Nga: ardhmeriaonline
A është gruaja e lumtur!?
I ftuar: Imadudin Halil, Profesor historie, pranë fakultetit të studimeve islame dhe arabe në Dubai. Studiues dhe shkrimtar islam
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Ju urojmë mirëseardhjen në emisionin tonë, për të cilin kemi zgjedhur si moto:”Derisa lumturia të jetë tradita jonë.” Me këtë cikël emisionesh, kemi si synim që të mbetemi në kontakt të vazhdueshëm me admiruesit tanë.
Tema të cilën do të trajtojmë sot është: “A është gruaja e lumtur”?
Kjo temë, ka të bëjë më shumë me aspektin ideologjik dhe teorik, se ai praktik.
I ftuari ynë, me të cilin do diskutojmë rreth kësaj teme, është profesori Imadudin Halil. Ne i urojmë atij mirëseardhjen dhe fillimisht e pyesim:”Çfarë mendimi keni mbi një temë të tillë”?
Prof. Imadudin Halil: ”Besoj se duke folur rreth një teme të tillë, do të përpiqemi të kurojmë praktikisht një problem tejet të rëndësishëm. Kjo temë mbi të cilën do të flasim, përbën një nga sfidat e shumta, me të cilat ballafaqohet gruaja në shoqëritë muslimane dhe arabe”.
Cila është më e lumtur, gruaja lindore apo ajo perëndimore?
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në një anketimin tonë, u drejtuam një numri të shumtë grash, këtë pyetje:”Kush është më e lumtur, gruaja lindore apo gruaja perëndimore?” Pasi të shohim përgjigjet e dhëna, dua të japësh mendimin dhe komentin tënd”!
Gruaja e parë: ”Gruaja lindore është më e lumtur, për shkak të traditave, zakoneve dhe fesë. Kjo padyshim është një tregues i rëndësishëm i identitetit të saj, ndërkohë që diçka të tillë nuk e shohim në perëndim. Mendoj se ky është një dallim thelbësor dhe i madh”.
Gruaja e dytë: ”Duke anashkaluar kombësinë dhe nënshtetësinë e gruas, mendoj se ajo ndihet e lumtur sipas raportit të realizimit të ambicjeve dhe ëndrrave të saj”.
Gruaja e tretë: ”Gruaja perëndimore ka koncepte totalisht materialiste. Prandaj, me të mbaruar paratë e burrit të saj, ajo e braktis. Ndërkohë që kjo nuk ndodh me gruan lindore, e cila duron. Kurse traditat dhe zakonet, ia shtojnë më shumë lumturinë”.
Gruaja e katërt: ”Gruaja lindore është më e lumtur, pasi dhuna tek burrat perëndimorë është më theksuar se tek ata lindorë”.
Gruaja e pestë: ”Sipas mendimit tim, gruaja lindore është më e lumtur, për shkak të traditës dhe zakoneve, të cilat e mbrojnë dhe i garantojnë të drejtat e saj. E kundërta ndodh me gruan perëndimore, e cila ka humbur të drejtat dhe humanizmin e saj, si rezultat i qytetërimit dhe civilizimit të cilit i përket…”
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cili është komenti juaj i nderuar doktor, mbi këto përgjigje”?
Prof. Imadudin Halil: ”Jam i detyruar t’a pranoj që të intervistuarat nuk janë në nivelin e duhur arsimor, profesional dhe shpeshherë fjalët e tyre janë të tradhëtuara nga ajo, që kanë në mendje dhe në zemër. Megjithatë, duket qartë që shumica e tyre mendojnë, se gruaja lindore dhe ajo muslimane në veçanti, ndihet më e lumtur dhe më e qetë se gruaja perëndimore”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po cili është mendimi juaj personal lidhur me këtë çështje?”
Prof. Imadudin Halil: ”Përgjigjen time dua t’a përmbledh në thënien:”Kush e ka më të kollajtë të sigurojë lumturinë e gruas dhe të familjes, mjeshtëria hyjnore apo mjeshtëria njerëzore”?
Gjatë kësaj teme, do të përpiqem që të sjell eksperienca praktike, thënie, ideologji, doktrina etj… me qëllim lehtësimin e krahasimit mes mjeshtërisë hyjnore dhe asaj njerëzore. Këtë e them edhe pse ne muslimanët jemi tejet të bindur, që mjeshtëria hyjnore qëndron sipër asaj njerëzores. Nga mjeshtëria njerzore është vërtetuar dhe konfirmuar brez pas brezi dobësia dhe paaftësia e saj, për t’i ofruar njerëzimit dhe sidomos gruas, qetësinë dhe lumturinë e duhur”.
Lumturia është një sërë faktorësh
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë ju mendoni se gruaja perëndimore është e vuajtur”?
Prof. Imadudin Halil: ”Është e nevojshme të dihet se lumturia ose vuajtja, nuk janë pjellë e një eksperience të caktuar. Ekzistojnë shumë faktorë të tjerë, të cilët çojnë në lumturinë e gruas.
P.sh, gruaja në perëndim, mund të arrijë një farë lumturie në një fushë të caktuar, por kjo jo për shkakun se ajo është grua apo se gëzon një pozitë të caktuar në familje.
Gjithashtu, shohim që gruaja në lindje vuan, ndihet e trishtuar dhe e braktisur, por kjo jo për shkak të Islamit dhe ambjentit musliman ku jeton. Kjo shkaktohet nga një sërë kushtesh ekonomike, shoqërore dhe kulturore, të cilat e bëjnë gruan lindore të vuajë, vuajtje të cilat nuk i has tek gruaja perëndimore”.
Krahasim i padrejtë
Një teleshikues nga Amerika: ”Besoj se do ishte i padrejtë krahasimi mes gruas perëndimore dhe asaj lindore, vetëm nëse do të banonim dhe t’i njihnim detajet e secilës nga këto dy shoqëri. Unë personalisht, kam jetuar gjysmën e jetës në shoqëri lindore dhe gjysmën tjetër po e jetoj në Amerikë.
Nga njëra anë, gruaja lindore nuk lodhet dhe nuk vuan shumë jashtë shtëpisë për të siguruar jetesën, ashtu siç lodhet gruaja perëndimore. Padyshim që ky është një privilegj që e gëzon gruaja lindore.
Nga ana tjetër, gruaja perëndimore gëzon lirinë dhe pavarësinë e plotë, e cila e bën të barabartë me burrin. Ajo ëshë në gjendje t’a braktisë burrin dhe shtëpinë në çdo kohë, ndërkohë që gruaja në shoqëritë arabe është e ngujuar, herë nga zakonet dhe tradita, herë nga fjalët e njerëzve dhe herë të tjera nga mundësitë financiare.
Për të gjithë këto që thashë, mendoj se mendimet dhe përgjigjet e dhëna nga gratë e intervistuara nuk janë të sakta dhe të studiuara mirë”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Teleshikuesi nga Amerika, e shikon si të pabazuar krahasimin mes gruas lindore dhe asaj perëndimore. Veç kësaj, ai mendon se gruaja perëndomore gëzon të drejta më shumë se një grua lindore, gjë që e bën atë më të lumtur. Cili është mendimi juaj profesor i nderuar”?
Prof. Imadudin Halil: ”Mendoj se këndvështrimi nga i cili niset teleshikuesi nga Amerika, është një këndvështrim i gabuar. Ai është një kënvështrim i pjesshëm, ku merren disa kampione nga jeta e gruas perëndimore – si pavarësia, liria etj… – dhe arrihet në përfundimin se ajo është e lumtur me këto të drejta që gëzon.
Unë dua t’a pyes teleshikuesin: ”Kush e ka thënë që gruaja muslimane nuk e ka në dorë të largohet nga shtëpia kur të dojë”?
Krahasimet mes dy shoqërive nuk bëhen duke u nisur vetëm nga një aspekt i caktuar. Krahasimi duhet të bëhet i bazuar mbi një rrjet të tërë të dhënash dhe eksperimentesh, ose më saktë të bëhet sipas idesë së “Shikimi i zogut” (vieë of bird). Vetëm duke e parë nga lart, do të mund të gjykojmë dhe kuptojmë që gruaja muslimane është më e privilegjuar. Këtë do e mbështesim gjatë bisedës dhe diskutimit, me thënie të vetë perëndimorëve, mendimtarë, shkencëtarë dhe studiues të ndryshëm”.
Dashuria bashkëshortore në një familje muslimane.
Një teleshikuese nga Libia: ”Unë falenderoj Zotin që jam një grua muslimane dhe jetoj në një shoqëri muslimane, e cila dallohet për traditat dhe zakonet e saj. Pyetja ime është si më poshtë:
“Përse kur gruaja ruan nderin e saj dhe kryen të gjithë detyrat e saj si ndaj familjes ashtu dhe ndaj burrit të saj, ajo akuzohet për tradhëti bashkëshortore nga vetë i shoqi?! Diçka e tillë më ka ndodhur mua personalisht”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Edhe pse një pyetje e tillë nuk ka të bëjë me temën, unë do e lejoj profesorin e nderuar që të japë mendimin e tij rreth kësaj çështjeje”!
Prof. Imadudin Halil: ”Ky është një rast i veçantë dhe nuk mund t’a përgjithësojmë për të gjithë muslimanët. Tek një familje muslimane, gjen qetësinë dhe besimin reciprok mes dy bashkëshortëve, gjë të cilën nuk e has tek një familje perëndimore, ku as burri nuk i zë besë gruas dhe anasjelltas. Ky është një fakt i njohur dhe që e përmendin shumë studiues, prej tyre dhe Gustav Lubon, i cili në librin e tij “Qytetërimi i perëndimit” e quan një fakt të tillë si poligami e fshehtë”.
Familja në komunizëm.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është e mundur doktor i nderuar që të sjellësh në këtë emsion disa dëshmi të cilat provojnë se gruaja perëndimore nuk është më e lumtur se gruaja lindore”?
Prof. Imadudin Halil: ”Sigurisht. Dëshminë e parë dua t’a sjell nga përvoja marksiste-leniniste (komuniste). Vetë perëndimorët dhe studiuesit e tyre e pranojnë, që përvoja komuniste ishte një nga degët e qytetërimit perëndimor.
Në fillimet e themelimit të Bashkimit Sovjetik dhe pas revolucionit të tetorit të vitit 1917, u hodh një tezë dhe ide, ideator i të cilës ishte vetë Karl Marksi dhe Engelsi. Kjo teori dhe ide u pasurua nga ndjekësit e tyre dhe u njoh si “teoria e gotës së ujit”. Ajo përmblidhet në faktin, që kur njeriu ndihet i uritur seksualisht, ai duhet t’a shuajë këtë uri sa më shpejt dhe në çdo formë, ashtu siç shuan i eturi etjen, duke pirë ujë.
Dy vite më vonë, u pa që Bashkimi Sovjetik do të përballet me një brez hibridësh dhe kopilësh, siç i quante vetë Lenini.
Ishte vetë Lenini i pari, që e braktisi këtë teori marksiste. Ai i bëri thirrje popullit rus, që t’a hedhë poshtë teorinë e gotës së ujit, t’i kthehej familjes dhe t’a mbronte shoqërinë nga dobiçët dhe hibridët.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po në perëndim, a nuk haset një shoqëri hibride sot”?
Prof. Imadudin Halil: ”Kjo që përmendëm ka të bëjë me Rusinë dhe shoqërinë ruse, të cilët zbatonin parimet komuniste. Ishte ndryshimi që lartpërmendëm, ai që e mbrojti Rusinë nga kanceri i shthurrjes dhe degjenerimit, gjë e cila do e kishte shkatërruar atë që me kohë.
Teoria e gotës së ujit, e cila konsistonte në ngopjen e urisë dhe epsheve seksuale në çdo formë dhe që luftonte në themel vetë familjen, do e kishte çuar shoqërinë ruse drejt greminës. Sipas teorisë marksiste leniniste, familja është një dukuri borgjeze dhe që do të shpërbëhej menjëherë me zbatimin e kësaj teorie nga ana e proletariatit.
Me këtë rast, më vjen në mendje thënia e një anglezi të njohur të kohëve moderne (Xhons Frids), ku në librin e tij “Shkëmbi ndryshe” përdor termin “Konflikti me historinë”.
Me këtë, sikur komunistët me në krye Frojdin dhe filozofë të tjerë, ishin përleshur dhe ndodheshin në konflikt me përvojën njerëzore, institucionin civilizues dhe vetë natyrën e pastër njerëzore”.
Familja sipas përvojës kapitaliste.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Le t’u kthehemi sërish dëshmive dhe shembujve, të cilët na japin një panoramë më të qartë rreth lirisë së gabuar në perëndim, liri e cila po e çon familjen drejt greminës dhe shkatërrimit”.
Prof. Imadudin Halil: ”Nëse do të hedhim vështrimin në sferën perëdimore dhe kapitaliste, atje do të gjejmë Frojdin, i cili në fillimet e këtij shekulli i kushtoi një rëndësi të madhe aspektit seksual, duke e faktorizuar atë dhe konsideruar lirinë seksuale si çelës të lumturisë së njeriut. Liria seksuale – sipas Frojdit – do e shpëtonte njeriun nga të gjithë komplikacionet.
Edhe pse kjo teori përmbante disa aspekte pozitive, ajo nuk duhet përgjithësuar në të gjithë aspektet e jetës, ashtu siç bëri Frojdi. Teorinë e Frojdit, edhe pse me shumë gabime, e adoptuan shkencëtarë, mendimtarë dhe psikologë të shumtë. Ajo vazhdoi të merrej për bazë, derisa së fundmi ra nga brezi i ardhshëm, madje u hodh poshtë nga vetë bashkëkombasit e Frojdit, si Lark, Jong dhe të tjerë.
Kohët e fundit më ka rënë në dorë një libër i botuar në Amerikë me titull “Rënia e perandorisë Frojdiane”, ku autori thotë: ”Frojdi kishte aftësi të rralla në lojën e fjalëve, të cilave u vishte petkun letrar. Por nëse e studiojmë teorinë e tij thellësisht në nivel psikologjik dhe seksual, ajo e humbet forcën me të cilën u prezantua…”
Teoria e Frojdit, rrënohet teksa lexon libra të tillë, të cilët e vendosin aspektin seksual në një qoshe të ngushtë. Kështu, liria perëndimore në konteksit seksual, nuk është liri e vërtetë, por liri e degjeneruar dhe e devijuar nga natyra njerëzore”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kështu, koncepti i lirisë, është komplet ndryshe në dy realitetet, atë perëndimore dhe lindor. E çfarë lirie është ajo, e cila e lejon vajzën katërmbëdhjetë vjeçare të shoqërohet me djem për një farë kohe, për t’i braktisur më vonë, pasi të ketë gjetur një shok tjetër”?!
Një teleshikues nga Libia: ”Mendoj se gruaja lindore është komplet ndryshe nga ajo perëndimore. Gruaja në perëndim përdoret vetëm për joshje dhe tundim, ndërkohë që në lindje edukohet dhe është gjithmonë nën kujdesin e familjes, shoqërisë dhe traditave. E gjitha kjo, me qëllim që ajo të ruajë nderin e saj dhe të familjes nga çdo skandal i mundshëm”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Tani le të shohim rezultatet e një ankete, ku të intervistuarve u bëmë këtë pyetje: ”Kush gëzon liri më të madhe, gruaja lindore apo ajo perëndimore”.
Anketa:
Një burrë: ”Mendoj se kjo ndryshon sipas kritereve dhe koncepteve të çdo
shoqërie. Kështu, sipas koncepteve në perëndim, gruaja perëndimore gëzon më shumë liri se ajo lindore. Ndërkohë që sipas koncepteve lindore, edhe gruaja lindore gëzon lirinë e saj të duhur”.
Një grua: ”Gruaja perëndimore gëzon më shumë liri, ndërkohë që gruaja lindore
ndihet më e sigurtë”.
Një grua: ”Gruaja perëndimore gëzon më shumë liri, liri të cilën e ka si nga burri
ashtu dhe nga shoqëria. Kurse gruaja lindore gëzon një përqindje të caktuar të lirisë, pasi ajo ndodhet nën presionin e shoqërisë dhe traditave të ndryshme”.
Një burrë: ”Padyshim që gruaja perëndimore gëzon më shumë liri se ajo lindorja.
Ajo mund të veshë ç’të dojë pa pyetur për shoqërinë dhe zakonet që e detyrojnë të jetojë sipas një modeli të caktuar. Ajo gëzon liri absolute”.
Konflikti me natyrën njerëzore.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Pas kësaj ankete dhe raporti, a mendoni i nderuar doktor që gruaja perëndimore është në konflikt me natyrën e saj”?
Prof. Imadudin Halil: ”Fillimisht dua të komentoj fjalët e të intervistuarit të fundit, i cili u shpreh se gruaja në perëndim gëzon liri absolute.
Ajo që dua të vë theksin unë, është se fjalët e mësipërme tregojnë mungesë informacioni dhe mosnjohje të realitetit. Vetë filozofët, shkencëtarët dhe studiuesit pohojnë, që liria e pakontrolluar dhe e palimituar çon në kaos dhe anarki. Madje, shpeshherë çon në zhvatjen dhe përdhosjen e të drejtave të njerëzve.
Vetëm një liri e kontrolluar, garanton dhe siguron të drejtat dhe liritë e individëve të tjerë. Me qëllim që njerëzimi të jetojë në paqe, liritë duhet të jenë të limituara dhe të kontrolluara.
Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj rreth konfliktit të gruas me natyrën e saj si grua, shohim se vetë e dashura e themeluesit të ekzistencializmit (Xhan Pol Sarter) e refuzoi martesën me të dashurin e saj, duke pretenduar se martesa do e kufizonte aktivitetin e saj. Kur i dashuri i saj i kërkoi të lindnin një fëmijë, ajo përsëri refuzoi madje u sterilizua që të mos lindë kurrë. Ajo pranoi të flinte me të dashurin e saj duke qenë të dy të barabartë në çdo gjë. Padyshim që diçka e tillë konsiderohet si agresivitet i qartë mbi natyrën e gruas, ndjenjave të saj dhe vazhdimësisë së jetës mbi tokë.
Studiuesi amerikan Ben Ëikper, i cili u mor me studimin dhe kërkimet rreth demografisë amerikane, arriti në rezultatin se mesatarja e lindjeve në perëndim është në rënie”.
Gruaja lindore ndihet më e lumtur.
Një teleshikuese nga Amerika: ”Unë dua të theksoj se lumturia është dy lloje: Lumturi shpirtërore dhe lumturi materiale. Nëse do i kërkonim të dy këto lloje, do të gjenim se gruaja lindore gëzon lumturi më të madhe se ajo perëndimore. Nëse do të përmendim atë materiale, shohim se gruas muslimane dhe lindore i garantohen të gjithë shpenzimet dhe po të flasim rreth lumturisë shpirtërore, shohim se lindorja përsëri zë vend të parë, për shkak të fesë dhe besimit”.
Prof. Imadudin Halil: ”Kjo është relativisht e saktë dhe pasqyron atë që unë përmenda më sipër.
Kjo, pasi lumturia është një rrjet dhe grup faktorësh të ndërthurur. Nëse nuk do e konsideronim një nga këto faktorë dhe ndikues, do të jepnim përgjigje të gabuar rreth lumturisë. Për shkak se nuk merren në konsideratë shumë nga këto faktorë, akoma vazhdohet me koncepte të gabuara rreth lumturisë”.
Dimensioni social i lumturisë.
Një teleshikues nga Amerika: ”Unë mendoj se përgjigjet e të intervistuarve në anketim janë të pasakta. Që të japim një gjykim më të drejtë rreth lumturisë, duhet t’a trajtojmë atë nga aspekti moral, fetar, material dhe social”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kur zgjedhim një temë për t’a diskutuar në këtë emision, gjithmonë e bëjmë duke pasur si synim, që t’a analizojmë nga aspekti shoqëror dhe edukativ. Kështu, kur zgjodhëm temën e emisionit të sotëm “A është gruaja e lumtur”, e bëmë me synimin, që t’a trajtojmë nga ana sociale dhe edukative”.
Veprat e mira në jetën e një gruaje perëndimore.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Unë dua t’ju bëj një pyetje doktor i nderuar: Çfarë vendi zënë veprat e mira tek një grua perëndimore? Nëse një grua perëndimore ka vepra të mira, cilat janë ato”?
Prof. Imadudin Halil: ”Sigurisht, por në fillim dua të sqaroj një pike, të cilën e shoh me shumë rëndësi. Lumturia, me gjithë kuptimin e saj të gjerë, nuk mund të kufizohet vetëm tek lumturia bashkëshortore dhe marrëdhëniet brenda çiftit. Lumturia gjithmonë është e varur nga faktorë, që gjenden brenda një shoqërie. Në perëndim për shembull, hasim faktorë të cilët e bëjnë si burrin ashtu dhe gruan më pak të lumtur dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me pozitën që zë gruaja në familje, si bashkëshorte, nënë dhe edukuese. Diçka të tillë e zbulojmë duke shfletuar shtypin e përditshëm në perëndim. Është fakt që perëndimorët janë të hapur duke i bërë të ditura problemet dhe shqetësimet e tyre. Për këtë, mjafton të shfletojmë gazeta si Tajms, Uashingon post, Deili telegraf etj… në të cilat jepet rritja e mesatares së krimeve të ndodhura, gjë e cila është tregues i qartë i rrënimit të shoqërive perëndimore. Në këto gazeta, gjen lajmet dhe informacionet më të fundit rreth marrëdhënieve perverse, problemeve të pleqërisë, fëmijëve dobiçë dhe shumë probleme të tjera”.
Aspekte pozitive nga jeta perëndimore.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Faktet e përmendura më lart vërtetojnë, që në shoqëritë perëndomore hasim shumë aspekte pozitive. Kjo shoqëri u siguron shtetasve të saj lirinë e duhur, besimin në vetvete etj… E veçantë është se shumë nga të rinjtë dhe të rejat nga bota arabe, kur shkojnë për studime në botën perëndimore, nuk dëshirojnë të kthehen sërish në vendet e tyre. Kjo, pasi nëse kthehen do të gjenden ose nën presionin e shumë barrierave dhe limiteve shoqërore, ose nën presionin e një pjese dijetarësh muslimanë, të cilët e trajtojnë gruan si një problem dhe krizë. Cili është mendimi juaj rreth këtij fakti”?
Prof. Imadudin Halil: ”Fillimisht dua të bëj dy vërejtje:
Së pari, vihet re një ndarje mes konceptit islam mbi gruan dhe vendit që shoqëritë muslimane i kanë dhënë gruas, sidomos në ditët tona. Pozicioni të cilin ia ka dhënë vetë Zoti gruas, është pozicioni më i drejtë dhe më i favorshmi për vetë gruan. Një pozicion i tillë është ai që i garanton gruas lumturinë me gjithë përmasat e saj.
Por ajo që po ndodh tek ne muslimanët në këtë periudhë dobësie dhe prapambetje, është se gruas i është dashur të tërhiqet, të izolohet, të humbasë besimin në vetvete dhe të thyhet shpirtërisht dhe moralisht.
Kjo që ka ndodhur në pesë shekujt e fundit tek gruaja muslimane, e tregon shumë qartë ndryshimin dhe dallimin e pozitës dhe vendit që gëzonte gruaja muslimane gjatë kohës së Profetit a.s dhe shekujve që pasuan. Sidomos në pesë shekujt e parë të civilizimit islam, gruaja gëzonte të gjithë privilegjet që e bënin të lumtur. Në këto shekuj, e gjejmë gruan të arsimuar dhe mësuese, prodhuese, luftëtare dhe pjesëmarrëse në çdo fushë.
Së dyti, në perëndim gjejmë shumë morale, të cilat nëse i krahasojmë me moralet islame gjejmë që Kurani dhe tradita profetike i ka përmendur më herët dhe ka motivuar shoqërinë që t’i bëjë pjesë të marrëndhënieve ndërnjerëzore. Unë kam qenë për vizitë në qytete si Luksemburgu, Londra, Parisi etj… dhe vëreja buzëqeshjen në fytyrat e njerëzve. Kudo që të shkoja, dëgjoja prej tyre fjalë, që tregonin edukatën dhe kulturën e lartë. Sa herë që blija diçka, dëgjoja nga shitësi fjalët “Thank you” (faleminderit). Ndërkohë që tek ne është harruar buzëqeshja, fjala e mirë dhe mirënjohja edhe në bisedat me njerëzit e njohur. Kjo është e kundërta me traditën e Profetit a.s dhe realitetin e shoqërisë së muslimanëve të parë. Vetë Profeti a.s thotë në një hadith: ”T’i buzëqeshësh një vëllau është sadaka dhe fjala e mirë është sadaka”.
Nëse me krenari do të thonim që perëndimi i ka marrë nga muslimanët këto morale dhe vlera, kjo do të ishte një përqasje sipërfaqësore. Më e drejta është që t’a pranojmë, se jeta dhe qyterërimi perëndimor, me lulëzimin e vazhdueshëm të tij, mund të takohet me Islamin, i cili është fe e natyrës së pastër me burim hyjnor.
Meqë ne muslimanët e sotëm kemi dështuar në pasqyrimin e vlerave reale dhe këndvështrimit të vërtetë të Islamit që kemi përqafuar, janë pikërisht perëndimorët të cilët janë dalluar në fushat e dështimit tonë. Këtë nuk kemi përse t’a mohojmë”.
Koncepti i lumturisë bashkëshortore.
Një teleshikues nga Arabia Saudite: ”Unë mendoj se burri e gjen gëzimin dhe lumturinë, pikërisht kur gruaja e tij është e gëzuar dhe e lumtur. Veç kësaj, dua të më sqaroni mbi disa pika:
a) Dua një përkufizim të lumturisë, i cili përfish të gjithë aspektet e jetës.
b) Cilat janë rrugët që ne prindërit t’i bëjmë të lumtura vajzat tona?
c) Deri ku shtrihen kufinjtë tanë si prindër në marrëdhëniet me vajzat tona?
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Secili prej nesh pyet: ”Cili është koncepti i drejtë i lumturisë dhe kush konsiderohet grua e lumtur”?
Prof. Imadudin Halil: ”Le t’a anashkalojmë konceptin dhe nocionin e lumturisë me të cilin janë marrë filozofët që në kohë të lashta, pasi është një portë e gjerë. Le të përqendrohemi mbi lumturinë që ka të bëjë me jetën bashkëshortore. Ato janë marrëdhënie, që janë të ndërtuara dhe të bazuara mbi miqësi, dashuri, qetësi, prehje, harmoni, mëshirë dhe vazhdueshmëri. Të gjitha këto janë prezente në shoqëritë muslimane, edhe pse familja dhe shoqëria në përgjithësi është goditur dhe vuan nga shumë sëmundje.
Nëse do merrnim dy mijë familje nga një shoqëri muslimane dhe t’i krahasonim me dy mijë familje që bëjnë jetë perëndimore, a e dini se çfarë rezultati do të kishim?
Unë po flas mbi një eksperiencë personale. Mbi dyqind familje nga të afërmit e mi, vetëm tek tre familje ka dominuar një atmosferë vuajtjesh dhe problemesh familjare, probleme që çuan në divorc dhe telashe të tjera. Ndërkohë që 197 familjet e tjera, prindërit, gjyshërit, fëmijët, nipat e mbesat, vazhdojnë të jetojnë në një atmosferë paqeje, qetësie, mëshire dhe respekti të ndërsjelltë. E gjithë kjo nuk vjen nga vakumi dhe zbrazëtira, por është një pasqyrim i mësimeve dhe porosive të Islamit”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një motër nga Danimarka ka dërguar një faks në redaksinë tonë dhe pyet: ”Ata që thonë se gruaja perëndimore gëzon më shumë liri se gruaja lindore, nuk e kanë idenë e nocionit të vërtetë të lirisë. Unë si grua lindore, gëzoj të njëjtat liri, të cilat gëzon dhe një grua perëndimore. Megjithatë unë kam si gjykatës ndërgjegjen time kur kam nevojë për liri më të madhe. Ndërkohë që dalja e gruas me rroba të shkurtëra dhe të tejdukshme, nuk mund të konsiderohet si liri. Në fakt, ajo nuk është vetçse degjenerim dhe moskokëçarje.
Le t’i drejtojmë doktorit të nderuar një pyetje: ”A konsiderohet si liri, tejkalimi i të gjithë limiteve dhe kufinjve”?
Prof. Imadudin Halil: ”Me qëllim që ato që themi të mos jenë të fryra, le të dëgjojmë dëshminë e vetë atyre që jetojnë në perëndim. Edhe pse gëzojnë lirinë dhe gjithë favoret e tjera, ata zgjodhën Islamin si rrugën e tyre.
Nëse do të lexonim librin “Burra dhe gra që kanë përqafuar islamin” do të gjejmë, që numri i grave është shumë i madh. Ato vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europa, Australia, Japonia, India etj… Të gjitha pohojnë, se ajo që i joshi të pranonin Islamin, ishin favoret që gëzonte një familje muslimane. Ishte qetësia, stabiliteti, vazhdueshmëria, lidhjet e fëmijëve me prindërit, bashkëshortëve me gratë etj…
Koncepti i duhur i lirisë është ai, që respekton liritë dhe të drejtat e të tjerëve dhe jo ajo, që ka hapur të dy portat. Liria që garanton lumturinë dhe të drejtat e secilit prej individëve të shoqërisë, është ajo liri, ku çdokush lëviz rreth rrethit dhe qarkut, të cilin ia ka përcaktuar Zoti që na krijoi. Është ajo liri, e cila i përshtatet natyrës së pastër njerëzore dhe ligjeve të gjithësisë, ligje të vendosura nga Krijuesi suprem.
Ideja e harmonisë është misteri i vërtetë i lirisë, nëse ajo humbet ndodh ajo, që në gjuhën e muzikës njihet me emrin disonancë. Simfonia nuk është gjë tjetër veçse disa tinguj muzikorë, të cilët kur janë në harmoni me njëri-tjetrin japin një melodi të caktuar. Nëse humbet kjo harmoni, atëherë kemi të bëjmë me disonancë.
Nëse liria konceptohet ashtu siç është konceptuar deri më sot në perëndim, ajo patjetër do të çojë në disonancë”.
A konsiderohet liri, degjenerimi i gruas?
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një motër nga Danimarka ka dërguar një faks në redaksi ku thotë: ”Shpeshherë dëgjojmë, që degjenerimi dhe shthurja morale e gruas, nuk është gjë tjetër veçse një e drejtë e saj. A është e vërtetë ajo që thuhet, se degjenerimi i gruas është liri”?
Prof. Imadudin Halil: ”Kurrë nuk mund të jetë kështu. Madje unë e konsideroj si shmangie dhe devijim nga natyra e saj e pastër, shkatërrim të bazave morale dhe dëmtim të pariparueshëm të strukturës familjare. Është pikërisht struktura familjare, themeli i civilizimit dhe është baza, mbi të cilën ngrihet çdo qytetërim, ideologji dhe fe.
Çdo dëm dhe agresion ndaj familjes është dëm dhe agresion ndaj gjithë umetit dhe shoqërisë”.
Një teleshikuese nga Libia: ”Unë mendoj se nuk ka vend për krahasim mes gruas lindore dhe asaj perëndimore. Gruaja perëndimore ka zakone, tradita dhe fe që ndjek, ashtu siç ka dhe gruaja lindore. Kurse përsa i përket aspektit arsimor, social etj… mendoj se gruaja lindore dhe arabe i gëzon të gjithë liritë e saj. Atë e gjen mësuese, inxhiniere, avokate etj… Në Libi p.sh, gruan e gjen pilote, oficere etj… duke depërtuar në të gjithë aspektet e jetës. Unë çuditem me ata që thonë se gruaja lindore nuk gëzon lirinë e duhur”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Teleshikuesja na dha një tablo përmbledhëse mbi pozitën dhe vendin që zë gruaja në shoqërinë libiane. Doktor i nderuar! A nuk kemi zakone dhe tradita në shoqëritë lindore dhe arabe, të cilat e bëjnë gruan të vuajë”?
Prof. Imadudin Halil: ”Unë dua t’u kthehem sërish fjalëve që kam përmendur dhe më lart: Sa më shumë t’u largohemi udhëzimeve hyjnore përsa i përket gruas dhe familjes, aq më shumë vazhdojmë t’i shtojmë vuajtjet dhe problemet shoqërore. Ndërkohë që sa më shumë që t’i kthehemi vlerave islame përsa i përket familjes dhe gruas, aq më shumë do i afrohemi natyrës së pastër, mirëkuptimit dhe harmonisë familjare.
Unë dua të theksoj, se normat islame e bëjnë njeriun të jetojë në harmoni me ligjet dhe normat e gjithësisë, me shoqërinë dhe vetë familjen.
Pozitën dhe gradat që ka arritur gruaja në Libi – sipas teleshikueses – ne i vemë re pothuaj në të gjithë vendet lindore dhe ato arabe. Gruaja në vendet lindore përparon dhe ka shënuar një pjesëmarrje të dukshme në shumë fusha të jetës.
Megjithatë unë nuk jam i një mendjeje me teleshikuesen nga Libia, e cila mendonte, se gruaja mund të depërtojë dhe të kontribojë në çdo fushë. Diçka e tillë bie në kundërshtim me natyrën e njeriut dhe normat e Zotit në gjithësi. Fusha në të cilën një grua mund të japë maskimumin dhe të arrijë rezultate të larta është ajo e mëmësisë dhe edukatores së brezave. Padyshim që kjo nuk ia mohon asaj punën dhe depërtimin në ato aspekte jetësore, të cilat përshtaten me natyrën e saj dhe që nuk e nxjerrin jashtë natyrës, që i ka falur Krijuesi”.
Një teleshikues nga Kanadaja: ”Mendoj se gruaja duke iu kthyer fesë dhe rrugës së Zotit, do të ndjehet më e lumtur dhe më e qetë shpirtërisht. Kjo është baza e lumturisë dhe e lirisë”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Fjalëve të teleshikuesit nga Kanadaja, unë doja t’ju shtoj dhe diçka tjetër. Është fakt që në botën arabe dhe atë islame, ne nuk kemi një grua, e cila ua paraqet Islamin grave të tjera në mënyrë të pranueshme. Si është e mundur që unë si mbrojtës i një ideologjie dhe feje të caktuar, të mos kem aftësitë e duhura që t’a reklamoj besimin dhe idenë time në formën më të bukur dhe të pranueshme?!
Mos vallë ka ndikuar mënyra si e kemi trajtuar gruan deri tani? Mos faji qëndron në metodat arsimore, të cilat nuk i kanë arsimuar dhe edukuar siç duhet vajzat tona? Cili është komenti juaj doktor”?
Prof. Imadudin Halil: ”Unë nuk mendoj kështu vëlla i nderuar. Për shumë shkaqe dhe rrethana të ndryshme, brezi i nënave tona ka qenë një brez, tek i cili mbizotëronte injoranca. Ndërkohë është fakt, që brezi i vajzave dhe motrave tona zotërojnë një kulturë të gjerë, vizion të qartë dhe janë kërkuese. Në disa specialitete, gratë ua kanë kaluar edhe burrave. Në qytetin tim të lindjes p.sh, në Mosul, gratë zotërojnë një kulturë të gjerë dhe shumë prej tyre ndjekin studimet pas universitare. Ato dallohen për një pjesëmarrje të gjerë në fushën e thirrjes islame dhe në shumë fusha të tjerë të rëndësishme.
Në perëndim gjithashtu, si ato që kanë qenë muslimane si ato që e kanë pranuar Islamin, kanë një rol dhe ndikim të rëndësishëm në shumë institucione të jetës publike”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë ti je me idenë që gruaja duhet t’i kthehet fesë dhe udhëzimeve të Zotit”?
Prof. Imadudin Halil: ”Sigurisht, por kjo të shoqërohet me një pjesëmarrje më efektive të gruas”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Siç e dimë të gjithë, i dërguari i Allahut, e filloi ftesën e tij në Meke me një grua. Gjithashtu, ai e mbylli mesazhin e tij, me kokën të mbështetur në prehrin e një gruaje”.
Prof. Imadudin Halil: ”Profeti Muhamed a.s e filloi ftesën e tij me gruan e tij të dashur Hadixhen, e cila më vonë ndërroi jetë, dhe e përfundoi atë në prehrin e Aishes. Kurse gjatë ritit të Haxhit të lamtumirës, ai i nxiste besimitarët muslimanë, që të silleshin mirë me gratë e tyre, duke e konfirmuar dhe një herë rolin e rëndësishëm të gruas në shoqërinë muslimane”.
Vallë orientalizmi apo oksidentalizmi?
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Valët perëndimore dhe oksidentalizuese që kanë përfshirë botën lindore, sidomos atë muslimane, kanë bërë që shumë muslimanë të imitojnë perëndimin. A nuk mendoni se diçka e tillë, në fund të fundit, do e çojë gruan lindore në të njëjtin nivel me atë perëndimore, me gjithë aspektet pozitive dhe negative”?
Prof. Imadudin Halil: ”Mendoj se diçka e tillë nuk pritet të ndodhë. Kjo, pasi ne muslimanët posedojmë mekanizma, të cilat e pengojnë gruan muslimane të përfundojë në qorrsokakun, ku ka përfunduar gruaja perëndimore. Ajo kurrë nuk mund të arrijë të bëhet një kopje e gruas perëndimore. Gruaja muslimane ka një trashëgimi të pasur me vlera fetare, zakone dhe tradita, të cilat e bëjnë të mendohet mire, para se të hedhë hapin drejt asaj lirie, që pretendohet në perëndim.
Gjithashtu dua të shtoj, se është diçka positive, që të përfitojmë nga arritjet pozitive të tjetrit. Diçka e tillë ka ndodhur gjatë gjithë historisë islame, që nga Kalifati i Umer ibnul Hattabit (r.a) dhe në shekujt e mëvonshëm. Por kjo të bëhet me kusht që të ruhet identiteti dhe qytetërimi ynë, nga çdo lloj depërtimi i huaj.
Në këto momente më vjen në mendje diçka, e cila në fakt më duket si paradoks, përsa i përket çështjes se oksidentalizimit dhe imitimit të perëndimorëve.
Janë vetë perëndimorët ata, që po bëjnë përpjekje të importojnë prej nesh sistemin familjar. Këtë nuk e bëjnë nga dashuria e madhe që ndjejnë për Islamin si fe, por ngaqë kanë arritur në një konkluzion, i cili në thelb është islam.
Për t’a vërtetuar me një shembull të gjallë, në një zonë administrative gjermane (para se të bashkoheshin dy Gjermanitë) u organizua një protestë nga një numër i madh grash, të cilat kërkonin të mbajnë mbiemrin e babait dhe jo atë të burrit. Vetë Zoti në Kuran, ka porositur dhe urdhëruar për diçka të tillë: ”Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut”. (Azab:5)
Ne sot kemi nevojë që të tregohemi vigjilentë për të gjithë këto vlera, të cilat perëndimorët kërkojnë t’i importojnë nga sistemi islam.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në Rusi, para një muaji e gjysmë u miratua në parim e drejta e poligamisë. Unë nuk e di, nëse jeni informuar mbi diçka të tillë apo jo”?
Prof. Imadudin Halil: ”Në fakt nuk kam dijeni për diçka të tillë, por jam në dijeni të diçkaje tjetër të ngjashme, e cila ka ndodhur në Itali, para shumë kohësh. Parlamenti italian e hodhi në votim çështjen e lejimit të divorcit. Shumica e deputetëve votuan pro këtij ligji. Ditën e nesërme, të gjithë gazetat e shtypit italian, shkruanin se Italia kishte korrur një sukses të madh me miratimin e ligjit që lejonte divorcin mes bashkëshortëve.
A nuk është ky një fakt tjetër, që perëndimorët po i kthehen normave dhe ligjeve islame, ligje të cilat janë sulmuar ashpër më parë nga orientalistët? Ky ishte një paradoks tjetër. Edhe pse feja jonë e ka lejuar divorcin, rastet e divorcit në shoqëritë muslimane janë shumë më të pakta se shoqëritë e tjera, duke filluar nga Rusia dhe përfunduar në Amerikë.”
Pasoja e hidhur.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Mos dëshiron të thuash që gruaja në perëndim po vuan nga pasoja të hidhura”?
Prof. Imadudin Halil: ”Diçka e tillë është fakt konkret. Perëndimi dhe sidomos gruaja, po vuan pasoja tepër të rënda. Këto nuk janë disa fjalë që i themi për të mbushur harkun kohor të këtij emisioni, por janë fakte reale të shkëputura nga jeta e atjeshme. Fakte të tilla i gjen në librat dhe gezetat e tyre çdo ditë.
Një shembull për këtë, janë lidhjet dhe marrëdhëniet jashtëmartesore. As burri nuk i beson gruas dhe as gruaja burrit. Numri i fëmijëve të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore është në rritje. Përkujdesi atëror dhe prindëror tek fëmijët mungon.
Unë kam një statistikë, e cila tregon kohën e shkurtër të cilën një prind i kushton edukimit të fëmijës në perëndim. Perëndimi nuk është gjë tjetër veçse një sërë shtetesh të industrializuara, të cilat janë në kërkim të zhvillimit, dhe materiales. Pa asnjë fije dyshimi, në këtë aspekt ato janë të zhvilluara më shumë se ne. Kurse ne jemi më të zhvilluar dhe të përparuar se ato, në aspektin shoqëror dhe social, pasojat dhe rezultatet e të cilit do të shfaqen shumë shpejt.
Një fakt tjetër është përsa u përket të moshuarve. Tek ne, sa më shumë që të jetë i shtyrë në moshë, aq më shumë shtohet përkujdesi për të. Ndërkohë që në perëndim të moshuarit dëbohen nga shtëpia dhe çohen në azilet e pleqve.
Sipas një statistike të kohëve të fundit, numri i të moshuarve që frekuentonin azilet, ishte rritur 2.000 %”!!
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Atëherë, sistemi familjar islam, është më i sigurtë dhe më i zhvilluar se ai perëndimor”?!
Prof. Imadudin Halil: ”Po, ashtu është”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Të mos harrojmë se sistemet ekonomike, politike, financiare, arsimore etj… të perëndimit, janë sisteme më të përparuara dhe më të suksesshme se ç’janë sistemet tona. A është kështu”?
Prof. Imadudin Halil: ”Padyshim, por diçka e tillë ka nevojë për më shumë kohë që të diskutohet. Ndoshta në një emsion tjetër në dashtë Zoti”.
Një teleshikues nga Amerika: ”Edhe gruaja perëndimore është e lumtur, nëse u përmbahet zakoneve dhe traditave të saj, ashtu siç është e lumtur gruaja lindore nëse u përmbahet traditave dhe zakoneve. Ndërkohë që një grua muslimane, që jeton në perëndim, është me e lumtur se të gjithë. Cili është mendimi juaj për këtë”?
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cili është komenti juaj doktor i nderuar? Do të doja që të përqendroheshit tek fjalët e fundit të teleshikuesit, ku sipas tij: Një grua muslimane që respekton zakonet dhe traditat dhe jeton në perëndim, është më e lumtur se çdo grua tjetër”.
Prof. Imadudin Halil: ”Unë pajtohem me teleshikuesin në ato që tha më lart. Një grua muslimane dhe e përkushtuar, që jeton dhe përballet me sfidat e shumta të jetesës në perëndim, nuk dorëzohet, nuk ndjek rrymën që e tërheq drejt shthurjes dhe degjenerimit, padyshim që është më e lumtur. Diçka të tillë e ka konfirmuar më parë dhe filozofi islam, Muhamed Ikbal”.
Rrënimi i familjes në perëndim.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”A keni diçka tjetër për të shtuar përsa i përket temës tonë “A është gruaja e lumtur” dhe përsa i përket rrënimit të familjes në perëndim”?
Prof. Imadudin Halil: ”Në fakt, ka shumë gjëra të çuditshme dhe të dëmshme, të cilat po dëmtojnë jo vetëm familjen në perëndim, por familjen në mbarë botën.
Nëse do u hidhnim një sy vendimeve të konferencave të ndryshme si ajo e Pekinit, të cilat bëjnë thirrje për degjenerim dhe garantim të martesave brenda të njëjtit seks, nëse do të shihnim përhapjen dhe rritjen e frikshme të numrit të përdhunimeve të grave dhe fëmijëve të vegjël, do ndërgjegjësoheshim mbi atë që e pret botën.
Sëmundja e sidës po gllabëron pa mëshirë popuj dhe rraca të ndryshme. Vetëm në Brazil gjenden mbi 250.000 raste me sida.
Në vitin 1990, numri i të sëmurëve me sida në Amerikë arrinte në 58.379 të prekur, ku 10 % prej tyre ishin gra. Sipas raportit, 51 % e të sëmurëve gra, e kishin marrë virusin me anë të shiringave të drogës. Ndërkohë që 29 % e kishin marrë nga marrëdhëniet seksuale. Këto janë pasojat e degjenerimit dhe e lirisë që nuk njeh kufinj, liri e cila po çon në shkatërrimin e njeriut, burrë qoftë apo grua.”
Gruaja… shkak i vuajtjeve ose i lumturisë.
Një teleshikuese nga Katari: ”Mendoj se shkaku i vuajtjeve ose lumturisë së gruas, është vetë gruaja. Nëse ajo është optimiste dhe pozitive, nëse përmbush misionin e saj duke e shpërfilluar gruan perëndimore, padyshim që ajo do të jetojë e lumtur. Gruaja duhet të ndërgjegjësohet për mirësitë që i ka falur Zoti i Madhëruar. Ajo duhet të ndërgjegjësohet që kuptimi i vërtetë i fjalës “emancipim” në perëndim është “degjenerim”. Liria dhe emancipimi i vërtetë gjendet vetëm në Islam dhe në udhëzimet e tij”.
Prof. Imadudin Halil: ”Unë pajtohem me ato që tha teleshikuesja nga Katari. Liria e vërtetë e gruas qëndron në origjinalitetin dhe fenë e saj. Ne kërkojmë të kemi gra të ndershme dhe muslimane, me qëllim që të edukojnë filiza të ndershëm dhe dinjitozë, të cilët do e mbushin tokën me mirësi dhe drejtësi”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Duke pasur parasysh studiues dhe mendimtarë muslimanë, çfarë përshtypjesh keni rreth ndërhyrjeve të teleshikuesve”?
Prof. Imadudin Halil: ”Mendoj që shumica e atyre që kanë telefonuar, vazhdojnë t’a ruajnë të freskët përkushtimin dhe dashurinë për Islamin. Ky është një tregues, që ky umet vazhdon të jetë i fortë, i përkushtuar ndaj fesë dhe besimit të tij.”
Kthimi në autencitetin islam.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Cilat do të ishin disa këshilla, që do i drejtoje gruas në fund të emisionit”?
Prof. Imadudin Halil: ”E këshilloj që t’a lexojë dhe një herë historinë e saj. Ajo e ka në dorë dhe të mundur, që t’i balancojë dhe ekuilibrojë normat islame, me kërkesat e kohës, ashtu siç e arritën diçka të tillë brezat e parë të qytetërimit islam. Vetëm atëherë gruaja muslimane do e shohë veten në pararojë. Vetëm atëherë gruaja muslimane do të jetë modeli më i mirë i gruas perëndimore, e cila është në kërkim të një strehe dhe një modeli, sipas të cilit do shpëtojë nga rrënimi përfundimtar”.
Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të këtij emsioni, ne e falenderojmë doktorin e nderuar, i cili besoj se na dha informacionin e pritshëm nga të gjithë.
Derisa lumturia të bëhet tradita jonë, u urojmë: Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”
…