-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ndodhitë pas ringjalljes

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Ndodhitë pas ringjalljes

Në shekullin e tretë hixhri, ka jetuar një i ditur me emrin El-harith ibnul Esed El-muhasibij. Ai ka shkruar shumë libra dhe vepra, të cilat gjendet sot e kësaj dite në libraritë islame. Në shekullin e tretë hixhri, El-harith ibnul Esed El-muhasibij vuri re se njerëzit i kishin ndërprerë lidhjet me Zotin dhe bënin një jetë larg dispozitave hyjnore. Dhënia pas kënaqësive të kësaj bote, i kishte bërë njerëzit ta harronin Zotin dhe botën tjetër. Për ta ndryshuar këtë gjendje, ai hapi një shkollë, e cila hapej vetëm ditën e xhuma dhe këtë shkollë e quajti “Shkolla e imagjinatës.” Nxënësit që shkonin në këtë shkollë, ishin të gjitha grup moshave, burra dhe gra. Ai i kishte ndarë në klasa dhe në çdo klasë u tregonte mbi ndodhitë e Botës tjetër. Ai u rrëfente mbi ato ndodhi që do të shoqërojnë ringjalljen e njeriut, të bazuara në ajete dhe hadithe të Profetit a.s dhe në fund u kërkonte që të ëndërrojnë dhe t’i imagjinojnë sikur po ndodhin në ato çaste. Në fund të orës së mësimit, ai u kërkonte nxënësve që t’i tregojnë mbi ndjenjat dhe përjetimet e tyre. Aq bukur ua tregonte ndodhitë e asaj Dite, saqë u dukej sikur i përjetojnë me të vërtetë.
Një përvojë të tillë, unë dua ta risjell në shekullin dhe ditët që jetojmë. Në këtë temë, unë do të flas mbi ngjarjet që do të shoqërojnë ringjalljen e njerëzve. Por këtë nuk do e bëj thjesht duke përmendur ajete dhe hadithe dhe ti lexues i nderuar t’i lexosh. Jo. Unë dua që të udhëtosh në kohë me mendjen dhe zemrën tënde dhe t’i përjetosh ato që do të them.
Kur El-harith ibnul Esed El-muhasibij e aplikoi këtë metodë, me mijëra myslimanë iu kthyen lidhjeve me Zotin dhe përkushtimit në rrugën e Tij. Kur Dita e Llogarisë u mishërua dhe mori formë para syve të tyre, ata iu kthyen përkushtimit në fe dhe lidhjeve të Zotit. Objektivi im me këtë temë nuk është që t’ju frikësoj dhe t’ju fus tmerrin. Aspak. Objektivi im është që ato ndodhi t’i kemi parasysh në jetën e shkurtër të kësaj bote. Objektivi im është që shumë ndodhi të bukura dhe të mrekullueshme, t’i bëjmë më të prekshme për njerëzit e mirë dhe besimtarë.
Udhëto në këto çaste dhe vendosu në shekullin e tretë hixhri, me El-harith ibnul Esed El-muhasibij, i cili gjendet në klasën e tij të mbushur me grup mosha të ndryshme dhe u rrëfen mbi ndodhitë e Ditës së Llogarisë. Ajo ditë fillon me fryrjen e Surit (bririt) dhe ringjalljen e njerëzimit. Thotë Zoti në Kuran:”Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” (Zumer, 68)
“Dhe, kur të fryhet në Sur, ata do të dalin nga varret dhe do të nxitojnë drejt Zotit të tyre..” (Jasin, 51-52)
Me t’i fryrë për herë të dytë Surit, të gjithë të vdekurit do të fillojnë të marrin jetë. Menjëherë fillojnë eshtrat të mblidhen, mishi lidhet pas tyre, truri merr formë brenda kafkës, sytë formohen brenda zgavrave etj… Thotë Zoti në Kuran:”Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” (Enbija, 104)
Për shkak të fryrjes së madhe të Surit, varret çahen dhe njerëzit fillojnë të dalin. Ata kanë kaluar në varre me mijëra vite dhe kur dalin janë me pluhur në të gjithë trupin. Veç kësaj, janë këmbëzbathur dhe lakuriqë.
Të gjithë ata që dalin nga varret përsërisin vetëm një fjalë:”Vetja ime, vetja ime. Sot nuk më intereson asgjë tjetër përveç vetes time.” Imagjinojini pak këto çaste, ku ashtu si ti, të gjithë të tjerët përreth thërrasin “Vetja ime, vetja ime.” Të gjithë të topitur dhe të hutuar.
Bashkë me ty, do të ringjallen dhe prindërit e tu. Tashmë kanë kaluar kushedi sa shekuj që nuk jeni parë, ndoshta malli bën punën e tij dhe mezi prisni të takoheni dhe të përqafoheni. Por jo. Ajo ditë nuk është ditë malli dhe përqafimi. Ajo është ditë ku secili do distancohet nga njerëzit më të afërt. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:”
“..atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.” (Abese, 34-37)
A e imagjinon dot veten duke u larguar prej prindërve të tu, edhe pse ka mijëra vite që nuk i ke parë? A e imagjinon dot veten duke u larguar nga fëmijët dhe gruaja jote? Të gjithë vrapojnë dhe të gjithë ikin nga njëri-tjetri, por pa e ditur se ku shkojnë. Fjalët e vetme që shqiptojnë janë:”Vetja ime, vetja ime.”
Por kjo panoramë do të jetë njëra anë e medaljes. Ana tjetër përmban shumë elementë shprese dhe optimizmi. Thotë Zoti në Kuran:”Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Zuhruf, 67)
Nga ky ajet kuptojmë që nëse një familje ka qenë e devotshme dhe e përkushtuar, pjesëtarët e saj nuk do të ikin nga njëri-tjetri.
Ajeti:”..atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet.” është vetëm për jobesimtarët, gjynahqarët dhe ata që kanë jetuar larg udhës së Zotit në këtë botë.  
Ata të rinj që gjithmonë shkonin bashkë në xhami për të adhuruar Zotin, Ditën e Kiametit do të dalin të kapur për dore dhe të bashkuar. Nëse dy shoqe i bashkonte adhurimi i Zotit dhe dashuria për fenë, do të ringjallen së bashku dhe të kapura për dore.
Si do të doje të ringjalleshe o vëlla dhe oj motër? A do të donit të ringjalleni të kapur përdore me njerëzit më të afërt dhe të dashur, apo të distancoheni prej tyre dhe të merrni arratinë?
Nëse ti o vëlla ke dashur një vajzë në këtë botë dhe ke vrapuar pas saj, dije se Ditën e Kiametit do të vraposh sërish, por këtë herë duke ikur prej saj. Kjo e shoqëruar me dhimbje, pikëllim dhe dëshpërim.
Imagjinojeni një familje që e kanë mbyllur jetën me devotshmëri dhe bindje ndaj Zotit! Të gjithë do të ringjallen të kapur për dore dhe të bashkuar. Nëse një prej pjesëtarëve të saj ka jetuar larg urdhrave të Zotit, ai do të ringjallet më vete dhe do të vrapojë larg tyre.
 
Vendi i ringjalljes (mahsher).
Lidhur me vendin dhe tokun ku do të ringjallen dhe grumbullohen njerëzit, Profeti a.s thotë:”Ajo është një tokë e bardhë, me pengesa dhe pa asnjë shenjë.”
Thotë Zoti në Kuran:” Të gjithë do të dalin para Allahut të zbuluar.” (Ibrahim, 21)
Ata nuk do të jenë të zbuluar vetëm fizikisht, por edhe spiritualisht. Gjithçka që kishin në zemër në këtë botë, do u zbulohet atë Ditë. Urrejtja që ke pasur për të tjerët do të duket dhe do e shohin të gjithë njerëzit. Nëse ke mashtruar dikë në këtë botë, do të vish atë ditë me një flamur në dorë ku është shkruar:”Ku është mashtrimi i filanit.” çdo lloj mashtrimi dhe marifeti që ke përdorur për të vjedhur dhe për të shtuar pasurinë në rrugë të pandershme, do të zbulohet që ta shohin të gjithë njerëzit. Do të zbulohet edhe mashtrimi i dikujt që i ka premtuar martesë një vajze dhe më pas, pasi ka arritur qëllimin e tij shtazarak, e ka lënë dhe e ka braktisur.
Ashtu siç do i zbulohen veprat e liga, njeriut do i zbulohen edhe veprat e mira, nëse ka pasur. Kështu, besimtarit do i zbulohet adhurimi i Ramazanit, agjërimi dhe namazi i teravive. Dita e llogarisë nuk përmban vetëm frikë dhe panik, por edhe gëzim dhe lumturi për besimtarët. Ideja është që ne të përgatitemi dhe të sensibilizohemi për atë Ditë vendimtare.
 
Sa do të qëndrojmë në vendin e grumbullimit (mahsher)?
Thotë Profeti a.s:”çfarë do të bëni atë Ditë kur t’ju mbajë Zoti juaj të grumbulluar për pesëdhjetë mijë vite, pa ngrënë asnjë kafshatë, pa pirë ujë asnjë gllënjkë, lakuriqë, këmbëzbathur dhe të pa bërë synet. Një ditë do të jetë sa pesëdhjetë mijë vite.”
A e imagjinon dot çfarë vuajtjeje do të jetë të qëndrosh pesëdhjetë mijë vite pa pirë qoftë dhe një gllënjkë ujë? Do e ndjesh sikur të këputet fyti nga etja, megjithatë nuk vdes. Stomaku gati sa nuk copëtohet nga uria, por ti nuk vdes. Do e kesh shumë të vështirë t’i lëvizësh këmbët, pasi je rraskapitur nga qëndrimi në këmbë. Dita e Kiametit e ka marrë emrin nga qëndrimi në këmbë i njerëzimit.
Lidhur me qëndrimin e gjatë në tokën e mahsherit, profeti Muhamed a.s thotë:”Për besimtarin, pesëdhjetë mijë vitet e qëndrimit do të duken sa koha për të falur dy rekate të shpejta.”
Atë ditë, kushedi sa njerëz do të kafshojnë gishtat dhe të thonë:”Ah sikur të kishim jetuar si besimtarë në dynja!”
I gjithë njerëzimi do të jetë i ndarë në dy kategori atë Ditë: Njëra do e përjetojë qëndrimin si pesëdhjetë mijë vite, kurse tjetra sa dy rekate të shpejta. Vallë cilës kategori i përket ti o vëlla dhe oj motër? A i përket asaj kategorie të cilës pesëdhjetë mijë vite do i duken sa dy rekate të shpejta? Nëse po, çfarë vepre të mirë ke vepruar që të bësh pjesë tek kjo kategori? A shpejton të kërkosh falje sa herë që vepron ndonjë gjynah?
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Njerëzit do të ringjallen lakuriqë, këmbëzbathur dhe të pa bërë sunet.”
Kur e dëgjoi këtë gruaja e Profetit a.s Aisheja, e pyeti e çuditur:”O i dërguar i Allahut! Do të ringjallemi pa rroba në trup dhe të gjithë do të shohim njëri-tjetrin në atë gjendje?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”O Aishe! Situata do të jetë aq e rënduar sa nuk e ka mendjen kush tek lakuriqësia e tjetrit.”
Toka ku do të grumbullohet njerëzimi pas ringjalljes do të jetë e ngushtë dhe plot vuajtje. Ajo do të gjëmojë nga rënkimet, vuajtjet dhe dhimbjet.
 
Kategori njerëzish që do të ringjallen
Nga ata që do të ringjallen atë Ditë, është dhe një person i verbër. Edhe pse në dynja ai kishte pasur sy dhe nuk kishte qenë i verbër, atë Ditë do e shohësh të verbër. Vallë ç’paska bërë ky njeri që të ringjallet i verbër?! Thotë Zoti i madhëruar lidhur me këtë:”Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?”
(Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Taha, 124-126)
Nëse ka jetuar i verbër në dynja, por besimtar, do të ringjallet me sy që shikon Ditën e Kiametit.
Një kategori njerëzish, do të ringjallen dhe do të sillen në tokën e mahsherit të hypur në mjete udhëtimi. Thotë Profeti a.s:”Ditën e Kiametit, njerëzit do të ringjallen dhe grumbullohen të hypur në mjete udhëtimi, të tjerë që ecin në këmbë dhe të tjerë që ecin me fytyrë përtokë.”
Një nga të pranishmit e pyeti me habi:”O i dërguar i Zotit! Do të ecin me fytyrë?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Po.”
Burri e pyeti:”E si mund të ndodhë kjo?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Ai që i bëri të ecin me këmbë, do i bëjë të ecin me fytyrë.”
Më pas, Profeti a.s recitoi ajetin:”Ne do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit, me fytyrat përtokë, të verbër, shurdhë e memecë. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi.” (Isra, 97)
Ndalo për disa çaste dhe imagjinoje veten në tokën e mahsherit. Nëse do të sillesh duke ecur me fytyrë, pyete veten: Vallë çfarë kam vepruar në këtë botë që të ringjallem në këtë formë? Nëse e imagjinon veten të hypur në një mjet udhëtimi, sërish pyete veten: Vallë çfarë pune të mirë kam bërë që ta meritoj një nder të tillë? Mos e ke për shkak të adhurimit që ke bërë gjatë Ramazanit, adhurim i cili ka vazhduar edhe pas këtij muaji të madhëruar?
Thotë Profeti a.s rreth një kategorie tjetër njerëzish:”Mendjemëdhenjtë do të sillen në tokën e mahsherit, sa madhësia e milingonave por me pamje njeriu, burra e gra. Njerëzit do i shkelin me këmbë dhe do i rrethojë poshtërimi nga çdo anë.”
Një burrë që është treguar mendjemadh me të shoqen dhe e ka poshtëruar në këtë botë, do të ringjallet sa një milingonë ditën e mahsherit. Ajo grua që është sjellë me mendjemadhësi dhe e ka poshtëruar shërbëtoren e saj, kështu do të ringjallet Ditën e Kiametit. Ajo vajzë që u shet mend njerëzve sepse është veshur bukur dhe ka një makinë të re, i tillë do të jetë fundi i saj. Ai i ri që shet mend sepse është i suksesshëm dhe ka aftësi që të tjerët nuk i kanë, do të rrethohet nga poshtërimi nga të katër anët. Prandaj ruaje veten nga mendjemadhësia o vëlla! Ruaje veten edhe ti oj motër!
Një kategori tjetër që do të sillet në tokën e mahsherit, janë edhe kriminelët, të cilët kanë bërë shkatërrime, krime dhe paudhësi të tjera në tokë. Janë atë që përveçse konsumonin për vete pije alkoolike dhe droga, ua mësonin edhe shokëve të tyre një ves të tillë. Janë ata që përveçse vepronin vepra të liga dhe imorale për vete, i nxisnin edhe shokët e tyre për të tilla vepra. Janë ato vajza të cilat ua mësojnë shoqeve apo edhe motrave, si të shoqërohen me djem dhe si t’i bëjnë ata për vete.
Thotë Zoti në Kuran:”Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat.” (Ibrahim, 50)
Lute Zotin që të mos jesh nga kjo kategori o vëlla dhe oj motër! Njerëz të tillë, do të qëndrojnë për pesëdhjetë mijë vite me rroba prej katrani dhe fytyra që u digjet nga zjarri. Ky nuk është ndëshkimi i zjarrit të xhehenemit, por vetëm qëndrimi në mahsher, para se të fillojë llogaria.
Një kategori tjetër njerëzish, janë ata që do të rrezatojnë dritë nga fytyra dhe duart. Ata do të ndriçojnë edhe njerëzit që i rrethojnë, ashtu siç ndriçon hëna. Nëse luan dorën e majtë, bashkë me të lëviz edhe drita.
Thotë Zoti lidhur me këtë kategori:”ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet):“Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë.” (Hadid, 12)
Vallë në cilën nga kategoritë e lartpërmendura bën pjesë ti o vëlla dhe oj motër? Lute Zotin dhe bëj punë të mira që të jesh nga ata që do u duket qëndrimi në mahsher sa dy rekate të shpejta.
 
Pozicioni i diellit atë Ditë.
Atë Ditë, edhe dielli do të fillojë ulet derisa të arrijë sipër kokave të njerëzve. Temperatura e tij do të jetë edhe më e lartë seç është sot. Sot, edhe pse distanca mes nesh dhe diellit është miliona vite dritë, e kemi të vështirë ta përballojmë. E ç’mund të themi për atë ditë kur temperatura e diellit të jetë akoma më e lartë dhe vetë dielli të qëndrojë sipër kokave tona?!
Thotë Profeti a.s lidhur me këtë fakt:”Dielli do të vazhdojë të afrohet sipër kokave të njerëzve, derisa distanca mes tij dhe njerëzve të jetë vetëm një milje.”
Të pranishmit që e dëgjuan këtë hadith thonë:”Për Zotin, nuk e dimë çfarë kishte si qëllim Profeti a.s me milje. A kishte qëllim kohlin që përdorin gratë për sytë, apo kishte për qëllim miljen si njësi matëse.”
Për shkak të temperaturës së lartë që krijohet, njerëzit do i mbulojë djersa. Thotë Profeti a.s:”Ata do të djersijnë sipas gjynaheve që kanë vepruar në këtë botë. Ka prej njerëzve, të cilëve do u arrijë djersa tek nyja e këmbës. Ka të tjerë që i arrin djersa gjer në gjunjë. Ka njerëz të cilëve u arrin djersa gjer tek kërthiza. Të tjerë që u arrin gjer tek fyti, të tjerë gjer tek goja, saqë nuk e hapin dot gojën.”
A e imagjinoni dot veten me djersë gjer tek goja? A e ndjen erën e rëndë të djersës? Si vallë do qëndrosh për pesëdhjetë mijë vite në atë gjendje?
Në ato çaste, ti vetëm sa merr frymë me hundë, pasi gojën nuk e hap dot për shkak të djersës. As të rënkosh dhe të psherëtish nuk e bën dot, sepse të mbushet goja me djersë.
Thotë Profeti a.s:”Shtatë kategori njerëzish, do i strehojë Zoti nën hijen e Tij, atë Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij; Një udhëheqës i drejtë, një i ri që është rritur në bindje të Zotit, një burrë që e ka zemrën të lidhur me xhaminë, dy persona që e kanë dashur njëri-tjetrin për hir të Zotit, për këtë qëllim janë bashkuar për të janë ndarë, një burrë të cilin e ka ftuar (për imoralitet) një femër e shtresës së lartë dhe e bukur, por ai i thotë:”Unë i frikësohem Zotit.” Një burrë që e përmend Zotin në vetmi dhe i mbushen sytë me lot. Një burrë që jep një lëmoshë dhe e mban të fshehtë, saqë nuk e di e majta çfarë dha e djathta.”
Imagjinoje pak veten në çastin kur të thërriten këta njerëz! Ti qëndron i heshtur, me veshët e hapur, me shpresë se do të përmendet edhe emri yt që të shpëtosh nga paniku dhe tmerri i asaj Dite. Nëse nuk ke ndonjë post drejtues, atëherë jeto në bindje të urdhrave dhe dispozitave të Zotit që në rini. çfarë fatkeqësie do të jetë për pleqtë që e kaluan rininë e tyre me qejfe dhe argëtime, larg rrugës së Zotit! Përse e çon dëm rininë tënde o vëlla dhe oj motër? Vitet e rinisë kalojnë shumë shpejt dhe menjëherë do të kaplojë pleqëria, dobësia dhe shëndeti i ligsht. Shumë shpejt do të hysh në moshën e pleqërisë dhe do të pendohesh për këto ditë që i kalon pa dobi. Asokohe do të pendohesh për këto ditë, por nuk do të vlejë pendimi. Do të kujtohesh që shpesh herë thoshe: Do e vesh hixhabin kur të rritem, kur të përfundoj shkollën, kur të martohem etj…
Të kesh zemër të lidhur me xhaminë, do të thotë që pesë namazet t’i falësh në xhami. Nëse të humbet një namaz në xhami, kjo ndodh vetëm për shkaqe që janë jashtë kompetencave të tua. Ditën e Kiametit do të kujtohet çdo namaz që nuk e ke falur në xhami, por në shtëpi dhe do të mjerohesh.
Nëse nuk je nga tre kategoritë e para, atëherë zgjidh dikë që ta duash për hatër të Zotit. Kapu fort pas tij dhe i thuaj:”Le të jemi ne të dy nga ata që do i strehojë Zoti Ditën e Ringjalljes.” Nëse nuk keni dikë që e doni për hatër të Zotit, do të vuani ditën kur nuk ka hije veç hijes së Zotit të madhërishëm. Shko oj motër dhe kërko një shoqe fetare dhe të përkushtuar, me qëllim që të përfitoni nga hija e Zotit.
Nëse të janë krijuar kushtet dhe rrethanat për të fjetur me një femër të huaj, thuaji jo kësaj veproje o vëlla! Thuaji jo, që të garantosh strehimin nën hijen e Zotit! Bëje këtë për hir të Zotit, edhe pse nuk je shumë i lidhur me Zotin dhe nuk i respekton shumë dispozita të sheriatit! Bëj diçka për hir të Zotit, se Ai nuk e harron të mirën dhe sakrificën dhe e shpërblen atë pa masë! Mos u bëj si ata të rinj të cilën e urojnë gjynahun, madje përdorin metoda dhe marifete nga më të ndryshmet për t’i shtënë vajzat e botës në dorë! Në të kundërt, do të pendohesh dhe pikëllohesh atë ditë, kur të shohësh kategoritë e lartpërmendura të gjejnë strehë nën hijen e Zotit, kurse ti qëndron në vapëm përvëluese të diellit.
Një vlerë të veçantë atë Ditë, do të kenë edhe lotët që derdhen nga malli dhe dashuria për Zotin e madhëruar. Të të mbushen sytë me lot në vetmi nga dashuria për Zotin, nuk do të thotë të mbyllesh në një dhomë ku nuk të sheh askush. Jo. Këtë mund ta bësh edhe në mesin e mijëra njerëzve të tjerë, por që në ato çaste të jesh i përqendruar vetëm tek meditimi rreth Zotit. Nëse arrin ta përjetosh këtë çast qoftë edhe një herë të vetme në jetë, është myzhde e madhe për ty, pasi do të strehohesh nën hijen e Zotit Ditën e Ringjalljes. Nëse të rrjedhin lotë të tillë, dije se ato lotë janë të shtrenjtë tek Zoti. Merri me dorë ato lotë dhe fshij me to fytyrën! Janë lotë të tillë ata që ia bëjnë haram xhehenemit ta djegë fytyrën tënde. Përse mos të të rrjedhin lotë të tillë edhe ty o vëlla dhe oj motër? Përse të jetoni gjithë jetën me zemër të ngurtë si shkëmbi?
Kategoria e fundit dhe shpresa e fundit për të përfituar nga hija e Zotit atë Ditë të nxehtë, janë ata që kanë bërë një vepër e cila është e mundur pothuaj për të gjithë njerëzit. Shko në këto çaste o vëlla dhe oj motër dhe jep një lëmoshë, pa të parë kush tjetër!
 
 
Tre ndodhi të rëndësishme:
Pak para se të fillojë llogaria, do të ndodhin tre gjëra: E para, është veshja e njerëzve. Qëndrimi lakuriq për pesëdhjetë mijë vite, ishte diçka e vështirë dhe e sikletshme për njerëzimin, prandaj para se të fillojë llogaria, njerëzit do të vishen të gjithë. Edhe pse shumë prej njerëzve janë gjynahqarë, ndihen në siklet nga lakuriqësia e tyre. është në natyrën e njeriut që ta urrejë lakuriqësinë. Një gjendje e tillë, e vë atë në siklet.
Njeriu i parë që do të vishet atë ditë, është profeti Ibrahim a.s. I dyti do të jetë profeti Muhamed a.s dhe më pas gjithë njerëzimi. E veçantë është se rrobat e njerëzve do të jenë të gjata, sipas besimit të tyre në këtë botë. Vallë sa të gjata do të jenë rrobat e tua o vëlla dhe oj motër? Vallë kur do të visheni? Mos do të jesh nga ata që ndërkohë që familja e tyre vishen, ata qëndrojnë akoma lakuriqë për shkak të gjynaheve të shumta në këtë botë? Po ti o motër që nuk e ke veshur akoma hixhabin, sa do i kesh rrobat të gjata atë ditë? Po ajo motër që e shtyn veshjen e hixhabit për njëzet vite, vallë sa vite do i shtyhet veshja e rrobave atë Ditë?
Thotë Profeti a.s:”Më janë paraqitur njerëzit të veshur me këmisha. Disa njerëz, e kishin këmishën gjer tek supet, disa gjer tek kraharori dhe disa gjer tek kërthiza. Kur e pashë Umer ibnul Hatabin, konstatova se këmisha e tij ishte aq e gjatë saqë e tërhiqte zvarrë.”
Kur dikush e pyeti Profetin a.s mbi komentin e kësaj ëndrre u përgjigj:”Këmisha në këtë ëndërr, është besimi.”
Sa e gjatë do të jetë këmisha jote o vëlla? Sa e gjatë do të jetë këmisha jote oj motër? Këmisha e dikujt atë Ditë, mund të jetë sa një papion.
Sa të lumtur dhe të gëzuar do të jenë ata njerëz të cilët do të vishen menjëherë pas shokëve të Profetit a.s! Sa mirë do të ishte sikur të jesh ti o vëlla dhe oj motër nga kjo kategori. Imagjinoje veten pak o motër: Shoqja jote filania u vesh, kushërira jote po ashtu, komshia jote etj… të gjitha vishen, kurse ti akoma lakuriqe, pa asnjë rrobë mbi trup. A e ndjen sa e sikletshme është kjo gjendje? Kjo do të të ndodhë, nëse nuk i ke kushtuar rëndësi mbulimit të trupit tënd në këtë botë. Nëse e vonon veshjen e hixhabit në këtë botë, edhe Ditën e Kiametit do të vishesh me vonesë.
 
Ardhja e xhehenemit
Ndodhia e dytë që do të ngjasë para se të fillojë llogaria, është ardhja e xhehenemit. Është momenti kur njerëzimi do prezantohet me dënimin që i pret gjynahqarët dhe njerëzit e ligë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:”Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet – por ç’i duhet se u kujtua! Ai do të thotë: “Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (Fexhr, 23-24)
“Atë ditë do t’ua tregojmë haptazi Xhehenemin mohuesve,” (Kehf, 100)
“Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.” (Furkan, 12) Ashtu siç do e shohin njerëzit xhehenemin, edhe vetë xhehenemi do i shohë dhe dallojë njerëzit. Aq i papërmbajtshëm është xhehenemi saqë njerëzit e dëgjojnë rënkimin e tij.
“Ti do t’i shohësh se si do të përballen me zjarrin të përulur nga poshtërimi dhe duke parë tinëzisht me bisht të syrit.” (Shura, 45)
Thotë Profeti a.s:”Ditën e Kiametit, do të sillet xhehenemi me shtatëdhjetë mijë litarë për ta tërhequr. Në çdo litar, ndodhen shtatëdhjetë mijë melekë që e tërheqin.”
Një numër kaq i madh melekësh, është me qëllim që ta mbajnë xhehenemin nën kontroll. Mos harroni se kur flasim për melekë, flasim për krijesa shumë të mëdha dhe të fuqishme. Kur Profeti a.s e përshkruan Xhibrilin a.s, thotë:”Kur e pashë në formën e tij, kishte mbushur horizontin.”
Numri i melekëve që e tërheqin xhehenemin dhe e mbajnë nën kontroll, është nëntë miliardë e nëntëqind milionë.
Vetë Zoti e përshkruan xhehenemin në ato çaste dhe thotë:”gati për të shpërthyer me furi.” (Mulk, 8)
Kur të sillet xhehenemi, njerëzit do të hapen në formë rrethi dhe xhehenemi do të vihet në mesin e tyre. Përpiqu ta imagjinosh këtë moment o vëlla! Përpiqu ta imagjinosh tmerrin dhe panikun që mbërthen njerëzimin! Ai zien përbrenda nga temperatura e lartë! Valë flakësh si valët e oqeanit në kohë furtune. Valë që gati sa nuk shpërthejnë. Copa të mëdha zjarri ngrihen lart! Një copë e vetme, është sa madhësia e një shtëpie. Zoti e përshkruan me fjalët:”Ajo hedh shkëndija të mëdha sa një kala.” (Murselat, 32) Sa herë që jemi duke u ngrohur pranë një zjarri dhe në një çast shpërthejnë shkëndija të vogla, ne largojmë duart prej tij, nga frika se digjemi. Vallë çfarë do të bëjmë atë ditë kur nga xhehenemi të shpërthejnë shkëndija sa një kala? Vallë sa do të na duken gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë vite jetë para atij tmerri dhe paniku?
Ndërkohë që melekët tërheqin xhehenemin, i gjithë njerëzimi bie në gjunjë nga frika.
Thotë Zoti në Kuran rreth këtij fakti:”Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata të gjunjëzuar rreth Xhehenemit!” (Merjem, 68)
“Atëherë të gjithë popujt do t’i shohësh të gjunjëzuar.” (Xhathije, 28)
Dikush mund të pyesë me të drejtë:”Po melekët, profetët dhe të dërguarit e Zotit, ku ndodhen në këto çaste?!” Përsa i përket melekëve, të gjithë do të vendosen në rreshta atë ditë. Kurse profetët dhe të dërguarit, në çaste të tilla kaq kritike luten:”O Zot na shpëto! O Zot na shpëto! O Zot na shpëto!”
I vetmi që lutet për të tjerët, është profeti Muhamed a.s, vula e të gjithë profetëve. Në këto çaste, ai lutet:”O Zot! Umeti im! O Zot! Umeti im! O Zot! Umeti im! ”
A nuk është haram që të mos e duash Profetin a.s më shumë se gjithçka tjetër? A nuk e meriton Profeti a.s një dashuri të tillë? Nëse modeli yt më i mirë nuk është profeti Muhamed a.s, e kush mund të jetë tjetër?
Po ti o vëlla dhe oj motër, ku mund të ndodheni në ato çaste dhe në çfarë situate jeni? A mundesh dot ta imagjinosh në ç’situatë mund të ndodhesh?
Nëse je falur rregullisht dhe i ke respektuar dispozitat e Zotit, mos kij frikë. Gjithçka që përmendëm më lart, është për ata që nuk i janë frikësuar Zotit në këtë botë. Nëse ti o motër je besimtare dhe e lidhur me Zotin, konsideroje sikur nuk i ke lexuar rreshtat e mësipërme.
Thotë Zoti në Kuran:”Ndërsa ata të cilëve u ka prirë mirësia Jonë qysh më parë,
do të jenë larg nga Xhehenemi. Ata nuk do të dëgjojnë poteren e tij dhe do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre. Ata nuk do t’i brengosë tmerri më i madh dhe engjëjt do t’i presin (duke u thënë): “Kjo është dita juaj e premtuar.” (Enbija, 101 – 103)
Na ndodh që kur sulmohemi nga një qen apo egërsirë, të lehurat dhe dhëmbët e tij, na frikësojnë më shumë se e kafshuara. Kështu është edhe me xhehenemin.  Ti o besimtar dhe besimtare, nuk do e dëgjoni as edhe zhurmën dhe poteren e xhehenemit.
Ndërkohë që të gjithë njerëzit vuajnë dhe përjetojnë panik teksa shohin xhehenemin të sillet dhe të vendoset në mesin e tyre, ti o besimtar do të jesh larg kësaj panorame të frikshme. Ti do të hysh në xhenet, pa e parë fare si është xhehenemi, ashtu siç nuk e di në këtë botë pamjen e tij.
Kush prej nesh nuk dëshiron të jetë me besimtarët atë Ditë? Kush e refuzon një ofertë të tillë?
Ajo që na ka ndodhur është se zemrat tona janë mbuluar nga një shtresë pluhuri. Me ta larguar atë, zemra pastrohet dhe fiton dëlirësinë e saj. Unë jam i bindur se tek njerëzit ka akoma mirësi. Vetë Profeti a.s thotë:”E mira në umetin tim do të vazhdojë deri Ditën e Kiametit.”
Këtë mirësi e konstatojmë më mirë gjatë muajit të Ramazanit, ku shumë njerëz agjërojnë dhe mbushin xhamitë. Ajo që kërkohet është që këta njerëz të stimulohen pak më shumë.
Besimtarët do të hyjnë në xhenet dhe nuk do e shohin fare zjarrin e xhehenemit. Edhe kur të kalojnë mbi urën e Siratit, shumë prej tyre do e kalojnë sa hap e mbyll sytë, kurse të tjerë do e kalojnë si vetëtima, të tjera si era, të tjerë duke u zvarritur dhe të tjerë këmbadorasi.
Je ti o vëlla dhe oj motër ai që e zgjedh mënyrën si do e kalojë urën e Siratit.
Është edhe një kategori tjetër besimtarësh, të cilët janë të gjunjëzuar para xhehenemit. Për shkak se kanë qenë besimtarë – edhe pse me gjynahe – ata do të shpëtohen nga ky panik dhe do dërgohen larg zjarrit.
Nga këta besimtarë gjynahqarë, përmenden disa kategori. Një prej tyre janë tregtarët dhe biznesmenët myslimanë, të cilët janë bujarë dhe shpirtgjerë me nevojtarët. Tregohet në një hadith, se Profeti a.s thotë:”edhe një tregtar që i thotë shërbëtorit të tij:”Nëse u vjen një nevojtar, tregohuni shpërtgjerë me të, se shpresoj që Zoti të tregohet shpirtgjerë me mua Ditën e Kiametit!”
Ditën e Kiametit, Zoti do i thotë një tregtari të tillë:”Unë do të tregohem shpirtgjerë me ty, ashtu siç u tregove shpirtgjerë me filanin në dynja.”
Nëse ti o vëlla dhe oj motër nuk jeni tregtarë që të toleroni me nevojtarët, atëherë toleroni dhe bëhuni shpirtgjerë me moralet tuaja. Është fakt që ne po përjetojmë një krizë morale. Sot kemi dy lloj njerëzish: Një besimtar i pamoralshëm dhe një jobesimtar i moralshëm. Të dy këta njerëz, janë kthyer në sprovë për njerëzit e tjerë. Të dy janë të papranueshëm në islam. Feja jonë kërkon prej nesh të jemi besimtarë dhe të moralshëm dhe të virtytshëm.
 
E treta, është se zbulohet Hauzi i Profetit a.s. Qëndrimi në mahsher ishte shumë i gjatë, raskapitës dhe zhuritës. Etja për të pirë ujë ka arritur kulmin. Në ato çaste, hapet Hauzi i profetit Muhamed a.s, tek i cili do të shuajnë etjen njerëzit e mirë dhe të ndershëm. Është hera e dytë kur njerëzimi do e shohin Profetin a.s. I dërguari i Zotit a.s e përshkruan ujin e këtij Hauzi me fjalët:”Uji i tij është më i bardhë se bora dhe më i ëmbël se mjalti. Kush pi një gllënjkë ujë nga duart e mia, nuk do të ndjejë kurrë etje. Numri i gotave është sa numri i yjeve në qiell.”
Kur të shohësh se u hap Hauzi i Profetit a.s dhe e dallon vetë Profetin a.s, dëgjon që ai thërret:”Umeti im, umeti im!” I gëzuar që je pjesëtar i umetit të tij, ti vrapon drejt Profetit a.s dhe i kërkon të pish ujë. Ai të zgjat dorën dhe të tërheq drejt vetes. Është hera e parë kur ti je aq pranë me të dërguarin e Zotit. Vallë si do të jetë ai takim? A do të gëzohet Profeti a.s me ty kur të të shohë? çfarë ke bërë që Profeti a.s të gëzohet me takimin tënd? A je i gatshëm për këtë takim?
Profeti a.s do i shohë të gjithë pjesëtarët e umetit të tij, pasi qëndron mbi një podium mbi Hauz. Thotë Profeti a.s mbi këtë fakt:”Podiumi im është i vendosur mbi Hauz.”
Ai do i njohë të gjithë ndjekësit dhe pjesëtarët e umetit të tij, nga gjurmët që ka lënë abdesi në trupat e tyre. Ai do të të afrojë pranë vetes dhe do të japë të pish ujë nga Hauzi me duart e tij. Nga çasti kur të pish ujë nga Hauzi i Profetit a.s, nuk do të ndjesh më kurrë etje. Ti do të drejtohesh drejt Hauzit që të pish ujë, por Profeti a.s të thotë:”Jo. Unë do të të jap ujë me duart e mia.” Këtë e bën ngaqë është i gëzuar me ty, sepse ke ecur në gjurmët e tij.
Por mund të ndodhë dhe e kundërta. Kur e sheh Profetin a.s dhe gëzohesh, vrapon drejt tij që të shuash etjen tek Hauzi. Edhe Profeti a.s të sheh dhe të zgjat dorën, por në çast ndërhyjnë melekët dhe të largojnë prej tij. Thotë Profeti a.s:”Unë do u them:”Lëreni! Ai është prej umetit tim!”
Por melekët i përgjigjen:”O Muhamed! Ti nuk e di çfarë kanë vepruar pas teje.”
Përse do t’i japësh ujë nga Hauzi, ndërkohë që kjo vajzë e zvarriste veshjen e hixhabit derisa i erdhi vdekja?! Përse të pijë ujë ky i ri, ndërkohë që u ktheu shpinën urdhrave dhe porosive të tua?!
Atëherë, Profeti a.s do të thotë:”Larg meje, larg meje!”
A e imagjinon dot dëshpërimin dhe dhimbjen në ato çaste? Padyshim që në ato momente do i kujtosh gjynahet një e nga një. Në ato çaste do të dëshiroje të mos ishe tallur me filan njeri, të mos e kishe vepruar filan gjynah, të mos e kishe ironizuar Zotin dhe fenë e tij etj…
 
Tre kategori njerëzish, nuk do i shohë Zoti
Para se të fillojë llogaria, tre kategori njerëzish do të mënjanohen nga njerëzit e tjerë, nuk do i shohë Zoti, nuk do i pastrojë dhe ka përgatitur për ta ndëshkim të dhimbshëm. Ata nuk ndodhen as rreth xhehenemit të gjunjëzuar dhe as në shoqërinë e melekëve. Këta tre kategori i ka përmendur Profeti a.s në një hadith ku thotë:”Tre kategori njerëzish nuk do i shohë Zoti Ditën e Kiametit, nuk do i falë dhe ka përgatitur për ta ndëshkim të dhimbshëm; Ai që sillet keq me prindërit, një grua që sillet si burrë dhe brinari që e sheh gruan në vepër të ligë dhe nuk e ndalon.”
Në kategorinë e parë hyjnë ata të rinj të cilët u bërtasin prindërve, ata që mburren para prindërve për të hollat që shpenzojnë për ta, ato vajza të cilat shoqërohen me djem dhe tradhëtojnë besën me prindërit.
Një grua që u përngjan burrave, duke u sjellë si ta, duke u veshur si burrat etj… ta dijë se do të ketë ndëshkim të rëndë atë Ditë. Një ditë po kaloja me makinë rrugës dhe para meje pashë një burrë me makinë, i cili u përplas tek makina e një gruaje. E inatosur, gruaja nxorri çelësin e rrotave të makinës dhe filloi të godasë me sa fuqi kishte makinën e burrit dhe i ulërinte sa fuqi kishte. A mund të jetë nënë e dhembshur një grua e tillë?
Një prind që e sheh vajzën e tij të kthehet pas orës tre të mëngjesit në shtëpi, e veshur me minifund dhe e lyer me makijazh dhe nuk i bën përshtypje, duhet të frikohet nga ajo që e pret Ditën e Kiametit.
Ndodhitë që do të shoqërojnë Kiametin, janë të rëndësishme pasi janë mënyra më e mirë për të zbutur zemrat e ngurta dhe për të ringjallur zemrat e vdekura. Prandaj unë i këshilloj të gjithë lexuesit që të lexojnë sa më shumë mbi ndodhitë e Botës tjetër.
E lusim Zotin që të na e lehtësojë qëndrimin para Llogarisë! Amin!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit