1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Leximi i Kuranit tek njerëzit e mëdhenj

Më të lexuarat

Nga: Aid Elkarnij

Leximi i Kuranit tek njerëzit e mëdhenj

Njerëzit e mëdhenj kishin një program ditor për përmendjen e Zotit dhe leximin e Kuranit. Asnjë prej tyre nuk u dorëzohej kushteve dhe rrethanave, por vazhdonte programin e tij të paracaktuar më parë. Duke pranuar caktimin e mëparshëm të Zotit, ata vazhdonin rrugën e tyre me vullnet të çeliktë, pa e cënuar programin ditor ku i përkushtoheshin denjësisht Zotit të tyre me lexim Kurani dhe përkujtim (dhikr).
Shumë njerëz sot u dorëzohen rrethanave duke thënë: Do të caktoj një kohë dhe do i përkushtohem leximit të Kuranit. Këtë e bën dhe nuk cakton kohën dhe vazhdon në të njëjtën situatë. Ai mund ta kalojë gjithë ditën duke ndejtur dhe të mos lexojë as Kuran dhe as të mos lexojë kujtesat (dhikrin) e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Prandaj, Profeti a.s na mëson që për leximin e Kuranit, të caktojmë një pjesë çdo ditë. Tregon Ibnu Tejmije se shumë nga brezat e muslimaëve të parë, e lexonin Kuranin për shtatë ditë, të tjerë për dhjetë ditë, të tjerë për 15 ditë, të tjerë për një muaj.
Neveviu tregon se kishte nga shokët e Profetit a.s, nga ata që Kuranin e përfundonin çdo 27 ditë. Kishte të tjerë që e përfundonin çdo muaj dhe të tjerë çdo dy muaj.
E rëndësishme është që çdo ditë të kesh një pjesë të caktuar nga libri i Zotit dhe nga përkujtimi (dhikri), të cilën duhet ta lexosh patjetër. Ti o musliman duhet ta ndjesh se je mbartës i një mesazhi dhe në çdo kohë mund të vdesësh. Për këtë, duhet ta shfrytëzosh kohën dhe të mos e kalosh kot. Me të vërtetë që është për të ardhur keq, pasi ne gjejmë kohë për tu dëfryer dhe për gjithçka që duam, kurse kur vjen puna për leximin e Kuranit, e lëmë atë në varësi të rrethanave. Të gjithë njerëzit e mëdhenj, kishin kohën e caktuar për të përkujtuar Zotin dhe lexuar Kuranin. P.sh, në librin “Kenzul a’amal” thuhet që Muadh ibnu Xhebel, bënte gjashtë mijë tesbihe (subhanallah) në ditë.” Ai ishte një nga shokët e Profetit a.s dhe njëri nga muslimanët më të ditur të atij brezi. Ai vdiq nga epidemia Amvas që u përhap në atë kohë, në moshën 32 vjeçare.
Tregon imam Ahmedi që Ebu Hurejreja, kishte një pe ku kishte lidhur njëmijë nyje. Ai e përdorte atë për të bërë 12 mijë tesbihë në ditë. Duket qartë që ata kishin kohë për të lexuar Kuran, për të përkujtuar Zotin, për t’u takuar me njerëzit etj… duke ekuilibruar mes kërkesave të jetës dhe ushqimit të shpirtit.  Diçka të tillë ata e kishin nga thënia e Profetit a.s:”Ndaj Zotit ke obligime, ndaj vetes tënde ke obligime, ndaj familjes tënde ke obligime… prandaj jepi të drejtën secilit.”
Islami është fe që përfshin dhe hyn në çdo qoshe të jetës. Ai kërkon prej teje o musliman që për leximin e Kuranit të kesh një kohë të caktuar, për përkujtimin e Zotit një kohë të caktuar, për shokët një kohë tjetër, për punën kohën e saj, për kërkimin e dijes kohën e saj …etj, derisa njeriu të kompletohet dhe besimi i tij të jetë gjithmonë në rritje.
Sot shohim shumë të rinj që nuk kanë asnjë programim për kohën, nga e cila nuk përfitojnë asgjë përveç argëtimit dhe dëfrimit.
Po të lexojmë jetëshkrimet e dijetarëve muslimanë mbi këtë çështje, do të habiteshim me rregullin dhe programin që i kishin caktuar vetes.
Muhamed ibnu Daud ibnu Xherrah, ishte vezir në Dinastinë Abasite dhe ishte shumë i zënë me hallet e njerëzve, mësimdhënien, shpërndarjen e pasurisë etj… Megjithatë, ai lexonte tre mijë herë në ditë suren Ihlas. Diçka e tillë nuk është e pamundur edhe për neve sot, por kërkon vullnet dhe vendosmëri. Nëse nuk e lexon tre mijë herë, të paktën lexoje tre herë në ditë, pasi kjo sure konsiderohet si 1/3 e Kuranit dhe duke e lexuar tre herë, sikur ke lexuar Kuranin të plotë. Thotë Profeti a.s:”Kush lexon suren Ihlas dhjetë herë, Zoti i ndërton një shtëpi (në një trasmetim tjetër thuhet pallat) në xhenet.” Unë njoh disa miq të mijtë që e lexojnë këtë sure pesëdhjetë herë në ditë, kurse disa të tjerë njëqind herë. Diçka e tillë nuk është as e vështirë dhe as e pamundur, por kërkon vullnet. E lusim Zotin që të na japë vullnet dhe vendosmëri, me qëllim që t’u ngjajmë paraardhësve tanë të cilët e mbartën Islamin dhe ia transmetuan njerëzimit mbarë.
A do të dëshiroje o vëlla dhe o motër që të jesh me këta njerëz në xhenet? A do të dëshiroje të ishe si Salahuddin Ejubi dhe të takoheshe me të në xhenet, duke i treguar mbi sakrificën dhe kontributin tënd për këtë fe? A do të doje të ishe si Nuredin Zinkij, Umer ibnu Abdul Aziz, Ebu Bekri, Umeri, Uthmani … dhe bashkë me këto, të banoje pranë të dërguarit të Zotit në xhenet? A do të doje të takoheshe me Profetin a.s dhe t’i thoje:”Zoti ta shpërbleftë me të mira o i dërguar i Zotit! Ne jemi frut i sakrificave të tua. Ne morrëm dritë nga drita që përhape ti dhe ecëm mbi gjurmët dhe rrugën që na tregove ti. A do dëshiroje që Ditën e Kijametit të takoheshe me vetë Zotin e Madhëruar, ta shihje dhe të bisedoje me Krijuesin tënd?
Nëse përgjigjesh “Po” atëherë duhet të ndjekësh rrugën që ndoqën këta njerëz të mëdhenj.
Vëllezër të nderuar! Zoti e ka lehtësuar këtë fe dhe ia mundëson çdo kujt, që me vepra të vogla dhe të pakta, të fitojë shpërblim të pallogaritshëm. Thotë Profeti a.s mbi këtë:” Kush thotë:”E pranoj Allahun si Zotin tim, Muhamedin si profetin tim dhe Islamin si fenë time” është detyrë e Zotit që ta kënaqë për atë ditë.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Dy fjalë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë: “subhanallahi ve bi hamdihi, subhanallil adhijm.”
Edhe pse janë gjëra shumë të lehta, shumë njerëz nuk i praktikojnë. Ata merren me përgojime, biseda të padobishme, qëndrojnë me orë të tëra para televizorit duke kaluar nga një kanal në tjetrin… të cilat e bëjnë të harrojë përkujtimin e Zotit, i cili përmban në vetvete xhevahire të çmuara.
Shokët e Profetit a.s e pyesnin atë shpesh herë mbi këto fjalë të çmuara. Tregon Ebu Musa El-esh’arij:”Ishim duke udhëtuar me kuajtë dhe devetë tona, rrëzë një mali. Unë me vete thosha:”Do të përsëris me vete, pa më dëgjuar kush tjetër fjalët:”La haule ve la kuvvete il-la bil-lah” Profeti a.s e kuptoi mesa duket këtë dhe më thirri:”O filan!” “Urdhëro o i dërguar i Zotit” iu përgjigja unë. Ai më tha:”A të të tregoj rreth një thesari nga thesaret e xhenetit?” “Po o i dërguar i Zotit.” iu përgjigja unë. Ai më tha:”Fjalët:” La haule ve la kuvvete il-la bil-lah”
Tregon Ebu Dherri:”E pyeta të dërguarin e Zotit:”O i dërguar i Zotit! Cilat janë fjalët më të dashura për Zotin?” Ai më tha:”Janë ato fjalë që Zoti i zgjodhi dhe ua obligoi melekëve:”Subhanallahi ve bihamdihi, subhanallahil adhijm.”
Sa herë që i shihje të grumbulluar, ata do të flisnin mbi çështjet e besimit, traditën profetike, komentin e Kuranit, hallallin dhe haramin në Islam…etj. Ata kurrë nuk merreshin me përgojime, ofendime dhe debate të kota në kuvende.
Sa herë që Muadh ibnu Xhebel shihte një shok, i thoshte:”Eja të shtojmë besimin për disa çaste.” Kështu, uleshin dhe diskutonin mbi ajetet e Kuranit dhe hadithet e Profetit a.s, duke shtuar besimin dhe vullnetin për punë më të mira.
Unë këshilloj çdo musliman që të ndjekë këtë metodë për shtimin e besimit, të ulet çdo ditë me veten e tij, të lexojë një pjesë Kurani dhe të përmendë Zotin e Madhëruar, ashtu siç bënte Profeti a.s dhe shokët e tij.
Tregohet që Ahmed ibnu Hanbel, e përfundonte leximin e Kuranit në çdo shtatë ditë. Kurse Urve e përfundonte çdo katër net. Kurse ti o vëlla mund ta përfundosh leximin e Kuranit çdo muaj ose dy muaj. E rëndësishme është që të mos e braktisësh fare leximin e Kuranit. Ti duhet ta luftosh veten dhe tu rezistosh tundimeve të ndryshme, pasi vetëm kështu do përfitosh nga koha dhe veprat e tua të mira.
Në jetëshkrimet e shumë njerëzve të mëdhenj, adhurues të Zotit dhe të përkushtuar, kam parë që ata ishin të angazhuar me punët e përditshme, por nuk e harronin kurrë leximin e pjesës së Kuranit dhe dhikrit ditor. Edhe pse nuk e prishnin programin e leximit të Kuranit dhe dhikrit ditor, ata merreshin dhe me morale dhe vepra të mira të tjera, si edukata e mirë, pajtimi mes njerëzve, modestia …, duke u bërë si:” E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!”.” (Furkan 63)
Ajo që i dallonte më shumë njerëzit e mëdhenj dhe dijetarët, ishte modestia. Burimi i këtij morali, ishte vetë profeti Muhamed a.s, të cilin e shihnin të punojë, të qepë këpucët, ndihmojë familjen, mjelë delet…etj Ai qëndronte në këmbë për orë të tëra, duke sqaruar një të moshuar e cila e pyeste dhe i kërkonte sqarime. Kudo që shkonte, ulej aty ku kishte vend bosh dhe nuk ia lejonte vetes që të tjerët të ngriheshin për të. Madje, ai i ndalonte shokët e tij dhe muslimanët e tjerë që ta madhëronin dhe ta cilësonin me epitete të ndryshme. Shpesh herë ai e shprehte se ishte një nga robët e Zotit. Ishin këto morale, për të cilat e lavdëroi vetë Zoti në Kurani me fjalët:”Me të vërtetë që ti je me moral të lartë.”
Thotë Zoti rreth moralit të modestisë:” Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, pse ti as nuk mund ta çashë tokën as nuk mund ta arrishë lartësinë e maleve..” (Isra 37)
Kurse Lukmani e këshillonte djalin e tij me fjalët:” Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit.” (Lukman 19) 
Një herë, shkoi një burrë tek Profeti a.s dhe i kërkoi diçka. Në fund i tha:”Nëse dëshiron Zoti dhe ti, do të bëhet.” Profeti a.s ndërhyri dhe i tha:”I mjeri ti! A më bëre rival të Zotit?! Ajo që duhet të thuash është:”Vetëm në dashtë Zoti.”
Një shembull dhe model i mirë modestie ishte dhe Halifeja Umer ibnu Hattab.
Një natë tjetër, teksa lëvizte rrugëve të Medines, dalloi nga larg një zjarr. Menjëherë u nis atje dhe gjeti një grua të ulur me fëmijët që qanin përreth. Mbi zjarr ishte një enë me ujë dhe gruaja e ulur herë pas herë e përziente. Pasi u afrua, u thirri:”O njerëz! A është e mundur të afrohem?” “po” ia ktheu gruaja. Pasi u afrua, Umeri e pyeti:”Çfarë halli ke? Përse qajnë fëmijët?” Gruaja ia ktheu:”Jemi udhëtarë dhe për Zotin nuk kemi asgjë për të ngrënë.” Umeri pyeti:”Po ena mbi zjarr, çfarë është?” “Gruaja u përgjigj:”Nuk është veçse ujë, me të cilin gënjej fëmijët derisa t’i zërë gjumi. Nëse Umer ibnul Hattabi do e dinte gjendjen tonë, nuk do të vuanim kështu.”  Ngaqë nuk e njihte Umerin. Kur e dëgjoi këtë, Umeri i tha:”Më prit këtu o motër!” Bashkë me Umerin ishte dhe shërbëtori i tij Jerfe, të cilit i kërkoi t’a ndjekë tek Bejtul Mal, ku ishin dhe rezervat e ushqimeve. Tregon vetë shërbëtori i Umerit:”Unë përpiqesha të eci me të, por nuk mundesha ngaqë ai dukej sikur vrapon. Me të arritur tek Bejtul Mal, morri grurë, elb, disa ushqime dhe i vendosi mbi sup. Unë i thashë:”Mi jep mua t’i mbaj o Prijës i besimtarëve!” Por ai mu përgjigj:”Po Ditën e Kijametit, kush do mi mbajë?” Më pas u nis drejt vendit ku ishte gruaja me fëmijët. Me t’u afruar, i thotë shërbëtorit të tij:”Mënjanohu o Jerfe, do u shëbej vetë!” Ai filloi t’u shërbejë dhe të gatuajë, saqë shpesh herë zjarri gati sa nuk i digjte mjekrën. Pasi i ushqeu fëmijët dhe nënën e tyre, i tha gruas:”Nesër, me të lindur dielli eja më tako tek zyra e Prijësit të Besimtarëve.” Gruaja ia ktheu:”Për Zotin ti qenke më i mirë se Umer ibnul Hattabi! Për Zotin po të kisha mundësi, do të të caktoja ty në vend të Umer ibnul Hattabit.”
Që në kohën e Profetit [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem], ishte bërë zakon, që muslimanëve të rinj, t’iu jepej pasuri ose tokë, me qëllim që t’u forcohej besimi. Edhe Ebu Bekri, kishte vazhduar të ndjekë të njëjtën rrugë, duke i ndihmuar muslimanët e rinj. Një ditë, një person që konsiderohej nga shtresat e larta mes fiseve arabe, Ujejne ibnu Hisn. Ai kishte qenë musliman, por me vdekjen e Profetit a.s e kishte braktisur islamin. Më vonë, ishte konvertuar përsëri në islam dhe tani kishte ardhur tek Ebu Bekrit që t’i  japë një copë tokë. Ebu Bekri pranoi dhe i dha një letër, ku urdhëronte vartësit e tij, t’i jepnin tokët që kërkonte. Ujejne i kërkoi që këtë letër ta vuloste me vulën e Kalifatit, por Ebu Bekri i tha që vulën e ka Umeri dhe e urdhëroi të shkojë dhe ta vuloësë tek ai. Me të vajtur tek Umeri, e gjetën duke pastruar devetë e zekatit. Ujejne i zgjati letrën dhe i tregoi mbi atë që kishin rënë dakort me Ebu Bekritn. Umeri pa dhe u tha:”Diçka e tillë u jepej ku islami ishte i dobët. Tani islami është i fortë dhe nuk do u japim më.” Më pas, e morri letrën që i kishte dërguar Ebu Bekri dhe e grisi dhe duke u drejtuar nga Ujejne, i tha:”Shko tani!” Ujejne, i zemëruar dhe nevrikosur, vajti tek Ebu Bekri dhe i tha:”Për Zotin, nuk e di kush është Halifeja, ti apo ai?!” Me këtë donin që t’a nxisin Ebu Bekrin kundër Umerit. Por Ebu Bekri ua ktheu:”Është ai nëse ka qejf.”
Të jesh modest dhe i thjeshtë, nuk do të thotë të braktisësh të mirat e kësaj bote dhe të jetosh në varfëri. Përkundrazi, Islami i nxit muslimanët që të përpiqen dhe të jenë të suksesshëm në jetë. Është pikërisht kontributi i njerëzve të pasur, ai që ka bërë të hapen puse për të furnizuar me ujë banorët e shumvë vendeve, janë xhamitë e shumta të ndërtuara prej tyre, janë jetimët që përkrahen me pensione …etj ato që kanë lehtësuar jetesën dhe kushtet e shumë muslimanëve.
Ajo që e bën pasurinë diçka negative, është kur njeriu e përdor atë për të sunduar dhe shtypur të tjerët, kur pasuria bëhet objektivi dhe qëllimi për arritjen e të cilit shfrytëzohet çdo mjet dhe mënyrë, kur pasuria e bën njeriun të mendojë se do të jetojë përjetësisht mbi këtë botë, ashtu siç thotë Kurani:”E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të  përjetshëm!” Ky ajet është shpallur për Umeje ibnu Halef i cili kishte një qese me florinj dhe sa herë që flinte dhe zgjohesh shkonte dhe e puthte atë. Atëherë Zoti shpalli suren:”
“Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit), Që ka tubuar pasuri dhe që atë e ruan të mos i pakësohet. E mendon se pasuria e tij do ta bëjë të përjetshëm.” (Humeze 1-3)
Kurse imam Ali ibnu Ebi Talibi, edhe pse ishte Halife i muslimanëve, dilte me gomarin e tij në treg dhe u thoshte njerëzve:”Kjo është dynjaja të cilën unë e përbuz dhe përçmoj.” Më pas thoshte:” O dynja, shko dhe mashtro dikë tjetër veç meje! Unë të kam shkurorëzuar tre herë! A pas meje vrapon dhe të ka marrë malli?! Shko dhe mashtro dikë tjetër! Ah i mjeri unë i mjeri! Sa pak vepra të mira kam për rrugën e gjatë dhe të vetmuar.”
Ata ishin njerëz të cilët objektivin kryesor të jetës së tyre kishin kënaqësinë e Krijuesit të tyre.
 

Rating: 4.5 of 5. 2 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit