4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Hasan Vogli – (1870-1928) “Mësues & Bamirës”

Më të lexuarat

Ky është mësuesi dhe bamirêsi tiranas Hasan Vogli. Sipas letrave rezulton se në vitin 1927, ai i dhuroi Strehës Vorfnore 734 rrënjë ullinj, të ndodhur në katundet Kryezi e Përcëllesh. (burimi Gazmend Bakiu)
Çerek shekulli i parë i historisë së zhvillimit të kulturës dhe të arsimit në Tiranë lidhet ngushtë me emrin dhe veprimtarinë e Hoxhë Hasan Voglit. Hapja e alfabetit të Stambollit, funksionimi i shkollës fillore “Ylli” në Tiranë, qëndresa heroike ndaj persekutimeve që iu bënë patriotëve, themelimi i jetimores së Tiranës dhe shumë vepra bamirëse, e bënë shumë të dashur dhe të nderuar emrin e Hasan Voglit.
Hasan Vogli rrjedh nga një familje tiranase me tradita atdhetare. Ai kreu shkollën plotore (ruzhdije) në Tiranë, kurse në Shkodër vazhdoi shkollën pedagogjike me gjuhë mësimi turqishten, “Darul-mualiminë”. Sipas të dhënave ai ndoqi edhe arsimin e lartë në Stamboll, ku u pajis me një kulturë të lartë fetare. Që në fillim u ingranua në lëvizjen patriotike. Si kredo të veprimtarisë së tij shoqërore ai kishte parullen “Jam shqiptar, flas shqip dhe gjuhën shqipe do ta shkruaj edhe me gjak”. Kësaj motoje ai nuk i devijoi asnjëherë. Shërbeu si mësues i shkollës fillore shqipe të Tiranës, që drejtohej nga Filip Ashiku, duke e filluar punën më 1901. Njëkohësisht shërbeu si mësues edhe në shkollat e tjera turke, gjithmonë duke iu përmbajtur parimeve të tij.
Me shpalljen e Pavarësisë punoi si mësues në disa shkolla të Tiranës, derisa vdiq në moshën 58- vjeçare. Kudo që do të ndërmerrej ndonjë nismë për të ndihmuar nevojtarët, ose për të ngritur ndonjë institucion që mungonte, ai do të zgjidhte kuleten e tij, do të angazhohej me tërë autoritetin që gëzonte. Shumë vajza jetime i kanë gëzuar martesat e tyre në sajë të ndihmave që ai u ka dhënë. Jetimorja e Tiranës është ndihmuar nga ky burrë i madh, i cili, pas vdekjes ullishtet e tij ia kaloi si pasuri vakëf këtij institucioni.
Burimi: Zekaj, Ramiz. Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, AIITC, Tiranë 2002, fq. 280-282.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit