3.9 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Ua dorëzoni çelësat fëmijëve

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Ua dorëzoni çelësat fëmijëve

 
 
Nëna është e zemëruar me të bijën e saj adoleshente. Ajo flet gjithë dëshpërim rreth kësaj krijese të cilën e ka mbajtur për nëntë muaj, si një pjesë e trupit të vet, e ka ushqyer, i ka dhënë jetë, e ka përqafuar për vite të tëra… Si ka mundësi që pas gjithë kësaj, të rebelohet dhe ti shkelë me këmbë udhëzimet e saj!
E ka të pamundur ta imagjinoj vogëlushen time të mbështjellë në krahët e mi, qëndrimin pa gjumë kushedi sa net duke e ushqyer dhe qetësuar Kjo grua që ka të njëjtin shtat me timin, zëri i saj ia kalon atij timit, kohën më të madhe e kalon me shoqet, sa duke qerasur njëra-tjetrën, duke shëtitur dhe bërë pazarin. Ajo s’ka as gatishmërinë më të vogël të tregohet korrekte me orarin e daljes dhe të kthimit në shtëpi. Fjalët më të shpeshta që dëgjoj prej saj janë:
Unë jam e lirë dhe askush nuk ka të drejtë të ketë pushtet mbi mua.
Këto fjalë të kësaj nëne janë të dhimbshme. Motivi i saj është i fisëm. Ajo i frikësohet ndikimit të shumë gjërave të panjohura për vajzën e saj. Ajo e percepton se e bija vazhdon të jetë në ditët e saj të para, se sapo ka hedhur hapin e parë në rrugëtimin e saj të përvojave të jetës. Kjo e bën të mendojë se e bija mund të bjerë pre e një fjale të ëmbël dhe një hapi që do të pasohet nga hapa të tjerë.
E kush mund të ketë dyshimin më të vogël në këto motive dhe rëndësinë e tyre, që një nënë të përmbushë rolin saj në edukim, përkujdes dhe vëmendje? Çfarë kuptimi do të kishte prindërimi i nënës nëse nuk do të ekzistonin këto koncepte në mendjen e saj?
Por, edhe pse kjo është e ngulitur thellë në qenien time, në mendje më erdhi diçka tjetër. Fëmija, djalë qoftë apo vajzë, është një qenie e pavarur, që merr rrugën e tij në jetë si një krijesë tjetër. Ai rritet, zhvillohet dhe aftësohet për përgjegjësitë që e presin në jetë, duke u shndërruar ndonjëherë, një person krejt i kundërt me prindërit.
Në Kuran, Zoti na tregon historinë e profetit Nuh a.s me të birin jobesimtar dhe historinë e profetit Ibrahim a.s me të atin jobesimtar. Gjithashtu, Kurani na tregon edhe raste të tjera nga jeta e myslimanëve të parë dhe diferencat e tyre me prindërit dhe fëmijët në çështjet e besimit.
“O besimtarë! Mos i pranoni për mbrojtës baballarët dhe vëllezërit tuaj, nëse ata e duan mosbesimin më shumë sesa besimin. Kushdo prej jush që i merr ata për mbrojtës, është keqbërës.” (Teube, 23)
Mandej, shton:”Thuaj:“Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin  (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.” (Teube, 24)
Shohim që fëmijët kanë pavarësi të plotë dhe se “askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit”.
Transmeton Ebu Remthe se ka vajtur me të atin tek i duruari i Zotit. Profeti a.s e ka pyetur të atin:”Kush është ky?” Babai iu përgjigj:”Është im bir dhe mbaj përgjegjësi për të.” Profeti a.s buzëqeshi dhe i tha:”As ti nuk jep llogari për krimet e tij, as ai për të tuat.” Më pas, Profeti a.s citoi:” “askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit”. (Ahmed)
Nga përvoja ime, shoh që shumë prindër kanë nostalgji dhe anojnë nga modeli me të cilin janë edukuar edhe ata vetë. Ata i shohin fëmijët si një zgjatim të tyrin dhe pareshtur e në mënyrë të dëmshme, u kujton se ka bërë e bërë për ta, sikur u mburret dhe u fryn gjoksin për sakrificat që ka bërë. Kjo, edhe pse dhembshuria, përkujdesi dhe dashuria janë pjesë e natyrës me të cilën e ka krijuar Zoti, jo vetëm njeriun, por edhe kafshën. Ka dhe prindër të tjerë të cilët u kujtojnë fëmijëve se janë një pikë sperme e tij, edhe pse kanë kaluar të gjashtëdhjetat!
Si pasojë, disa prindër i neglizhojnë nevojat e fëmijës në moshën e hershme dhe dëshirën e tij për tu shoqëruar me bashkëmoshatarët, me të cilët luan, studion dhe kalon kohën.
Disa prindër të tjerë harrojnë ndryshimet dhe zhvillimet që sjell koha. Rinia e fëmijëve nuk është një kopje e rinisë së prindërve. Ata u kërkojnë fëmijëve të vishen, të hanë dhe pinë, njëlloj siç bënin ata vetë, apo dhe prindërit e tyre.
Prandaj, Ali ibnu Ebi Talib, thoshte shpesh:”Mos u imponohuni fëmijëve me karakterin tuaj, pasi ata kanë lindur në një kohë të ndryshme me tuajën!”
Ndryshimet mes brezave në çdo aspekt të jetës, duhen marrë në konsideratë, me qëllim që edukimi të mos shndërrohet në imponim dhe dhunë, duke e depersonalizuar fëmijën dhe duke i vrarë besimin tek vetja.
Depersonalizimi i fëmijës shkakton mungesë respekti ndaj prindërit, pasi ai dëshiron të vetërealizohet, edhe duke zemëruar të atin. Ai mund të shkaktojë edhe humbje të personalitetit, duke vendosur ti dorëzohet vullnetit të prindërve, edhe pse nuk është i kënaqur. Kjo e huton dhe i shkakton pështjellim fëmijës, tek i cili lëshojnë rrënjë komplekset, stresi, depresioni, hipokrizia dhe dualizmi.
Ka prindër të cilët anojnë nga e kundërta e të parëve, duke u dhënë liri absolute fëmijëve, të cilët nuk e njohin “jo-në”. Pak e nga pak, fëmijëve u duket se nuk janë pjesë e familjes me të cilën duhet të identifikohen, të bëhen pjesë e programit të saj dhe vlerave morale sublime, të ushtrohen me respektin e prindërve dhe më të mëdhenjve etj… Prandaj dhe Zoti e ka përmendur respektin e prindërve paralelisht me bindjen ndaj Tij. “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.” (Isra, 23)
Fëmijët jetojnë një fazë delikate e cila do të kontrollojë të gjithë pjesën tjetër të jetës. Nëse u mungon orientimi, udhëzimi dhe informacioni, thënë ndryshe edukimi, do të hasin vështirësi nga më të ndryshmet në shtigjet e jetës. Një poet arab thotë:
Edukata u bën dobi të vegjëlve
Por nuk përfitojnë prej saj të rriturit
Filizin po ta tërheqësh drejtohet
Por nuk drejtohet trungu, sado të përpiqesh
 
Prandaj, e them dhe një herë: Ua dorëzoni çelësat fëmijëve!
Ua dorëzoni çelësat e përgjegjësisë! Mos i depersonalizoni! Ua njihni të drejtën e ushtrimit, punës, përpjekjes dhe gabimit, para syve tuaj dhe në jetën tuaj! Vetëm kështu do të largoheni nga kjo botë të qetë, se ata do e plotësojnë atë që latë mangët. Lejoi të ngjiten në postet dhe profesionet e tyre, që ua njeh ligji i jetës. Kështu nuk do të konfliktuohen pas vdekjes tuaj. Kështu nuk do e shkatërrojnë dhe çojnë dëm trashëgiminë që iu besua, as lidhjet e gjakut mes tyre, fqinjët dhe miqësitë. Sa zjarre janë shndërruar në pluhur e hi! Një poet arab dikur thoshte:
Nën hi, shkëndijë zjarri dalloj
Gati është të shpërthejë
Zjarri me një fije shkrepse ndizet
Kurse lufta, me një fjalë
Nëse nuk fiket nga të urtët
Viktima ajo lë pas
 
Ua dorëzoni fëmijëve çelësat e besimit tek vetja, i edukoni me sinqeritet dhe të folurit drejt. Asgjë tjetër nuk e nxit gënjeshtrën dhe dinakërinë, siç e nxit dhuna, dajaku dhe ashpërsia.
Përkujdesi dhe edukimi i fëmijëve nuk bëhet duke u futur tmerrin. Pasojat e një edukimi të tillë, janë aventurat e rrezikshme që do të ndërmarrin në jetë. Kjo, nëse kanë personalitet të fortë. Ose do të dorëzohen dhe vetëmbyllen nëse janë të dobët personalisht. Dikur herët, është thënë se dashuria vret.
Ua dorëzoni fëmijëve çelësat e suksesit duke i udhëzuar dhe orientuar me qetësi, me biseda miqësore, marrëdhënie të ngushta, durim të madh, fjalë të mençura, të cilat do u buçasin në veshë sa të jenë gjallë. Kështu, do i kujtojnë fjalët tuaja dhe vetë juve, duke ua ditur për nder.
Mos mendoni se zemëratat e herë pas hershme dhe mëria e zgjatur në kohë, është zgjidhje. E çfarë vlere ka nëse e bëjnë diçka siç u thoni ju, ndërkohë që e urrejnë me gjithë zemër e shpirt. Çfarë vlere ka nëse heqin dorë nga diçka ndërkohë që u lëshon goja lëng për të?
Një ditë, do e shohin veten të lirë të veprojnë si të duan. Le të jetë mundi ynë më i madh i fokusuar në kultivimin e dashurisë për fenë, sinqeritetin, punën, moralet e mira, urrejtjen për ligësinë, injorancën, plogështinë, anarshinë etj…
“Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt.” (Huxhurat, 7)
Të kultivosh në zemrat e tyre të vogla dashurinë për namazin, nuk është më pak sesa ta kryejnë atë. Ti edukojmë me urrejtjen për gënjeshtrën dhe vjedhjen, nuk është më pak se distancimi prej tyre.
Lutuni për mirë për fëmijët tuaj, sado të zemëruar të jeni. Lutjet e mira nga ana e prindërve kanë më shumë mundësi të pranohen dhe tu hapen portat e qiellit. Prandaj, le të jenë lutjet për fëmijët tuaj, pjesë e projektit të edukimit, udhëzimit dhe orientimit.
“O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”. (Huxhurat, 74)
 
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit