-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Bakllava tradicionale

Më të lexuarat

Përbërësit për një tepsi:
Për petët
* 1kg miell
* 7 vezë (4 të plota dhe 3 të verdhat)
* 1 filxhan vaj (230 ml)
* 250 ml qumësht
* 1/2kg gjalpë i shkrirë në mikrovalë
* niseshte për spërkatje
Për mbushjen
* 1/2kg arra të qëruara dhe të pjekura (sipas dëshirës edhe bajame, lajthi, etj.)
* 1 luge e vogël kanellë
Për sherbetin
* 1 filxhan ujë
* 1 filxhan sheqer
* 1/2 filxhan mjaltë
* 2 lugë lëng limoni
* 1 shkop kanelle
* pak vanilje
Përgatitja:
Përgatisim si fillim mbushjen duke bashkuar në një tas arrat e qëruara, të pjekura dhe të prera në copëza të vogla me kanellën. E lëmë në një anë dhe vazhdojmë me hapjen e petëve.
Në një enë të madhe, rrahim vezët me ndihmën e një teli kuzhine, shtojmë qumështin, vajin dhe pak nga pak miellin derisa të përftojmë një brumë të butë. E ndajmë brumin në 4 pjesë të barabarta dhe secilën prej këtyre pjesëve në 15 sfera të vogla, pra gjithsej duhet të përfitojmë 60 sfera, të cilat më pas do të hapen në petë. Ndërkohë që hapim petët, pjesën tjetër të brumit e mbulojmë me një pecetë të lagur në mënyrë që të mos thahet.
Në tavolinën e punës, hedhim pak niseshte dhe hapim një sferë brumi me diametër 15-17cm (në varësi të tavës që do të përdorni për të pjekur bakllavanë), të cilën nuk harrojmë ta spërkasim me niseshte edhe në sipërfaqe në mënyrë që të hapet sa më lehtë dhe të mos çahet. Veprojmë në këtë mënyrë derisa të kemi hapur 15 peta, më pas i vendosim njëra sipër tjetrës dhe e hapim në një petë të vetme. E vendosim petën e parë të përbërë nga 15 peta të holla në tavën e lyer me gjalpë dhe i hedhim 1/4 e gjalpit të shkrirë në sipërfaqe. Në të njëjtën mënyrë veprojmë edhe me petat e tjera, duke formuar edhe 3 peta të përbëra nga 15 peta të holla.
Sipër 15 petave që vendosem në tavë dhe i spërkatim me gjalpë, vendosim edhe 15 të tjera dhe më pas shtrojmë mbushjen me arra. E spërkasim sipërfaqen me 1/4 e gjalpit, shtrojmë grupin e tretë dhe të katërt të petave dhe në fund e spërkasim sipërfaqen me gjalpin e mbetur.
E presim në formë rombesh dhe e pjekim në furrë të parangrohur në 130-140°C për 2-3.5 orë, apo derisa sipërfaqja të ketë marrë ngjyrë të artë. Nëse vëmë re që sipërfaqja po merr shumë ngjyrë, e mbulojmë me një letër alumini dhe vazhdojmë pjekjen.
E lemë në temperaturë ambienti dhe përgatisim shurupin: Vendosim në një tenxhere ujin, sheqerin, mjaltin, shkopin e kanellës, vaniljen dhe lëngun e limonit. E ziejmë 7 minuta që nga fillimi i marrjes valë të shurupit duke e përzier në mënyrë që sheqeri dhe mjalti të shkrihen plotësisht. Pas kësaj, eliminojmë shkopin e kanellës dhe ia hedhim bakllavasë tashmë të ftohtë derisa ta thithi të gjithë sherbetin.
Këshillë:
Petët e hapura vet mund t’i zëvendësojmë edhe me petët e blera të gatshme…vetëm se shija do të jetë larg origjinales!
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit