Nga: Dr. Aid El-karnij
Civilizimi i njeriut, para civilizimit të vendit
Është diçka shumë e bukur të kemi rrugë të shtruara dhe të gjera, lulishte të sistemuara, pallate të planifikuara mirë dhe mjedis të pastër. Por më e rëndësishme se kjo, është të kemi popull të ndërgjegjshëm dhe të kulturuar, të kemi një brez të arsimuar dhe të talentuar. Kultivimi i ideve në trurin e gjenialëve, është më e dobishme sesa kultivimi i pemëve dhe formimi i pemëtarëve. Respekti i etikës publike, rregullave të qarkullimit, mbrojtjes së ambientit, interesi për dijen dhe informacionin etj… janë më të dobishme se pompat e fuqishme që nxjerrin ujin nga thellësia e tokës, rrokaqiejt që i bëjnë karshillëk qiellit dhe kullat e larta që çajnë lartësitë. Produkti i talenteve njerëzore është produkti më i vyer i shteteve të civilizuara. Investimi tek njeriu është më i dobishëm sesa investimi në tokë. Ne, na tërheqin jashtë mase ndërtesat e larta, vilat e papërshkueshme dhe kullat e bukura. Padyshim që kjo është diçka e mirë. Por më e mirë dhe më e dobishme se kjo, është kultivimi i morales dhe mëshirës në zemra, si dhe pasionit për arsim në mendje. Njeriu është boshti i civilizimit dhe pikënisja e tij drejt lulëzimit. E për çfarë lipsen hotelet luksozë, urat gjigande dhe sallat e mbushura me turma xhahilësh dhe të prapambeturish, të cilët vënë shkopinj nën gomat e dijeve të dobishme, informacionit të vlefshëm dhe vlerave morale?
Njeriu xhahil dhe primitiv e dëmton mjedisin dhe arkitekturën. Turmat e njerëzve primitivë dhe demagogëve perversë, edhe në vendet e qytetëruara shndërrohen në banditë e kaçakë, rrjeta mafiozësh dhe propagandues të ideve helmuese dhe akteve shkatërruese. Ne na lipset një produkt njerëzor i edukuar nga nuri i shpalljes hyjnore mbi tokën ku u dërgua si misionar, për të vaditur bimën e vullnetit të veshur me rrobën e edukatës së lartë dhe sjelljes aristokrate. Dërgoje një njeri besimtar, të shkolluar, të disiplinuar dhe të rregullt, në një fshat të hallakatur e të rrënuar. Ai do e shndërrojë në një lulishte prehjeje, në një vatër dijesh e shkollimi, në një mejdan pune dhe produktiviteti. Nga ana tjetër, dërgo një të prapambetur, kokëshkretë, grykës, mendjelehtë dhe primitiv, në një fshat aristokrat, të sistemuar dhe të rregullt. Do të shohësh që brenda një periudhe të shkurtër, do e shndërrojë në një pazar plot zhurmë dhe primitivizëm, në rrënoja dhe mbetje arkeologjike, për shkak të ligësisë dhe shëmtisë të cilat kanë gjetur strehë në zemrën e tij.
Sot shpenzohen miliona për ndërtimin e kopshteve zoologjike, ku sillen luanë nga Uganda, gjarpërinj nga Kenia dhe Senegali, elefantë nga India, buaj nga Spanja dhe mushka nga Rumania. Ashtu siç shpenzohen miliona të tjera për mirëmbajtjen e këtyre kopshteve, ushqimin e kafshëve, pastrimin, ruajtjen dhe përkujdesjen mjekësore. Sakaq, publiku që i viziton këto kafshë të gjora, ka nevojë për para që të shkollohet, të mbajë pastër trupin, të korrigjojë idetë e tij, të lajë rrobat, të mbushë barkun, të arsimojë fëmijët dhe të përkujdeset për familjen. Për fat të keq, publikun që viziton këto kafshë, shpesh herë e gjen analfabet, mediokër, pa etikë dhe shije dhe pa vullnet. Në shtetet në zhvillim, pra shtetet e prapambetura, i kushtohet rëndësi e madhe pamjes, imazhit, aparencës dhe kallëpit, në kurriz të esencës, sjelljes së qytetëruar, disiplinës, arsimit dhe kulturës publike.
Sakaq, në shtetet e zhvilluara dhe të qytetëruara, i kushtohet rëndësi koncepteve, vlerave humane, zhvillimit të ideve, investimit të talenteve, konkurrencës për arritje shkencore etj… Shpatë e mirë është ajo që pret, jo ajo që ka mill të bukur. Nëse një analfabeti i vë në kokë kurorën e artë të mbretit, mbi supe yjet e gradat më të larta dhe mbi kraharor dekoratat e medaljonet më të shtrenjta, ajo që ka brenda në kokë do të mbetet po ajo, një zero me bisht. Nga ana tjetër, nëse një shkencëtari të talentuar dhe produktiv, i vesh rroba të vjetra dhe të grisura, vlerat dhe madhështia e tij nuk do të pësojnë asnjë rënie, pasi ato kanë vatër mendjen dhe zemrën e tij. Profeti Muhamed a.s, në një hadith të saktë, shprehet kështu:”Zoti nuk sheh pamjen dhe pasuritë tuaja, por sheh zemrat dhe veprat tuaja.” (Muslim)
…