Microsoft ia kaloi Apple-it për nga kapitalizimi i tregut dhe u bë kompania më e vlefshme në botë, aksionet e së cilës tregtohen në bursë, pasi raporti për biznesin e prodhuesit amerikan të iPhone nuk arriti të përmbushte pritshmëritë.
Në Wall Street, Microsoft kishte një kapitalizim tregu prej 2.45 trilion dollarë, ndërsa i Apple kishte një kapitalizim tregu prej rreth 2.41 trilion dollarë, raporton CNBC.
Apple raportoi të enjten mbrëma se në periudhën korrik-shtator, që është tremujori i katërt në vitin fiskal të kompanisë, ka gjeneruar të ardhura prej 83.4 miliardë dollarësh për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit. Parashikohej të arrinte në 84.3 miliardë në Wall Street.
CEO i Apple, Tim Cook tha se mungesa e të ardhurave vlerësohet në gjashtë miliardë dollarë dhe se ai pret që problemet e zinxhirit të furnizimit të përkeqësohen në tremujorin tetor-dhjetor.
Edhe pse shitjet e iPhone të Apple u rritën 47 për qind nga një vit më parë, ato gjithashtu ranë poshtë pritjeve të analistëve.
Nga ana tjetër, Microsoft njoftoi këto ditë se ka gjeneruar të ardhura 22 për qind më të larta gjatë tremujorit të parë fiskal krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që ishte rritja më e shpejtë që nga viti 2018.
Aksionet e Microsoft u rritën me gati 47 për qind, ndërsa e Apple u rritën rreth 11 për qind.
Apple është kompania e parë në botë që ka arritur një kapitalizim tregu prej 1.0 trilion dollarë në 2018, dhe e para që ka thyer nivelin prej 2.0 trilion dollarë vitin e kaluar.
Sidoqoftë, në qershor 2020, Microsoft arriti të tejkalojë për pak kohë Apple në kapitalizimin e tregut, pasi pandemia shkaktoi kaos në zinxhirët e furnizimit, duke arritur një vlerë tregu prej 2,000 miliardë dollarësh pas përditësimit të parë të madh të programit të tij Windows, sipas CNBC. /tesheshi.com/