2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Çka pritet nga Gjykata Komerciale në Kosovë?

Më të lexuarat

Të premten me shumicë votash, në Kuvendin e Kosovës u miratua Projektligji për Gjykatën Komerciale, një hap para ky për themelimin e kësaj gjykate. Pas krijimit të këtij instituti gjyqësor, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet ekonomike, do të jenë nën kompetencën e Gjykatës Komerciale.

Sipas deklaratave të krerëve të institucioneve qeveritare në vend, Ligji për Gjykatën Komerciale do të krijojë mundësi të mjaftueshme për rritjen e efikasitetit në zgjidhjen e kontesteve tregtare, me qëllim që të drejtat e bizneseve të fituara nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe administrative, të realizohen pa vonesa, duke lehtësuar kësisoj shfrytëzimin e kapitalit. Nga të njëjtit udhëheqës, u tha gjithashtu se ky ligj do të lehtësojë edhe tërheqjen e investimeve të jashtme, duke e bërë Kosovën kredibile, serioze dhe të përkushtuar për drejtësi dhe të drejtën, si dhe drejt zhvillimit ekonomik.

Përpos kësaj, ky Ligj, vlerësohet se do të sigurojë edhe lirinë e sipërmarrjes, barazinë e palëve, të drejtën e pronës dhe zbatimin e kontratave, në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe vlerësohet se do ta ndërtojë ndërtojë besimin e investitorëve, duke përfshirë mërgatën.

Por, çka parasheh Projektligji final për Gjykatën Komerciale, i cili u miratua dje nga deputetët e Kuvendit?

Në pikën hyrëse të këtij drafti final të projektligjit për Gjykatën Komerciale, konstatohet se e njëjta do të ketë juridiksion territorial për gjithë Republikën e Kosovës, dhe se selia kryesore e saj do ta jetë në kryeqytet, pra në Prishtinë.

Nën kompentencën e Gjykatës Komerciale, do të jenë të gjitha kontestet midis shoqërive tregtare vendore dhe të huaja në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare, prapësimet kundër urdhrave për përmbarim për çështje brenda kompetencave të kësaj gjykate, njohja dhe lejimi i zbatimit të vendimeve të rrafshit lokal dhe ndërkombëtar të arbitrazhit, kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare, riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare, kontestet në lidhje me pengimin e posedimit në mes të shoqërive tregtare, dhe kontestet në lidhje me pasuritë e paluajtshme të shoqërive tregtare.

Gjithashtu, sipas projektligjit final për këtë gjykatë, të cilin e ka analizuar Buletini Ekonomik, kjo gjykatë do të jetë kompentente edhe për kontestet që lidhen me shkeljen e konkurrencës, keqpërdorimin ose monopolin dhe pozitën dominuese në treg, si dhe marrëveshjet monopole duke përfshirë vlerësimin e paligjshmërisë, mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnet industriale, sekretet tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale, siç parashihet nga legjislacioni përkatës.

Përveç këtyre, Gjykata Komerciale do të merret edhe me kontestet ndërmjet kompanive të aviacionit që i nënshtrohen Ligjit në fuqi për Aviacionin, por duke përjashtuar kontestet në lidhje me të drejtat e pasagjerëve, kontestet administrative të iniciuara nga shoqëritë tregtare kundër vendimeve përfundimtare të Administratës Tatimore, Autoriteteve Doganore, Ministrisë së Financave dhe çdo organi tjetër publik përgjegjës për vendosjen e tatimeve ose detyrimeve tjera shtetërore, kontestet administrative të iniciuara nga shoqëritë tregtare kundër vendimeve që lidhen me lejet, licencat ose çdo autorizim nën autoritetin e një organi publik të Republikës së Kosovës, përfshirë njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Sipas legjislacionit, Gjykata Komerciale do të jetë gjykatë e shkallës së parë dhe të dytë dhe kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore, përcjell Buletini Ekonomik.

Vendimet e kësaj gjykate do të jenë të detyrueshme për të gjithë personat që paraqiten para saj si palë, dhe çdo person ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Komerciale, për të kërkuar mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij/saj ligjore, për aq sa veprimet për të mbrojtur ose zbatuar ato të drejta janë brenda kompetencave të gjykatës në fjalë.

Dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale do të përbëhen nga tri departamente të ndara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike, Departamentin Fiskal dhe Departamentin e Përgjithshëm.

Po ashtu, në kuadër të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, do të funskionojë edhe Divizioni për shqyrtimin e kontesteve të investimeve të huaja.

Gjykata Komerciale do të ketë së paku njëzet gjyqtarë, nga të cilët jo më pak se 13 do të shërbejnë si gjyqtarë në dhomat e shkallës së parë, dhe jo më pak se gjashtë do të shërbejnë si gjyqtarë në dhomat e shkallës së dytë, dhe përveç këtyre, kryetari i Gjykatës Komerciale do të shërbejë edhe si gjyqtar i dhomave të shkallës së dytë.

Ky ligj pritet të hyjë në fuqi pesëmbëdhjetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se Departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka operuar me kapacitete mjaft të kufizuara për vite me radhë, me ç’rast mesatarja e zgjidhjes së vetëm një rasti të natyrës ekonomike merrte 4 deri në 5 vite kohë. Kështu, vetëm për tri vite (2018, 2019 dhe 2020), në Departamentin për Çështje Ekonomike janë hapur 2260 konteste mes bizneseve, nga të cilat 15 raste kanë vlerë mbi 1 milion euro secila. /Buletini Ekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit