13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Tradhtia në mes-moshë, hapa drejt normalizimit dhe kurimit.

Më të lexuarat

Tradhtia në mes-moshë, hapa drejt normalizimit dhe kurimit.

Bashkëshortët dhe bashkëshortet, tradhtia bashkëshortore, interneti dhe telefoni.
Pyetje: Paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Së pari ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj tepër të madh që jepni përmes faqes suaj elektronike.
Të them të drejtën nuk e di se nga t’ia nis. Jam një grua e martuar prej 15 vitesh dhe mosha ime është 36 vjeç. Bashkëshorti im është 39 vjeç. Unë dhe bashkëshorti im jemi që të dy fetarë të përkushtuar. Bashkëshorti im është një burrë fisnik, i ndjeshëm, i dhembshur dhe disponon të gjitha atributet e bukura që dëshiron një grua. Nëse do vijoja ta falënderoja deri nesër, nuk do ia jepja hakun.
Por problemi im ka filluar para afërsisht një viti, kur zbulova se burri im hyn në chat (bisedë përmes internetit) me disa vajza dhe shikon adresa elektronike pornografike. Fillimisht vërejta ndryshime midis tij dhe meje. Pastaj filloi të flinte në dysheme dhe ta braktiste shtratin tim. Kur unë mërzitesha së tepërmi, më thoshte një gjë e tillë ishte më mirë për shpinën e tij, duke qenë se pak muaj para kësaj, ai pati pësuar një ndrydhje kërcore.
Në fakt ai e bënte këtë, për të pasur mundësi që të qëndronte fshehurazi në internet, teksa unë isha në gjumë dhe nuk ndjeja gjë prej gjëje. Me kalimin e kohës dhe duke qenë se shtegtimi nëpër mëkat duhet të demaskohet një ditë, qe caktimi i Allahut që burri im një natë ta harronte kompjuterin dhe mesenxherin e tij hapur, ku unë me t’u ngritur në mëngjes, lexova bisedat e tij dhe zjarri i xhelozisë shpërtheu tek unë.
E dija se zgjidhja mbi sa në fjalë, ishte të kërkoja për zonën e defektit tek unë dhe ta rregulloja, sidomos nisur nga fakti se ne në këtë periudhë kemi kaluar në një situatë të vështirë materiale, për shkak të sëmundjes së tim shoqi. Mua për shkak të kësaj situate mu desh të bëjë disa punime artistike dhe t’i shisja dhe si pasoj e këtij preokupimi i lashë ca pas dore fëmijët dhe shtëpinë (sa për dijeni unë kam pesë fëmijë), gjë që sigurisht ka ndikuar edhe tek bashkëshorti, por kjo mangësi nuk qe me vullnetin tim, por për shkak të rrethanave të vështira, nëpër të cilat ne kaluam.
Fillova të përmirësohem sa më shumë që mundesha, por nga ana e bashkëshortit gjeja pengesa që më lëndonin. E justifikova atë duke qenë se nisur nga personaliteti i tij, unë e dija se ai ishte burrë zamani dhe i ashpër. Vijova të rregulloja dhe transformoja sa të kisha mundësi, me qëllim që të thyeja rutinën që ndoshta ishte krijuar si shkak i largimit të tij prej meje dhe braktisjes që më kish bërë. Vazhdova kështu, derisa u ngushtova pamasë dhe nuk munda ta mbaj më fshehur sekretin që dija, prandaj një ditë ia thashë atij qartë gjithë atë që dija mbi kontaktimet e tij në internet. Ai e mohoj një gjë të tillë, por unë i përmenda se unë vetë kisha parë dhe lexuar një pjesë të atyre bisedave.
Që të mos e zgjas më tepër, ai më premtoi se do ta linte gjithë këtë dhe u betua në Zot se ai më do mua dhe se ishte fajtor. Kjo gjë ndodhi prej tij, pasi pa zhgënjimin dhe ngashërimin tim të madh. Pastaj çështja u përsërit dhe u acarua edhe më shumë, nisur edhe nga boshllëku kohor i tij, duke qenë se gjatë kësaj kohe ai nuk bënte asnjë punë.
Pas kësaj hapje u mundova që t’i kultivoj atij besim, duke i thënë se unë e kisha harruar tërësisht të shkuarën, se çdo njeri mund të gabojë; dhe këtë e bëra që ai të mos kalonte edhe më në ekstrem dhe të tregohej më kokëfortë.
Ende në këto momente gjendja e tij vijon problematike, pavarësisht se tani ai është në punë. Rri zgjuar deri në mëngjes dhe mua më lë të vetme në shtrat. Unë pa i rënë në sy arrij t’i lexoj bisedat e tij, të cilat më lëndojnë pa masë. Nganjëherë për pak sa nuk shpërthej dhe t’i hapem sërish, por pasi fal namaz inspirimi, heq dorë nga kjo. Disa herë mendoj të komplikoj çështjen dhe të divorcohem, pasi nuk mund ta duroj këtë situatë.
Disa herë ndjej, se ai kur ka nevoja për mua, sikur vjen të zbrazë një ngarkesë të brendshme të tij, ndërsa kur kthehem tek interneti shoh se ajo që mendoja unë, ishte e saktë; gjej se ai pak para kësaj kishte parë filma pornografikë, duke mos e ditur se unë di çdo gjë mbi peripecitë dhe gjërat që ai shikon.
Nuk di si të veproj,teksa entuziazmi po më sos, po dobësohem dhe sillem me sjellje të pamatura. Ia kam frikën vetes mos bie në sprovë dhe frikësohem se feja po më dobësohet. Ndonjëherë frikësohem se pushteti dhe ngacmimi i shejtanit do më hakërrehen. Kam frikë edhe për shëndetin tim se mos degradon, për shkak të lotëve të shumta që më përvëlojnë.
Cila është zgjidhja? Ju lutem më jepni një përgjgje sa më të shpejtë. Si të tregohem e matur në veprimet e mia? Gjithashtu si të arrij të krijoj një frymë dhe atmosferë lumturie dhe humori brenda në familje, që të shërbejë si diçka që do të më ndihmojë të transformoj veten dhe të thyej rutinën dhe ndoshta bëhet shkak të shëroj lëndimin…
Allahu ju shpërbleftë me të mira.
Përgjigjet eksperti Doktor. Muhamed el Mehdi:
Zgjidhja:
Motër e nderuar… Edhe mbi ju qoftë paqja, mëshira dhe begatia e Zotit.
Yt shoq ka qenë fetar i përkushtuar, i nderuar, i ndjeshëm dhe i dhembshur përgjatë 15 viteve të martesës suaj dhe ju keni pesë fëmijë së bashku. Pastaj situata u përmbys që prej një viti, ku t’i zbulove se burri yt ra në rrjetën e bisedave elektronike me disa vajza dhe gjithashtu zbulove, sa ai ka rënë në vesin kronik të shikimit të faqeve elektronike pornografike, saqë ai vjedhurazi qëndron në internet nga mbrëmja në mëngjes.
Duke qenë se burri yt është në të tridhjetenëntat e moshës së tij, ai po kalon krizën e mes-moshës. Një prej dukurive të kësaj moshe është dëshira për të rikthyer gjendjen e zjarrmisë emocionale dhe seksuale. Kjo vjen sidomos për shkak se ai e ndjen se po i afrohet të dyzetave dhe se treni i rinisë është në prag të ikjes prej tij. Ai brenda tij sikur synon të mos i shqitet shansit të fundit të tij, para se të ketë hyrë në botën e mes-moshës, drejt pleqërisë. Ndoshta është përkushtimi fetar, ai që e ka ndaluar atë që të përfshihet në raporte të gjalla dhe reale, duke gjetur alternativën në raportet elektronike, që ndoshta ai beson se janë më të rezervuara dhe më pak haram sa i përket aspektit fetare të ndalimit.
Kësisoj ai ushtron gjithë sa do i fshehur pas ekranit, duke mos e njohur dhe parë askush dhe madje ai edhe i vendos vetes justifikime, që i lehtësojnë vijimësinë në këtë sjellje. Për fat të keq, kjo është një çështje, në të cilën këto kohë kanë rënë shumë prej fetarëve të përkushtuar; duke u arratisur nga fakti se tanimë ai është një bashkëshort që ka mbi supe 15 vjet martesë dhe është baba i pesë fëmijëve dhe duke u përpjekur të jetojë një periudhë të dytë adoleshence, ku ushtron raporte emocionale dhe seksuale elektronike. Me këto raporte ai po lidhet fort pas këtyre raporteve, gjë që me kohë ndryshon tek ai karakteristikat e personalitetit të tij, sikurse ato të një fëmije që është lidhur me një lojë aq sa nuk mund të shqitet prej saj, ose sikurse një adoleshent që i braktis të gjitha detyrat e tij të shkollës dhe raportet e tij shoqërore, që t’i përkushtohet dashurisë së vajzës, me të cilën zemra e tij është lidhur.
Kur u realizua zbulimi i tij dhe ndodhi përballja midis teje dhe atij, ndoshta ai është bërë pishman, ndaj dhe të premtoi që nuk do t`i kthehet më vesit. Por ai nuk e mbajti premtimin e dhënë, sepse tanimë kish rënë në greminën e vartësisë elektronike, që është një vartësireale, e cila ndodh si pasojë e magjepsjes dhe gravitetit të fjalës, pamjes, videos dhe zërit që ai gjen në ekranin e kompjuterit. Kur këto gjëra përsëriten, i vënë në lëvizje qendrat trunore të ndjesive të epshit (të quajtura qendrat e përforcimit), të cilat aktivizohen dhe kërkojnë gjithmonë e më shumë prej këtyre ngacmuesve epshor; gjë falë së cilës personi avash-avash e humb vetëpërmbajtjen – ashtu si çdo narkoman – dhe ka nevojë për një forcë të jashtme që ta ndihmojë për të triumfuar mbi narkomaninë e tij.
Duket se ai në këtë greminë ka rënë në një moment dobësie; si pasojë e sëmundjes kërcore nga e cila vuante dhe qëndronte në shtëpi pa asnjë punë, ndërsa ti njëkohësisht ishte e preokupuar me përkujdesjen për gjërat që i nevojiteshin atij dhe fëmijëve tuaj. Por ai vazhdoi në sjelljen e tij edhe pas evitimit të shkaqeve, që lehtësuan rënien e tij në këtë grackë.
Kujto se midis jush gjendet një kapital i denjë dhe i lumtur jetik, një periudhë prej 15 vjet, në të cilat ai ishte bashkëshorti më i mirë. Ndaj të duhet rishtazi të përpiqesh, por kësaj here nëpërmjet derës së dashurisë, jo asaj të zemërimit dhe xhelozisë. Qasu zemrës së tij dhe bëje atë të ndjejë, se ti e do, të shqetëson shumë shëndeti i tij dhe dëshiron që të mos cenohet feja e tij. Bëje këtë herë pas here pa ushtruar trysni dhe pa insistuar me tepri. Pastaj lëre atë për pak kohë, që t’i japësh vetëdijes së tij kohë që të zgjohet. 
Në këtë kohë qetësie (dhe jashtë saj) shmangu nga gjurmimi i bisedave të tij dhe shikimi i asaj çfarë ai këqyr në faqet elektronike; pasi diçka e tillë nxit tek ti zemërimin dhe irritimin tënd kundrejt tij, shfuqizon ndjesitë e tua pozitive për të dhe krijon midis jush një barrierë të pakapërcyeshme. Gjithashtu ky gjurmim është i ndaluar edhe juridikisht në Islam (Mos spiunoni dhe mos punoni pas shpine…) dhe (Kush depërton tek libri i vëllait të vet pa dijeninë e tij, është sikur të ketë depërtuar në zjarr).
Po u frenove nga gjurmimi i tij, atëherë do arrish të jesh e aftë ta rikthesh prezencën tënde femërore tek ai (emocionalisht dhe seksualisht). Këtë do ta bësh, duke nxjerrë në pah gatishmërinë tënde për të ushtruar me të të gjitha llojet e dashurisë së lejuar, në një formë të reformuar dhe me më fleksibilitet se më parë. Ndoshta ai është mërzitur nga trajta e përsëritur e raporteve tuaja, ose ngaqë ti je dhënë më shumë se ç’duhet pas rolit tënd prej nëne dhe diçka e tillë ka ndikuar në orientimin tënd femëror; Kjo ka bërë, që ai të tentojë të reformohet me ngacmimet përmes ekranit të kompjuterit.
Përpiqu që me brishtësi ta kthesh atë në atmosferën familjare, duke ngrënë së bashku me të dhe fëmijët, duke frekuentuar disa prej vendeve të mëparshme të dashura për ju të dy, si dhe duke sjellë në kujtesë përmes bisedave, disa kujtime të ditëve të fejesës dhe momenteve të para të martesës.
Herë pas here kallëzoi atij disa prej direktivave fetare (fetvave), që flasin mbi ndalimin (qenien haram) të atyre gjërave që dëshmohen në faqet pornografike dhe bisedat elektronike me vajzat, por këtë bëje në një formë të tillë, ku të spikasë dashuria, dashamirësia dhe përkujdesi yt mbi fenë dhe dynjanë e tij. Kur të prekësh dëshirën e tij për t’u ndrequr, propozoi atij largimin e internetit për një farë kohe ose largimin e aparaturës së kompjuterit nga shtëpia, derisa ai të rikthej balancimin e tij, kontrollin e vetvetes dhe të mundet të kthehet në jetën e tij normale, tek bashkëshortja, fëmijët, puna dhe shoqëria e tij, e para së gjithash tek Zoti i tij.
Ti mund ta bësh këtë, duke treguar durimin dhe sinqeritetin që mund ta tregojë vetëm një grua e denjë, duke u përpjekur ta shpëtosh burrin tënd nga humbja dhe familjen tuaj nga degradimi. Gjithsesi, ai mund të insistojë në të tijën. Këtu tregoi se ti ndoshta do i drejtohesh një pale të jashtme që t’ju ndihmojë ju të dyve të dilni nga ky qorrsokak. Propozoi atij të shkojë të konsultohet tek ndonjë psikolog specialist, tek ndonjë klerik fetar, ose tek ndonjë specialist i çështjeve bashkëshortore. Një gjë e tillë ofron një ndihmesë të madhe, por është shumë e rëndësishme që të kryhet në një atmosferë sekrete.
Nëse ai e refuzon edhe këtë, bëji të ditur se ti ndoshta je e detyruar t’u drejtohesh disa të afërmve, të cilët ai i vlerëson dhe respekton. Jepi atij një afat të caktuar mbi këtë vendim tëndin, se ndoshta diçka e tillë e bën atë t’i bëj llogaritë nën konturin e zbulimit të çështjes së tij për të tjerët, gjë që mund ta bëjë atë të heq dorë. Nëse ai insiston në të tijën, atëherë nuk ka problem që t’i drejtohesh realisht dikujt prej të afërmve që të ndërmjetësojë, por bëje këtë duke pasur parasysh kushtet në vijim:
“Tregoji atij për këtë, përzgjidh për konsulent njeriun më të denjë që njihet për urtësinë dhe inteligjencën e tij dhe bëj kujdes, që një gjë e tillë të jetë në kornizën e fshehtësisë, që çështja në fjalë të mos shkojë në veshët e tërë familjes dhe imazhi i tij të lëkundet, ashtu që pasi të ndjejë se ai tanimë është demaskuar, të vijojë përtej vesit të tij”.
Gjatë gjithë kësaj, duhet të tregosh kujdes për veten, fëmijët dhe shtëpinë, me qëllim që mos t’i humbësh ato, teksa përpiqesh të shpëtosh tët shoq nga mbytja. Angazhohu që yt shoq të shohë tek ti gruan e devotshme, me vlerë, të pastër, të dëlirë, të sinqertë, dhe kjo ka për ta përmendur atë kundrejt pisllëkut, pornografisë dhe tradhtisë ku është zhytur. Nëse tek ai ka mbetur hapësirë për fetarizmin, përkushtimin dhe dëlirësinë e zemrës, do shikosh ai ka për t’u kthyer tek ti në momentin kur të përmendet dhe të zbulojë ndyrësinë e jetës ku është zhytur, falsitetin dhe lustrën e rreme me të cilën është magjepsur. Kështu ai do njohë dallimin midis prostitutave dhe prostitucionit si profesion dhe grave që janë të dëlira, të pastra, të sinqerta dhe besnike për shtëpitë, burrat dhe fëmijët e tyre, gjë që do e këndellë shpirtin e tij kah jeta me vlerë, pastërti dhe dëlirësi, të cilën ai e ka njohur më parë, gjatë kohës kur ishte në rrugën e drejtë.
Gjatë gjithë kohës mos ndalo së bëri dua (lutje) për të në namazin tënd, që Allahu ta udhëzojë zemrën e tij dhe ta bëjë atë të triumfojë mbi epshet dhe tekat e tij, mbi dobësinë e tij dhe sundimin e shejtanit. Të duhet gjithashtu të shikosh brenda teje, të kërkosh falje për mëkatin tënd dhe ta pastrosh jetën tënde nga çdo gjë, që mund ta përlyejë atë.
Dije se udhëtimi i burrit tënd drejt shërimit ka të bëjë me largimin e tij prej narkomanisë ku ka rënë, kërkimin e tij për të vijuar zhvillimin e tij normal si person, kompletimin e maratonës së zhvillimit tënd ekuivalent si grua, zhvillimin në rritje (edhe pas rikthimit në normalitet) të të dy juve si bashkëshortë dhe pastaj atë të zhvillimit tuaj si familje.
Në fakt mua më shqetëson fundi i letrës tënde, kur thua: “Nuk di si të veproj, teksa entuziazmi po më sos, po dobësohem dhe sillem me sjellje të pamatura….”
Kam frikë për ty mos e humbësh kontrollin mbi veten tënde, i çdo trajte qoftë, duke shkuar kështu dëm çdo gjë. Që të ruash ekuilibrin tënd dhe të mbetesh e aftë të menaxhosh ngrohtësinë e shtëpisë dhe për një përmendje të bashkëshortit, të duhet të ndalosh tërësisht së gjurmuari bisedat e tij apo të faqeve që ai frekuenton, që mos të rrotullohesh me të në të njëjtën vorbull infeksioni dhe ta humbasësh aftësinë tënde shpëtimtare, për të cilën ai ka aq nevojë, por edhe shtëpia dhe fëmijët.
Një ndihmesë e madhe për ty Në mënyrë që ta përmbash lëndimin e këtij udhëtimi shpëtues dhe zhvillues të shëndetit të familjes, një ndihmesë e madhe për ty është një shoqëri të mirë, që të furnizon rishtazi me karburant dhe të ndihmon që bashkë me familjen tënde ta kapërcesh këtë krizë, ta vazhdosh udhëtimin e zhvillimi të duhur dhe normal në jetë, duke synuar fitimin e kënaqësisë së Allahut.
Dhe dije se çdo përpjekje që bën dhe çdo vuajtje që të mundon nuk shkon kot, por vendoset në peshoren e të mirave të tua, ta përforcon aftësinë për të qenë rezistuese dhe luftarake, si dhe i zhvillon mjeshtëritë e tua jetike.

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit