0.7 C
Pristina
Thursday, December 9, 2021

Erdoğan: Jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat e Palestinës deri në fund

Më të lexuarat

“Vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islam duhet të përmbahen nga çdo lëvizje që mund të dobësojë luftën palestineze”, porositi presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se vendi i tij është i vendosur të mbrojë të drejtat e Palestinës deri në fund dhe tha se vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) duhet të distancohen nga çdo lëvizje që mund të dobësojnë luftën palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar në OBI po mban Konferencën e 37-të Ministrore, ndërsa presidenti turk Erdoğan iu drejtua pjesëmarrësve me një video-mesazh.

Ai përgëzoi Husein Ibrahim Tahi për zgjedhjen e tij si Sekretar i ri i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe shtoi se bota islame duhet të përballet me pasojat e pandemisë COVID-19, por edhe me krizat e tjera të shkaktuara nga terrorizmi, varfëria dhe konfliktet.

“Si anëtarë të OBI-t, ne duhet të forcojmë bashkëpunimin tonë dhe në të njëjtën kohë të ofrojmë ndihmën e nevojshme politike, humanitare dhe ligjore për vendet tona vëllazërore”, tha Erdoğan.

Presidenti turk tha gjithashtu se vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islam kanë një detyrim vëllazëror për të ndihmuar popullin afgan në procesin e vendosjes së paqes dhe stabilitetit në Afganistan.

Duke vënë në dukje nevojën për të kundërshtuar problemin në rritje të racizmit, ksenofobisë dhe retorikës anti-muslimane në botë, Erdoğan tha se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme duhet të ndërtohet mbi zgjidhjen e çështjes palestineze të bazuar në idenë e krijimit të dy shteteve të pavarura dhe me parametrat ndërkombëtarë.

“Ne duhet të ndalojmë politikat izraelite të vendbanimeve të paligjshme në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor dhe të kundërshtojmë politikat shkatërruese të zhvendosjes së detyruar”, tha Erdoğan.

Ai më tej tha se pa përmbushur të drejtat e muslimanëve Rohingya në Mianmar, nuk mund të vendoset stabilitet i qëndrueshëm në Arakan dhe se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të parandalojë dhe ndalojë tragjedinë edhe në Siri.

“Në Siri është e nevojshme të gjendet një zgjidhje që do të garantojë integritetin territorial të atij vendi dhe do të mundësojë kthimin e sigurt të njerëzve në atë vend. Ne vazhdojmë me vendosmëri luftën tonë kundër organizatave terroriste DEASH dhe PKK/YPG, të cilat janë një kërcënim për integritetin e Sirisë dhe sigurinë tonë kombëtare”, tha Erdoğan.

Presidenti turk Erdoğan theksoi gjithashtu se vendi i tij po monitoron nga afër situatën e ujgurëve dhe pakicave të tjera muslimane në provincën kineze Xinjiang dhe theksoi se pret një qasje të tillë edhe nga OBI.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit