Gjermania mirëpriti të dielën një plan të Bashkimit Europian për të cilësuar disa projekte energjetike të gazit natyror si investime “të gjelbra”, por theksoi kundërshtimin e saj ndaj një propozimi për të cilësiuar si të tilla edhe projektet e energjisë bërthamore.
Gjermania mbylli të premten tre nga gjashtë stacionet e saj të fundit të energjisë bërthamore, ndërsa po shkon drejt përfundimit të procesit të tërheqjes nga energjia bërthamore, të cilin ajo e përshpejtoi pas aksidentit që ndodhi në një reaktor në Fukushima, Japoni, në vitin 2011.
“Për qeverinë gjermane, gazi natyror është një teknologji e rëndësishme që do të mundësojë rrugëtimin drejt neutralitetit të gazrave serë, në rrethanat kur po eleminojmë energjinë bërthamore dhe prodhimin e energjisë me qymyr,” tha një zëdhënës i qeverisë.
“Pozicioni i qeverisë për energjinë bërthamore mbetet i pandryshuar. Qeveria mbetet e bindur se energjia bërthamore nuk mund të klasifikohet si e qëndrueshme.”
Megjithëse energjia bërthamore ka emetime shumë të ulëta të CO2, Komisioni Europian kërkoi këshilla nga ekspertët nëse lëndët që përdoren nga reaktorët duhet të konsiderohen të gjelbra, duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm mjedisor të depozitimit të mbetjeve radioaktive.
Sipas një drafti të propozimit të Komisionit, investimet në centralet bërthamore do të cilësohen si të gjelbra nëse projekti ka një plan, fonde dhe një vend për asgjësimin e sigurt të mbetjeve radioaktive. Për t’u konsideruar “të gjelbra”, centralet e reja bërthamore duhet të marrin lejet e ndërtimit përpara vitit 2045.
Investimet në centralet e gazit natyror do të konsideroheshin të gjelbra nëse: emetojnë nën 270g ekuivalent të CO2 për kilovat orë (kWh), zëvendësojnë një termocentral me lëndë djegëse fosile i cili prodhon më shumë ndotje, marrin lejen e ndërtimit deri më 31 dhjetor 2030 dhe pritet të përdorin gaze me pak karbon deri në fund të vitit 2035.
Vendet e BE-së dhe një panel ekspertësh do të shqyrtojnë projekt-propozimin, i cili mund të ndryshojë përpara publikimit të tij më vonë gjatë janarit. Ky projekt ka ngecur për shkak të lobimit nga qeveritë për më shumë se një vit, si dhe prej faktit që vendet e BE-së nuk bien dakord për lëndët e prodhimit të energjisë që do të konsiderohen si të qëndrueshme.
Përveç Gjermanisë, vende të tjera, duke përfshirë Austrinë dhe Luksemburgun, kundërshtojnë energjinë bërthamore. Shtetet e BE-së, duke përfshirë Republikën Çeke, Finlandën dhe Francën, e cila prodhon rreth 70% të energjisë së saj nga centralet bërthamore, e konsiderojnë energjinë bërthamore si thelbësore për të eleminuar në mënyrë graduale energjinë nga qymyri, i cili emeton CO2. /monitor