8.2 C
Pristina
Monday, October 21, 2024

Kush qëndron pas ngjarjeve në vendet arabe?

Më të lexuarat

Nga: Justinian Topulli

Kush qëndron pas ngjarjeve në vendet arabe?

Është shndërruar tashmë në një kulturë urbane, për një pjesë të mirë të njerëzve, që çdo ngjarje madhore ta shohin si kreshtën sipërfaqësore të një ajsbergu që noton në ujërat e konspiracionit global, të cilat fshehin pjesën tjetër të këtij procesi ngjarjesh. Kjo kulturë, në dallim nga ajsbergu që morëm për krahasim, pluskon kryesisht në ujërat e cekëta të mendjes njerëzore, për këtë dhe ajo është mjaft e përhapur mes tyre. Me këtë nuk dua aspak të mohoj ekzistencën e intrigave dhe konspiracioneve që luhen ngado nëpër botë, pasi diçka e tillë jo vetëm që do të ishte një injorim i fakteve të ndryshme që dalin në shesh kohë pas kohe, por do të mohonte edhe atë çka Allahu e ka shprehur qartë në Kuran se ekziston dhe është e pandalshme. E, ajo që unë dua të shqyrtoj në këtë shkrim është ligji themelor në bazë të të cilit zhvillohen ngjarjet në shoqërinë njerëzore dhe jo të mohoj apo të zbuloj nëpërmjet provave dhe aludimeve ekzistencën e konspiracioneve të caktuara, qofshin këto për ngjarjet që po kalon apo do të kalojë bota arabe dhe islame, edhe pse pohimi i disa fakteve për të mbështetur atë çka do të them është i nevojshëm.
 
Bota materiale që ka krijuar Allahu i nënshtrohet ligjeve dhe rregullave të përcaktuara po nga Krijuesi i saj, është e pamundur që ajo vetë apo dikush tjetër veç Krijuesit t’i ndryshojë këto ligje të natyrës. Kjo është një e vërtetë themelore për të cilën nuk debaton asnjë qenie njerëzore inteligjente. Dhe pikërisht duke u bazuar në njohjen dhe zbulimin e vazhdueshëm të këtyre ligjeve, janë ndërtuar shkencat e ndryshme të natyrës, të cilat si të tilla janë në gjendje të parashohin dhe shfrytëzojnë fenomenet dhe vetitë e larmishme të natyrës. Pyetja që shtrohet pas kësaj është se: a ka edhe jeta e shoqëria njerëzore ligje, njëlloj si bota materiale? Ndoshta dikujt do t’i duket e habitshme apo e pavend, kjo pyetje e cila duhet të marrë të njëjtën përgjigje pohuese sikurse ajo më sipër. A nuk janë ekzistenca e shkencave sociale si historia e sociologjia, që studiojnë këto ligje, përgjigja më mirë në këtë drejtim?! Natyrisht që po, mirëpo arsyeja që e shtroj këtë pyetje, bëhet për të tërhequr vëmendjen e shumë prej atyre që kur gjykojnë ngjarjet e shoqërisë njerëzore, neglizhojnë t’i japin peshën që meritojnë këtyre ligjeve, ndërkohë që e bazojnë analizën dhe arsyetimin e tyre vetëm mbi prova dhe aludime, të cilat të sjellin në përfundime, që në thelb bien në kundërshtim me ligjet natyrore të Zotit, mbi të cilat zhvillohet jeta e shoqërisë njerëzore. Është e natyrshme, që si rrjedhojë e këtij arsyetimi të pabazuar mbi këto ligje, panorama e asaj që paraqitet si e vërtetë nuk është e tillë.
