0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Analizë – Ibn Halduni ka një mesazh për ne

Më të lexuarat

Ibn Haldun, një nga emrat më të mëdhenj të traditës intelektuale islame, i cili ka shkruar më shumë se çdo mendimtar tjetër musliman për historinë, kulturën, shoqërinë, qytetërimin dhe pushtetin politik, ka një mesazh për të gjithë ne sot, që jetojmë në një epokë të pasigurisë në rritje dhe çrregullim global.

– Nga Ibrahim Kalin –

Abd al-Rahman ibn Muhmmad Ibn Khaldun (1332-1406), një nga mendjet më të mëdha të traditës intelektuale islame dhe i njohur me kryeveprën e tij të madhe letrare “Muqaddimah” (Mukaddima), ka shkruar për historinë, kulturën, shoqërinë, qytetërimin dhe pushtetin politik më shumë se çdo mendimtar tjetër musliman. Vëzhgimet dhe studimet e thella që ka bërë ai mbi shoqëritë e Afrikës Veriore, pjesë e të cilave ishte edhe vet, e kanë orientuar atë drejt zhvillimit të një koncepti interesant dhe që zgjon kureshtje për historinë universale dhe qytetërimin botëror.

Me një intelekt të klasit të parë që zotëron një spektër të gjerë interesimi duke u shtrirë në të gjitha fushat kryesore të dijes, Ibn Khalduni ishte një njeri edhe i mendimit, edhe i aksionit. Disa e konsiderojnë atë si themeluesin e sociologjisë. Historianët e admirojnë urtësinë e tij me ato që ka thënë në lidhe me ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha. Marksistët e lavdërojnë atë për mendimet në lidhje me fuqinë që kanë kushtet ekonomike për të ndikuar në formimin e qëndrimeve individuale dhe marrëdhënieve shoqërore. Shtetarët osmanë dhe historianët kanë hulumtuar nocionin e tij shumë të njohur asabije* për të shpjeguar sukseset dhe dështimet e perandorisë gjatë shekujve. Disa e shohin atë si filozofin më të madh të qytetërimit. Pa marrë parasysh se nga cili këndvështrimi do t’i afroheni, ai është një figurë me një fushë interesimi jashtëzakonisht të madhe dhe që ka lënë prapa mendime të qëndrueshme.

Tani, Ibni Halduni ka një mesazh për të gjithë ne që jetojmë në një epokë të pasigurisë në rritje dhe çrregullim global. Nëse historia është një dëshmitare, që për Haldunin nuk ka dyshim që është e tillë, ajo na tregon se çelësi i mirëqenies materiale dhe shpirtërore në një shoqëri është kohezioni dhe solidariteti. Qeniet njerëzore janë për nga natyra “qenie politike”, në kuptimin e asaj që janë të detyruar të jetojnë së bashku, për të ruajtur dhe vazhduar prejardhjen e tyre, për të plotësuar nevojat e tyre themelore dhe për të realizuar potencialin e tyre për të qenë “të civilizuar”.

Forcat destruktive që ekzistojnë brenda qenies njerëzore ‘bëhen zap’, kur njerëzit mësojnë se si të bashkëjetojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo kërkon ekzistencën e një sërë parimesh morale dhe politike, rreth të cilave ata mund të bashkohen. Dhe më e rëndësishmja është se nuk ka asnjë civilizim pa themel metafizik. Ata që humbin kohezionin shoqëror dhe solidaritetin e grupit të tyre shoqëror, pushtohen nga të tjerët, që u dalin për zot unitetit, forcës dhe rezistencës së tyre.

Për Ibn Haldunin pyetja më themelore qëndron në atë se çfarë është ajo që e mban një grup njerëzish të bashkuar dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Kjo ka qenë baza e të gjithë kulturës, qytetërimit dhe pushtetit politik apo dominimit (Mulk). Pa këtë përbërës themelor, asnjë grup njerëzish, fisi, klani apo komuniteti më të madh nuk mund të arrijë të marrë pushtetin politik, të ndërtojë një jetë urbane dhe ta ruajë atë. Dhe pikërisht në këtë pikë ne takohemi me konceptin themelor “asabije” të Ibni Haldunit, d.m.th, me solidaritetin e grupit dhe kohezionin social. (Vështirësia për ta përkthyer këtë term ‘haldunian’ dhe përpjekjet për ta përcjellë atë në gjuhë të ndryshme dëshmojnë për rëndësinë e tij themelore). “Asabije” është një ngjitës që e lidh së bashku një grup. Kjo u jep atyre fuqinë dhe aftësinë për t’u mbrojtur nga agresorët e jashtëm. Kjo u mundëson atyre të vendosin paqen dhe rendin midis tyre. Ajo përgatit ata për të ndërtuar “umran,” d.m.th, qytetërimin.

Por njëkohësisht kjo është edhe ajo ku ne përballemi me një dilemë të madhe halduniane: kur një grup njerëzish të lidhur me njeri-tjetrin dhe fuqizuar përmes “asabije” kalon në jetën urbane dhe arrin qytetërimin, ata humbasin kohezionin shoqëror dhe ndjenjën e solidaritetit. Dhe si individë, kur ata të fillojnë të gëzojnë përfitimet dhe komoditetin që ofron jeta e qytetëruar në një mjedis urban, ata bëhen neglizhentë, dembelë dhe “shumë të butë” për të mbrojtur veten kundër sulmit të atyre që vazhdojnë të ruajnë “virtytet beduine” dhe cilësitë e tyre luftarake. Ndërsa pushtimi i tyre nga të tjerët është vetëm një çështje kohe.

Në paradigmën halduniane, çmimi i qytetërimit është humbja e kohezionit social, solidaritetit të grupit dhe e cilësive fisnike që vijnë bashkë me to. Ata që humbin “asabije”-në e tyre, humbasin edhe “asalah”-un e tyre, d.m.th humbasin fisnikërinë e tyre. Pastaj kjo shndërrohet në një temë të përsëritur, një cikël i përjetshëm social, ku fiset, kombet, shtetet dhe perandoritë lartësohen dhe bien. Ibni Halduni thotë se jetëgjatësia e një cikli të tillë është rreth katër breza, d.m.th, pak më shumë se një shekull. Ai gjithashtu besonte se baza më themelore e kohezionit social ka qenë lidhja farefisnore. Sipas atij nuk ka asnjë lidhje tjetër më të fuqishme dhe të zbatueshme që i lidh dhe i mban njerëzit së bashku. Askush nuk do të guxonte të sulmonte ata që kanë lidhje të forta farefisnore. Por ndjenjat e farefisnisë njerëzit i humbasin kur ata bëhen banorë të qytetit dhe individë të urbanizuar-qytetëruar. Ibni Halduni nuk sheh ndonjë rrugëdalje nga ky rebus e dilemë: ju arrini fuqinë, jetën urbane dhe qytetërimin përmes “asabije”-së që keni; por kur ju filloni të gëzoni përfitimet e një jete sedentare dhe të civilizuar, ju humbisni kohezionin tuaj.

Në mënyrë të qartë, kjo teori halduniane ka kuptim për grupe të vogla, siç janë fiset, por nuk mjafton për të shpjeguar njësitë më të mëdha shoqërore dhe se si ata të bashkohen për të krijuar shtete dhe perandori jetëgjata. Për më tepër teoria e tij sfidohet edhe më tej me kompleksitetin e botës moderne në të cilën ne jetojmë. Mirëpo çfarë do të bëjmë ne në këtë në një situatë të tillë? A do ta hedhin poshtë teorinë e tij, duke e cilësuar atë si shumë “mikro”, klanore dhe të vjetruar?

Përgjigja është jo. Nga njëra anë ne duhet të vazhdojmë të problematizojmë nocionin e tij të kohezionit social dhe solidaritetit të grupit në bazë të lidhjeve familjare dhe lidhjeve fisnore, ndërsa nga ana tjetër ne duhet të rishikojmë dhe zgjerojmë analizën e tij për të kuptuar problemet (pikëpyetjet) kryesore të kohezionit, urbanizimit dhe qytetërimit në një plan më të madh urban dhe global. Kjo është një detyrë urgjente, sidomos për botën bashkëkohore muslimane, që vuan nga të dyja, edhe nga mungesa e kohezionit social, edhe e unitetit civilizues. Shtetet e dështuara dhe të dobëta, aktorët jo-shtetërorë, tribalismi, sektarizmi, nacionalizmi etnik dhe një mori problemesh të tjera i privojnë shoqëritë muslimane nga çdo “ngjitës” që do ti mbrojë ato kundër agresorëve dhe burimet e veta intelektuale dhe materiale do t’i përdorë për të realizuar kulturë dhe qytetërim.

Koncepti i kohezionit social dhe solidaritetit kolektiv i Ibn Haldunit është i ndërlidhur me atë që thotë edhe Kur’ani në surenë “Enfal”, ajeti 46 ” Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit.”

Kur anëtarët e të njëjtit grup ose komb fillojnë e grinden me njëri-tjetrin në mënyrë shkatërruese, ata humbasin “erën” e tyre, d.m.th, fuqinë e tyre, dhe lëkunden në çdo aspekt të jetës.

Nëse kemi parasysh gjendjen e keqe në të cilën ndodhen mund të themi se është pikërisht koha e duhur për shoqëritë bashkëkohore muslimane që të lexojnë Ibni Haldunin.

Mbajtja gjallë edhe e kohezionit social, edhe e qytetërimit urban mund të jetë një detyrë e rëndë. Por kjo është një sfidë që duhet të përmbushur për të kapërcyer shumicën e sëmundjeve tona moderne.

*Studiues të ndryshëm fjalën “asabije” (asabiyyah) e kanë interpretuar në kuptime të ndryshme si “lidhje afrie”, “ndjenjë shoqërore”, “ndjenjë solidariteti”, “frymë e përbashkët”, “përshtatshmëri shoqërore”, “mendim nacionalizmi”, “shpirt luftarak”.

Autor: Ibrahim Kalin – Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar Hüseyni

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit