Komandanti i Gardës Kombëtare Gjeneral brigade Xhevahir Geci tha se Kosova e di vlerën e qenve të kërkim-shpëtimit, sidomos nga tërmeti që ndodhi në veri të Shqipërisë ku humbën jetën dhjetëra viktima
Njësia e Kërkim-Shpëtimit K9 e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka pranuar donacion gjashtë qen të specializuar për kërkim-shpëtim nga ushtria e Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nëpërmjet një dorëzimi formal të qenve, përfaqësues të FSK-së, bënë të ditur se pjesëtarë të FSK-së kanë bërë trajnim për dy muaj e gjysmë në Turqi për manovrimin me qentë e kërkim-shpëtimit.
Komandanti i Gardës Kombëtare Gjeneral brigade Xhevahir Geci, në fjalën e tij, tha se Kosova e di vlerën e qenve të kërkim-shpëtimit, sidomos nga tërmeti që ndodhi në veri të Shqipërisë ku humbën jetën dhjetëra viktima.
“E dimë vlerën e K9, e dimë ngase e kemi provuar gjatë vitit 2019 në tërmetin që ndodhi në Shqipëri, ku punës tonë iu shtua niveli i profesionalizimit dhe me qen e kemi bërë një punë profesionale dhe më të lehtë duke mos rrezikuar drejtpërdrejt pjesëtarin e FSK-së. Mirëpo, na ka dhënë një pasqyre qindpërqind më të mirë dhe punë efikase”, tha Geci, i cili u tha ushtarëve që aftësitë e fituara nga trajnimi në Turqi t’i shkëmbejnë edhe me kolegët tjerë dhe t’i rifreskojnë ato.
Geci falënderoi ushtrinë turke për donacionin dhe theksoi se ky donacion do të jetë në duar të sigurta.
Atasheu ushtarak turk në Kosovë, Çagdash Akif Kahraman, përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për të cilët tha se përfunduan me sukses trajnimin e tyre.
Ai tha se si pjesëtarë të forcave të ushtrisë turke janë krenarë që ndajnë eksperiencën e trajnimit me vëllezërit kosovarë, ndërsa tani është përgjegjësi e FKS-së të forcojnë këtë trajnim duke punuar shumë.
“Si forca të armatosura turke, dëshiroj të theksoj se ne do të vazhdojmë të jemi gjithmonë me juve, vëllezër kosovarë, në aktivitete të ndryshme trajnuese si dhe në fusha të tjera”, theksoi Akif Kahraman.
Kompania e kërkim-shpëtimit nga viti 2013 është duke u angazhuar në ngritjen e kapaciteteve operacionale me njësinë K9.
Përdorimi i qenve, sipas pjesëtarëve të FSK-së, ka shënuar arritje të madhe në avancimin e kapaciteteve operacionale dhe lehtësimin e punës të personelit në fusha specialistike, si në kërkim-shpëtim urban, në male, ujëra dhe orteqe.
K9 krijon mundësi të intervenimit më të shpejtë, më efikas dhe me më pak personel. Këta qenë janë në gjendje që përmes nuhatjes së njeriut, të identifikojnë nëse personi është i gjallë apo i vdekur.