13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

13 rregulla për ndalimin e fëmijës nga sjelljet e padëshiruara.

Më të lexuarat

Nga: Doktor. Mustafa Ebu Sead

13 rregulla për ndalimin e fëmijës nga sjelljet e padëshiruara.

Vëllezër dhe motra, selam alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu…
Jemi të kënaqur të takohemi sërish së bashku në këtë trajtesë të re, ku do flasim mbi rregullat e edukimit dinjitoz të fëmijës, përmes hapave të edukimit pozitiv.
“Mos e ndalo apo privo fëmijën tënd, përveçse për diçka të domosdoshme”, përbën një nga principet e arta edukative.
Ky rregull i artë na mëson, se suksesi në eliminimin e sjelljeve negative të fëmijëve tanë, nuk qëndron thjesht tek ndalesat, privimet dhe vërejtjet e tepruara që ne prindërit u japim atyre. Edhe pse ne nuk duhet t’i lëmë fëmijët tanë të veprojnë si të duan, sërish duhet që të ndjekim një linjë të mesme dhe të balancuar në brumosjen e tyre me rregullat pozitive edukative. Rëndësia e këtij balancimi qëndron në faktin, se ai ka një rol tepër disiplinues, i cili i jep fëmijës qetësi, norma dhe standarde, që e bëjnë atë të ndihet i lirë dhe i emancipuar.
Me qëllim që të jemi të aftë ta praktikojmë në një mënyrë sa më efikase këtë rregull kyç të edukimit pozitiv, duhet të dimë se gjenden trembëdhjetë hapa dhe norma për të perfeksionuar ushtrimin dhe implementimin e këtij rregulli.
I nderuar prind edukator! Nëse dëshiron ta ndalosh fëmijën tënd nga një çështje e padëshiruar, të duhet të angazhohesh me principin edukativ “Ndalo vetëm atëherë kur është e domosdoshme”.
Për të qenë sa më efikas në zbatimin dhe zbritjen në terren të këtij parimi, të duhet të respektosh normat apo rregullat në vijim:
Rregulli apo norma numër një është, asnjëherë mos e ndalo fëmijën tënd, përveçse për gjëra që duhen ndaluar medoemos. Prandaj lypset që ne si prindër të mos e ushtrojmë pa masë dhe kriter privimin apo ndalimin e fëmijëve, por duhet ta ndalojmë dhe privojmë  fëmijën, vetëm nëse një gjë e tillë është realisht e domosdoshme. Kur fëmijës i jepet e drejta që për shembull prej dhjetë gjërave të mundshme të bëjë nëntë zgjedhje, ai zakonisht pa kurrfarë debati pranon që të privohet nga një gjë e vetme, por nëse e teprojmë, atëherë fëmija bëhet i pabindur. Që tek fëmija të mos prishet baraspesha midis shanseve të tij për të zgjedhur dhe rasteve të privimit, për këtë duhet që fëmija të privohet vetëm kur një gjë e tillë është e domosdoshme, apo thënë ndryshe duhet që fëmija të ndalohet dhe privohet vetëm për një gjë, që duhet ndaluar medoemos, pasi ka pasoja serioze për fëmijën, si për shembull ndalimi i fëmijës që të lozë me shkrepëse, që të lozë mbi tarracën e shtëpisë, etj; pasi këto gjëra përbëjnë një kërcënim real për fëmijën. Pra lypset që privimi apo ndalim i fëmijës së pari të bëhet sa më rrallë, së dyti të jetë në një rast të domosdoshëm dhe së treti të jetë i interpretuar dhe arsyetuar qartë.
Rregulli i dytë është, që shtysat e ndalimit apo privimit të fëmijës tënd, të mos e kenë kurrsesi burimin tek tekat e tua personale. Mos e pengo fëmijën që të ushtrojë të drejtën e tij për të lozur, thjesht sepse ti je i nxehur, po shikon televizor, etj. Në fakt, kjo ndodh dendur në familjet tona. Shpeshherë, ne prindërit, thjesht sepse duam të qetësohemi, i privojmë dhe ndalojmë fëmijët tanë nga gjëra, që konsiderohen si të drejtat e tyre të natyrshme. Fëmija ka të drejtë të lozë, të lëvizë, të vijë tek ti, të lozë me ty, etj. Nuk është e drejtë, që ne si prindër, për shkak se jemi të nevrikosur apo nisur nga tekat tona personale, t’i privojmë fëmijët tanë nga të drejtat e tyre.
Prandaj i nderuar prind edukator, bëj kujdes që të mos jenë tekat e tua personale, vendi nga ku burojnë shtysat për privimin e fëmijës tënd, sepse ashtu siç është e drejta jote që të pushosh, po ashtu është e drejta e fëmijës që ai të lozë. Kurrë nuk është e mundur, që fëmija i vogël të jetë kopja e prindit të tij të rritur. Ti si prind, kur vjen në shtëpi, shtrihesh që të qetësohesh, ndërsa fëmija yt qetësinë e tij e ka tek loja, pasi natyra e personalitetit të fëmijës përkon me natyrën e periudhave të zhvillimit ku gjendet fëmija dhe nëpër të cilat ai kalon> Prandaj nga gjërat më normale të fëmijës në këtë stad është lëvizja e tij pareshtur.
Pra nuk qenka e drejtë dhe sjellje pozitive, që ta ndalosh dhe privosh fëmijën tënd, thjesht sepse tekat e tua nuk e përtypin sjelljen e tij. Duhet ditur, se ashtu si ti që ke të drejtat e tua në sende të caktuara, po ashtu edhe fëmija yt ka të drejtat e tij në sende të caktuara dhe gëzon të drejtën, që ta jetojë jetën e tij në mënyrë të natyrshme.  
Rregulli i tretë është, që të mos e shndërrosh fëmijën tënd në një objekt, mbi të cilin ti shfryn stresin, mllefin, vuajtjet dhe mundimet e tua, përmes direktivave, privimeve dhe ndalesave që jep. Ajo që vihet re është, se disa prindër, qofshin këta baballarë apo nëna, i shfryjnë mbi fëmijët e tyre depresionet dhe trysnitë e tyre shpirtërore, me të cilat ndeshen gjatë jetës së tyre të përditshme, në punë, shtëpi apo gjetkë. Të tillët duke qenë se nuk janë afirmuar në teknikën e shkarkimit të trysnive shpirtërore, sapo hyjnë në shtëpi, e shfryjnë këtë trysni mbi fëmijët e tyre, duke bërtitur, duke privuar pa kriter dhe masë, duke bërë vërejtje, duke sharë, kritikuar, fyer apo mjete të tjera negative të kësaj natyre. Shfryrja  e këtillë përbën thelbin e edukimit negativ të fëmijës. Pikërisht këtu qëndron dhe rreziku. Prandaj i nderuar prind edukator, lypset që ne të afirmohemi në mjeshtërinë e evitimit të streseve dhe trysnive tona shpirtërore, përmes kënaqjes me fëmijët tanë, përmes lojës me ta dhe përmes endjes që dhuron edukimi i tyre. Kështu, nëse unë hyj në shtëpi i stresuar dhe lodhur në kulm dhe sapo hyj i përqafoj fëmijët e mi, i puth ata dhe shpalos ndjesinë e dashurisë dhe dashamirësisë, që lidh midis meje dhe fëmijëve të mi, në këtë formë unë arrij t’i hedh tutje lehtësisht të gjithë trysnitë dhe depresionet shpirtërore të akumuluara tek unë gjatë ditës. Në vend që fëmijët e tu të bëhen shkarkuesi, ku ti shkarkon stresin, përmes përqafimit, qeshjes, puthjes etj, ti si prind dhe kryefamiljar, bashkë me stresin tënd shkarkon edhe stresin e anëtarëve të tjerë të familjes, në veçanti atë të fëmijëve të tu. Kësisoj  fëmijët tanë bëhen për ne faktori më efikas, i cili na ndihmon që të çlirohemi nga vuajtjet dhe streset ditore të jetës. Kjo është shumë e rëndësishme… Kurrsesi nuk duhet t’i shndërrosh fëmijët e tu në objekte, ku ti shfryn zemërimin, stresin, vuajtjet dhe tensionimet e tua.
I  nderuar prind edukator! Dije se ti ke për t’i dhënë jetë këtij rregulli, vetëm atëherë kur ta konsiderosh edukimin e fëmijëve të tu realisht kënaqësi dhe argëtim, kur shkëmbimin e emocioneve pozitive midis teje dhe fëmijëve të tu, përqafimet, puthjet dhe raportet e denja prind-fëmijë, t’i konsiderosh ashtu siç janë faktikisht, burim qetësie dhe relaksimi.
Rregulli i katërt kërkon, që kurrë të mos e ndalosh dhe privosh fëmijën, duke qenë  i nxitur nga shtysa hakmarrëse. Nëse do shtronim pyetjen, a hakmerret dhe hakërrohet prindi ndaj fëmijës, sidomos nëna?, – përgjigja është “po”. Ne prindërve na ndodh disa herë, të hakmerremi ndaj fëmijëve tanë. Këtë gjë e shpjegon fakti, se ç’gjë tjetër veç hakmarrjes na bën ne prindërve që t’i ndëshkojmë apo dënojmë fëmijët tanë dhe t’i privojmë nga një gjë e caktuar, sidomos në rastet kur ne i ndëshkojmë fëmijët tanë, thjesht sepse nuk na lenë të çlodhemi, apo sepse nuk na lenë të qetë të ndjekim një program televiziv të preferuar nga ana jonë, qoftë ai debat televiziv, një film, një ndeshje futbolli, etj. S’ka dyshim, se ndëshkimi apo privimi që ne u bëjmë fëmijëve tanë, bazuar në shtysat e mësipërme, është me tendenca hakmarrëse.
I nderuar prind edukator! Gjithashtu nëse mua si prind më ndodh që ta ndëshkoj fëmijën tim me fytyrë të vrenjtur, duke mos i folur dhe duke vendosur barriera midis meje dhe atij, kjo sjellje përbën një ndëshkim me shtysë hakmarrëse, që ti si prind e ndërmerr kundrejt fëmijës tënd. Po kështu, nëse ti je nga ata prindër, që e ndëshkojnë fëmijën e tyre dhe pasi e ndëshkojnë atë sillen ftohtë dhe mbajnë qëndrim të vrazhdë ndaj tij, ti nuk vepron me fëmijën tënd mbi shtysa edukative, por vepron me të mbi shtysa hakmarrëse. Përse duhet ta ndalosh fëmijën tënd që të të shikojë, të të buzëqeshë, ta ndalosh nga shkëmbimi emocional, përqafimi, ledhatimi, lidhja shpirtërore, etj? Qëndrimi privues i ka shkaqet dhe motivet tek hakmarrja, kurse qëndrimi pozitiv shpirtëror i ka shkaqet dhe motivet tek edukimi pozitiv.
Në krahun tjetër, kur ti ndjen keqardhje dhe dhembshuri për fëmijën tënd, edhe nëse ti si prind ai që e ndëshkon fëmijën tënd, në këtë rast konsiderohesh edukator i suksesshëm, pasi kështu ti përcjell tek fëmija yt mesazhin, se ti nuk je prej atyre prindërve që i urrejnë fëmijëve e tyre dhe u hakërrohen atyre, se ti je një person që e do fëmijën tënd dhe se ajo çfarë ti urren tek fëmija yt, janë sjelljet e tij dhe jo personi i fëmijës tënd. Kësisoj ti arrin të perfeksionosh teknikën e ndarjes së sjelljes nga personi, duke u bërë prindi pozitiv që “e do fëmijën e tij, por urren sjelljen e tij të gabuar”. Kurse kur prindi sillet me fëmijën e tij, nisur nga shtysa hakmarrëse, ai nuk arrin ta bëjë ndarjen midis personit të fëmijës dhe sjelljes së tij, duke rënë edhe në urrejtjen e sjelljes së fëmijës, por edhe në urrejtjen e personit të tij; dhe pikërisht ky është edhe mesazhi që i arrin fëmijës.
Prandaj i nderuar prind edukator, kurrë mos e pengo, ndalo apo privo fëmijën tënd, i  nxitur nga shtysa hakmarrëse.
Rregulla e pestë është, që të mos i kalosh tek fëmija yt zhgënjimet dhe disfatat që ti ke provuar në të shkuarën tënde fëmijërore, qoftë në familje, qoftë jashtë shtëpisë. Dikujt prej prindërve mund t’i ketë ndodhur, që kur ka qenë fëmijë, ka rënë viktimë e persekutimit, persekutim të cilin më pas ai ia përcjell fëmijëve të tij.
Kështu për shembull: disa prindër, të cilët janë edukuar me ndëshkim dhe rrahje, mendojnë se ia vlen që edhe fëmijët e tyre t’i edukojnë kësisoj. Kjo nuk qëndron, por përbën një metodë të ashpër dhe të keqe edukative. Ajo që duhet është, që ti nëse si prind, ke rënë pre e persekutimit dhe keqtrajtimit kur ke qenë foshnje, duhet që të mos ia përcjellësh fëmijëve të tu këtë gjë. Nuk është aspak e drejtë t’u thuash fëmijëve të tu: Mua më rrihnin, kur isha i vogël dhe ja tani jam bërë një njeri i suksesshëm. Ndodh që nga rrahja dhe vrazhdësia e sjelljes së prindit, fëmija të ketë sukses në studimet e tij, në punën e tij, etj, por pyetja që duhet t’i bëjmë një prindi, që shprehet se dajaku i ka bërë mirë, është: A nuk duhet që për të nxjerrë konkluzion mbi suksesin tënd dhe të çdokujt tjetër, të bëjmë fjalë për një sukses që përfshin të gjithë lëmenjtë e jetës humane?! A mos vallë dhuna dhe persekutimi që u ushtruan mbi ty, ishin faktorët, që të kanë bërë ty njeri novator, njeri që kontribuon shumë?! A ka ndikuar edukimi me “dajak” që ti të respektosh kohën, personalitetin e njeriut, të posedosh teknikat e duhura sa i përket vendimmarrjes dhe konfliktit, novacionit dhe ideimit, si dhe të jesh një njeri udhëheqës me kuptimin e vërtetë të fjalës?!
Ne duam, që pikërisht këto dhe të tjera suksese të jenë prezent tek personaliteti i njeriut, me shpresë që të jetë një njeri i suksesshëm në gjërat që e rrethojnë.
Dikush mund të thotë: “Prindërit tanë nuk i dinin të gjitha këto metoda dhe mjete edukative, na edukuan duke na rrahur dhe ndëshkuar, por ne jemi shumë më mirë në krahasim me gjeneratën e sotme”.
Të tillëve u themi, se jemi pikërisht ne prindërit, ata që qëndrojmë pas kësaj gjendje mjerane të gjeneratës së sotme. Po, po, jemi ne prindërit që deshëm s’deshëm, kemi mbetur shumë mbrapa, sa i përket zhvillimeve njerëzore dhe progresit human. Ndoshta jemi para sa i përket aspektit moral, por për të qenë njeri i zhvilluar, nuk mjafton të përparosh vetëm në aspektin moral, por duhet që të përparojmë edhe në aspektin shkencor, kulturor, civil, krahas atij të adhurimit dhe lidhjeve me Allahun e Lartësuar, etj. Ky është përparimi i vërtetë, përparim që nuk njeh zmbrapsje në asnjë lëmi dhe aspekt. Ky është besimtari i fuqishëm dhe i efektshëm, të cilin e do Allahu i Lartësuar.
Edhe një herë i nderuar prind edukator, nuk duhet kurrsesi të importojmë tek fëmijët tanë zhgënjimet dhe persekutimet tona edukative të vegjëlisë, por nëse me ne kanë ngjarë të tilla gjëra, duhet t’i harrojmë ato dhe ndjesitë e tyre, si dhe nuk duhet t’i përçojmë këto ndjesi të hidhura tek fëmijët tanë. Kurse nëse ti prind i nderuar vazhdon ende të mos shkëputesh nga disfatat dhe lëndimet e tua fëmijërore e për më tepër nëse i përçon ato edhe tek fëmijët e tu, duke i pretenduar si pozitive, kjo tregon për një defekt serioz në personalitetin tënd, madje tregon se ndoshta personaliteti yt ka nevojë edhe për trajtim dhe kurim psikologjik kundrejt sindromës të shfaqur tek ti, të quajtur “izolimi në të shkuarën e trishtë”. Lypset të kurohemi nga e shkuara, me qëllim që të lumturojmë të tashmen tonë. Disfatat e të shkuarës mund të jenë aspekte serioze, që dëmtojnë personalitetin e personit dhe prej tyre mund të shpëtohet, duke i transformuar ato në stacione të forta jetike, që shërbejnë për një kthesë dhe reflektim, drejt reformimit dhe përsosjes së raporteve familjare dhe më gjerë.
Rregulli i gjashtë është, që të mos i bësh raportet e tua me fëmijët e tu raporte lart-poshtë, pra raporte autoritare të natyrës “më i forti dominon mbi më të dobëtin”. Diçka e tillë konsiderohet gabim i rëndë në edukimin brenda familjes. Kur mentaliteti “Unë jam prind dhe kam pushtet dhe autoritet mbi fëmijën tim” reflektohet nga ana jote, kjo vetëm sa i mëson fëmijës tënd t’i nënshtrohet verbërisht nocionit të forcës dhe pushtetit, nocionit autoritet-vartësi. Nëse fëmija yt të bindet ty, sepse ti ke muskuj më të fuqishëm se ai, kjo do të përbëjë një rregull të gabuar për të, rregull të cilit ai do t’i nënshtrohet në të ardhmen e tij. Për shembull, kur fëmija yt të hyjë në shkollë, ai do t’i nënshtrohet çdo fëmije, që është më i madh dhe më i fuqishëm se ai dhe kjo do vijojë me të edhe në moshën e tij deçizive, në adoleshencë. Prandaj për shembull, kur një adoleshent më i fuqishëm dhe më autoritar se fëmija yt, do të vijë dhe do t’i ofrojë atij të pijë një cigare, fëmija yt nuk ka për ta bërë dysh fjalën e tij, si pasojë e parimit të gabuar të “bindjes kundrejt më të fortit”, që ti si prind i mësove atij, direkt apo indirekt, me dashje apo pa dashje.
I nderuar prind edukator! Nuk duhet kurrsesi, që raportet e mia si prind me fëmijët e mi, të jenë raporte të tipit hierarkik apo imponues.
Në fakt raportet që duhet të vendos midis meje dhe fëmijëve të mi, duhet të jenë raporte vlerash, principesh, dialogu dhe bindjeje. Kurrë mos bjer në gabimin, që fëmija yt të të bindet, sepse ti je më lartë se ai apo je më i fortë nga ai, se ke pushtet mbi të dhe mund ta imponosh dhe privosh atë; duke mos i dhënë një të drejtë të caktuar,  duke e privuar nga shëtitja, argëtimi etj. Kurrsesi nuk duhet ta imponosh fëmijën tënd, që të të bindet përmes këtyre metodave autoritare.
I nderuar prind edukator! Duhet ta vlerësosh me seriozitet këtë pikë shumë të rëndësishme. Bëj kujdes, që raportet midis teje dhe fëmijës tënd të mos jenë mbi trysninë e autoritetit dhe forcës, nëse nuk do, që fëmija yt ta kopjojë këtë parim të gabuar në kokën e tij dhe mbi bazën e tij ta xhirojë shiritin e ardhmërisë së tij në jetë.
I nderuar prind edukator! Lejomë që në kuadrin e këtyre që thamë,  të shtrojmë pyetjen e rëndësishme: “Përse devijojnë njerëzit”?
Dikush i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke thënë: Shkaku kyç i devijimit është shoqëria e keqe. Shkencëtarët e zhvillimeve njerëzore shprehen, se shoqëria e keqe nuk është shkaku kyç për devijimin e fëmijëve. Studimet tregojnë, se shoqëria e keqe ndikon tek individi, ngaqë e gjen atë të shkundur, e gjen me një identitet dhe personalitet të luhatur dhe prej këtu shoqëria e keqe arrin që ta shtyjë këtë person nga e keqja. Ky është pa ekzagjerim caku i efektit të shoqërisë së keqe. Nëse fëmija im është një person bosh, çdo njeri do arrijë ta komandojë atë. Kështu, nëse atij i afrohet një person i keq, ai do ta komandojë lehtësisht tek devijimi dhe nëse atij i afrohet një person me vlera, ai do ta komandojë lehtësisht tek vlerat.
Kësisoj ne si prindër duhet të synojmë, që të rrisim  fëmijë me personalitet të fuqishëm, të paluhatur dhe të ndërgjegjshëm, që edhe nëse për një arsye apo një arsye tjetër, atij i takon që të ketë kontakt me shoqërinë e keqe, fëmija të mos ndikohet prej saj. Kjo do të arrihet, vetëm kur unë si prind e edukoj dhe imunizoj fëmijën tim që të mos ndikohet nga “ligji i më të fortit dhe më të pushtetshmit”. Një fëmijë i edukuar kështu, nëse shoqëria e tij për shembull duan t’i mësojnë të pijë cigare, nuk ka për të rënë në këtë ves, pasi ai është i bindur se përse nuk duhet të pijë duhan, nisur nga edukimi pozitivi që ka marrë prej prindit të tij, i cili çdo sjellje të këtij fëmije e ka strukturuar dhe ngritur mbi vlera, bindje dhe principe. Pirja e duhanit nuk bazohet kurrsesi në vlera dhe principe, prandaj femja yt nuk do të ndikohet nga shoqëria e keqe në këtë aspekt.
Në krahun tjetër, nëse raporti që dominon midis teje dhe fëmijës tënd, është një raport i natyrës autoritare, lartë-poshtë, i fortë-i dobët, epror-vartës; atëherë ky fëmijë është i predispozuar, që në të ardhmen e tij të devijojë lehtësisht, sapo të bjerë në kontakt me shoqërinë e keqe.
I nderuar prind edukator! Duhet ta dimë se me lejen e Allahut, jemi ne prindërit që ndikojmë fuqishëm në strukturimin dhe ndërtimin e ardhmërisë së fëmijëve tanë.
Pra i nderuar prind edukator, ti baba dhe ti nënë e nderuar, mos lejo që raportet midis teje dhe fëmijës tënd të jenë raporte të natyrës autoritare ose imponuese.
Rregulli i shtatë është, që kur ta ndalosh fëmijën tënd nga një gjë e domosdoshme, çoje deri në fund këtë ndalimi, me qëllim që kështu t’i mësosh fëmijës tënd rregullin dhe përpikërinë. Na ndodh shpesh në raportet tona familjare, që me të drejtë t’ua ndalojmë fëmijëve tanë disa gjëra, por pastaj shumë shpejt fillojmë të bëjmë lëshime në to, gjë që ndikon tek fëmijët që ata të mos u përmbahen këtyre ndalesa. Kjo bën, që në mentalitetin e fëmijëve tanë të mbillen principe të gabuara, të cilat s’ka dyshim se do ndikojnë negativisht tek fëmijët tanë.
Duhet që fëmijët tanë, në fjalët dhe sjelljet tona prindërore që ne u drejtojmë atyre, të mësojnë ndjesinë e rregullit dhe përpikërisë. Në mënyrë që prindi, sidomos babai, të arrijë ta kryejë më së miri rolin e tij edukativ, duhet medoemos të jetë njeri me personalitet dhe peshë. Normalisht duhet të kemi kujdes dhe të bëjmë dallimin midis forcës, dominimit dhe peshës. Forca dhe autoritarizmi nuk bëjnë pjesë tek nocionet tepër të rëndësishme të nevojshme për procesin e edukimit pozitiv, ndërsa nocioni i personalitetit apo peshës, bart në palat e tij respektin dhe vlerësimin e fëmijës tënd për ty i nderuar prind edukator, gjë kjo tepër e rëndësishme për suksesin e procesit pozitiv edukativ.
Kësisoj, nëse unë si prind e ndaloj fëmijën tim siç thamë për gjëra të domosdoshme në përputhje me norma dhe kritere, që nuk bën të anashkalohen, jo me shtysë hakmarrëse, por me qartësi dhe vizion, duke mos u ndikuar nga disfatat e mia të trashëguara nga e kaluara ime fëmijërore dhe më gjerë, duke u treguar i vendosur, rigoroz dhe i qëndrueshëm në direktivat e këtij soji, në këtë formë unë arrij t’i mësoj fëmijës tim, që të jetë i rregullt dhe të brumoset me norma dhe standarde.
Kështu për shembull, kur unë e ndaloj fëmijën tim të luajë me shkrepëse, nisur nga dëmi i djegies të mundshme prej një sjelljeje të tillë, duhet që t’i shkoj deri në fund këtij qëndrimi ndalues, duke e ndaluar atë nga kjo sjellje me të gjitha metodat e pranueshme dhe të vlefshme edukative. Në këtë rast, mosbërja lëshime fëmijës që të lozë me shkrepëse, mbi bindjen se ky privim është i domosdoshëm, është në vendin e duhur, ndaj dhe unë si prind i shkoj deri në fund atij. Rezistenca jonë dhe mos lëshimi pe në një rast të tillë, i mëson fëmijës rregullin dhe disiplinimin. Shoqëritë tona vuajnë pikërisht nga mungesa dhe prania e vogël e rregullit në përditshmërinë tonë, në lëmenjtë më sensibël shoqërorë, që vërehen qartë në raportet tona të brishta dhe të padisiplinuara në familje, punë dhe shoqëri. 
Duhet të mbjellim ndjesinë e rregullit dhe disiplinës në familjet dhe shoqëritë tona. Kjo përbën standardin edukativ, që siguron kultivimin tek fëmijët tanë të sjelljeve më produktive të mundshme. Dhjetë vitet e para të jetës janë mosha më e mirë, në të cilën mund t’i mësohet njeriut rregulli dhe disiplina. Pikërisht në këtë dhjetëvjeçar të parë të jetës, lypset që t’u mësojmë fëmijëve tanë rregullin, vlerësimin, respektin, konsideratën, etj.
I nderuar prind edukator! Kur të ndalosh diçka të domosdoshme, duhet t’i përmbahesh dhe t’i shkosh deri në fund, që kështu t’i mësosh fëmijës tënd ndjenjën e rregullit, disiplinës dhe preokupimit.
Rregulli i tetë është, të përpiqesh që sa herë që i ndalon fëmijës tënd diçka, synimi të jetë vetëm e mira e fëmijës, gjë kjo që do ta pasurojë fëmijën me ndjenjën e sigurisë dhe do të copëtojë barrierat prezente midis teje dhe fëmijës.
Ky rregull është i rëndësishëm, duke qenë se ai më mëson mua si prind, që kur unë ta ndaloj fëmijën për diçka, mos ta bëj këtë me shtysa egoiste, për të nxjerrë në pah dominimin tim mbi fëmijën. Përkundrazi ky rregull më mëson, që ta ndaloj fëmijën në një formë të tillë, që atij t’i bëhet e qartë, se unë si prind po e ndaloj atë vetëm për të mirën e tij, me gjuhën e situatës që i thotë fëmijës tim: “Kështu fëmija im i dashur, unë po t’i ndaloj ty disa lojëra, vetëm sepse ato përbëjnë rrezik serioz për ty dhe mund të të dëmtojnë. Po t’i ndaloj ato vetëm për të mirën dhe interesin tënd”. Një prind edukues i suksesshëm, i vendos bordurat e fëmijës së tij gjithmonë në kallëpin e dobisë së fëmijës. Kjo është diçka e domosdoshme në ndalesat, që unë si prind i jap fëmijës tim. Ato janë të suazës “çdo gjë që unë ia ndaloj fëmijës tim, në radhë të parë e bëj për të mirën e tij, duke e vënë interesin e fëmijës tim para interesit tim prindëror, para interesit familjar dhe atij shoqëror”. Veç angazhimit tim me këtë rregull, lypset që unë si prind t’ia argumentoj fëmijës tim ndalesën që i bëj; gjë e cila më ndihmon t’i eliminoj barrierat prind-fëmijë.
Disa fëmijë mendojnë se prindërit e tyre i ndalojnë dhe privojnë, sepse i urrejnë. Për të evituar këtë hamendësi, e cila krijon barriera të vështira midis prindit dhe fëmijës, lypset që kur unë si prind ta ndaloj dhe privoj fëmijën tim nga diçka, ta bëj këtë vetëm e vetëm për të mirën dhe interesin personal të fëmijës tim.
Kjo mund të realizohet, kur unë si prind ia shpjegoj dhe arsyetoj fëmijës tim shkakun e ndalesës që i bëj.
Kjo përbën edhe rregullin e nëntë, pra shpjegimi i arsyes së ndalesës apo privimit që unë si prind i bëj fëmijës tim, nën modelin: “Fëmija im i shtrenjtë, mos luaj me shkrepëse, që të mos digjesh!”, rregull ky  që përbën një nocion apo kuptim thelbësor në edukimin pozitiv.
Rregulli i dhjetë është, që sjelljen negative të fëmijës ta transformosh në një sjellje pozitive. Fëmijët tanë disa herë veprojnë gjëra negative, pra bien në sjellje negative. Në këtë rast ajo që ne duhet të bëjmë, është që t’i mësojmë fëmijët tanë, duke i kanalizuar reagimet apo sjelljet negative të tyre në shtretër pozitivë të ushtrimit të sjelljes. Kështu për shembull nëse fëmija im bën dëm në orenditë e shtëpisë, nuk është mençuri dhe nuk hyn tek edukimi pozitiv, që unë si prind ta ndaloj atë nga kjo, duke ia lidhur duart për shembull, ose duke e ndëshkuar ose duke e privuar. Në fakt, ajo që unë si prind duhet të bëj, është që maninë e fëmijës për të prishur orenditë, ta shndërroj tek fëmija në një mani pozitive, për shembull ta vendos fëmijën të lozë me lodra, që montohen dhe çmontohen, ta vendos atë të grisë apo prishë diçka që dua ta eliminoj e kështu me radhë. Po kështu nëse fëmija im është shumë i lëvizshëm, në këtë rast prej unë si prind duhet ta orientoj atë të merret rregullisht me sport, qoftë në një kënd të shtëpisë, qoftë në ndonjë klub.   
Në procesin e edukimit pozitiv, kjo përbën rregullin e rëndësishëm “Transformo dhe mos gjymto!”. Ky rregull presupozon, që të gjitha sjelljet dhe energjitë e fëmijëve tanë, që janë orientuara në një linjë negative, t’i orientojmë në një linjë pozitive.
Rregulli njëmbëdhjetë është: “Mos e ndalo apo privo fëmijën, duke e ngritur zërin dhe duke bërtitur!”
Ne si prindër lypset që ta edukojmë fëmijën tonë, të largohet nga ato gjëra, që nuk duhet t’i kryejë, por këtë duhet ta bëjmë në një formë pozitive dhe të përshkallëzuar. Kjo gjë nuk duhet bërë kurrsesi duke i bërtitur në fytyrë. Është fakt, se kur të mëdhenjtë u bërtasin në fytyrë fëmijëve të tyre të vegjël, nuk bëjnë asgjë më shumë sesa u drejtojnë fëmijëve një apel për sfidë dhe kokëfortësi, duke i nxitur fëmijët të këmbëngulin në sjelljen e tyre të keqe. Prandaj studimet kanë theksuar, se bërtitja konsiderohet nga metodat më të këqija dhe më negative të edukimit dhe ndërveprimit me fëmijët.
Rregulli dymbëdhjetë është: “Angazhohu të mos tregohesh paradoksal me fëmijën, pra mos i thuaj fëmijës diçka dhe të veprosh të kundërtën e saj!”. Kjo nënkupton, që ti si prind të mos tregohesh kontradiktor në sjelljet e tua me fëmijët e tu, si për shembull ta ndalosh fëmijën nga pirja e duhanit, ndërsa ti vetë të pish duhan, ta ndëshkosh për gënjeshtrën dhe ta urdhërosh të tregohet i sinqertë, ndërsa ti vetë të gënjesh dhe të mos tregohesh i sinqertë, qoftë gënjeshtra edhe e tipit: “Thuaji atij që më kërkon, se babi nuk është në shtëpi”, ndërkohë që ti je në shtëpi, etj.
Duhet që kur ta ndaloj fëmijën tim nga një gjë, unë si prind të jem vetë i pari, që nuk bie në të.
Rregulli i trembëdhjetë është, që mua si prind më duhet të mësoj artin apo teknikën e ndalimit. Një nga gabimet e shpeshta, në të cilin bien prindërit, baballarët dhe nënat, është se ata në çështjen e ndalimit të fëmijëve të tyre, u përngjajnë pushtetarëve, që kanë marrë role dirigjuese dhe që të tjerët i konsiderojnë vartës të rëndomtë pa identitet, të cilëve nuk u mbetet tjetër, vetëm se të binden dhe nënshtrohen.
Njerëzit në përgjithësi, sidomos fëmijët, i refuzojnë gjërat, që u arrijnë atyre në formë direktivash urdhëruese dhe provokuese. Ndërsa në krahun tjetër, ata janë të gatshëm t’i pranojnë po këto direktiva, nëse ato vijnë në një formë të pranueshme të modelit dëshirues, ofrues, sugjerues apo stimulues, të formës “Sa do dëshiroja të të shikoja ta bëjë këtë gjë!”, “Sa bukur do qe të veproje kështu!”, “Të sugjeroj që ta bësh këtë gjë!”; dhe kështu me radhë. Midis këtyre dy metodave gjendet një dallim shumë i gjerë. Ka një ndryshim të madh që t’i drejtohesh fëmijës me “Mjerë ti po e bërë këtë! Mos e bëj këtë!” dhe “Sa do kënaqesha, që ti të mos e bëjë këtë! Sa bukur do ishte, që ta bëje këtë dhe jo atë!”.
Në fakt, këto metoda pozitive edukative, për të cilat bëmë fjalë, janë metoda kuranore. Është pikërisht Kurani, ai që na e mëson këtë teknikë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu do (kështu e kështu)…”, “Robërit e Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me modesti…”, “Kanë shpëtuar besimtarët të cilët në namazin e tyre janë të frikësuar”, “Udhëzim për të devotshmit”, etj. Që të gjitha këto metoda janë në vetvete rregullat më të mrekullueshme për implementimin e procesit të ndalimit dhe privimit.
Këto ishin trembëdhjetë rregulla, hapa apo udhëzime, të cilat nëse praktikohen, me lejen e Allahut, do përbëjnë bazën pozitive të edukimit të fëmijëve tanë.
Unë u lë në garancinë e Allahut, duke shpresuar të shihemi sërish në trajtesa të tjera mbi edukimin pozitiv të fëmijëve tanë.
Deri atëherë “Es Selamu Alejkum ue Rahmetullahi ue Bereketuhu”.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit