Pyetja:
Kur dhe si duhet falur namazi i vitrit?
***
Përgjigja:
Namazi i vitrit është sunet i fortë. Profeti ﷺ e ka falur gjithmonë edhe kur ka qenë në udhëtim [1] dhe i ka inkurajuar njerëzit për faljen e tij.
Transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu se ai ka thënë: “Vitri nuk është i detyrueshëm ashtu si namazet e detyrueshme, por ai është sunet që e vendosi i Dërguari i Allahut ﷺ”.
[2]
Tek Ibën Maxhe është: Vitri nuk është i domosdoshëm siç janë namazet e detyrueshme, por i Dërguari i Allahut ﷺ e falte vitrin dhe tha: “O ju ithtarët e Kuranit! Faleni vitrin (tekun), sepse Allahu është Tek dhe e do tekun!” [3]
Ky namaz përbëhet nga një rekat, së paku, dhe njëmbëdhjetë rekate më e shumta. Profeti ﷺ ka thënë thënë:
“Fundin e namazit tuaj të natës faleni tek.” Mutefekun alejhi
Transmetohet nga Ebu Ejubi radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Namazi i vitrit është e drejtë e Allahut. Kush dëshiron ta falë me pesë rekate, le ta bëjë e kush dëshiron ta falë me tri rekate, le ta bëjë dhe kush dëshiron ta falë me një rekat, le ta bëjë.” [4]
Koha e tij
Koha e tij fillon pas namazit të jacisë deri në lindjen e agimit. Transmetohet nga Aisha radijAllahu anha se ajo ka thënë: “Nga e gjithë nata, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka falur vitrin në fillim të saj, në mes të saj dhe në fund të saj, por në fund, vitri i tij ishte deri në kohën e syfyrit.” [5]
Kush frikëoshet se nuk ngrihet dot për namaz nate, atëherë le ta fal vitrin para se të fle. Transmetohet nga Xhabiri radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin para se të flejë, kurse ai që është i sigurt se do të ngrihet në fund të natës, ta falë në fund të saj, sepse leximi i Kuranit në fund të natës është i dëshmuar (prezantojnë engjëjt) dhe kjo është më e mira.” Muslimi
Cfarë lexohet në namazin e vitrit
Transmetohet nga Ubej bin Keab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në namazin e vitrit, i Dërguari i Allahut ﷺ lexonte “Sebbihisme rabbikel-eala”, “Kul ja ejjuhel-kafirun” dhe “Kul huvAllahu ehad”. Ai nuk jepte selam veçse në fund të tre rekateve”. [6]
Duaja e kunutit që thuhet në namazin e vitrit
Transmetohet nga El Hasen bin Ali radijAllahu anhu se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më mësoi disa fjalë që t’i them në lutjen (kunutin) e namazit të vitrit: “O Zot! Më udhëzo bashkë me ata që ke udhëzuar! Më jep shëndet bashkë me atë që u ke dhënë shëndet! Më ruaj dhe më përkrah bashkë me ata që ke ruajtur e përkrahur! Më jep begati në atë që më ke dhënë! Më ruaj nga e keqja e asaj që ke caktuar, sepse vetëm Ti cakton gjithçka dhe askush nuk cakton mbi Ty! Askush nuk poshtërohet nëse Ti e përkrah dhe e bën mik. I Pastër nga çdo e metë je Ti, o Zoti ynë, dhe i Lartësuar.” [7
Duaja që thuhet në përfundimin e namazit të vitrit
Prej Sunetit është që në fund të vitrit ose pas tij, personi të thotë atë që transmetohet nga Ali bin Ebi Talib radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thoshte: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike – O Zoti im, të lutem që me anë të kënaqësisë tënde të më mbrosh nga hidhërimi Yt! E me faljen tënde të më mbrosh nga dënimi Yt! Kërkoj mbrojtjen tënde nga Ti! Unë assesi nuk mund të të madhëroj ashtu siç e meriton. Ti je i Madhëruar ashtu siç e ke përshkruar Veten Tënde.” [8]
Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Është e pëlqyeshme (mustehab) që pas vitrit personi të thotë tri herë: “Subhanel malikul kuddus” dhe “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [9]
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Prej Sunetit është që personi në fund të vitrit të tij (para dhënies së selamit ose pas tij) të thotë: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [10]
Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Prej duave të tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [11]
Komisioni i përhershëm për fetua thotë: “Po ashtu ajo që transmetohet nga Aliu radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thoshte në fund të vitrit të tij: “Allahumme inni eudhu biridake min sekhatike, ue bimuafatike min ukubetik, ue eudhu bike minke la uhsij thenaen alejk, ente kema ethnejte ala nefsike.” [12]
Shënim: Shtesa “rabbil melaiketi uer-ruh” te duaja “Subhanel-malikul kuddus” pas vitrit nuk saktësohet (është daif).
Prej sunetit është dhe falja (ndonjëherë) e dy rekateve pas namazit të vitrit
Transmetohet nga Umu Seleme radijAllahu anha se: “I Dërguari i Allahut ﷺ falte dy rekate pas vitrit.” [13] Tirmidhiu
Ndërsa te Ahmedi dhe Ibën Maxheh, i cili shton: “duke qenë ulur.” [14]
Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij
Kush nuk e fal dot vitrin brenda kohës së tij, atëherë le ta falë pas lindjes së diellit, çift dhe jo tek. Transmetohet se Ebu Seid el Hudri radijAllahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush fle pa e falur vitrin ose e harron atë, le ta falë kur t’i kujtohet!” [15]
Përgatiti: Unej Sheme
——————————
1[] Transmetohet nga Ibën Umeri radijAllahu anhu: “I Dërguari i Allahut ﷺ e fali vitrin mbi devenë e tij.” Hadith autentik.
[2] Hadith autentik. En-Nesai (1676) dhe Tirmidhiu (454).
[3] Autentik. Ibën Maxheh (1169).
[4] Hadith autentik. Ebu Daudi (1422), En-Nesai (1712), Ibën Maxheh (1190).
[5] Hadith autentik.
[6] Hadith autentik. En-Nesai (1701).
[7] Hadith autentik. Ebu Daudi (1425), Ibën Maxheh (1178), “Mishkatul Mesabih” (1273) dhe “Irvaul Galil” (429).
[8] E ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Ebi Daud” (1282) dhe “El Irvau” (43).
[9] “El Mexhmuu”.
[10] “Kijamu Ramadan”, “Sahihu Ebi Daud” (1282) dhe “El-Irva” (430).
[11] “Fetaua nurun ala ed derb”.
[12] Përmbledhja e parë, vëll. 7, “Es Salah 2”
[13] Hadith autentik Tirmidhiu (471)
[14] Hadith autentik. Ibën Maxheh (1195). Shih librin “Sunetet e harruara” pj. 4
[15] Hadith autentik. Ebu Daudi (1431), “Sahihul Xhami” (6562).