-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Si ta përgatisësh fëmijën për namazin që në vegjëli

Më të lexuarat

Si ta përgatisësh fëmijën për namazin që në vegjëli
Dr. Dalia Shimi

Çdo punë që bën njeriu e kryen i motivuar nga diçka. Sa herë që ky motiv është një person që na ka shtyrë të bëjmë diçka të mirë, ne e falënderojmë atë dhe ia dimë për nder. Më kujtohet që dikur më erdhi një grua tek të dyzetat, e cila ndër të tjera u ankua se e kishte të vështirë të ishte e rregullt me kohët e namazit. Kur e pyeta mbi shkaqet që e bënin të mos ishte korrekte, ajo më tha: “Zoti i faltë prindërit e mi, të cilët nuk më kanë mësuar me namaz që të bëhet pjesë e jetës time”!
Këto fjalë më bënë të mendoj mbi rëndësinë e edukimit të njerëzve, me qëllim që ti mësojnë fëmijët me namazin, të cilin duhet ta kenë si pjesë të jetës së tyre. Kështu më lindi ideja e këtij shkrimi modest, i cili nëse do i ofrojë ndihmë qoftë dhe një personi të vetëm, i kërkoj të bëjë lutje për të gjithë ata që namazin nuk e kanë si pjesë të jetës së tyre. Lutuni për ta që Zoti t’i mundësojë ta vënë ballin në sexhde dhe të jenë korrekt me një nga shtyllat e Islamit.

Zakon që në vegjëli
Pas kësaj hyrjeje të cilën e shoh si një detyrim që nuk mund ta kapërcej, le të biem dakord që namazi, me gjithë shenjtërinë dhe vlerën e vet shpirtërore, hyn tek disa zakone dhe shprehi, të cilat duhet të jenë pjesë e jetës së përditshme të myslimanit. Kjo, derisa ai të shndërrohet në një bosht themelor i cili organizon ditën dhe kohën e tij, duke e parë mangësi të madhe nëse vonohet dhe shtyhet nga koha e rregullt, e jo më nëse nuk kryhet fare. Kjo dëshirë vazhdon e ngulitet derisa namazi të kryhet në çfarëdolloj gjendje dhe në çfarëdolloj pune, në mënyrë automatike, sikur e shtyn një forcë e brendshme drejt namazit si ritual, nga i cili e kanë të pamundur të ndahen.
Nëse pajtohemi me këtë, le të pajtohemi dhe me faktin që zakonet dhe shprehitë formohen që në vegjëli, duke u rrënjosur në karakterin dhe psikologjinë e individit. Ato e motivojnë dhe e shtyjnë, si një forcë orientuese e brendshme.
Marrëveshja jonë e tretë është se familja është përgjegjëse për formësimin e këtij vesi dhe shprehie, si dhe të shumë shprehive pozitive të cilat fëmija i merr nga familja e tij. Kjo vlen dhe për shprehitë negative, veset, të cilat i merr po nga familja. Bazuar në këtë, familja ka përgjegjësi ta ushtrojë fëmijën të falë namazin, duke pasur parasysh disa pika që do i parashtrojmë në rreshtat në vijim.
1 – Fillo që në vegjëli, që në çastet e para të jetës së fëmijës, duke u falur vetë në prezencën e tij. Kjo bën që fëmija ta memorizojë imazhin tënd teksa falesh në çdo lëvizje, edhe pse nuk i kupton dhe interpreton dot. Sipas psikologëve, fëmija magazinon gjëra që i paraprijnë aftësisë së tij për t’i shprehur dhe kuptuar. Kjo mund të fillojë që në periudhën e shtatzënisë, sipas studimeve më të fundit.
2 – Kur fëmija fillon të lëvizë, fillo ta marrësh tek abdesi, vendosi një sixhade namazi para, që të mësohet psikologjikisht dhe të ndajë me ty namazin.
3 – Cakto një vend për namaz, ku babai dhe ti faleni gjithmonë në shoqërinë e fëmijës. Kështu ai familjarizohet me vendin dhe me lëvizjet e namazit. Më vonë, do të shkojë tek ky vend në mënyrë spontane dhe do të kryejë lëvizjet e namazit me dëshirë.
4 – Bliji rroba specifike për namazin, pasi fëmijëve u pëlqejnë gjëra të tilla. Djalë qoftë apo vajzë, le të ketë diçka të veçantë teksa falet. Veç kësaj, bliji dhe një sixhade të vogël vetëm për fëmijën. Që në moshë të hershme, fëmija anon nga pavarësia dhe dëshira për të pasur gjërat e tij. Kjo do e lidhë më shumë me namazin.
5 – Në moshën 4 vjeçare, fillo ta shpërblesh para njerëzve për faktin që falet. I ati është mirë ta marrë me vete në  xhami ditën e Xhuma. Është mirë që edhe besimtarët e tjerë që falen në xhami, ta vlerësojnë dhe mirëpresin ‘frekuentuesin’ e ri të xhamisë. Imami i xhamisë duhet t’i trajtojë në mënyrë të veçantë këta fëmijë, madje edhe të përdorë ndonjë epitet të dashur për fëmijët.
6 – Tregohu e gëzuar me fëmijën duke e mirëpritur ndërkohë që kthehet nga namazi në xhami, përgatitja ushqimin e vaktit përkatës dhe pse jo një ëmbëlsirë. Vlerësoja faktin që ka bërë një vepër të dashur për të cilën Zoti do e shpërblejë atë dhe gjithë familjen.
7 – Mundohu t’ia ndash kohën ditore sipas namazeve, pasi në moshë të vogël, e kupton më mirë kwtw se ndarjen 24 orëshe. P.sh. i thua: Do e përgatisim drekën pasi të kemi falur namazin e drekës. Pas namazit të ikindisë do të shkojmë tek lodrat. Pasi të falim jacinë do të vijë babi… Kështu, ai fillon dhe e organizon kohën e vet duke pasur namazin si bosht.
8 – Kur thirret ikameti, lëre gjithçka që ke në dorë dhe mundohu t’i kultivosh faktin që Zoti nuk jep bereqet në një punë e cila na bën ta vonojmë namazin. Orvatu të organizosh dhe një mini shfaqje, ku vonon namazin për shkak të një pune që ke në dorë dhe ajo punw prishet. Kështu i përcjellim një mesazh praktik për rëndësinë e faljes në kohë. Fëmijët i memorizojnë këto gjëra më shpejt se informacioni teorik.
9 – Nëse shkon ti tek prindërit e tu, apo për vizitë tek ndonjë shoqe merrja me vete gjërat e namazit. Kjo e bën të ndihet i rëndësishëm, se ka gjërat e veta personale me të cilat falet dhe të cilat e shoqërojnë kudo që shkon. Me kalimin e kohës i sheh si pronën e tij të rëndësishme.
10 – Babai i fëmijës është mirë tu pyesë nëse i keni falur farzet e namazit dhe a i keni falur në kohë. Në moshën 4 vjeçare e sipër, është mirë që ai të flasë rreth bereqetit në familje si pasojë e faljes së namazit. Le t’i thotë fëmijës se duke u falur, ai është pjesëmarrës në sigurimin e riskut, bereqetit dhe të jetesës.
11 – Nuk prish punë që fëmijës t’i bëhet një foto me veshjen e namazit dhe kjo foto t’i vihet në dhomën e tij të gjumit. Kështu, atij do i krijohet imazhi i vetes me veshjen e namazit, imazh të cilin e magazinon në tru dhe e motivon qoftë dhe në mënyrë të pavetëdijshme.
12 – Teksa e lëvdon fëmijën tënd para të tjerëve, në krye të listës, le të jetë fakti që falet bashkë me ty.
13 – Fillimisht, ji pak elastike lidhur me qëndrimet e ndryshme në namaz, derisa t’i mësojë saktësisht dhe t’i praktikojë siç duhet.
14 – Nxite të atin e fëmijës që të kalojë pak kohë me fëmijën pas namazit të xhumasë jashtë shtëpie, gjë e cila do e bëjë të ndjejë rëndësinë e namazit. Meqë i ati është i zënë gjatë javës, fakti që qëndron me të pas namazit të xhumasë i fal kënaqësi, lë shije të mirë dhe këtë e lidh me gjithë ditën e xhuma.
15 – Nëse shkoni familjarisht për të falur namazin e xhumasë, kujtoja fëmijës se kjo është një mirësi. Festojeni këtë ditë dhe faktin që Zoti ua mundësoi këtë ritual, qoftë dhe me diçka të thjeshtë dhe modeste.
Këto ishin disa këshilla të cilat na ndihmojnë në rrënjosjen e faljes së namazit tek fëmijët tanë, derisa të rriten dhe të fillojnë ta kuptojnë vlerën e vërtetë të namazit. Asokohe do e kemi krejtësisht të lehtë t’i korrigjojmë lëvizjet dhe qëndrimet e gabuara të tij, përhumbjen në namaz dhe disa lëvizje që e prishin namazin. Kjo, pasi tashmë namazi i është bërë shprehi dhe pjesë e jetës.

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit