9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

A po i shtyp feminizmi vajzat dhe gratë me shami?

Më të lexuarat

Nga Merjeme Tota

Nëse një grua është e lirë të bëjë ç’të dojë me trupin e saj, përse s’ka të drejtë të mbulohet? E përse atëherë një muslimane s’mund të jetë pjesë e një lëvizje të tillë?

Në këto kushte, feministet, nga të dhunuara kthehen në dhunuese, e madje dhunuese të të drejtave që vetë proklamojnë.

Feminizmi perëndimor është një lëvizje që pretendon të na mbrojë, të na lartësojë dhe të luftojë për të gjithë ne, megjithatë kur bëhet fjalë për vajzat dhe gratë muslimane nuk i’u shërben atyre por i përjashton ato.

Beteja që nje grua muslimane duhet të kalojë nuk është vetëm një betejë fizike. Ekziston një fushatë psikologjike kundër hixhabit të grave muslimane duke pretenduar se është shtypëse. Kjo fushatë është e pranishme pothuajse në të gjitha format e konsumit mediatik dhe ka krijuar një betejë identiteti për gruan muslimane.

Në një intervistë për Muslim Vibe, gazetarja Ledina Jakimi shprehet se pavarësisht qëllimit të kësaj lëvizjeje feminizmi perëndimor nuk është gjithmonë ndërsektorial dhe është përjashtues i vajzave dhe grave muslimane duke i diskriminuar ato.

“Në këndvështrimin tim, pavarësisht përpjekjeve, feminizmi i zakonshëm, perëndimor nuk është gjithmonë ndërsektorial. Nje vajzë apo grua muslimane me shami, është e disavantazhuar jo vetëm nga gjinia, por edhe për shkak të besimit të saj fetar dhe çka ato veshin. Në vendin ku unë jetoj ende në media nuk ka një grua me shami që të drejtojë një edicion informativ, apo të jetë e punësuar në departamentin e lajmeve. Por kjo nuk ndodh vetëm në këtë sferë të punësimit.

Ka edhe shumë institucione të tjera që gratë muslimane, për shkak të mbulesës që kanë nuk i pranojnë që të ushtrojnë profesionin e tyre. Diskriminimi ndaj tyre, vijon edhe në vende publike apo dhe shkolla, vende të cilat kanë shkuar deri aty sa të i’u mohojnë vajzave dhe grave muslimane shërbimet në këto institucione, gjë që është shumë e gabuar:- shprehet gazetarja Ledina Jakimi.

Më tej Jakimi thotë se lidhja e pamëshirshme e modestisë me shtypjen dhe seksualitetin me forcën sipas feminsteve perëndimorë është shumë e gabuar.

“Përmes kësaj linje arsyetimi ne po themi se forca e grave bazohet në seksualitetin e tyre dhe për t’u parë si e fortë, seksualiteti duhet të bëhet publik. Mendësia feministe se hixhabi është simbol që Islami i sheh gratë si objekt seksual, se ajo duhet të mbulohet sepse kështu shikohet në mënyrë reduktive si femër, atribut i vetëm i së cilës është seksualiteti i saj që kërcënon rendin shoqëror është shumë e gabuar.”

Përkundrazi hixhabi është një veshje që ngre vetëbesimin vajzave dhe grave, duke u kujtuar atyre se vlera e tyre nuk bazohet në pamjen, por në veprat e tyre të devotshme. Nga ky prizëm, hixhabi është simbol i një feje qe i trajton gratë si persona dhe jo si objekte seksuale konkluzion ky tërësisht i kundërt me mendësinë feministe. Nga ajo që unë di, dhe nga kontakti me shumë vajza muslimane di se ato mbulohen për shkak të fesë, për shkak të Zotit, për shkak se ndihen të lumtura për mbulesat që kanë. Të gjitha këto arsye legjitime për ta mbajtur atë. :-përfundon Jakimi.

Semi Berberi, mësuese matematike dhe besimtare muslimane shprehet se feministet shpesh herë e keqpërdorin qëllimin e kësaj lëvizjeje duke i lënë totalisht jashtë rrethit të tyre vajzat me shami.

“Feministet ndodh shpesh të keqpërdorin qëllimin apo thelbin e të qenurit një feminist për shkak të keqinformimit apo duke pasur qasje të gabuara për të qënë aktivist në një lëvizje feministe dhe ndodh jo rrallë që lobimet e ndryshme të feministeve të përdoren përr funksione të vecanta që unë personalisht mendoj se i lene totalisht jashtë rrethit të tyre vajzat me shami.

Marr shkas këtu edhe nga personazhe televizive me influencë në botën e medias, madje kemi dëgjuar raste të paragjykimit të tyre ndaj femrave me shami. Duhet ngritur zëri padiskutim dhe masivisht për ti treguar botës se shamia nuk është një realitet patriakal, përkundrazi është bindje dhe vendim i vetë vajzave për petkun që ato mbajnë për 1000 arsye të cilat duhet të përcillen apo promovuar në shoqërinë e sotme. Pra mendoj se fenomeni vazhdon…’ shprehet Berberi.

Për gazetarin Bekim Bici feminizmi jo vetëm perëndimor, por në tërësi si lëvizje shoqërore, sa vjen e keqkuptohet, por edhe keqinterpretohet. Nën pretendimin se po mbrojnë të drejtat e grave, në realitet ato kalojnë në ekstremizma, që nuk janë gjë tjetër veçse shkelje e një tjetër të drejte, apo edhe paragjykim.

“Sot organizatat feministe kërkojnë të monopolizojnë gjënë, sepse të gjithë këtë aktivitet nuk e shohin më si një lëvizje sensibilizuese, reformuese apo për të vënë në vend të drejtat e gruas, por si një mundësi për t’u afirmuar vetë politikisht, mediatikisht dhe për të përfituar sa më shumë ekonomikisht nga fondet e organizatave ndërkombëtare.

Nëse një lëvizje që synon drejtësi, pamundëson pjesëmarrjen e një grupi të caktuar shoqëror, siç janë muslimanët praktikantë apo edhe katolikët e devotshëm,në vetvete shndërrohet në shkelës të të drejtave të njeriut. Nëse një vajzë muslimane, me dëshirën e saj, vullnetin dhe vendimin tërësisht personal për shkak të dashurisë ndaj Zotit vendos të mbulohet, këtë akt dashurie, feministët në masë e konsiderojnë si një shtypje të femrës. Në realitet ky është një paragjykim dhe jo vetëm. Gruas muslimane i mohohet e drejta e aktivizmit në këto organizata. Kësisoj nga kërkues të të drejtave dhe lirive të grave, shndërrohen në shtypës të tyre.

Nëse feministët synojnë sensibilizimin e masës me idenë se gruaja duhet të bëjë çfarë ajo dëshiron me trupin e saj, në këtë rast ata e shkelin këtë parim me të dyja këmbët.

Nga ana tjetër ai shprehet se të konsiderosh islamin shtypës, kur në realitet është feja e parë dhe grupi i parë shoqëror që foli dhe siguroi të drejtat e gruas, si për trashëgimi, për të votuar etj., është tentativë për të manipuluar të vërtetën dhe për të futur ide të gabuara që çojnë në paragjykim dhe jo vetëm. Këto tentativa për interesa të ngushta, s’janë gjë tjetër pos tregues të faktit se këto lëvizje kanë devijuar nga qëllimi i tyre.

Nëse një grua është e lirë të bëjë ç’të dojë me trupin e saj, përse s’ka të drejtë të mbulohet? Islami i jep aq rëndësi gruas saqë thotë se parajsa ndodhet tek këmbët e saj. E përse atëherë një musliman s’mund të jetë pjesë e një lëvizje të tillë?

Në këto kushte, feministët, nga të dhunuar kthehen në dhunues, e madje dhunues të të drejtave që vetë proklamojnë:-përfundon gazetari Bici fjalën e tij.

Ndërkohë, imami Qazim Maçi thotë se shkëputja e një gruaje nga zinxhiri I natyralitetit është shkelje e çdo vlere.

Që në fillim Zoti e nisi me Ademin dhe Even! Mashkull-femër, burrë-grua, familje!

Zoti i foli Ademit (besim-fe). Dhe jo më kot, këtë familje, burrë-grua, mashkull-femër dhe të pajisur me besim në Zot, Allahu i caktoi të jetojnë në xhenet!

Është një mesazh i madh për çdo njeri, se parajsa dhe çdo mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër, arrihet me besim, familje dhe natyrë të pastër njerëzore. Shkëputja e një gruaje, një motre, një gruaje, një nëne nga ky zinxhir natyraliteti është shkelje e çdo vlere! Dhe pse synohet që fjala vlerë apo moral të mos ekzistojë. Vlera më e madhe na tregohet që në fillim të krijimit, besimi dhe familja! Dhe çdo përpjekje për t’u larguar nga shembulli i krijimit sjell të keqen.

Për Xhemal Darsin muslimanët nuk kanë nevojë që të pajtohen me një ideologji të vecantë kur Islami përfshin të drejtat e vajzave dhe grave duke I mbrojtur ato pasi para Islamit ato groposeshin të gjalla.

“Në Islam femra dhe mashkulli si qenie njerëzore janë të barabartë përpara Allahut. Islami është njejtësues dhe jo diferencues. Para tij janë gjithë njësoj, i bardhi apo i ziu, gratë dhe burrat. Nuk ka ndonjë vend që thuhet që burri është mbi gruan dhe anasjelltas, përvecse veprat e tyre e bëjnë diferencën. Çka vlen për t’u theksuar shumë fuqishëm dhe rikujtuar këtyre lëvizjeve është se para Islamit vajzat groposeshin të gjalla, por ishte feja jonë që e ndaloi diçka të tillë.”

Dikush si Semi, besimtare muslimane por që nuk mban hixhab mund të pranohet në qarqet kryesore feministe në luftën e përbashkët për të dekonstruktuar patriarkalitetin, sepse shamia shihet si veprim patriarkal. Megjithatë nuk e përjashton dhe mundësinë e mbulesës për përftime audience apo interesash të tjera.

“Do të veçoja dy grupologji: Me mbulesë, por për përfitime audience pasi dihet se muslimanët janë një shumicë e rëndësishme e popullsisë tonë dhe pa mbulesë, pasi ndoshta mbulesa siç e ceka më sipër u ngjason me një vendim patriakal. Janë të shumta rastet ku vajzat dhe gratë me shami janë përdorur edhe si hapësirë krijimi debatesh apo “vënie në lojë” në njëfarë forme edhe pse përgjithësisht femrat me shami ja kanë dalë për të mos rënë në “kurther” e ngritura veçanërisht mediatikisht. Padiskutum do të ishte jo e drejtë të pranoja se fenomeni vazhdon, por ka ndryshuar deri diku, ku ka vend ndër to edhe për vajzat me shami, ku mirëpriten dhe adoptohen me kauzat, lobimet apo diskutimet e tyre.”-shton më tej ajo.

Më kujtohet dita e parë që unë vendosa shaminë. Askush në familjen time apo në fisin tim nuk e kishte vendosur shaminë, madje as nuk faleshin. Prindërit e mi ishin tmerrësisht të shqetësuar dhe nuk ishin dakort në fillim me zgjedhjen time. Derisa mu desh të udhëtoja jashtë vendit dhe has në një sulm islamofob për shkak të shamisë sime. Ishte një nga rastet e shumta kur islamofobia dhe feminizmi i bardhë luajtën një rol në përpjekjen për të në hequr shaminë time.

Por për mua, hixhabi im ishte një simbol i rezistencës. Në atë mënyrë i’u drejtohesha presioneve të imperializmit kulturor dhe islamofobisë por jo vetëm. Parësore ishte treguesi i faktit që besimi është gjëja më e rëndësishme për mua dhe se mbulesa ime është haptazi mënyrë për të treguar se kë dua më shumë. E ai, që unë dua më së shumti, ai është Allahu, Zoti im.

Lëvizja feministe perëndimore duhet të jetë në gjendje që të përballet me idenë se disa gra besojnë në disa gjëra që përndryshe kundërshtojnë idenë e mendimit të tyre feminist, si shamia.

Edhe pse praktikimi i rregullave islame është një fenomen që kërkon përkushtim e sakrificë, që sulmohet, luftohet e nuk stimulohet, shumë gra janë të fuqizuara nga hijabi dhe mbajtja e mbuleses së saj dëshmon se ka zgjedhur rrugën e përuljes dhe nënshtrimit ndaj Allahut. Veprim ky që i bën shumë të lumtura ato edhe pse rrethanat nuk e përkrahin për këtë prandaj me kusht që të mos mungojë korrektësia, për të ngjallur solidarizim dhe perkrahje duhet ngritur zëri edhe nga ana e atyre që nuk e praktikojnë këtë lloj veshjeje apo besimi.

Ne muslimanët besojmë se vetëm Allahu, I Plotëfuqishmi e meriton nënshtrimin. Është shumë e qartë se ideja e nënshtrimit nuk shihet si një koncept i lirë dhe madje mund të duket si një kontradiktë ndaj vetë lirisë. Megjithatë ne duhet të respektojmë faktin që njerëzit po ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë kur zgjedhin se kujt ti nënshtrohen.

Një grua mund të dëshirojë të martohet dhe të ketë shumë fëmijë, një tjetër mund të dëshirojë të bëjë karrierë. Një vajzë mund të rritet, duke dashur gjithë jetën të bëhet e sukseshme dhe e famshme. Dhe ndoshta njëra prej tyre dëshiron t’i shërbejë Zotit dhe të jetë murgeshë ose të jetë muslimane që e shpreh besimin e saj me anë të shamisë. Le t’i pranojmë të gjitha.

Le të mbështesim të gjitha vajzat dhe gratë, edhe ato që zgjedhin të mbajne hixhabin, ti trajtojmë me mirësjellje dhe të diskutojmë me to me frymën e vullnetit të lirë dhe nëse nuk jeni dakord, për sa kohë që nuk dëmtojnë veten ose dikë tjetër. Të drejta këto, elementare për çdo qenie humane.

Dhe jo, të besosh në Zot, nëse bëhet siç duhet, nuk dëmton askënd

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit