-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Ju do të shpërbleheni për punën tuaj, ndërsa ata për të tyren

Më të lexuarat

Njeriu është i lidhur gjithmonë pas historisë së popullit të tij, lavdisë së saj dhe epërsisë ndaj ngjarjeve apo historisë së një populli tjetër. Çdo shoqëri apo civilizim njerëzor dallohet nga të tjerët në bazë të kulturës specifike apo qytetërimit që ka arritur të ndërtojë. Në kohën që jetojmë, vijat ndarëse mes kulturave janë bërë shumë të vështira, sepse bota është kthyer në një fshat të vogël, për sa i përket komunikimit, lëvizjes dhe shumë aspekteve të tjera. Sidoqoftë, njerëzit janë të prirur të flasin gjithnjë për të shkuarën e lavdishme të të parëve të tyre, e cila sigurisht ka edhe aspektet e saj pozitive. Njeriu është mirë që ta njohë mirë identitetin e tij, të vlerësojë aspektet pozitive, të ndikohet prej tyre, por gjithashtu edhe të mos harrojë qëndrimet kritike në rastet e nevojshme.

Kur njeriu mbetet në histori dhe flet gjithnjë për të mund të kthehet në një çështje problematike. Çdokush është përgjegjës për kohën që jeton dhe rrethanat në të cilat ndodhet. Të mburresh me arritjet e të parëve nuk të bën pjesë të punës dhe meritave të saj. Ajo punë ka përfunduar në një aspekt bashkë me ta, përveçse kur njeriu ecën në gjurmët e tyre dhe e zhvillon më tepër trashëgiminë e arritur. Në Kur’an theksohet në shumë raste koncepti se çdo njeri është përgjegjës për punën e tij dhe do të marrë shpërblimin vetëm të asaj që ka vepruar vetë. Gjithashtu, thuhet: “Ato popuj kanë kaluar. Ata do të marrin atë që kanë fituar dhe ju do të merrni atë që keni fituar.”

Ndoshta ata e kanë bërë më së miri detyrën në fragmentin kohor që kanë jetuar. Po ne, a po e bëjmë detyrën tonë në kohën që jetojmë? A do të lëmë diçka për t’u përkujtuar me fjalë të bukura nga brezat që do të na ndjekin? A shqetësohemi vërtetë për të qenë një hallkë e shëndoshë e zinxhirit që transmeton gjërat pozitive nga brezi i kaluar për tek ai që do të vijë? Askush nuk kërkon më tepër sesa kaq dhe njeriu s’mund të mjaftohet duke mos vepruar gjë, por veçse duke u mburrur me atë që tashmë ka kaluar. Po për dobësinë tonë ndaj realitetit që na rrethon ç’mund të themi? A do të themi që kjo është gjendja dhe ne s’kemi ç’bëjmë më tepër? Nëse këtë e themi të gjithë dhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie, atëherë kjo është këmbëngulja jonë për të vazhduar sërish njësoj.

Allahu nuk e ngarkon robin e Tij përtej kapacitetit, fuqive dhe aftësive të tij. Ndryshimi i asaj që gjendet para nesh, për të cilën mundemi, është më i mirë sesa pritja për atë që nuk duket gjëkundi në horizont. Përpjekja për të bërë diçka duhet të jetë e vazhdueshme. Në fakt, ajo fillon me veten dhe duket sikur sillet rreth saj. Problemi nuk është i jashtëm, por i brendshëm. Zoti na thotë: “Ai nuk e ndryshon gjendjen e një populli, pa ndryshuar ata fillimisht atë që kanë brenda vetes së tyre.” Kjo do të thotë se nëse përpiqemi të ndryshojmë atë që kemi brenda vetes dhe nëse ia dalim, Zoti garanton ndryshimin e asaj që na rrethon. Mos harroni;  “Juve ju takon ajo që keni punuar, ndërsa atyre ajo që kanë punuar.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit