori një vendim të guximshëm që ndryshoi produktivitetin e kompanisë dhe normën e mbajtjes së punonjësve. Shumë studime tregojnë se paga e punonjësve është e rëndësishme – por jo edhe aq e rëndësishme.

Siç thotë CEO i Gallup, Jim Clifton, duke iu referuar studimit “State of the American Workplace”:
“Vendimi më i madh që duhet të merrni në punën tuaj – më i rëndësishmi nga gjithë të tjerët – është se kë do të caktoni drejtues. Kur caktoni personin e gabuar si drejtues, asgjë nuk mund ta rregullojë këtë vendim të keq. As kompensimet, as ​​benefitet – asgjë.”

Në shumë raste, kjo është e vërtetë. Nëse punonjësi nuk e pëlqen shefin e tij dhe një kompani tjetër i ofron një pagë më të lartë, me shumë mundësi ai do të largohet.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe nëse punonjësi nuk pëlqen natyrën e punës që bën, ose nëse i duket sikur ka shumë pak mundësi për avancim në karrierë.

Në këto raste, edhe një ofertë tjetër me një pagë fare pak më të lartë, do të mjaftonte për ta joshur atë. Ky është një nga shkaqet kryesore të Dorëheqjes së Madhe; kur mundësitë e punësimit janë të shumta, është më e lehtë për të gjetur punë me paga më të larta apo me kushte më të mira.

Por, çfarë ndodh kur diferenca e pagave është e konsiderueshme, dhe jo thjesht pak më e madhe?
Kjo është ajo që Henry Ford vendosi të zbulojë kur u përball me versionin e vet të Dorëheqjes së Madhe.

Në vitin 1912, Ford kishte dyfishuar prodhimin nëpërmjet dyfishimit të fuqisë punëtore të kompanisë. Në vitin 1913, me instalimin e sistemeve lëvizëse të montimit, i njëjti numër punonjësish arriti të prodhonte dy herë më shumë makina. 12.5 orët që duheshin për të ndërtuar një makinë, tashmë u zëvendësuan me vetëm 93 minuta.

Problemi ishte se ky transformim i produktivitetit ndryshoi gjithashtu edhe natyrën e punës së punonjësve. Automatizimi dhe optimizimi e kthyen shpejt zanatin individual në një punë që duhej përsëritur, pa qenë nevoja për t’u menduar për asgjë. Punëtorët bënin vetëm një gjë – një punë të caktuar fizike – pa pushim.

Dhe shumë shpejt, ata filluan të largoheshin masivisht nga puna: shkalla vjetore e qarkullimit të Ford arriti në 370 përqind. Imagjinoni të ndërroni tre punonjës për çdo punë gjatë një viti.

Kështu, Ford ndërmori një hap radikal. Në vend që të rriste normën e pagës me 10 ose edhe me 20 për qind, ai dyfishoi normën bazë nga 2,50 dollarë në ditë në 5 dollarë në ditë, duke ulur gjithashtu ditën standarde të punës nga 9 në 8 orë.

Megjithëse puna për më pak orë me më shumë para ishte e mrekullueshme për punonjësit, ajo gjithashtu i dha Ford-it mundësinë që ta kthente aktivitetin e biznesit të tij nga dy turne në tre turne, duke rritur kështu në mënyrë drastike kapacitetin prodhues.

Ҫfarë ndodhi? Brenda një viti, norma e qarkullimit të punonjësve ra nga 370 në 16 për qind. Performanca u rrit me mbi 40 për qind. Shtimi i turnit të tretë rriti në mënyrë drastike prodhimin e përgjithshëm.

Edhe pse kostot e pagave të punonjësve të Ford-it ishin dyfishuar, kursimet që erdhën nga përmirësimet e produktivitetit dhe nga rënia e normës së largimit të punonjësve, kaluan edhe te klientët: deri në vitin 1919, një makinë Model T që shitej për 800 dollarë në vitin 1910, tashmë kushtonte vetëm 350 dollarë.

Kombinimi i pagave më të larta me çmimet më të ulëta bëri të mundur që mijëra punonjës të mund të kishin një makinë dhe, për herë të parë, një punonjës mesatar i Ford-it mund të ishte gjithashtu edhe klient i kompanisë.

Për të parafrazuar Ford-in, “Ne besojmë te përmirësimi i kushteve për 20,000 punonjësit tanë, në mënyrë që ata të jenë të kënaqur, në vend që thjesht të bëjmë milionerë disa nga drejtuesit tanë”.

Rezultati? Çmimet më të ulëta zgjeruan bazën e klientëve të kompanisë, duke e bërë akoma më efektive strategjinë e Ford-it.

Është e qartë se rritja e pagave të punonjësve menjëherë nuk është kaq e thjeshtë. Pa reduktimet e kostos që erdhën nga efikasiteti i linjës së montimit, dyfishimi i pagave do të ishte financiarisht i pamundur për Ford-in.
Por, cila është çështja? Megjithëse fitimet kanë rëndësi, ajo që bëni me këto fitime mund të ketë akoma më shumë rëndësi.

Ndoshta mund të vendosni që të gjithë punonjësit tuaj të mund të punojnë nga distanca dhe, kështu, të përdorni kursimet nga mungesa e nevojës për të pasur zyra për të rritur pagat e tyre.

Ndoshta do t’ju duhet të punoni shumë për të automatizuar proceset e përsëritura të punës, për t’ua kaluar këto kursime klientëve duke rritur kështu numrin e tyre, në mënyrë që të keni mundësi të gjeneroni më shumë fitime që do të mund të përdoreshin për të paguar më mirë punonjësit tuaj.

Me kalimin e kohës, pagat e larta mund të sjellin norma më të mira të mbajtjes së punonjësve, mund t’ju krijojnë mundësitë për të tërhequr punonjës edhe më të talentuar, mund të rrisin produktivitetin, efikasitetin dhe kontrollin e kostove. Shumica e pronarëve të bizneseve planifikojnë që t’i paguajnë më shumë punonjësit ditën kur biznesi i tyre më në fund do të lulëzojë.

Por, ndoshta një mënyrë për ta bërë biznesin tuaj që të lulëzojë, është duke u përqendruar në gjetjen e mënyrave për të paguar më mirë punonjësit tuaj sot. /INC/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit