3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A ka skepticizëm për Vetting në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

Më të lexuarat

Insistimi i Qeverisë që në Kosovë të ketë Vetting në sistemin e drejtësisë ka vënë në pah dallimet që ka për këtë proces qeveria me Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar Koncept dokumentin për Vettingun dhe ka ngarkuar një grup punues për hartimin e amendamenteve kushtetuese, si një hap më tej drejt realizimit të reformës në drejtësi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë, se përgjigja më e mirë ndaj defekteve e dështimeve në sistemin e drejtësisë është Vettingu.null

Sipas tij, “Vettingu do sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të performancës dhe profesionalizmit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Pra, duhet përqendruar në hapa të tillë, që do kenë për qëllim të fundit sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorit të drejtë dhe së fundmi, fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor. Në mungesë të sistemit të tillë, që karakterizohet me efikasitet, transparencë, llogaridhënie dhe besim, nuk mund të flitet për drejtësi, e në mungesë të drejtësisë, shoqëria jonë rrezikohet me sakrifikim, jo vetëm të sundimit të ligjit, por edhe vlerave themelore të një shoqërie demokratike”, tha kryeministri Kurti në takimin e parë të grupit punues për Vettingun në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij bashkëpunimi ndërinstitucional dhe kushtetues me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, është përgjigja pozitive ndaj reformës.

Nisma shihet mes kritik

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, pjesa për Kosovën, nuk u vlerësua  me nota të mira nisma e qeverisë së Kosovës që të ketë Vetting të tërësishëm në sistemin e drejtësisë.

Në raport u tha, se “Qeveria e re është duke konsideruar disa opsione për procesin e Vettingut”, dhe sipas raportit “ndërmarrja e një ri-vlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është brengosëse dhe paraqet një burim shqetësimi serioz”.

Me këtë konstatim të Komisionit Evropian nuk u pajtua presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila është instanca e fundit që dekreton gjyqtarët e dhe prokurorët.

Presidentja kundërshtoi ashpër konstatimet e Komisionit Evropian dhe tha, se “mungesa e Vettingut do të ishte shqetësim serioz dhe jo përmbushja e këtij procesi.

“Në dallim nga konstatimi i raportit të BE, ky proces do jetë i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës. Për vite me radhë kanë konstatuar mangësi në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e mekanizmave adekuat, si rrjedhojë është e qartë se vetëm me mekanizmat ekzistues nuk do ketë mundësi të kemi reformat e dëshiruara në sistemin tonë të drejtësisë. Ky proces do jetë mekanizëm për të nxjerrë në pah prokurorët, gjyqtarët që kanë integritet dhe janë profesional. Vettingu do zhvillohet në përputhje me standardet tona, duke marrë reforma të thella në drejtësi dhe duke siguruar drejtësi. Jo vetëm kërkoj që ky proces të vazhdojë e të mos ndalet, por edhe të përshpejtohet si domosdoshmëri. I inkurajoj të gjitha institucionet të vazhdojnë këtë punë”, tha presidentja Vjosa Osmani.

“Qeveria nuk ka bindur faktorin ndërkombëtar” 

Por, pse i gjithë ky mosdakordim në qëndrime për sistemin e drejtësisë ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ku këta të fundit me vite kanë kërkuar reformë në sistemin e drejtësisë dhe ku edhe në raportin e fundit të progresit konstatohet se sistemi i drejtësisë në Kosovë është joefikas.

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se qeveria nuk ka arritur të bindë mjaftueshëm faktorin ndërkombëtar për procesin e mirëfilltë të Vettingut në drejtësi.

“Si pjesë e grupit punues por edhe mbi bazën e takimeve të rregullta që IKD ka me partnerët ndërkombëtarë, na është bërë e ditur nga fillimi i këtij procesi se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë në gjendje të bindë partnerët ndërkombëtarë se kjo qeveri ka kapacitete dhe ekspertizë për të zhvilluar një proces të tillë. Procesi i Vettingut duhet të përcillet me besueshmëri, vetë ky proces duhet të ketë integritet të pakontestueshëm në të gjitha fazat e tij, e që ne besojmë se i ka munguar kryesisht për shkak të mos menaxhimit të duhur deri në këtë fazë”, thotë Ehat Miftaraj.

Sipas tij, “polarizimi i skajshëm Qeveri-Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshill Prokurorial i Kosovës, akuzat dhe kundër akuzat publike, po ashtu kanë ndikuar tek humbja e besimit lidhur me një proces të pavarur, të  paanshëm dhe të drejtë të Vettingut”.

Ehat Miftaraj thotë se megjithatë, “Vettingu në sistemin e drejtësisë nuk ka alternativ”.

Zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë që është nismëtare dhe bartëse e procesit të Vettingut në sistemin  e drejtësisë, thonë se “mekanizimi i Vettingut do të garantojë një sistem drejtësie sa më afër me qytetarin dhe sa më të përgjegjshëm, që secili qytetar pa dallim, të marrë drejtësinë e duhur në kohën e duhur”, raporton DW.

Megjithë skepticizmin që e shprehu Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për procesin   e vetingut të sistemit të drejtësisë në Kosovë, mbështetje të pa rezervë Vettingut i dha Ambasada e Britanisë së  Madhe, e cila shkroi se “Ne e kemi mbështetur nismën që nga fillimi dhe do të vazhdojmë të jemi partner për qeverinë ndërsa ata ecin përpara”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike. /DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit