3.9 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Qetësia është përvojë!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Qetësia është përvojë!

Mund të shtiret robi si i qetë dhe gjakftohtë, ndërkohë që përbrenda është gati ti shpërthejë vullkani i zemëratës.
Kur njeriu ekspozohet ndaj ngacmues të jashtëm dhe e ruan qetësinë, ai etiketohet si person që e përmban veten dhe e ruan kontrollin. Nëse reagimi i tij ndaj ngacmimit është i ekuilibruar dhe i moderuar, ruan të mesmen e artë mes dashurisë dhe urrejtjes, armiqësisë dhe miqësisë, qetësisë dhe inatit, ai ndjek porosinë profetike “Të thuash të vërtetën në gjendje qetësie dhe acarimi.”
Qetësia shpirtërore është një sjellje e cila i frymëzon të tjerët dhe i nxit ata për reagime të maturuara. Qetësia lipset në fjalë dhe të shprehur, qetësi e zemrës, qetësi e gjymtyrëve, e fytyrës dhe e gjithë trupit.
Jo vetëm namazi, Haxhi dhe agjërimi, por e gjithë jeta është një tempull në të cilin myslimani edukohet me disiplinim të egos së tij. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre, tregohet se Profetit a.s i treguan për një grua e cila agjëronte, falej dhe jepte shumë sadaka. Por kjo grua kishte një të metë, pasi i lëndonte fqinjët me gjuhën e saj prej nepërke. Profeti a.s u përgjigj:”Ajo është në zjarr!” (Ahmed, Ibnu Hiban)
Të disiplinosh veten do të thotë të mos reagosh në mënyrë të nxituar dhe euforike, pa u orvatur ta përmirësosh performancën tënde nëpërmjet përvojave vetjake por dhe atyre të tjerëve.
Është ligj njerëzor që të përjetojmë momente euforie dhe dobësie. Çdo njeri ka momente euforike dhe çdo eufori, ka ftohjen e saj.
Vetë revolucionet janë një eufori dhe shpërthim i tyre shndërrohet në organizim, shtet dhe politikë. Me kalimin e kohës njerëzve u vjen zor për sloganet, premtimet dhe parimet mbi të cilat janë bazuar në fillim.
Vetë dashuria fillon me një revolucion ndjenjash dhe emocionesh, të cilat fillojnë e maturohen me martesën e çiftit. Ato mund të dobësohen, të zbehen dhe të vdesin nëse nuk ngrihen mbi baza të shëndosha, ose nëse bazohen në egoizëm dhe kontroll të jetës së tjetrit.
Qetësia fshihet në një pjesë të sekondës, mes ngacmuesit i cili shkaktoi provokimin dhe reagimit emocional. Prandaj profeti Muhamed a.s thoshte:”Durimi është në goditjen e parë.” (Buhari dhe Muslim)
Nëse provokimin e trajtojmë si një kamera të fshehtë, e cila regjistron mënyrën e reagimit tënd, për t’ia paraqitur më pas publikut, maturia, vetëpërmbajtja dhe gjakftohtësia jote do të shënojë nivelin më të lartë. Kjo do të thotë se çdo njeri e di që qetësia, vetëpërmbajtja dhe kontrolli i vetes, janë virtyte sublime. Sakaq, euforia dhe reagimet e ashpra të pastudiuara, janë mangësi.
Njeriu, teksa kalon nga njëra përvojë në tjetrën gjatë jetës së tij, e kupton sa e lehtë është të thuash, e sa e vështirë të veprosh. Ai e mbron me fanatizëm një qëndrim emocional të tijin, pasi e ka të vështirë të dorëzohet dhe të paraqitet si dështak. Shkurtimisht, ai i lau duart nga përpjekja për maturim dhe vendosi ta justifikojë reagimin karakteristik të tij.
Ata që gëzojnë njëfarë qetësie shpirtërore, këtë nuk e kanë arritur sa hap e mbyll sytë, por përgjatë një procesi akumulues përpjekjesh, dështimesh, skuqje fytyre, hezitimi dhe pështjellimi. Me gjithë barrierat dhe vështirësitë, ata vendosën që flamurin ta mbajnë lart, që të bëjnë përpjekje pas përpjekje, duke mbajtur gjithmonë para sysh ajetin:”Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona.” (Ankebut, 69) Ata qëndruan sus para çdo mundësie për agresivitet, padrejtësi dhe urrejtje, duke mos e shqitur kurrë nga mendja tiparin e hipokrizisë:”Kur grindet bëhet i paturpshëm.”
“Vërtet, ata që ulin zërin në prani të të Dërguarit të Allahut janë njerëzit, zemrat e të cilëve Allahu i ka kalitur për besim e përkushtim. Për ata ka falje dhe shpërblim të madh.” (Huxhurat, 3)
Ky ajet gjendet në suren Huxhurat dhe është përmendur në kontekstin e mos ngritjes së zërit në prani të Profetit a.s, si dhe të ndalimit të përhapjes së thashethemeve, përfoljes së nderit të dikujt tjetër, ironizimit, talljes, mendimit të keq, racizmit etj…
Ajetet mbyllen me fjalët:” Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi’, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja.” (Huxhurat, 14) Kjo, pasi besimi i vërtetë shfaqet dhe shpaloset nëpërmjet moraleve dhe ruajtjes së kodit etik në të gjitha nivelet, shfaqet në respektimin e të drejtave dhe disiplinimin e marrëdhënieve.
Shikimi pozitiv i gjërave dhe ndodhive nga këndvështrimi i besimit në urtësinë e Krijuesit, pa lejen e të cilit nuk ndodh asgjë, të mundëson leximin e konkluzioneve të largët, si dhe mendimin e mirë për Zotin. Ashtu siç të mundëson qetësinë dhe gjakftohtësinë në trajtimin e ngjarjeve misterioze, shoqëruar me interesin për të përfituar dhe shfrytëzuar pozitivisht çdo shans.
Të shkarkosh energjitë në vepra pozitive dhe të dobishme, nuk bie aspak ndesh me qetësinë, në fakt, është thjesht ana tjetër e saj. Njerëzit e suksesshëm që kanë shënuar arritje të mëdha, zakonisht, nuk provokohen shpejt nga ngjarjet e reja. Ata bazohen në arritje akumulative të shtrira në kohë dhe jo në surpriza dhe rastësi.
Kur thuhet se një lider i aftë reagon ndaj ndodhive tragjike dhe vështirësive me qetësi, sikur të ishin gjëra normale, kjo nuk do të thotë se ai nuk e bën gajle atë punë. Aspak. Në fakt, ai ruan qetësinë e duhur, e cila i mundëson të mendojë, studiojë dhe caktojë zgjidhjet e duhura, pa rënë në grackën e kundërshtarëve.
Kur flasim për qetësinë, kjo nuk do të thotë të depersonalizohemi dhe të luftojmë gjithçka që është e kundërt me qetësinë. Ajo që dua të përcjell me këtë artikull, është që tipareve të tjerë, ti shtojmë dhe një syresh më shumë, pikërisht qetësinë dhe gjakftohtësinë. Përpiqu ta sjellësh parasysh sa herë që përballesh me një problem, sa herë që të bie në kokë diçka e papritur, sa herë që gjendesh përballë një provokimi. Menjëherë çoje në mendje se kjo është diçka e gatuar qëllimisht për të vënë në provë durimin, maturinë, aftësinë dhe disiplinën tënde.
Është e qartë që karakteri gëzon epërsi ndaj asaj që dëshiron të jesh. Nëse karakteri të ndihmon ta ruash qetësinë dhe gjakftohtësinë, atëherë të qenka dhënë një cilësi dhe tipar të cilin e do Zoti dhe i dërguari i Tij. Por nëse është e kundërta, dije se dija fitohet duke studiuar, kurse maturia dhe durimi duke e ushtruar.
Shpesh herë kam shijuar shijen e hidhur të sulmeve dhe trajtimit të keq, gjë të  cilën mendoja se nuk e meritoja dhe nuk më lipsej. Por më vonë, pas kushedi sa vitesh, zbulova se ato kishin kontribuar në formimin e personalitetit tim të pavarur. Ato e kishin pasuruar shumë përvojën time dhe më kishin ushtruar të jem i duruar dhe i matur, duke i kapërcyer problemet, falur dhe duke e mbytur zërin e egos. Përveç qetësisë, gjakftohtësisë dhe maturisë, nuk kishte vend për reagime të tjera.
Ka qenë mirësia e Zotit, që kështu të mund të  bëj një jetë të qetë dhe të stabilizuar. Asokohe kuptova se shigjetat që i hidhen njeriut, nëse nuk i prekin trupin dhe ta dëmtojnë, personalitetit të tij i vijnë anash. Madje, e ndihmojnë që rrënjët ti hedhë më thellë. Me kalimin e kohës, ai mësohet me këtë situatë, gjë e cila i shndërrohet në program jete dhe ligj ekzistence. Kështu ai lartësohet saqë edhe nga vërejtjet më të vogla dhe të hidhura, ai nxjerr pika uji të ëmbla.
Të falënderoj Ty o Zot dhe të jam mirënjohës për mirësitë e pafund dhe edukimin që kam marrë. O Zot na e shto shpërblimin e durimtarëve!
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit