16.1 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Brinja e shtrembër

Më të lexuarat

Nga: Dr Amr Ebu Halil

Brinja e shtrembër

Një nga shokët e profetit Muhamed a.s u përfshi në një konflikt dhe zënkë me të shoqen e tij. Ai nuk gjeti zgjidhje tjetër veçse të shkojë dhe t’ia qajë hallin Prijësit të Besimtarëve, Umer ibnul Hattabit. Sa hap e mbyll sytë e pa veten tek porta e shtëpisë dhe trokiti në derë. Kështu i kishte mësuar kalifi i myslimanëve, sa herë që të kishin një problem, në radhë të parë të trokisnin derën e tij për t’ia qarë hallin. Umeri ndjente përgjegjësi edhe për kafshët nëse rrëzoheshin diku për shkak të rrugës së thepisur dhe të pashtruar.
Ky bashkëkohës i Profetit a.s, i bindur se kalifi Umer do ia qajë hallin, u drejtua për tek shtëpia e tij, trokiti derën dhe vetëm pasi kishte trokitur, dëgjoi potere brenda shtëpisë. Zëri i gruas së Umerit ishte goxha i lartë dhe dukej e zemëruar.
Kalifi i myslimanëve, Umer ibnul Hattabi të ketë konflikt me të shoqen?! – ishin fjalët e para që i erdhën ndërmend. Kjo e bëri që të marrë rrugën e kthimit. Umer ibnul Hattabit, nga i cili trembej vetë shejtani dhe ndërronte rrugë prej tij, i ngrinte zërin e shoqja!
Megjithatë, trokitja e portës kishte mbërritur tek veshët e Umerit, i cili duhej ti përgjigjej atij zëri, pasi ku i dihej, mund të ishte ndonjë nevojtar. Ai duhej ti gjendej pranë kujtdo, edhe pse mund të ishte koha e pushimit, apo qoftë dhe koha e grindjes me të shoqen. Ai hapi portën dhe pa një nga shokët e Profetit a.s të largohej. Umeri i thërret: O filan, ç’e mirë të solli tek unë?
Ai u kthye dhe i tha:”Erdha të ankohem për time shoqe, por pashë që edhe ti kishe të njëjtin hall. Prandaj nuk desha të ta shtoj dhe hallin tim dhe vendosa të largohem.”
Umeri, duke buzëqeshur i tha:”O filan! Ato janë gratë tona. Nëse urrejmë një sjellje të tyre, pëlqejmë një tjetër. Ato edukojnë fëmijët tanë dhe bëjnë punët e shtëpisë. Unë e kam dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë:”Gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar dhe pjesa më e lakuar e kësaj brinje, është maja e saj. Nëse kërkon ta shijosh, duhet ta shijosh me gjithë lakimin e saj. Por nëse do të orvatesh ta drejtosh, do e thyesh dhe thyerja e gruas është divorci. Prandaj unë u këshilloj të silleni mirë me gratë.”
Hadithi mrekulli
Porositë e përsëritura të Profetit a.s për tu sjellë mirë me gratë, gjatë haxhit të lamtumirës, madje dhe në çastet e vdekjes, më bënë të ndalem gjatë tek ky hadith mrekulli. Në fakt, unë i konsideroj të gjitha hadithet e sakta profetike, mrekulli në mënyrën e të shprehurit, konstruktit, qëllimit dhe orientimeve. Ndërkohë që hadithi i mësipërm, gëzon një status akoma më të veçantë, pasi ka pasur ndikim pozitiv në zgjidhjen e shumë problemeve familjare tejet komplekse. Për të treguar që hadithi jo vetëm që nuk e denigron femrën, por e trajton sipas konstruktit të saj emocional, do të sjell dy raste reale, të cilat tregojnë madhështinë e këtij hadithi në ngritjen e një jete familjare të ekuilibruar.
Egjiptiane, franceze dhe siriane
Ai ishte biznesmen i famshëm dhe aktivitetin e tij tregtar e kishte shtrirë edhe në rang ndërkombëtar. Projektet e tij ishin të mëdha dhe ishte goxha i suksesshëm në fushën e biznesit. Por, dështimi i tij i vërtetë ishte në jetën familjare dhe bashkëshortore. Ishte ai personalisht që erdhi në klinikën time për këshillim, bazuar në sugjerimin që i kishte bërë një i njohuri i tij, i cili kishte vënë re se po shkonte drejt divorcit të tretë dhe pothuaj me të njëjtën mënyrë.
Ai filloi të tregojë historinë e tij:”Fillimisht u martova me një egjiptiane, të cilën e zgjodha vetë nga një familje e njohur. Asokohe besoja se ajo i plotësonte të gjitha kriteret që kërkoja. Na lindi një vajzë e bukur. Por shumë shpejt shpërthyen konfliktet mes nesh. Ajo nuk më kuptonte dhe nuk ishte siç e doja. Konfliktet u thelluan derisa unë kalova në agresivitet fizik dhe fillova edhe ta rrah. Një herë, e rraha aq keq saqë përfundoi në spital. Familja e saj e kuptuan ferrin në të cilin jetonte e bija dhe ndërhynë, duke bërë që martesa jonë të përfundojë me divorc. Kjo më bëri të mendoj që gjithçka që kishte ndodhur, ishte për shkak të mentalitetit vendas, praj atij egjiptian. Kështu, vendosa të martohem me një evropiane, gjë të cilën ma lehtësoi fakti që udhëtoj shpesh në vende të ndryshme të botës për shkak të natyrës së punës time. Kështu, zgjedhja ime e dytë ishte një grua franceze. Pas disa muajsh, mbërrita në të njëjtin konkluzion si në rastin e parë. Ishte po i njëjti mentalitet femëror të cilin se pranoja dot. Konfliktet verbale ia lanë vendin kacafytjeve të dhunshme, derisa ajo ia mbathi një ditë për në Francë dhe u divorcuam.
Me kalimin e kohës, u fiksova pas idesë se bashkëshortja e tretë duhej të ishte siriane. U ula me të, i shpjegova gjithçka rreth vetes në formën e një katalogu. I tregova gjithçka që më pëlqen dhe që më shkakton neveri. I fola për grindjet e mia me dy bashkëshortet e para, çfarë më gëzon dhe çfarë më xhindos. Këtë herë isha i interesuar që jeta bashkëshortore të zgjasë sa më shumë. Me të më lindi një fëmijë. Por, një ditë më parë, ia përmbysa tavolinën e ushqimit, sepse ma ofroi ushqimin në një mënyrë që mua nuk më pëlqen. Kjo, edhe pse ia kisha përsëritur kushedi sa herë si pëlqej të më ofrohet ushqimi.
Nuk është hera e parë që kam vënë dorë mbi të, por këtë herë ndjeva se po eci në të njëjtën linjë. Kur i tregova mikut tim, më tha:”Shko tek dr Amër! Këtu ka diçka të pazakontë. Ti i ke provuar të gjitha gratë dhe nuk ke pasur sukses. Patjetër që problemi duhet të qëndrojë tek ti. Çfarë mendon ti doktor? Mos vuaj nga ndonjë kompleks, i cili më shtyn të vë dorë mbi gratë?”
Bashkëshorte sipas prerjes time
Në një rast të dytë, më erdhi një grua e cila më tregoi si ishte njohur me bashkëshortin e saj aktual, të cilin e kishte menduar se ishte personi i kuptueshëm të cilin kishte kërkuar gjer atëherë. Aq më tepër që përvoja e parë kishte përfunduar me divorc dhe një fëmijë që jetonte me të. Burrin e dytë, e kishte parë si një kompensim për veten dhe të birin e saj. Ai kishte marrëdhënie me shumë njerëz, kishte ambicie të shumta dhe e kishte pranuar si bashkëshort, me shpresë se do i gëzojë zemrën. Kishte qenë plot optimizëm për një të nesërme të ndritur me të. Kështu, ishin martuar. Por përkundrazi pritshmërive të saj, i shoqi ia shndërroi jetën në një ferr të vërtetë, ndërkohë që besonte se sapo kishte vënë këmbët në parajsë.
I shoqi donte ta ndryshojë nga e para tek e fundit, donte që e shoqja të ishte sipas imazhit që ai kishte krijuar në mendjen e tij. “Ai dëshiron të ndryshoj gjithçka, mënyrën si vishem, si ushqehem, si mendoj, si fantazoj… Kur e kam të pamundur ti ekzekutoj kërkesat e tij, zemërohet me mua dhe më sulmon duke thënë: Ti nuk më do, ti nuk dëshiron të ndryshosh… dhe kështu fillojnë zënkat.” Duke qarë me dënesë, ajo thotë:”Në fakt unë e dua dhe nuk mund të ndahem prej tij, por jeta me të është e padurueshme. Nuk mund të vazhdoj… Çfarë duhet të bëj?”
Unë i kërkova të sjellë dhe të shoqin në terapi, njëlloj siç bëj me rastet e tjera, pasi problemi mund të jetë i saj, para se të jetë i të shoqit, mundet që edhe ta ekzagjerojë. I shoqi erdhi disi me ndrojtje dhe pas një diskutimi të gjatë, mbërritëm në pikën e rëndësishme ku ai u shpreh:”Unë dua që ime shoqe të jetë më e mira. Unë e kritikoj sepse dua që të duket në formën më të mirë. A nuk do të ishte më mirë që ti plotësonte dëshirat e mia? Ajo është rebele dhe refuzon ti plotësojë kërkesat e mia, edhe pse gjërat janë të qarta. E vërteta është se ato që i kërkoj nuk janë të vështira dhe të pamundura për tu realizuar. Kjo më provokon më shumë. E kam qëlluar dhe e kam braktisur, pasi dështova ta bëj të duket ashtu siç dua unë…”
Unë zgjodha këto dy raste mes një pirgu rastesh të ngjashme, sepse ato përfaqësojnë pikën kulminante të krizës e cila ka mbërritur në dhunë dhe divorc. Këtu kemi të bëjmë me një burrë që mendon se është i qartë në atë që kërkon se si duhet të jetë e shoqja. Përse ajo nuk pranon të bëhet ashtu siç e kërkon ai? Përse nuk i bindet? Përse…? Sigurisht që duhet të ekzistojnë gra të tjera të cilat munden ta bëjnë këtë.
Kështu, ai e sheh veten të kalojë nga një martesë në një tjetër, pa gjetur zgjidhje për problemin e tij, i cili përsëritet herë pas here. Befasia më e madhe ishte se biznesmeni i cili menaxhonte kushedi sa projekte në mbarë botën, i cili mirëkuptohej me kushedi sa njerëz, kishte dështuar në kuptimin e femrës.
Të kuptuarit është zgjidhja
Këtë paaftësi në të kuptuarit e femrës, e kanë vuajtur shumë mendimtarë dhe filozofë, të cilët kanë kaluar një jetë bashkëshortore të zymtë.
Ndërkohë, profeti Muhamed a.s, nëpërmjet hadithit që cituam në fillim, na tregon se ai ka arritur ta kuptojë femrën, madje, na mëson si ta trajtojmë atë. Këtë hadith, unë e përdora në trajtimin e dy rasteve që përmenda, por edhe të dhjetëra rasteve të tjerë të ngjashëm. Mendova që këtë ta bëj objekt të këtij artikulli, me qëllim që ti ndihmoj burrat ti kuptojnë gratë dhe të mësojnë nga njeriu më i mirë që ka shkelur mbi tokë, profeti Muhamed a.s.
Kur të thotë që “Gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar” ai të thotë ty si burrë, që gruaja është e ndryshme nga ti. Ajo është e ndryshme që në lëndën burimore të krijimit. Prandaj, lakimi i brinjës, që tregon pikërisht këtë ndryshim, nuk është për të denigruar femrën.
“pjesa më e lakuar e kësaj brinje, është maja e saj.” Me majën e brinjës, simbolizohet koka e femrës, thënë ndryshe mënyra si i mendon dhe percepton ajo gjërat, e cila përbën dhe thelbin e ndryshimit me burrin.
Prandaj, ti burrë që mendon se duke i dhënë udhëzimet e duhura dhe duke ia bërë të qartë se çfarë do e çfarë urren, mendon se e ke kuptuar femrën, je shumë larg realitetit. Femra ka mënyrën e saj të mendimit dhe të perceptimit të gjërave, të ndryshme nga ajo e burrit.
Zakonisht, logjika e burrit është e tillë që mendon ta drejtojë këtë “lakim” të gruas. Profeti Muhamed a.s, dukej sikur e lexonte mendjen e burrave teksa shihte mënyrën si i trajtonin bashkëshortet e tyre, prandaj u thoshte:”Por nëse do të orvatesh ta drejtosh, do e thyesh…” Sepse kështu po orvatesh ti ndryshosh natyrën e saj, po orvatesh ta privosh nga roli dhe misioni i saj në jetë, mision të cilin ia ka ngarkuar vetë Zoti i lartësuar. Duke u orvatur “ta drejtosh” ti e humbet atë si femër dhe si bashkëshorte.
Profeti a.s e ka kufizuar “thyerjen” me majën e brinjës, me qëllim që nëpërmjet këtij shembulli ti kthehet origjinës dhe me qëllim që t’ua bëjë të qartë burrave se çështja ka të bëjë me marrëdhëniet e tyre me bashkëshortet. Ai donte tu thotë se “thyerja e gruas është divorci”, pra kulmi i krizës bashkëshortore, është divorci, i cili në thelb  është një orvatje për ta drejtuar “brinjën”. Kushdo që këmbëngul dhe beson se e ka të mundur ta drejtojë, fundi është thyerja.
Rruga drejt të cilës fton Profeti a.s në këtë hadith, është sugjerimi për ti pranuar gratë ashtu siç janë.
“Nëse kërkon ta shijosh, duhet ta shijosh me gjithë lakimin e saj.” Ne burrat, duhet t’ua lejojmë grave të jenë të ndryshme nga ne, ti lejojmë të kenë natyrën e tyre, ti përfshijmë dhe tu falim dashurinë, dhembshurinë, mbështetjen dhe mbrojtjen, gjë e cila e maturon femrën në marrëdhëniet e saj me të shoqin. Kjo, sepse tashmë ai e ka mirëkuptuar dallimin psikologjik, emocional dhe mendor mes tyre. Tashmë ai e luan simfoninë e duhur, me notat dhe veglën muzikore të duhur.
“Prandaj unë u këshilloj të silleni mirë me gratë.”
Këtë porosi profetike, e kishte kuptuar dhe perceptuar drejt Umer ibnul Hattabi, nga mësuesi i tij i parë. Ai ia prezantoi personit që i kishte vajtur për tu ankuar për të shoqen, duke ia shkoqitur domethëniet dhe nënkuptimet e tij.
Biznesmeni i mësipërm, pasi iu bë e qartë natyra e gruas dhe iu shpjegua hadithi, vajti në shtëpi. Disa ditë më vonë, më telefonon miku i tij i cili më pyet i habitur:”Çfarë i ke bërë filanit more?! Ai ka ndryshuar krejtësisht!!!”
Unë i thashë:”Unë nuk i kam bërë asgjë, është ndikimi i fjalëve të profetit Muhamed a.s, çfarë e ndryshoi mikun tënd.”
Dy bashkëshortët e tjerë, e dëgjojnë të njëjtin hadidh dhe e kuptojnë atë siç duhet. I shoqi e percepton drejt dhe i zgjidhet lëmshi që ndjente karshi të shoqes, sakaq e shoqja tund kokën në shenjë miratimi.
Kështu, struktura bashkëshortore është një hapësirë në të cilën jetojnë dy palë, ajo është një lëndinë që mban pranë dy partnerë, është një hapësirë ku secilës palë i ruhen specifikat. Nuk është e pranueshme që vetëm njëra palë të ndryshojë, por duhet që të dy palët të ndryshojnë, me qëllim që të plotësojnë të metat e njëri-tjetrit.
Hadithi i mësipërm, është një hadith për hir të femrës, të cilin na e dhuron Profeti i mëshirës dhe dhembshurisë, Profeti që i ktheu femrës dinjitetin dhe statusin që i takon. Ai e bëri në atë formë, që se ka bërë askush tjetër në të gjithë historinë njerëzore.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit