-2.4 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Një vulë amerikane për “Open Balkan”

Më të lexuarat

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të enjten se administata e presidentit amerikan, Joe Biden ka dyfishuar përkushtimin amerikan për të punuar me aleatë dhe partnerë që Ballkani Perëndimor të avancojë në rrugën evropiane.

Në një dëshmi para Nën-Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropë, Energji dhe Ambient, ai ka thënë se autoritetet amerikane janë duke punuar me partnerë të Bashkimit Evropian për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi mbetet mundësi brenda afateve realiste kohore, më pas shtysë për kryerjen e reformave, si dhe për forcim të rezistencës ndaj ndikimit rus dhe kinez në prag të Evropës.

“Mesazhi më i fuqishëm që mund të japë tani BE-ja është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para fundit të këtij viti”, ka thënë deklaruar Escobar.

Sipas tij, vonesat në këtë drejtim mund të nxisin dyshime dhe rrezikojnë të shkatërrojnë shpresat e një brezi të ri për të ardhmen evropiane.

Për këtë arsye, ai ka thënë se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë dalë me komunikatë të përbashkët, më herët gjatë këtij muaji, për të theksuar se anëtarësimi në bllokun evropian është rruga e vetme përpara për rajonin.

Gjatë dëshmisë së tij ai ka përmendur edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Escobar ka thënë se për këtë arsye ka udhëtuar në Bruksel muajin e kaluar për të përkrahur përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, që të shtyjë të dyja palët për të shtensionuar situatën për shkak të targave të makinave dhe për të gjetur zgjidhje.

Escobar i është referuar marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë më 30 shtator, sipas së cilës, makinat e regjistruara në Kosovë dhe në Serbi duhet të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave kur të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

“Së bashku e kemi bërë të qartë se dialogu është forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur dallimet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet, në mënyrë ideale përmes një njohjeje reciproke”.

I pyetur nga kongresistja, Claudia Tenney, nëse SHBA-ja mbështet nismën Ballkani i Hapur, Escobar ka thënë se autoritetet amerikane mbështesin të gjitha inciativat që bëjnë bashkë shtetet në aspektin ekonomik.

“Ne mendojmë se bashkëpunimi më i afërt ekonomik, jo vetëm se ka nisur të ndodhë, por edhe do të ndodhë. Liderët e tri shteteve që kanë krijuar iniciativën Ballkani i Hapur, na kanë siguruar se ajo është e hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Por sipas tij, kjo nismë nuk mund të funksionojë pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve.

Escobar ka thënë se kjo iniciativë pasqyron diçka që në Procesin e Berlinit është përmendur si Treg i Përbashkët Rajonal.

“Ne besojmë se gjithçka që ofron shtetet me njëra-tjetrën, do të krijojë besim mes njerëzve, do të krijojë mundësi për lëvizje politike në disa çështje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se një treg i përbashkët mes të gjitha shteteve do të ishte shumë atraktiv dhe për kompanitë amerikane.

 “Ne duam të inkurajojmë këtë gjë, duam të inkurajojmë investimet amerikane në këtë rajon”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit