Rreziku i asimilimit nga skenarët e vjetër dhe tre rrugët që ka përpara protesta
Ngjarjet e mbrëmshme në Tiranë, ku protesta qytetare u zhvendos një moment para Kuvendit të Shqipërisë dhe pastaj tek selia e Partisë Demokratike, duke u shoqëruar me përplasje verbale dhe gati dhunë fizike, tregon se pas tre javësh, lëvizja po përballet me rrezikun më të madh të saj: humbjen e drejtimit dhe përthithjen nga skenarët e vjetër, ku fiton gjithmonë politika e vjetër dhe humbet qytetari.
Dhe historia është e përsëritur. Çdo herë që protestat në Shqipëri janë radikalizuar pa kontroll, ato janë kthyer ose në argument për qeverinë, ose në kapital politik për opozitën. Qytetarët kanë mbetur sërish në pikën zero.
Tani po vërehen sërish trajtat e para të një ndarjeje të heshtur brenda vetë protestës. Një pjesë kërkon ta mbajë të pastër si lëvizje qytetare, me kërkesa dhe presion publik.
Pjesa tjetër duket se po e shtyn drejt përshkallëzimit, simbolik apo real, duke e afruar gjithnjë e më shumë me logjikën e konfliktit politik të vjetër, pra ta “berishiziojë” atë, ta bëjë identike me protestat e dhunshme e pa bereqet të opozitës së vjetër të drejtuara nga një politikan i diskretituar si Sali Berisha.
Kjo ndarje nuk është thjesht një detaj, por thelbi i asaj që do të ndodhë më pas. Nëse e shohim me ftohtësi, janë tre skenarë që mund të dalin nga kjo situatë:
Skenari i parë: protesta ruan karakterin qytetar dhe institucionalizohet si e tillë
Pra lëvizja distancohet nga çdo tentativë për përshkallëzim të dhunshëm dhe nga çdo ndikim politik i drejtpërdrejtë. Kërkesat bëhen më të qarta, aksioni më i organizuar dhe presioni publik më i qëndrueshëm. Ky është skenari më i vështirë, por i vetmi që prodhon ndryshim real edhe pse do të kërkojë kohë dhe bi të gjitha durim.
Skenari i dytë: përthithet nga politika e vjetër
Protesta nis të lexohet përmes luftës së vjetër politike Rama-Berisha. Qeveria e përdor si shembull për të justifikuar forcën dhe rendin, ndërsa opozita si provë për të ndezur mbështetjen e saj. Në këtë pikë, protesta e humb identitetin dhe kthehet në mjet të palëve që pretendonte të sfidonte.
Skenari i tretë: radikalizim dhe shuarje e shpejtë
Tensioni rritet, por pa drejtim. Protesta fiton zhurmë për pak ditë, siç edhe ndodhi, dhe më pas humb për fat të keq mbështetjen publike, izolohet dhe shuhet, duke lënë pas vetëm një tjetër cikël zhgënjimi.
Ç’duhet bërë
Në këtë pikë, vendimtare nuk është më vetëm protesta në vetvete, por mënyra se si ajo menaxhohet nga brenda. Së pari, lëvizja duhet të vendosë një vijë të qartë ndarëse nga çdo formë përshkallëzimi i dhunshëm apo aksionesh të paqarta që e zhvendosin fokusin nga kërkesat qytetare. Çdo devijim i tillë e dobëson menjëherë legjitimitetin e saj.
Së dyti, është e domosdoshme që kërkesat të artikulohen qartë dhe publikisht, pa dykuptimësi dhe pa retorikë të paqëndrueshme. Një protestë pa kërkesa të lexueshme shndërrohet shpejt në një objekt interpretimi politik.
Së treti, duhet krijuar një minimum organizimi qytetar që e mbron lëvizjen nga infiltrimi dhe nga devijimi i planeve të lëvizjes. Pa këtë, vendimmarrja në terren mbetet e fragmentuar dhe e lehtë për t’u manipuluar.
Së fundi, protestuesit duhet të ruajnë me çdo kusht dallimin nga politika e vjetër, jo vetëm në fjalë, por në sjellje dhe mjete. Sepse sapo protesta fillon t’i ngjajë asaj që kundërshton, ajo e ka humbur tashmë betejën morale.
Në fund, kjo lëvizje do të gjykohet jo nga sa zhurmë bën në rrugë, por nga sa do të arrijë të mos kthehet në përsëritjen e një historie që Shqipëria e njeh tashmë shumë mirë. \tesheshi.com\
