Ka rifilluar pas një pauze të shkurtër raundi i tetë i negociatave, i cili po zhvillohet në kryeqytetin austriak Vjenë prej rreth 10 muajsh me qëllim zbatimin e plotë të marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Përfaqësues të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Anglia, Franca dhe Irani marrin pjesë në bisedimet e kryesuara nga Enrique Mora, drejtor politik dhe zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Shërbimit të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) në këto bisedime nuk marrin pjesë pasi në vitin 2018 ato janë tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja (e 2015-s), kështu që Mora lehtëson komunikimin mes palëve, pasi delegacionet e Iranit dhe ShBA-së nuk takohen drejtpërdrejt.
Negociatat zhvillohen në formate të ndryshme për riaktivizimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, e njohur ndryshe si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA); që Irani të reduktojë aktivitetet e tij bërthamore në kufijtë e përcaktuar nga marrëveshja e nënshkruar në 2015; për rikthimin e ShBA-së në marrëveshje dhe heqjen e sanksioneve amerikane.
Me rifillimin e punës së grupit të ekspertëve të formuar në kuadër të negociatave, procesi vazhdoi aty ku kishte mbetur me raundin e tetë, i konsideruar si raundi i fundit i negociatave.
Para pauzës së shkurtër të 28 janarit për raundin e tetë të negociatave, që nisën më 27 dhjetor, Mora kishte njoftuar se nevojiteshin vendime politike për përfundimin e shpejtë të bisedimeve.