Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, u ka bërë thirrje autoriteteve të vendit që ta lënë drejtorin e së ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të futet në territorin e Kosovës.
Siç raportojnë mediet serbe, Stano u ka bërë thirrje autoriteteve kosovare që të rishqyrtojnë vendimin dhe t’ia mundësojnë vizitën Petkoviqit, shkruan lajmi.net.
“Ne e dimë se vizita e z.Petkoviq është paralajmëruar në mënyrë adekuate dhe në përputhje me marrëveshjen për vizitat zyrtare. Ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin dhe ta mundësojë këtë vizitë”, tha Stano për mediet serbe.
I pyetur nëse BE-ja do të reagonte pasi autoritetet kosovare sërish do ta refuzonin, Stano theksoi se ministrat e jashtëm të BE-së, nga takimi i Këshillit të BE-së, e kishin bërë të qartë se prisnin që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë të respektohen dhe zbatohen.
Kjo, pasi që u raportua se Petkoviqit nuk iu lejua hyrja në Kosovë. Ky i fundit e ka paraparë të realizojë vizitë më 24 dhe 25 nëntor.