Turqia paralajmëroi se rajoni do të përballet me një krizë të madhe nëse nuk ndërhyhet në luftën Rusi-Ukrainë dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të konsolidojë përpjekjet për ta ndalur këtë luftë për të lehtësuar vuajtjet e popullit ukrainas.
Ambasadori Sadik Arslan, përfaqësues i përhershëm i Turqisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, mbajti një fjalim në takimin urgjent të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) mbi “situatën e të drejtave të njeriut në Ukrainë si pasojë e agresionit rus”.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të 47 shteteve anëtare të Këshillit, Sadik Arslan nënvizoi se agresioni rus kundër Ukrainës është i pajustifikuar, i padrejtë dhe një shkelje serioze e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithashtu e rendit ndërkombëtar.
Ai theksoi se Turqia e kundërshton fuqimisht ndryshimin e kufijve me forcë.
“Turqia i refuzon dhe dënon këto akte të paligjshme që kërcënojnë sigurinë rajonale e globale. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të ndërpresë operacionet ushtarake dhe të tërheqë forcat e saj nga Ukraina”, u shpreh ambasadori Arslan.
“E drejta për të jetuar është një e drejtë themelore dhe sulmet e Rusisë vënë në rrezik jetë të panumërta”, shtoi përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.
Arslan potencoi se rajoni do të përballet me një krizë të madhe nëse nuk ndërhyhet në luftën Rusi-Ukrainë.
“Ne duhet të konsolidojmë përpjekjet tona për ta ndalur këtë luftë në mënyrë që të lehtësojmë vuajtjet e popullit ukrainas”, apeloi ai.
Sadik Arslan vuri në pah se Turqia është gati të mbështesë çdo përpjekje për vendosjen e paqes në Ukrainë.
Trupat ruse filluan një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt. /trt