0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Liderët e botës dhe çrregullimet e personalitetit

Më të lexuarat

Nga: Dr. Muhamed El-mehdij

Liderët e botës dhe çrregullimet e personalitetit

Gjatë konferencës së psikiatrisë, të mbajtur në Kairo 14/09/2005, mori fjalën edhe një nga figurat e shquara të kësaj fushe, Otto W. Stenfeldt. Ai foli mbi të drejtat e pacientit në veçanti dhe të njeriut në përgjithësi. Të gjithë fjalën, ai e mbajti duke lexuar në letrat e përgatitura me këtë rast. Kur mbërriti në një moment, ai ngriti sytë nga letrat dhe nisi të vështrojë të pranishmit të cilët kishin mbushur sallën e hotelit Hoto, ku zhvilloheshin punimet e konferencës. Mandej, ai filloi të tërheqë vëmendjen e sallës, sidomos mbi rrezikun e ardhshëm, atë të përhapjes së çrregullimeve të personalitetit në shoqëri, ndoshta edhe si epidemi, mbi normën mesatare. Sipas mendimit të tij, shkaku kryesor i referohej lidershipëve mbarë botërorë, të cilët nuk shërbejnë më si model për njerëzit në përgjithësi, dhe për fëmijët dhe të rinjtë në veçanti. Këta lidershipë, kanë hequr dorë nga shumë vlera morale, duke ndjekur shtigje dhe linja që karakterizohen kryesisht nga gënjeshtra, mashtrimi, interesi vetjak, hilet, shtypja, despotizmi, shfrytëzimi, lakmia për të zhvatur sa më shumë etj… Për tu bindur, referoju të gjithë deklaratave dhe sjelljeve të shumicës së lidershipëve mbarë botërorë në vitet e fundit. Ata kanë manifestuar dhe praktikuar sjellje aspak të moralshme, madje kanë përhapur vlera tragjike negative nëpërmjet mediave të fokusuara në jetën e tyre natë e ditë. Vlerat e përhapura prej tyre kanë pasur efekt drogues tek njerëzit, të cilët nuk i dënojmë më si më parë. Ata janë përhapur në të gjithë shtresat politike. A nuk e pranuan njerëzit skandalin seksual të Klintonit, si dhe gënjeshtrat e dy presindentëve Bush, baba e bir, gjatë luftrave që zhvilluan në Gjirin Arabik?
Më parë, popujt e shoqërive perëndimore e hiqnin menjëherë çdo udhëheqës politik që i gënjen apo i mashtron. Mesa duket, gjithçka ka ndryshuar. Korrupsioni moral ka depërtuar në çdo qelizë, ka fituar imunitet dhe pranohet e justifikohet, përderisa u shërben interesave të kësaj shtrese.
Shkencëtari i madh vazhdoi trajtesën e tij, por unë u zhyta në një zinxhir mendimesh dhe reflektimesh mbi këtë çështje të rëndësishme dhe të rrezikshme, të cilën në fakt e kisha parashikuar, por nuk ishte kristalizuar aq shumë. Ai është një fenomen, të cilin nëse nuk do i qasemi me seriozitet, do e çojë shoqërinë njerëzore drejt humnerës pafund.
Dy ditë më vonë, 16/09/2005, agjencia e lejmeve në Londër jep një sondazh botëror të zhvilluar nga instituti Gallup për llogari të BBC, i cili ishte zbatuar tek 50.000 persona në 68 shtete të ndryshme. Sipas këtij sondazhi, 2/3 e popullsisë së këtyre vendeve, besonin se qeveritë nuk merrnin vendime sipas vullnetit të popujve. Vetëm 11 % e të intervistuarve besonin tek politikanët e tyre.
Sipas sondazhit, shumica e popujve dëshirojnë që ti qeverisë dikush që i përket shtresës së intelektualëve, si shkrimtarët apo shkencëtarët. Këta, përbëjnë 35 % të intervistuarve. Sakaq 25 % prej tyre, shprehën dëshirën që të qeverisen nga klerikët fetarë. 48 % prej tyre, nuk besojnë se në shtetet e tyre zhvillohen zgjedhje të lira dhe të pastra.
Këto shifra dhe statistika janë tregues i gjendjes së nderë që mbizotëron në vendet tona, gjoja të lira, ku 89 % e popullit nuk i beson politikanëve. Vallë, çfarë ka ndodhur dhe cili është shkaku i kësaj gjendjeje të frikshme?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mjafton të sjellim ndërmend imazhin e cilitdo udhëheqësi dhe lideri politik të çdo vendi të botës, i zhvilluar qoftë apo i prapambetur. Padyshim, përjashtime të vogla mund të bëhen, por këtu po flasim në përgjithësi. Studioje historinë e tij, vendimet e marra dhe sjelljet dhe krahasoji me vlerat morale të shëndosha. Jam i sigurtë se do të befasohesh me vlerat negative që mbartin. Gjëja më e rrezikshme është se këto vlera negative, janë mbështjellë me një cipë mashtrimesh, gënjeshtrash dhe falsifikimesh. Mjafton të shohësh qëndrimet e liderëve amerikanë, britanikë, japonezë, kinezë dhe arabë, para dhe pas luftës së Irakut, për të zbuluar sa poshtë ka rënë niveli i tyre i vlerave. Dikush prej tyre, flet mbi ekzistencën imagjinare të armëve të shkatërrimit në masë, ashtu siç flet për të drejtën të cilën e ka shkelur me dy këmbët. Ai flet për parime dhe principe, edhe pse përdor standarde të dyfishta. Ai flet për paqen, ndërkohë që ka mbjellë tym e flakë në të katër anët. Ai flet për vendosjen e demokracisë në vendet e botës së tretë, ndërkohë që mbështet tiraninë dhe e ushtron atë në rang ndërkombëtar. Një tjetër flet mbi luksin imagjinar ku jeton populli i tij dhe jetën e lumtur, edhe pse njerëzit vuajnë për bukën e gojës. Dikush tjetër flet për liritë, ndërkohë që burgjet e vendit janë mbipopulluar dhe nuk marrin frymë. Sa herë që premtojnë jetë më të mirë, vetëm sa u ngushtohet litari në fyt njerëzve më shumë.
Kështu, ai flet mbi sinqeritetin, pastërtinë, transparencën, drejtësinë, respektin dhe dinjitetin e njeriut, ndërkohë që veprat e tij të dukshme dhe të fshehta qelben nga gënjeshtrat, falsifikimet, misteri, zullumet shkelja e të drejtave dhe dinjitetit njerëzor. Një lider pervers të flet natë e ditë për të drejtën e popullit për të vendosur, sakaq ai ia ka nxirrë jetën popullit që dyzet vite. Sjelljet e tij perverse dhe arrogante kanë depërtuar në çdo cep të jetës. Aventurat e tij politike e kanë varfëruar popullin dhe shkatërruar pasuritë e vendit. Një tjetër shfrytëzon korrupsionin mbarëbotëror në zhvillimin industrial dhe garantimin e sa më shumë të ardhurave ekonomike, sakaq morali vaftë në ferr.
Organizata të ndryshme botërore të cilat priten të jenë neutrale dhe ti shërbejnë njerëzimit, kanë rënë pre e babëzive të fuqive të mëdha, duke u shërbyer interesave të tyre në kurriz të varfanjakëve.
Kryeredaktori i një gazete të përditshme, një mediokër i gjorë, shkruan kushedi sa vite editorialin e gazetës, të cilin sa herë e lexon të duket se nuk ke lexuar gjë. Qëllimi i tij është thjesht të glorifikojë udhëheqësin suprem, të justifikojë gafat e tij, e mundësisht ti paraqesë si sukses dhe arritje madhështore.
Diku tjetër sheh një kryeministër, me një buzëqeshje të pajustifikueshme dhe  optimizëm naiv. Ai flet për shifra të  cilat të kujtojnë epokën e lulëzimit dhe jetës luksoze, ndërkohë që njerëzit jetojnë në skamje të thellë, i ka mbërthyer paniku e epidemitë vdekjeprurëse.
Në një cep, sytë të zënë një drejtor interesaxhi, i cili ka nxjerrë goxha mësime nga eprorët e vet. Prandaj, ai (keq) përdor gjysmën e vartësve për spiunlliqe kundër gjysmës tjetër që nuk e kanë privilegjin të gëzojnë kënaqësinë e tij, të demoralizuarit, të pakënaqurit, të privuarit nga çdo e drejtë e ligjshme, armiqtë e kombit dhe të stabilitetit.
Ja ku kemi dhe kreun e këshillit administrativ të një kompanie për prodhim ilaçesh dhe marketingu. Shumicën e kohës ia marrin drekat e darkat me ministrin e shëndetësisë dhe zyrtarët e tjerë, për tu zhvatur një firmë e cila i lejon hyrjen e futjen e ilaçeve dhe shpërndarjen e tyre, pa marrë parasysh nëse janë të dobishme apo të dëmshme. Për t’ia arritur qëllimit, ai përdor të gjitha mjetet e “ndershme” si ryshfetet, darka e dreka, dhurata të majme, lehtësime etj…
Nuk dua të zhytem më shumë në modele korrupsioni pafund që kanë gozhduar shoqëritë humane, për t’ia lënë këtë punë kujtesës së çdo lexuesi dhe përvojës ë tij për ta plotësuar gjer në fund. E megjithatë, dikush mund të pyesë: Mirë more djema, po çfarë nuk shkon në të gjithë këtë? A nuk është e tillë natyra njerëzore? A nuk kanë ekzistuar modele të tilla në të gjitha shoqëritë njerëzore përgjatë shekujsh?
Në fakt, ashtu është… por ajo që e dallon kohën tonë nga kohët e lashta, është lehtësia me të cilën përhapet dhe depërton virusi i këtyre sëmundjeve në çdo qelizë të jetës, në vendet e prapambetura dhe në ato të zhvilluarat. Në të njëjtën kohë, aftësia shkatërruese e mediave për të na i paraqitur këto modele si liderë të politikës, mendimit dhe teknologjisë, madje se vlerat që përfaqësojnë janë vlera të suksesit, supremacisë dhe influencës. Rezultati i pritshëm është unifikimi i shumë nejrëzve, madje edhe i atyre që janë dëmtuar nga sjelljet e kësaj elite, me këto vlera. Ata i përvetësojnë dhe adaptojnë ato, duke u bërë njësh me agresorin. Kështu, shohim popuj të shtypur dhe të persekutuar që në një periudhë, e humbasin aftësinë për ta dënuar dhe kundërshtuar atë që u ndodh, duke adaptuar vlerat e shtypësve dhe atyre që kanë shkelur me këmbë dinjitetin e tyre, i kanë burgosur dhe u kanë mohuar të drejtat. Me gjithë këto, ata i sheh me fotot e liderëve të tyre, të  cilat i varin kudo dhe u urojnë jetë të gjatë. E kujt, atyre që ua kanë shkurtuar dhe nxirrë jetën. Po, atyre u japin votat në zgjedhje, për ta brohorasin dhe duartrokasin. Unifikimi me agresorin, është një mekanizëm mbrojtës (i cili mbron dhe garanton agresorin) në mënyrë iluzive dhe të papjekur. Ata nuk e ndjejnë më se janë viktima të liderit të tyre, madje ndihen sikur qëndrojnë në një linjë dhe rresht me ta, siç hamendësojnë.
Nëse ky proces i ndodh një populli të caktuar, përbën një katastrofë të vërtetë, pasi humbasin vizionin kritik ndaj sjelljeve negative të liderishipit. Kjo do të thotë se përmendja nga kjo gjendje, bëhet e vështirë. Ajo varet nga aftësia e një pakice elite intelektualësh dhe mendimtarësh, të cilët i kanë shpëtuar unifikimit me agresorin dhe tiranin, për të udhëhequr një lëvizje reformatore të suksesshme ose jo, në varësi të kushteve sociale ku jetojnë, si dhe në varësi të aftësisë për rezistencë dhe gatishmërisë për të paguar taksën e ndryshimit.
Kur korrupsioni depërton çdo qelizë, fillon e shihet si normal dhe shndërrohet në standart që drejton sjelljet e njerëzve. Në një situatë të tillë, reduktohen, groposen, fashiten dhe zveniten të gjitha vlerat morale. Ata që vazhdojnë tu besojnë këtyre vlerave, ndihen të izoluar, të rrudhur, të huaj dhe të çuditshëm. Njerëzit as i shohin dhe as ua dëgjojnë zërin. Në këtë derexhe pati arritur populli i Lutit a.s, kur i akuzonin besimtarët si njerëz të pastër dhe të dëlirë. “Dëbojeni familjen e Lutit prej qytetit tuaj, sepse ata janë njerëz të dëlirë!” (Neml, 56)
Dëlirësia dhe pastërtia në këtë shoqëri, shihej si epidemi dhe krim që meritonte eleminimin. Shoqëritë e këtij kalibri njihen nga institucionet të cilat kanë si funksion zhbirimin dhe identifikimin e prirjeve dhe orientimeve të kandidatëve për poste, larg aftësive të tyre shkencore dhe shkathtësive profesionale. Postet udhëheqëse janë të limituara vetëm për ata që përkojnë me tiparet dhe cilësitë e tyre. Me kalimin e kohës dhe vijimin e procesit shoshitës, qendrat udhëheqëse të larta dhe të mesme, boshatisen nga elementët e pastër, të ndershëm dhe të moralshëm, duke ua lënë vendin disfatistëve, konformistëve dhe të korruptuarve. Për rrjedhojë, epidemia e korrupsionit fillon e zgjerohet
Sistemi i korrupsionit fillon e hedh rrënjë duke u zgjeruar më shumë, pasi kështu shtresa e korruptuar mbron veten. Rezultati përfundimtar është identifikimi i shenjave të çrregullimeve të personalitetit tek një numër i madh i individëve, kryesisht pragmatizmi dhe oportunizmi të cilat manifestohen nëpërmjet gënjeshtrës, hileve, mashtrimit, dyfytyrësisë, vjedhjes, provokimit, shantazhit, falsifikimit etj…
Me të drejtë dikush mund të shtrojë pyetjen: A nuk është tërheqja e njerëzve të moralshëm, duke ia lënë terrenin njerëzve me pushtet dhe fuqi, tregues që udhëheqjen dhe ndikimin e meritojnë këta me pushtet dhe fuqi? A nuk është kjo tregues se logjika aktuale është ajo e pushtetit dhe fuqisë, ndërkohë që logjika e moraleve është logjika e ëndrrave dhe fantazisë?
Është fakt që njerëzimi ka jetuar dhe prodhuar civilizime, jeta e të cilave ka qenë një kokteil mes pushtetit dhe vlerave, në ndërveprim dhe ekuilibër mes tyre. Kjo vazhdoi gjersa civilizimi modern i dha një goditje vdekjeprurëse vlerave, gjë e cila bëri që fuqia dhe pushteti të kontrollojnë të gjithë terrenin, duke injoruar normat morale dhe të ligjshme në mënyrë të paprecedentë. Këtu nuk kemi qëllim vetëm pushtetin ushtarak dhe kolonialist, por edhe atë ekonomik i cili zhbiron çdo qoshe të botës në kërkim të interesit, atij që zhvat thesaret e mjeranëve. Këtu kemi qëllim edhe pushtetin mediatik, i cili i hedh hi syve të teleshikuesve, u mpin arsyen, nxit dhunën dhe instinktet shtazarake, për të larguar vëmendjen nga shkeljet e normave morale.
Problemi është se rruga nëpërmjet të cilës këta liderë vijnë në pushtet – në vendet e zhvilluara nëpërmjet zgjedhjeve, kurse në vendet në zhvillim nëpërmjet grushteve të shtetit – ofron shanse të mëdha për mashtruesit, manovruesit dhe dallaveraxhinjtë me votat e njerëzve. Ndërkohë që ata që u besojnë vlerave dhe normave të moralit, në përgjithësi dështojnë në përdorimin e këtyre instrumentave. Ata nuk i kanë aftësitë e manipulimit të zgjedhjeve siç ndodh në vendet demokratike, e ndoshta nuk kanë as të hollat e nevojshme. Njëkohësisht, ata nuk mund të vijnë në pushtet me anën e fuqisë ushtarake në vendet në zhvillim. Në të dy rastet, kjo shtresë qëndron larg elitës qeverisëse, përveç ndonjë rasti të rrallë.
Në fund të fundit, ky është një problem që para se të shfaqet në terren, ndodh dhe zhvillohet në strukturën mendore të individit dhe shoqërisë, modelet dhe tiparet e personalitetit të cilëve orientohet drejt asaj që është më e lehtë dhe më e kapshme. Kështu, njerëzit adaptojnë antivlera si gënjeshtra, mashtrimi, shfrytëzimi, provokimi, falsifikimi, servilizmi, manipulimi, dhuna dhe shtypja. Nga ana tjetër, shohim një mungesë të vlerave fetare, shpërfytyrim të tyre dhe njollosje të tyre me nofka si ekstremizëm dhe terrorizëm. Vlerat fetare, në fakt janë burimi i vlerave absolute të cilat burojnë nga qielli dhe jo nga lakmitë, babëzia dhe epshet njerëzore. Ato janë absolute për shkak se nuk ndryshojnë sipas kushteve, njerëzve dhe interesave. Sinqeriteti dhe çiltërsia mbeten vlera të pandryshueshme në çdo situatë dhe rrethanë. Po kështu janë dhe amaneti, dhembshuria, toleranca, vëllazëria, mbështetja sociale, dashuria etj…
Liderët e vlerave fetare origjinale dhe absolute – falë liderëve botërorë – janë gozhduar në llogoren e mbrojtjes kundër orvatjeve për ti njollosur dhe shpërfytyruar. E për rrjedhojë, atyre u ka humbur aftësia e ndikimit, orientimit dheu dhëheqjes, aftësi të cilat tashmë kanë kaluar tek ata që kanë në dorë pushtetin dhe forcën.
Një situatë e tillë, është sinjali i alarmit se gjendemi përballë një ndotje epidemike e cila prek personalitetin njerëzor në masë të madhe. Ose mund të themi se është një virus i cili depërton në programin njerëzor dhe e shpërfytyron.
Kjo ndotje, apo virus është përshkon çdo kontinent, kulturë dhe shoqëri. Për shkak të këtij rreziku kaq madhor, me të nuk bëjnë dobi orvatjet e thjeshta, sipërfaqësore dhe lokale për ta neutralizuar. Për këtë, lipset mendja e burrave të mençur dhe shkencëtarëve objektikëve që jetojnë mbi faqen e tokës, të cilët duhet të  bëjnë diagnostikimin, të japin recetën e trajtimit, mekanizmat dhe të ndjekin me rigorozitet zbatimin e saj. Vetëm kështu mund të tërhiqen nga tregu gënjeshtrat, mashtrimet dhe devijimet e tjera, për të arritur tek thelbi i të vërtetës dhe për të ndërgjegjësuar njerëzimin kah rruga e drejtë të cilën e ka humbur, ose është gati në të humbur.
Shoqata Botërore e Psikiatrisë, ka propozuar një mekanizëm për identifikimin e çrregullimeve mendore në mesin e liderëve, presidentëve, mbretërve dhe udhëheqësve, për të marrë masat për shmangien e rrezikut që ata përbëjnë për nejrëzimi. Ata kanë në dorë të marrin vendime shkatërruese, pasi zotërojnë arsenale të pafund armësh dhe miliarda dollarësh me të  cilët mund tu marrin jetën miliona njerëzve e të vënë në rrezik qetësinë dhe zhvillimin e popujve të tyre. Në vendet ku lejohet mbajtja e armëve, fillimisht personit i kërkohet një autorizim nga mjeku psikiatër në të cilin vërtetohet se personi në fjalë është i shëndoshë mendërisht. Si është e mundur që kjo nuk kërkohet për liderët e presidentët të cilët kanë në dorë arsenal ushtarak, bërthamor, biologjik dhe ekonomik të pallogaritshëm!
Në fakt ka shumë faktorë metodologjikë dhe teknikë që e vështirësojnë një procedurë të tillë. Si do mund të vlerësohej gjendja mendore dhe çrregullimet e personalitetit tek kjo shtresë? Kush e gëzon një të drejtë të tillë? Si mund të garantojmë paanësi dhe drejtësi? Por nëse arrihet vlerësimi, kush do jetë institucioni që ka në dorë ti vërë me shpatulla pas murit? Si mund të garantojmë se kjo nuk do të shfrytëzohet nga qarqe të fuqishme? Si mund të garantojmë se fuqitë e mëdha, nuk do akuzojnë personat që nuk ndjekin linjën e tyre, si persona me çrregullime psikike dhe personaliteti?
Diçka e tillë meriton më shumë thellim dhe studim serioz, pasi vetëm kështu do mund ta ruajmë njerëzimin nga shpërfytyrime mendore dhe morale të cilat kryesisht prekin liderët, por që infektojnë dhe ndotin edhe popujt dhe shoqërinë njerëzore.
Perktheu: Elmaz FIDA

Rating: 4.0 of 5. 3 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit