Sipas rregullit, shumëfishimi i veprave fillon nga dhjetë deri në shtatëqind fish. Kjo është bujaria e Allahut, i Madhëruar qoftë! Ai ua shumëfishon robërve shpërblimin e veprave. Njeriu bën një vepër të mirë, e cila i shumëfishohet. Për shembull: për shumëfishimin me dhjetë, Allahu Urtiplotë ka thënë: “Kush bën një vepër të mirë, i takon sa dhjetëfishi i saj.” (En’am, 160)
Njeriu bën një vepër, të cilën Allahu i Lartësuar ia shumëfishon dhjetë herë. Shumëfishimi me shtatëqind është përmendur në një nga shembujt e Kuranit, e njëra nga format e të shprehurit dhe argumentimit të Kuranit është edhe sjellja e shembujve. Në lidhje me këtë, Allahu thotë: “I shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr, nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra…” (Bekare, 261)
Allahu i Lartësuar ia shumëfishon robit një vepër të vetme me dhjetë deri në shtatëqindfish, kurse për agjërimin, Ai e ka fshehur sasinë e shumëfishimit. Ky është vërtet një privilegj shumë i madh për këtë adhurim madhështor! Në hadithin që gjendet në të dy sahihët, e konkretisht në versionin e Muslimit, përmendet se Profeti ﷺ, duke transmetuar nga Zoti i vet i Plotfuqishëm, ka thënë: “Shpërblimi i çdo vepre të birit të Ademit shumëfishohet me dhjetë deri në shtatëqindfish. Allahu ka thënë: ‘… Përveç agjërimit, i cili është i Imi dhe Unë shpërblej për të.’”
Ai është një adhurim, për të cilin Allahu i Lartësuar na ka premtuar se do ta shumëfishojë me më shumë se shtatëqindfish; pra, një ditë agjërim na llogaritet sikur të kishim agjëruar, jo shtatëqind, por më shumë se shtatëqind ditë. Ky është vërtet një shpërblim i madh! Allahu nuk na e ka treguar numrin e shumëfishimit. Përse? Për të na bërë me dije se numrat e mëdhenj të shumëfishimit të shpërblimit nuk mund të llogariten e as të numërohen. Ai është Bujari i Lartmadhërishëm.
Allahu i Lartësuar thotë se veprat e tjera i ka shumëfishuar me dhjetë deri në shtatëqindfish. Përse e thotë këtë? Dijetarët e shpjegojnë me faktin se agjërimi është një adhurim që ka në thelb durimin. Për këtë, Allahu Dijeplotë thotë: “Vetëm durimtarëve u jepet shpërblimi pa masë.” (Zumer, 10) Pa masë! Kur dijetarët flasin për komentimin e këtij ajeti, thonë se fjala është pikërisht për agjërimin. Ose, ky komentim mund të jetë nga ata me shembuj, gjë që brezat e parë e përdornin shpesh.
Tani, ne ndodhemi para një adhurimi madhështor, të cilin Allahu ia atribuon Vetes së Tij duke thënë: “Të gjitha veprat që bën i biri i Ademit, janë për të, përveç agjërimit, i cili është i Imi.” Allahu Bujar na tregon se shumëfishimi i shpërblimit të këtij adhurimi e tejkalon shtatëqindfishin. Ai thotë: “Shpërblimi i çdo vepre të birit të Ademit shumëfishohet me dhjetë deri në shtatëqindfish, përveç agjërimit, i cili është i Imi dhe Unë shpërblej për të.” Prandaj, mjerë ne po na humbi ky adhurim madhështor! Të mos na ikë druajtja nga Allahu gjatë agjërimit! Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu pranon vetëm prej të druajturve.” (Maide, 27)
Lusim Allahun të na mundësojë që ta arrijmë Muajin e Agjërimit, të na ndihmojë që t’i druhemi Atij gjatë këtij agjërimi dhe ta agjërojmë këtë muaj me bindje dhe llogaritje të shpërblimit.
Allahu është më i Dituri dhe më i Urti!
Mëshira, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Muhamedin, Pejgamberin tonë, mbi familjen dhe shokët e tij!
Autor: Shejkh Ibrahim Sekrani
EKONOMIA ISLAME