Nëse mosnjohja e ligjeve të natyrës apo njohja e pjesshme dhe e deformuar e tyre, ka qenë arsyeja kryesore e prapambetjes së shkencave të natyrës dhe teknikës dikur, po e njëjta gjë ndodh edhe me ata njerëz, të cilët neglizhojnë të marrin në konsideratë ligjet mbi të cilat lëviz shoqëria, si në analizën e ngjarjeve ashtu edhe në “zgjidhjet” që ata ofrojnë. Kjo është një nga arsyet e shumta pse muslimanët sot nuk janë më në krye të zhvillimeve shoqërore dhe politike, ashtu siç ata ishin dikur.
Ndoshta është një prirje e kuptueshme, që një njeri apo shoqëri inferiore ta kërkojë dobësinë e saj jashtë vetvetes, mirëpo po ashtu është e kuptueshme që një vështrim i tillë nuk është aspak realist dhe ndikon fuqishëm në ruajtjen e kësaj dobësie dhe thellimin e saj.
Përhapja dhe zhytja nëpër teoritë e konspiracionit, kurtheve dhe intrigave, janë opiumi më e mirë që mund t’i jepet një shoqërie për ta mbajtur atë gjithmonë të nënshtruar. Kur kjo bëhet nga vetë bijtë e saj, ky është kulmi i suksesit “konspirativ” të armiqve, sepse tregon që tashmë këta njerëz sëmundjen e marrin për ilaç, edhe pse ky “ilaç” nuk është veçse një drogë që fsheh dhimbjet dhe nuk shëron plagët që e shkaktojë atë.
Revoltat dhe ndryshimet që po ndodhin këto ditë në vendet arabe janë parë nga mjaft njerëz si pasojë e “dorës së fshehtë”, të gjithfarë lloj konspiracionesh dhe intrigash, me karakter global apo rajonal, janë parë si dorë e masonerisë, apo sionizmit, perëndimit etj… Sipas këtyre analizave kontradiktore, nëse deri dje këto vende jetonin nën diktatura laike, kjo vinte për shkak të konspiracioneve të huaja dhe nëse sot këto vende po përjetojnë një proces ndryshimi të këtyre pushteteve, atëherë edhe pas tyre qëndron i njëjti burim konspiracionesh! Si është e mundur që gjërat të ndryshojnë në mënyrë kaq thelbësore dhe në një formë të tillë? Për pyetje të tilla si dhe pse, ka gjithmonë përgjigje të gatshme nga “njohësit” e konspiracioneve, të cilët çdo ngjarje madhore e shohin me të tilla syze, edhe pse të tilla analiza e arsyetime bien ndesh me ligjet e shoqërisë njerëzore që Zoti na tregon në Kuran.
Duke biseduar me një musliman për ndryshimet në Tunizi, të cilat hapën këtë reaksion zinxhir, që do të përfshijë ndoshta mbarë vendet arabe, më thotë i bindur se pas ikjes së Ben Aliut dhe triumfit të revoltës popullore tuniziane, në thelb qëndronte tërheqja e mbështetjes amerikane ndaj pushtetit të këtij diktatori!
Problemi i këtij vështrimi nuk qëndron tek provat, pasi ato janë gjithmonë të gjindshme, por tek përmbysja e vlerësimit, tek fakti se si shikohen kush janë shkaqet dhe cilat pasojat.
Ndërsa disa muslimanë të tjerë në komentet e tyre në  Internet e “Face Book” ishin akoma më misterioz, dhe pa paraqitur asnjë provë të drejtpërdrejtë pohonin me bindje se këto revolta po shkaktoheshin nga konspiracionet çifute, për të shkatërruar vendet arabe!
Në realitet konkluzione të tilla burojnë më së shumti nga besime që u paraprijnë fakteve dhe vetëm më pas kërkojnë prova për ta mbështetur atë. Kjo tregon mungesë objektiviteti dhe si e tillë ajo pjell vetëm injorancë dhe padrejtësi. Kjo vijë e të menduarit do të ishte e drejtë vetëm nëse kjo hamendje -do ta quaja dhe jo fakt- do të përputhej plotësisht me ligjet e Zotit në natyrë, por për të do të mungonte informacioni i fakteve që e provonin atë. E nëse për të tilla teori konspiracioni nuk gjenden fakte që e vërtetojnë, e, për më tepër kur këto hamendje që shndërrohen në besime, bien ndesh me atë çka Allahu thotë, atëherë që absolutisht ato nuk janë të vërteta dhe ngelen vetëm hamendje të atyre që i besojnë dhe nuk kanë lidhje me realitetin, që i nënshtrohet vetëm ligjeve të Zotit.
 
Si muslimanë ne besojmë patundur se, ligjet e shoqërisë njerëzore nuk ndryshojnë, pavarësisht ngjyrimeve që merr jeta në kohëra dhe hapësira të ndryshme. Këto ligje kanë peshë jetike për njeriun në këtë botë dhe janë shumë herë më të rëndësime sesa ligjet e natyrës fizike. Për këtë dhe këto ligje Allahu na i ka zbuluar në Kuran, në dallim me ligjet e tjera të cilat njeriu mund t’i zbulojë vetë dhe nuk kanë rëndësinë e të parave.
Nëse i bëjmë një lexim objektiv tematikës ku flitet për intrigat dhe kurthet gjatë gjithë Kuranit, do të vëmë re se ai e pohon ekzistencën e tyre, madje në një prej ajeteve të tij thuhet se kurthet e jobesimtarëve mund të shkojnë deri atje sa ata të duan të shkatërrojnë malet.
“Ata kurdisin kurthet e tyre, por Allahu i di kurthet e tyre. Edhe sikur prej kurtheve të tyre të shembeshin malet…” (14:46)
Në mjaft ajete ku flitet për intrigat dhe kurthet folja që e identifikon këtë veprim është në kohën e tashme, çka tregon vazhdimësinë e intrigës si një praktikë pune dhe karakteristikë e atyre që janë armiqësorë ndaj fesë dhe besimtarëve, si për shembull në ajetin e mëposhtëm:
“Në të vërtetë, ata ngrenë kurthe, por dhe Unë ua pres me kurth.” (86:15-16)
Në më shumë se tridhjetë herë në Kuran, në kontekste dhe ngjarje të ndryshme, përmenden fjalët intriga dhe kurthe. Një përsëritje kaq e shpeshtë e kësaj gjëje tregon se një fenomen i tillë është pjesë e pandarë e shoqërisë njerëzore. Ajo çka kuptohet nga Kurani dhe thëniet e ndryshme të Profetit (alejhi salatu ue selam) është fakti se, jeta në këtë botë asnjëherë nuk ka për të qenë e zbrazët nga kurthet e intrigat apo siç quhen ndryshe, konspiracionet. Përderisa kjo botë është vend veprimi edhe për shejtanin, që është intriganti më madh, nuk ka sesi të imagjinohet që jeta e njerëzve në të, të jetë e lirë nga kurthet dhe intrigat, të vogla apo të mëdha qofshin ato. Çështja nuk qëndron këtu, sepse vetëm njerëz me ëndrra utopike mund të imagjinojnë një botë tokësore pa kurthe dhe intriga misterioze, por problemi i vërtetë qëndron gjetiu, qëndron në faktin se çfarë force reale kanë këto konspiracione në jetën e shoqërisë njerëzore? A janë ato baras me zero, apo ato janë vërtetë mekanizmi që vë në lëvizje shumë prej ngjarjeve historike dhe paravendos fatin dhe përfundimin e tyre? Para se t’i japim kësaj pyetje një përgjigje të saktë na duhet të shtrojmë një tjetër pyetje që lind vetvetiu në të tilla raste dhe që në fakt shumë njerëz nuk ia bëjnë vetvetes. Kjo pyetje është: dihet që konspiracionet dhe kurthet mbahen sekret më shumë se çdo gjë tjetër në botë, krijuesit e tyre shpenzojnë maksimumin e mundshëm për mos dekonspirimin e tyre, si dhe për asgjësimin e çdo fakti apo prove që pohon ekzistencën e tyre. Në këto kushte, çfarë gjasash kanë njerëzit e thjeshtë dhe ata që nuk janë në brendësi të këtyre konspiracioneve, të mësojnë të vërtetën e plotë për to? Nëse kjo mundësi realisht është shumë e pakët atëherë mbi çfarë bazash objektive, të bazuara në fakte dhe jo thjesht në prova dytësore dhe aludime logjike, ne mund të pohojmë për një rast konkret se pas saj fshihet një intrigë e madhe apo një konspiracion global? Ne si muslimanë nuk na intereson se çfarë hamendësojnë njerëzit e ndryshëm për këtë gjë, qofshin këta edhe besimtarë, sepse e vërteta nuk faktohet nëpërmjet hamendësimeve, por ne duhet të besojmë atë çka thotë Allahu, sepse absolutisht nuk mund të vihet në peshë të barabartë besimi që duhet pasur për një ligj të pandryshueshëm të Zotit në shoqërinë njerëzore, me besime që ngrihen mbi aludime dhe prova të tërthorta dhe jo mbi fakte.
Çdo zhvillim dhe ndryshim në jetën e një populli duhet domosdoshmërisht të shihet nëpërmjet këtij ligji që Allahu pohon në Kuran, ku thotë: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.” (13:11) dhe aspak nëpërmjet konspiracioneve, sepse nuk janë ato vendimtare për ndryshimin e rrjedhës së jetës së një populli.
Allahu pohon në Librin e të vërtetave se:
“dinakëria e djallit është e dobët!” (4:76)
“dijeni se Allahu i dobëson dredhitë e mohuesve.” (8:18)
“Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të tradhtarëve.” (12:52)
“kurthet e mohuesve janë të dënuara të dështojnë.” (40:25)
“por dredhia e Faraonit e çoi vetëm në rrënim.” (40:37)
“Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.” (40:45)
“Sa i përket atyre që kurdisin të këqija, ata do të kenë dënim të rëndë dhe kurthet e tyre do të dështojnë.” (35:10)
Të pohosh se bota lëvizet nga konspiracionet do të thotë të pohosh se të fshehtën (gajbin) dhe të nesërmen e shoqërive njerëzore e cakton dhe di dikush tjetër veç Zotit “A mos ata zotërojnë të fshehtën, kështu që mund ta përshkruajnë?! A mos duan të ngrenë kurthe kundër teje? Ta dinë se vetëm mohuesit do të bien në kurthe!” (52:41-42)
Allahu vazhdon e pohon për intrigat se:
“Kurthe kanë bërë edhe ata që kanë qenë para tyre, por Allahu është zotërues i të gjitha kurtheve. Ai e di çfarë fiton çdo njeri dhe mohuesit do ta dinë se për kë do të jetë përfundimi më i mirë.” (13:42)
“Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth, sepse Allahu është strategu më i mirë.” (3:54)
“Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë. Kështu, Ne kemi bërë në çdo qytet që keqbërësit më të mëdhenj të ngrenë kurthe. Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes e ata nuk e ndiejnë këtë.” (6:122-123)
Ajete të tilla kuranore të mbushin me besim dhe pohojnë në tërësinë e tyre se, Allahu është Zoti dhe Sundimtari i vetëm kësaj bote dhe janë ligjet e Tij ato të cilave iu nënshtrohet jeta njerëzore, dhe jo kurtheve dhe intrigat e as konspiracioneve të kujtdo qofshin ato. Ai e pohon mjaft qartë këtë ligj kur thotë: “Ata u sollën me mendjemadhësi në tokë dhe me kurthe të shëmtuara, të cilat godasin vetëm atë që i bën. Vallë, a presin ata diçka tjetër veç asaj që ka goditur të mëparshmit? Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut.” (35:42)
Fakti që Allahu pohon se, “nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut.” pikërisht pasi ka folur për kurthet dhe përfundimin e tyre, është mjaft domethënëse për të kuptuar sesi funksionojnë ligjet e pandryshuara të Zotit në shoqërinë njerëzore.
Kështu që, duke ndërthurur ligjin e Zotit që pohuam më parë se, ndryshimi vjen nga vetë njeriu, me ligjin se, intrigat dhe kurthet janë më së shumti bela për atë që i bën, arrijmë në përfundimin se besimtari nuk duhet të stresohet për intrigat dhe konspiracionet e armiqve të tij dhe as të preokupohet shumë me to, por mbi të gjitha ai duhet të preokupohet për veten dhe gjendjen shoqërisë së tij. Allahu thotë në Kuran:
“Thuaj: “Udhëtoni nëpër botë e shikoni si ka qenë fundi i keqbërësve!” Mos u pikëllo për shkak të tyre dhe mos u ngushto për kurthet e tyre.” (27:69-70)
“Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut. Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre! Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (16:127-128)
Dhe së fundi ajeti që tregon më së qarti vlerën e vërtetë të konspiracioneve dhe tregon mënyrën e përballimit të tyre, janë fjalët ligj të Allahut që thotë:
“Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, kurthet e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që ata bëjnë.” (3:120)
E pra, në asnjë ajet të vetëm kuranor, Allahu nuk i obligon besimtarët që të preokupohen me zbulimin dhe demaskimin e kurtheve që bëhen ndaj tyre, jo se kjo është e ndaluar, por sepse nuk është kjo zgjidhja që ndryshon gjendjen e besimtarëve. Është vetë Allahu që me mirësinë e Tij ka marrë përsipër asgjësimin e çdo lloj konspiracioni dhe intrige, dhe ajo që Ai kërkon prej nesh, si kusht që ky premtim të përmbushet plotësisht është: durimi dhe devotshmëria. Në masën që besimtarët do të përmbushin këtë kusht do të përmbushet dhe premtimi “Ata kurdisin kurthet e tyre, por Allahu i di kurthet e tyre. Edhe sikur prej kurtheve të tyre të shembeshin malet. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.” (14:46-47)
 
Nga gjithë kjo që thamë dalim edhe në një përfundimin tjetër se, të pretendosh që intrigat, kurthet apo konspiracionet janë ato që fshihen pas çdo ngjarje me rëndësi në mbarë botën, e në veçanti atë islame, do të thotë të mos i besosh realitetit dhe të mbjellësh pesimizëm mes besimtarëve, ky është efekti që bëjnë më së shumti shpërndarja masive e librave të tillë si “Komploti Botëror” apo dokumentarë si “Mashtrimi i Madh”, sado të vërteta të pjesshme që ato të kenë brenda tyre. Nëse materiale të tilla do të ishin të vërteta në çdo pjesë të tyre dhe në tërësinë e mesazhit që ato përçojnë, atëherë me të vërtetë situata do të ishte e frikshme dhe e pashpresë dhe për të mos mohuar të vërtetat kuranore që përmendëm më sipër, do të na duhej të besonim se mbarë muslimanët janë përtokë me durimin dhe devotshmërinë e tyre, ndryshe nuk ka sesi të jetë e vërtetë që intriga të tilla kaq të mëdha të jenë të vërteta. E nëse do të besonim këtë gjë, që nuk është reale, do të mohonim ekzistencën e sa e sa besimtarëve të devotshëm dhe njerëzve të mirë që ka ky umet dhe ndoshta do të binim në kërcënim e Profetit (alejhi salatu ue selam) që thotë: “Nëse njeriu thotë: janë prishur njerëzit, ai është më i prishuri i tyre.” (Trs. Muslimi) 
Forca më e madhe e një intriganti është t’i ftojë njerëzit t’i besojnë fjalëve dhe propagandës së tij, e nëse intriganti dhe dinaku më i madh është vetë shejtani, e intriga e tij është e dobët dhe forca e tij kufizohet vetëm tek ftesa, siç vetë ai thotë: “Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët.”, atëherë, faji qëndron vetëm tek ne, kështu që “mos më qortoni mua (shejtanin), por qortoni veten!” (14:22)
Një popull që e kërkon fajtorin e sëmundjes së tij gjithmonë jashtë vetes, nuk ka shpresë se një ditë do të mund të shërohet.
Edhe pse tema për të cilën doja të flisja mendoj se e u plotësua dhe e dha mesazhin e saj, nuk mund të rri pa thënë edhe dy fjalë për atë çka po përjetojnë sot një pjesë e vendeve arabe.
Kushdo që ka vizituar këto vende apo ka lexuar dhe dëgjuar rreth tyre, ka parë qartë se këto shtete sundoheshin apo sundohen akoma nga regjime autokratike dhe diktatoriale në shumë drejtime, e në veçanti në drejtim të lirisë politike e të fesë, shto këtu edhe dallimin ekstrem në ndarjen e pasurisë mes klasës së korruptuar pushtetare dhe popullsisë së varfër, për të mos përmendur këtu edhe politikën e jashtme servile dhe tekanjoze dhe që këto vende kanë. Më shumë se një brez i tërë njerëzish u lindën dhe u rritën nën regjime të tilla shtypëse, dhe nëse një ditë këta njerëz do të shpërthenin, ky është ligji i Zotit dhe pas saj nuk ka kurrfarë konspiracioni apo habie. E gjithë historia e njerëzimit është e mbushur me shembuj të tillë; kur dhimbjet që shkakton ndryshimi nga skllavëria drejt lirisë janë më të pakta sesa dhimbjet e robërisë së tej zgjatur, aty lind ndryshimi dhe revolta. E gjitha kjo është e dukshme dhe e prekshme në jetën e këtyre popujve, ndërsa shkëndija apo preteksti që do të provokonte fillimin e ndryshimit, është vetëm çështje kohe dhe në dorë të Zotit dhe shumë pak i rëndësishëm. Të aludosh për një tjerë shkaktar të vërtetë të tyre dhe të abuzosh me të për konspiracione dhe kurthe, do të thotë të mos i japësh aspak rëndësinë e duhur ligjit të Zotit për ndryshimin e shoqërive njerëzore, që parashtruam pak më parë.
Gjatë gjithë këtyre javëve nga leximet, dëgjimet nëpër mediat arabe e të huaja dhe kontaktet e drejtpërdrejta me njerëz që kanë përjetuar këto ngjarje, nuk kam parë dhe dëgjuar asnjërin të thotë se shpërthimi i këtyre revoltave ishte pasojë e konspiracioneve, edhe pse të tillë -të një niveli më të ulët- e di që ka. Unë kurrë nuk do të guxoja që mjaft prej këtyre njerëzve e dijetarëve të shquar që kam dëgjuar e lexuar, të flasin për këto ngjarje, të dyshoja në sinqeritetin dhe çiltërsinë e fjalëve të tyre, kur thoshin se e gjitha kjo ishte rezultat i natyrshëm i ligjit të Zotit, edhe pse për momentin ishin të papritura për çdo kë, madje edhe për vetë ata që pretendohet pa fakte, se i kanë kurdisur këto ngjarje, të cilët në fund të fundit nuk kishin absolutisht asnjë interes politik dhe ekonomik nga këto ndryshime, edhe pse do të mundohen me çdo mjet të vjelin diçka prej fryteve të këtyre revoltave popullore.
Ditët janë të mbarsura me ngjarje dhe një fjalë e urtë arabe thotë se, ato do të shfaqin atë që nuk e dije dhe lajmet do të t’i sjellë ai që nuk e prisje.
06/03/2011
Justinian Topulli

Rating: 4.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit